Luftar Pepmarku: Rreth librit, Dr. SALI KURTI dhe që ka për autor z. Hamdi Hysuka
- 1 hour ago
- 5 min read

Kur profesioni ndiqet me pasion, ai gradualisht shndërrohet në "MISION". Kjo shihet edhe gjatë leximit të librit, Dr. SALI KURTI dhe që ka për autor z. Hamdi Hysuka, mikun e pasionuar të librave, drejtorin e një vatre dijesh, siç është ajo që mban emrin e themeluesit të prozës dhe poezisë shqiptare, Biblioteka "Pjetër Budi" Mat!
Gjatë leximit vihet re puna e kujdesshme e autorit Hamdi Hysuka, për pasqyrimin me hollësi e deri në detaje, hapat e një jete me përkushtim të jashtëzakonshëm, të mjekut Stomatolog Sali Kurti, të cilit i kushtohet edhe ky libër! Libri fillon me një panoramë të shkurtër të fshatit të tijë të lindjes, të prejardhjes së familjes së tij, kushteve të vështira të jetesës.
Viti 1946, është viti i lindjes së mjekut të ardhshëm z. Sali Kurti, për të cilin bën fjalë ky libër. Famila e madhe patriarkale, siç quheshin asokohe, familjet me shumë kurorë. Në libër sillet bukur marrja e përgjegjsisë nga babai i tij z. Isuf Kurti, për t'u shkëputur nga familja e madhe. Autori evidenton me kujdes, momentin e largimit nga "Kulla 3 katshe" dhe ndërtimi i një ngrehine të vogël me gardh, ku siç thuhej asokohe, hynte era në të, si mbrend si jashtë.
Pikërisht në kushte të tilla do të kalonin pjesa më e madhe e viteve të fëmijërisë të mjekut të ardhshëm z.Sali Kurti i cili është vlerësuar tashmë, me shumë çmime e tituj. Vitet e fëmijërisë, dëshira për t'iu bërë krah prindërve, në përballimin e plotësimin e nevojave minimale të jetesës, janë disa nga synimet e tija.
Nisja e shkollës fillore, përparimi i mirë në mësime, mangësitë në veshje, kryesisht opingat prej lëkure gjedhi, rënia shpesh të pangrën, mëngjeset me atë përshesh me valë, ku në libër theksohet me pak terhana, janë dukuri të mjaftë bashkëmoshatarve të asaj kohe. Ku fillon edhe krijimi i një tufe të vogël dhishë, të cilat ndikojnë sadopak në përmirësimin e të ushqyerit të familjes. Por edhe në shtimin e mundimeve, për ruajtjen dhe kujdesin që kërkonte mbarshtimi i bagëtive.
Autori evidenton me saktësi mbarimin e shkollës fillore, në kushtet kur mësohej natën, kur bëheshin detyrat nën dritën e kandilit e të pishës, kur shkollat 7 vjeçare mungonin në shumë fshatra. Kjo bën që doktori i ardhshëm t'i ndërpresë për 2 vjet studimet dhe t'i përkushtohet zanatit të bariut. Pas 2 vjetësh motra i thotë se është hapur shkolla 7 vjeçare në fshatin Komësi, që ishte në distancë disi të largët, nga fshati i tyre.
Ky problem u shtrua në familje dhe prindërit jo vetëm u dakortësuan, por edhe e inkurajuan. Edhe vështirësitë e kësaj nisme, personazhi i admirueshëm i këtij libri i kapërceu me vullnet të çelnikët, sa në Komsi, në Ulëz, në Burrel e përsëri në Komsi. Oreksi vjen duke ngrënë, thuhet në urtësi. Edhe dashuria për dije tani merr përmasa më të mëdha, në ndiesitë e z. Sali Kurti.
Me daljen e të drejtës së studimit në shkollën e mesme mjekësore, nis rruga e ngjitjes së tij me dashuri e përkushtim në përmasat që tashmë njihet, personazhi i këtij libri. Ku nuk mungon edhe zgjerimi i rrethit shoqëror, pasurimi i virtyteve përmes vështirësive, që nuk i ndaheshin. Kështu gjatë pushimeve të verës i kushtohej punës, për mbledhjen e bimëve medicionale, për të ndihmuar familjen dhe për të siguruar edhe të ardhura, për vitin e ardhshëm shkollor. Ku ndodh një incident i rrezikshëm nga kafshimi i një gjarpri, gjatë mbledhjes së shqemzës. Incident të cilin e kaloi me sukses, pas mjaftë përipecishë që përballoi.
Mbarimi i shkollës së mesme, periudha e shërbimit ushtarak në Vlorë, ashtu si dhe fillimi i punës si ndimësmjek stomatolog, përshkruhen me hollësi nga autori. Fakte këto, që nuk mund të përfshihen në një shkrim kaq të shkurtër, që unë po bëj rreth leximit të këtij libri.
Ndonëse nuk mund të anashkalohet një rastësi e takimit me stomatologun e qytetit, mbresat e mira që kishte lënë gjatë seancave të praktikës në klinikën e qytetit, që bëri të mundur të mos shkonte me punë në Derjan, po të fillonte punë, si asistent në këtë klinikë.
Ku falë përkushtimit të tij, shumë shpejt fitoi respektin e kolektivit të punës dhe admirimin e pacientëve, të cilët i thërrisnin shpesh doktor. Lere pastaj fillimi i shkollës së lartë, mbarimi i saj me sukses e si qërshia mbi tortë, njohja dhe krijimi i familjes, do të ishte kurorzimi që meritonte z. Kurti.
Bashkëpërballimi i vështirësive, udhëtimet e çiftit nga fshati që tashmë quhej "Drita" e deri në Burrel, marrja më vonë e një dhome në hotel, zgjerimi në një hapësirë disi më të madhe, ku jetonin bashkë me vëllain të martuar dhe nënën, u jepte jetë formimi i shëndosh që kishin, si dhe dashuria që ata ushqenin për njëri - tjetrin.
Në libër lexuesi njihet me një numër të konsiderueshëm personazhesh, që seicili prej tyre rrezaton mirësi, të cilëve u kërkoi ndjesë, që nuk i përmenda me emra! Këtë e bëra me qëllim që të nxisë kurreshtjen e lexuesëve, për ta marrë librin në dorë e të njihen vetë me ta.
Një vend të rëndësishëm e shumë faqe do të meritonte puna e kujdesshme, zgjerimi i shërbimeve, shtrirja e gjërë gjeografike në gjithë teritorin e rrethit. Rritja e shërbimeve ndaj shëndetit oral të fëmijve, pranë çdo shkolle. Organizimi i seminarve mujor dhe shkëmbimi i përvojës mes personelit të stomatologve të rrethit.
Zgjerimi i familjes ngjitja në shkallën e lartë të të bërit gjysh e gjyshe të këtij çifti që jetësuan unitetin ndërkrahinor mes trevave prej nga vijnë, njëra nga Korça e tjetri nga Mati, është një kapitull, që do të kërkonte më shumë vëmendje në këtë shkrim. Ashtu si dhe arsimimi i fëmijve, nipave e mbesave, suksesi i tyre mbrenda e jashtë atdheut, që i rinon e forcon çdo ditë e më shumë u shton gëzimin dhe rrit kënaqësinë, mes çiftit zj. Ikbale Kurti Alizoti e Sali Kurti!

Dakortësia e vllezërve Kurti me zonjat e tyre bashkëshorte, për të ndërtuar Kullën në vendlindje, për ta lënë katin e parë ashtu siç ishte në vitet e mëparshme, vendosja e emrit të babës Isuf Kurti që e kishte ndërtuar atë në vitin 1960. Lënia e ornamenteve e paisjeve të kohës, ashtu siç kishin qënë, i jep vlera muzeale ndërtesës për brezat e ri.
Përfundimisht ashtu si dhe kati i dytë, projektuar sipas modeleve bashkëkohore, sigurisht do të kërkonin më shumë faqe, në këtë shkrim të shkurtër, të bërë prej meje. Gjë që lexuesit do t'i shohin më mirë, të pasqyruara më bukur, nga autori Hamdi Hysuka!
Dy fjalë për rastin e parë që e pashë z. Sali Kurti. Isha në Tiranë takova me studiuesin e kantautorin Esat Ruka. Rastësisht paska qënë dita e marrjes së titullit "Ambasador i Paqes" nga z. Kurti! Aty pashë se çfarë shikimi të ngrohtë i dhuronte ai, çdo bashkëbiseduesi. Një buzëqeshje të çiltërt dhe një vëmendje të veçantë, që ngjallte respekt si rrallë kusht! Aty mësova se propozimi ishte bërë nga z. Esat Ruka!
Duke dalur nga salla e "Muzeut Kombëtar" i them Esatit, mbaj mend që Ferite Kurti, dikur, këndonte një këngë kushtuar një zonje, që ajo e quante "Shinjuese". Por unë duke mos qënë këngëtar, mbaj mend vetëm një varg, të cilin dua të ta them ty sot. Ajo këndonte: "Të lumtë syri moj shinjuese, të lumtë syri asaj pushke" . . . Ndaj edhe unë po të them ty, të lumtë mendja për këtë propozim që ke bërë, kaq të goditur dhe bindës!
Nuk po shkruaj për titujtë dhe çmimet e shumëta që ka marrë z. Sali Kurti, të cilët renditen mjaftë mirë në libër. Për artikujt e shumtë që janë botuar kushtuar tij, apo intervistat e dhëna. Por nuk mund të lë pa përmendur, parathënien që i ka kushtuar Dr. Jolanda Lila e cila e ka prezantuar më së miri Njeriun e mirë, Profesionistin e spikatur, Misionarin pasionant e humanist, Dr. Sali Kurtin. Faleminderit për dhuratën, z. Hamdi Hysuka e kënaqësinë që ndjeva me leximin e tij!









Comments