top of page

Bedri Halimi: VARGJE TË THELLA ARTISTIKE PËR NDJENJËN SUBLIME NJERËZORE


 

Dashuria si ilaç shpirtëror

 

Shumica e poezive të këtij libri, apo pjesa e parë që është pjesa dërmuese e këtij libri përbajnë temën e dashurisë, që paraqet një plotësim shtesë jo vetëm në krijimtarinë letrare të Bilall Maliqit.

Që në fillim, për autorin, “Kalaja e shpirtit” përbën një meditim mbi progresin, ardhmërinë dhe ikjen nga joracionalja e sjelljeve shoqërore: “vet i treti / unë / vetmia / dashuria” (fq. 14).

Ndërkaq, te poezia “Më dil përpara” paraqet dashurinë si ilaç për çdo brengë shpirtërore, ku autori shkruan:“Ma shëro ma dhembjen / që më shpon tejpërtej / në krahërorin tim / mu bëj ilaç.” (fq. 16)

Kjo ndjenjë përshkon edhe poezitë “Ofshamë dashurie”, “Në gropën e shpirtit” dhe “Kthinave të skenës”, ku autori shpreh:“Sa për të parë / aktoren time / në aktrim të rolit të dashurisë.”

Në poezinë “Peng i Harresës”, dashuria është mbrojtëse ndaj harresës: “S’do të mbes peng i harresës / atë do ta mbylli me dashuri.”

Kurse në poezinë “Më duaj”, autori transmeton idenë se dashuria duhet të ekzistojë edhe nesër, më shumë se sot. Për të, dashuria është këngë e fshehur që rrit dhe rinon jetën.

Në poezinë “Në fjalën që fshihet”, për heroin lirik thotë:“Kallem si n’flakë zjarri / atë fjalë / dinë të lexojnë / veç ëngjëjt.”

Këtu, ëngjëjt simbolizojnë njerëzit që dinë të çmojnë dashurinë dhe nuk e shkatërrojnë atë.

 

Dashuria si rrjedhë e pastër

 


Në poezinë “Porosi lumit”, dashuria shfaqet si rrjedhë e pastër që s’ka të ndalur, si lumi i jetës. Autori nuk bie në kthetrat e erosit vulgar, por e përshkruan ndjenjën e dashurisë në mënyrë natyrale, si në poezitë “Nëpër ofshamë” dhe “Dëshirë”.

Brengat e jetës nuk e ndalojnë heroin lirik të dashurojë; përkundrazi, dashuria është ilaç për shpirtin e plagosur, ku të dashurën e quan: “buzëqeshje hyjnore” dhe “rreze dielli”.

 

Opsesioni i dashurisë dhe përjetimi artistik

 

Në poezinë “Duke të pritur” (fq. 44), dashuria kalon përmasat reale dhe shndërrohet në opsesion:“Edhe kur të të zë gjumi / qele derën e ëndrrës / brenda portës jam unë.”

Edhe kur shpresat duken të shuara, heroi lirik gjen mundësi për të rilindur si feniksi, duke u përkushtuar ndaj ardhmërisë.

 

Stina e dashurisë

 

Shpirti i të dashuruarve hapet si Lulevjollcë, jo vetëm në një stinë. Autori sugjeron se dashuria është një stinë e veçantë, një stinë me vete – stina e pestë – që përfshin jetën në tërësi (poezia “Hape shpirtin”).

Ai nuk dëshiron heshtjen e heroit lirik, por që të gjitha stinët – me dëshira të realizuara dhe gëzime të përjetuara – të vazhdojnë në pafundësi (poezia “Heshtja jote”).

Edhe në çaste melankolie, si në poezinë “Shpëtim i shpresës”, përfundimi është i lumtur për heroin lirik.

 

Dashuria si diçka hyjnore dhe e prekshme

 

Gëzimet e jetës krahasohen me kolorit ngjyrash, të pandara nga kalendari i vitit, por brenda librit të jetës ato formojnë një tërësi unike. Edhe kur trajtohet si ëndërr, dashuria paraqitet si diçka reale dhe e shijuar. Malli dhe fshehja gjithashtu përshkruhen me ndjeshmëri të thellë.

Dashuria është hyjnore, prandaj autori i jep epitetin “Luledashuri” – një lule që nuk vyshket, që vezullon përherë, lëshon aromë dhe zgjon ndjenjat e fjetura. Ajo përshkruan vuajtjet, gëzimet, pritjet, shpresat, ëndrrat dhe dëshirat. Dashuria është e pambaruar: në krahët e saj ngjiten dromca gëzimi, realizohen dëshira dhe kremtohen momente lumturie.

Edhe kur subjekti lirik ndodhet larg, heroi lirik do të ndiejë mallin dhe do të udhëtojë drejt dashurisë, ku jeta këndohet me nota gëzimi, buzëqeshje të lirë dhe dashuri të dëlirë.

 

Racionalja dhe ndjenjat

 

Autori sugjeron që në dashuri të mbizotërojë racionalja – të mos kërkohet “dielli në errësirë” e as “hëna në pikë të ditës”, një metaforë kjo kundër iracionales jo vetëm në dashuri, por përgjithësisht në jetë (poezia “Porosi për ty”).

Heroi lirik përjeton dhembje dhe dëshpërim, por gjithmonë është pjesë e ndjenjës universale:

“Brenda lotit tënd – jam unë.” (poezia “Brenda lotit tënd”)

Momentet intime në poezinë e Bilall Maliqit trajtohen me natyrshmëri dhe ndjenjë artistike, pa forcim, artificial apo vulgaritet (poezitë “E putha Ditën”, “Natë e ditë”, “Nëpër tinguj”).

Në poezinë e poetit BilallMaliqi, s’ka vonesa e as ngatërresa, s’ka përlarje, s’ka mosmarrëveshje. Po, ka vuajtje, ka largësi, ka dhembje.

Në poezinë e Maliqit s’ka ndarje, s’ka tradhti.

Fundja dashuria sipas këtij autori, o ekziston, o nuk ekziston fare.

Për Maliqin dashuria është Lule e gëzimit siç e thotë në një titull të poezisë.

 

 

Pjesa përkushtuese

 

Në pjesën “Përkushtime” autori në formë artistike i thur vargje përkushtuese vendlindjes së tij Preshevës si dhe përsonaliteteve të shquara të letrave shqipe e të veprimtarisë kombëtare si Ismail Kadares, Dritëro Agollit, Idriz Seferit etj.

Autorit i qan zemra për shpernguljen e njerëzve nga Presheva dhe për këtë plagë të rëndë pos tjerash thotë: “përditë humb nga një hije \ zhduket si mos të kishte qenë\ e s’dikënd ta qaj… Dhe vazhdon: “Preshevë\ hartë e shtrirë\ në damarët e zemrës sime: (“Preshevë, plaga ime”).

Në poezinë kushtuar Ismail Kadaresë me titull “Legjendë e gjallë”, autori shpreh dhembjen e thellë me rastin e vdekjes fizike të shkrimtarit Ismail Kadare nga kjo botë, por këtë ngushëllim mundohet ta gjejë te vlera e pavdekshme e veprës letrare të autorit Ismail Kadare.

Po kështu edhe në poezinë “Tuat fjalë” që i kushtohet Dritëro Agollit, në fokus vë porositë e përhershme të autorit të dhëna në vargjet brilante të tij.

Te poezia “Erdha tek ti”, kushtuar Idriz Seferit, autori duket i zhgënjyer, jo pa të drejtë, kur konkludon “nëpër gurët e shkepur korbat krrokasin” në këtë rast termi “korbat” ka rolin e metaforës që nuk nënkupton vetëm armiqtë e shqiptarëve, por jashtë këtij qëllimi nuk mbeten as anti shqiptarët shqiptarë, të cilët nuk ishin në gjendje që të jepnin as edhe një qime floku për lirinë e atdheut, prandaj nga zemra e thyer autori përmes vargjeve klith: erdha tek ti për një troh trimëri \me të bëmat e kohës së ikur. Ku për ata që u flijuan për atdhe, ndonëse historikisht koha ka lëvizur, për autorin mbetën përsonazhe të të gjitha kohëve, nga të cilët autori porosit të mësojmë, nga këto të bëma të gjitha gjeneratat, për t’u bërë qeliza funksionale të organizmit të quajtur popull.

 

Kurbeti

 

Plagës së kurbetit autori i qaset jo vetëm nga këndi personal ku duke i përkushtuar poezi të birit të tij, ku përmes vargjeve në duke të parë me karakter personal, në fakt jep mesazh universal, që nënkuton një reflektim mbi plagën shekullore të kombit shqiptar.

 

Vlerësimi i Poezive

 

Poezitë e Bilall Maliqit janë të shkurtra, të kapshme dhe të rrjedhshme, me një ligjërim poetik të qartë dhe logjik. Ai përdor një qasje analize sintetike, duke shmangur deskripcionet e tepërta dhe fjalët e panevojshme që do ta dobësonin artin.

Leximi i vargjeve të tij është kënaqësi; shpesh herë vargu i tij imponon rilexim, duke dhënë mundësinë për të përjetuar thellësisht ndjenjat dhe mesazhet e tij.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page