top of page

Begzad Baliu: INTELEKTUALI QË E BESONTE GJUHËN SI ZOTIN

  • 1 hour ago
  • 6 min read



Promovojme monografinë e doktorit të shkencave mjekësisë Xhavit Bicajt, kushtuar mësimdhënësit, intelektualit, gazetarit, përkthyesit e redaktorit të shumë veprave në fushë të letrave. Në pamje të parë, pra e pazakonshme, sepse jemi mësuar që vepra, monografi të shkruajnë gjuhëtarët e letrarët, po nuk jemi mësuar që të themi atë të zakonshmen: vepra, përkatësisht monografi shkencore më parë se sa gjuhëtarët, letrarët e historianët, shkruajnë shkencëtarët, hulumtuesit dhe intelektualët, e autori i kësaj vepre dr. Xhavit Bicaj hynë në këtë rreth shkencëtarëve, hulumtuesve dhe krijuesve me një cilësi posaçërisht të veçantë në jetën tonë politike: intelektual me guxim të veçantë qytetar.

Jemi mbledhur sot të përurojmë monografinë kushtuar mësimdhënësit, intelektualit e krijuesit Profesor Riza Bicaj, prandaj është krejt e natyrshme që në hapje të fjalës sonë të themi disa fjalë nga biografia e tij.

Profesor Riza Tahir Bicaj u lind më 22 shkurt të vitit 1930, në Tedel (Vrellë) të Istogut. Ishte fëmija i tretë me radhë nga tetë fëmijë sa kishin bashkëshortët Tahir e Mejreme Bicaj. Shkollën fillore e filloi në vitet ’30, me mësim në gjuhën serbe, por me krijimin e Shqipërisë Lirë mësimi në fshatin e tij u organizua në gjuhën shqipe. Mësues i tij i parë ishte atdhetari Hysni Zajmi, i cili ishte gjithashtu edhe themelues i shkollës së parë shqipe në këtë fshat.

Pasi mbaroi shkollën fillore, Riza vazhdoi të mësimet në Gjimnazin e Pejës (1945-1947). Pas Gjimnazit të Pejës Riza Bicaj në vitet 1947-1949, vijoi shkollimin në Normalen e Gjakovës, ku mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe e me profesorë edhe nga Shqipëria. Me të mbaruar të Normales ai caktohet me dekret mësues në disa fshatra, në të cilat mësimdhënien e organizon në shkolla të sapothemeluara dhe madje në xhami fshati, nga Tedeli deri në Shalë të Mitrovicës.


Në vitin 1951/1952, shkoi për të studiuar në Beograd dhe u regjistrua në Katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe. Studimet i përfundon në vitin 1956, ndërkohë që në dhjetor të vitit 1952, ia burgosën axhën Smajl, ndërkaq në mars të vitit 1953, ia burgosën edhe babanë Tahirin dhe axhën tjetër, Mustafën dhe të cilët pas një muaji u dënuan me gjithsej 18 vjet burg.

Për të qëndruar pak më larg syrit të sigurimit ai filloi punën në Gjimnazin Shtetëror të Gjilanit, ku punoi deri në vitin 1960, për tu kthyer në qytetin ku kishte kryer gjimnazin e Pejës nga viti 1960-1966, por përsëri do të lëvizë, tani në drejtim të kryeqytetit të Kosovës ku ishin krijuar kushte më të mira për të zgjeruar horizontin e dijes. Nga viti 1966-1970, punoi në gjimnazin “Sami Frashëri” të Prishtinës. Megjithëse në vitin 1970 ai pensionohet si i gjithë brezi i tij, përkushtimi ndaj gjuhës dhe njohja e saj prej rilindësi, bën që të kaloj në gazetën e përditshme ”Rilindja” ku kryen punën e lektorit, gazetarit, përkthyesit dhe redaktorit.

Në vitet '90, për shkak të okupimit klasik të Kosovës nga Serbia dhe largimit të fëmijëve të tij në SHBA atje shkon edhe Prof. Riza Bicaj, por nga viti 1999, çdo pranverë dhe krejt verën e kalonte në Prishtinë, në rrethin e shoqërisë në Dardani, por të farefisit në veçanti.

Në vitin 2015, ai u shtri në një spital të New York-ut, dhe më 10 shkurt 2015 u largua përgjithmonë nga më të dashurit.

Ka kohë që doktori i përkushtuar edhe i kërkimeve shkencore, historike dhe kulturore, Dr. Xhavit Bicaj ka filluar së shkruari veprat, të cilat në formatin e tyre janë të lidhura ngushtë me fatet familjare, individuale dhe madje kolektive të popullit shqiptar. E tillë ishte monografia për babanë e tij, “Smajl Ali Bicaj: një jetë për arsim liri dhe bashkim kombëtar”, e tillë është monografia, në proces, për historinë e themelimit dhe të punës së Institutit të Onkologjisë në Prishtinës dhe e këtillë është edhe monografia për njërin prej edukatorëve dhe atdhetarëve të veçantë të kombit, Riza Bicajn.

Monografia për mësimdhënësin e gjuhës, redaktorin e kulturës në të përditshmen “Rilindja”, krijuesin letrar, përkthyesin, intelektualin e mbi të gjitha atdhetarin Riza Bicaj është sintezë e një vëllimi prej katërmbëdhjetë kapitujsh me të dhëna dokumentare, përkujtimore e sintetike për çështje e tema të kohës, veprimtari atdhetare të mësimdhënësit patriot të kohës, si dhe diskutime mjaft përmbajtjesore për jetën dhe bëmat e Riza Bicajt.

Vepra hapet me një biografi themeltare për Riza Bicajn, vazhdon me gjendjen e vështirë nëpër të cilën po kalonin familjet shqiptare gjatë fundit të Luftës së Dytë Botërore, me vitet e vështira të shkollimit në gjimnazin e Pejës (1945-1947) dhe të shkollimit në normalen e Gjakovës (1947-1949). Një histori më vete përfaqësojnë dokumentet dhe kujtimet djaloshare të punës prej mësuesi në Bellanicë (1950) dhe në Stantërg (1950-1951).

Kujtimet e Profesor Riza Bicajt dhe të bashkëkohësve të tij më vonë si dhe dokumentet e sjella nga autori i monografisë për studimet në Katedrën e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Beogradit, janë me interes jo vetëm për biografinë e tij po edhe për albanologjinë përgjithësisht, si dije nacionale. Ato flasin gjerësisht edhe për ndikimin e Katedrës në jetën arsimore e shkencore në Kosovë.

Pas studimeve në Beograd, pasionin dhe misionin e tij për gjuhën shqipe, letërsinë dhe mësimdhënien e saj Riza Bicaj e vazhdon në Gjimnazin e Gjilanit, të Pejës dhe të Prishtinës, në të cilët punon shumë për të krijuar një brez të ri intelektualësh, krijuesish e heronjsh, si: Jusuf Gërvalla e Enver Hadri, për të cilët ka shkruar në shtypin e kohës dhe i ka kujtuar disa herë.

Një jetë e re, një ëndërr e re, një horizont i ri, shfaqet përpara tij pas fillimit të punës në të përditshmen “Rilindja”. Në faqet e saj ai merr përsipër të shkruajë për njërën nga rubrikat më specifike, me mbititull, Enciklopedia e vogël. E përditshmja “Rilindja”, prej 32 faqesh, kishte shumë faqe politike, po edhe tema nga ekonomia, sporti, jeta sociale, fejtonistika, televizioni e sidomos kultura, ku Riza Bicaj e kishte përqendruar dijen e tij kombëtare dhe universale. Vështirë të gjendet një lexues i kësaj gazete, i cili të mos kujtojë pyetjet dhe përgjigjet, shpjegimet dhe vlerësimet për tema diturore, të gjuhës, të kulturës, të filozofisë, të natyrës, të universit, të cilat gazetari dhe redaktori Riza Bicaj i botonte çdo ditë. Kjo ishte faqja e të gjithë lexuesve, shkolla e madhe e ëndrrave të Riza Bicajt - ligjërimi i tij, i cili kishte filluar qysh në vitin 1950 në Bellanicë, para një grumbulli vogëlushësh të këtij fshati, dhe tani po kurorëzohej me ligjëratën mbarëkombëtare.

Historia kombëtare ka shumë iluministë e edukatorë të kombit, që kanë ëndërruar ta kenë këtë fat, po është vetëm njëri që e ka realizuar, e ky është atdhetari Riza Bicaj.

Në këtë pozitë Riza Bicajn e gjen koha e okupimit klasik të Kosovës së viteve ’90, zhvillimet politike, ekonomike e kulturore të kësaj kohe, përpjekjet për mbijetesë të shqiptarëve kudo që janë e sido që të munden. Kulmin e ëndrrave të tij e të brezit të tij, sikur dihet do ta sendërtojë sakrifica e Familjes Jashari, prandaj Riza Bicaj do të mbahet mend gjatë për esenë emblematike të asaj kohe Kosova e Ademjasharizuar.

Vepra mbyllet me jetën private e shoqërore të mësimdhënësit, gazetarit dhe atdhetarit Riza Bicajt, vizitave dhe komunikimit me miqtë në Prishtinë dhe sidomos me autorin e këtij libri, nipin e dashur, Dr. Xhavit Bicajn, në një kohë që familja i ishte shpërndarë nëpër botë, ndërsa ai nuk i tërhiqte dot rrënjët e shtëna thellë në vendlindjen e tij në Vrellë dhe në vendlindjen e tij të madhe që i thonë Kosovë, deri në vitin 2015 kur ju dha lamtumira nga familjarët, nxënësit dhe miqtë e tij të pafund. Këtë më së miri e dëshmojnë kujtimet e nxënësve të tij dhe këtë më së miri e provojnë krijimet letrare e shpirtërore të nxënësve të tij, shkrimtarë tashmë të formuar të letërsisë shqipe: Rexhep Elmazi më herët dhe Nexhat Halimi para dhe pas vdekjes.

Vepra monografike e Dr. Xhavit Bicajt mbyllet me një intervistë të gazetarit të njohur të kulturës Sylë Osmanaj me Riza Bicajn, brenda së cilës janë identifikuar, vlerësuar e vënë në spikamë shumë aspekte të gjuhës, letërsisë, kulturës dhe mendimit shkencor në hapësirën shqiptare.

Le të thuhet më në fund se vepra e Dr. Xhavit Bicajt për mësuesin, edukatorin, krijuesin, familjarin e mikun e tij të përmotshëm - Riza Bicajn, paraqet një model të veçantë për të gjithë ne, se si duhet nderuar bashkëkohësit dhe se si duhet të mos i harrojmë burrat e shquar të kohës sonë, mësuesit e intelektualët, si Riza Bicaj, që e donin gjuhën dhe vendin e tyre si zotin dhe që i luteshin zotit vetëm në gjuhën e tyre!

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page