top of page

Bashkim Saliasi: UDHËTIM NË NISHOVË





UDHËTIM NË NISHOVË

(Reportazh pranveror)


Nga Bashkim Saliasi

 

Në datën 26. 05. 2024 vendosëm me Dritanin (djali i Agim Spahos), që të bënim familjarishtë një vizitë në Nishovë, në vendin ku punuam si mësues dhe jetuam disa vite. Ne të tre morëm rrugën për në Nishovë, në oën gjashtë të mëngjesit. Rruga na eci për bukuri. Tani është një djalë i kujdesshëm në timon dhe njohës i mirë i sinjalistikave të rrugëve të reja që janë ndërtuar këto vite në zonën malore. Kur kaluam në Belsh të Elbasanit, imeshoqe e pyeti Tanin; - nga cila rrugë po kalojmë ne, se nuk po e kuptoj?


-Në këto vite, rrugët e Shqipërisë kanë ndryshuar, nuk është më si më parë, që ishte vetëm një rrugë për të udhëtuar drejt Beratit. Unë i rash nga Belshi, -tha Tani. Nga rruga që lidh Belshin me Kuçovën dhe më pas në qytetin e Beratit. Këtej nga po kalojmë ne, është rruga më e shkurtër se nga Durrësi, Kavaja, Rrogozhina e Lushnja.

-Do qëndrojmë këtu në Belsh të pimë kafenë?  -pyeti Tani.

-Qëndrojmë më mirë te fiqtë në Uznovë, -i thash unë Tanit. Lokali te fiqtë na pëlqen, se ka ambjente të përshtatshme për shlodhje dhe kafeja me një gotë raki shijojnë të shoqëruara me një gotë ujë Bogove. Kaluam Kuçovën dhe aerodromin që ishte shtrirë deri anës rrugës, për në Berat. Me radhë kaluam qytetin e Dimalit dhe iu afruam Beratit. Pasi kaluam Urën e Goricës, morëm rrugën e re, të ndërtuar anës lumit Osum, për të dalë në Uznovë.

Imeshoqe pyeti përsëri.



-Tani, ajo rruga që i binte qytetit mespërmes, nuk funksionon më?!

-Po, ajo rrugë funksionon, por tani përdoren rrugët jashtë qytetit dhe nuk lejohet lëvizja me automjete brendapërbrenda qytetit. Kaluam Uznovën dhe ju afruam lokalit. Tani ndaloi makinën dhe na ftoi të uleshim, për tu shlodhur në ambjentet e lokalit.

Kamarieri erdhi shpejtë dhe pasi mori porositë, nuk vonoi ta sjell atë. Shërbimi në qytetin e Beratit kudo që të ulesh është i shpejtë dhe i kulturuar.

Nuk qendruam gjatë. Pasi bëmë pagesën morëm rrugën për në qytetin e Poliçanit. Në Qafë të Shëmtodës, para syve tanë, u shfaq Mbrakulla dhe kodrat e qytetit të Poliçanit dhe ato të Kapinovës. Kur iu afruam Prokucës, Tani drejtoi makinën në drejtim të Kapinovës. Imeshoqe, pasi përshkruam pak rrugë, e pyeti përsëri Tanin me habi;

-Nga po kalojmë tani? - se kjo rrugë nuk të çon në qytetin e Poliçanit?!

-Ke të drejtë, ne qytetin e Poliçanit e lamë poshtë dhe po kalojmë nga rruga e re sipër, që të çon në Kulmak. Rruga e re kalon nga fshati Kapinovë, del në Bargullas dhe prej andej në Nishovë.  Rruga është shumë e ngushtë dhe plotë kthesa.

-Si nuk bëmë një gjë për së mbari ne shqiptarët?! -i them Tanit.

-Në gjithë botën “vjedhin” në ndërtimin e rrugëve me cm, por jo si këtu te ne, me metër, të ngushta po, pa vend ndërrimi të dy makinave po, pa sinjalistikë po etje…

Dalngadalë u ngjitëm në fshatin Kapinovë. Në këtë fshat, të bie në sy puna e shkëlqyer që bëjnë banorët e këtij fshati. Të gjitha arat ishin mbjellë me lloj-lloj kulturash që nga qepët, hudhrat, fasulet, domatet, specat dhe gjithfarë kulturash të tjera grurë e misër. Banorët e fshatit Kapinovë janë shumë punëtorë dhe gjatë gjithë vitit shesin prodhimet e tyre në qytetin e Poliçanit dhe të Beratit.

Kur dolëm në krye të fshatit Bargullas, para syve tanë u shfaq një panoramë e bukur. Lartë u duk Vitaleni, një vend i shenjtë, ku shkolla jonë çdo pranverë organizonte ekskursionin pranveror. Më pas u shfaqën fshatrat Bargullas, Nishovë e Novaj. Në horizontë dukeshin Dobrusha, Selani, Vëndreshat e Spathara, Therepeli e Vala dhe deri te fshatrat e Beratit, që kufizohen me Përmetin dhe Skraparin. Bargullasi është një fshat me shumë histori. Në kodër ndodhet lagja Koron, poshtë nesh lagja Spaho, Xhamallati, Lulaj, Kondi, Ymeti, shtëpia e Sulo Haxhillarit dhe ajo e Tefik Kalluçit dhe sipër lagja Keli. Shumica e mendimtarëve të arkeologjisë besojnë se Kalaja e Bargullasit, daton rreth shekullit të III-të, përpara Krishtit. Kalaja e Bargullasit, ka qenë e ndërtuar para se të ndërtohej kalaja e Beratit. Sot kanë mbetur vetëm rrënojat e kalasë.

PAK HISTORI PËR KALANË E BARGULLASIT (Marrë nga faqja e internetit)

Kalaja në bregun e Koronit, Bargullas. Fortifikimi i Bargullasit ndodhet në një kodër dominuese në perëndim të fshatit Bargullas. Prej kësaj kodre në horizont në veri ndodhet mali Tomor, vargmali i të cilit vazhdon edhe në drejtimin verilindor. Kjo kodër ka një pozicion dominues, duke krijuar marrëdhënie në hapësirë me një numër fortifikimesh. Në veri ndodhet kalaja e Tomorit, në veriperëndim kalaja e qytetit të Beratit, në po të njëjtin drejtim, me pak shmangie, në perëndim ndodhet Gradishta e Peshtanit. Kodra e fortifikimit të Bargullasit njihet ndryshe me emrin “Bregu i Koronit” ose “Kisha”. Fortifikimi rrethonte një sipërfaqe prej rreth 600 m 2, dhe muri ka një trashësi që nuk i kalonte 1,10 m. Sot gjurmët e mureve rrethuese ruhen vetëm në disa pjesë të kodrës. Më tepër të dukshme ato janë në pjesën jugore e juglindore. Nga këto mbetje shihet qartë se muret kanë qenë ndërtuar me gurë gëlqerorë kuadratikë të përzierë më gurë shtufi, ku më tepër mbizotërojnë këta të fundit. Pjesët e tjera të rrethimit të kodrës janë shkatërruar gjatë hapjes së llogoreve në luftën italo-austriake, në vitet 1917-1918. Blloqet e gurëve të shtufit në fragmentet e ruajtura të murit kanë përmasa mesatare me gjatësi 0,83m x gjerësi 0,50m x lartësi 0,26m; ndërsa ato gëlqerorë shkojnë nga gjatësi 0,36m x gjerësi 0,42m x lartësi 0,36m në gjatësi 0,36 x gjerësi 0,46 x lartësi 0,50m. Mbi sipërfaqen e kodrës u gjetën fragmente qeramike, ku më tipik ishte një fund ene prej qeramike fine. Në pjesën fundore të kodrës së fortifikuar, rreth 700 m larg saj janë vënë re gjurmë varresh, dhe pranë tyre u gjetën disa fragmente qeramike.  Shënim: Materiali është marrë nga artikulli: Ekspeditë përnjohëse në rrethin e Skraparit, Tetor 2008”

Ja pse këto vende kanë plotë histori në lashtësitë e tyre…

-Ja, -tha Tani, ato shtëpitë e rrëzuara atje poshtë, janë të lagjes Ballo, kurse atje në kodër te qafa është Lapidari, që na sillnit ju me shkollën çdo pesë maji. Shkrepa disa herë aparatin fotografik dhe më pas morëm rrugën për në Nishovë, te shtëpia e Agimit, babait të Dritanit. Kaluam për krye të  fshatit Bargullas dhe së bashku me timeshoqe takuam disa banorë gjatë rrugës. Mbi fshatin Nishovë Tani mori kthesën dhe filloj të eci me ngadalë në një rrugë të paasfaltuar.

Imeshoqe pyeti Tanin; - përse nuk është shtruar me asfalt kjo rrugë që shkon në Nishovë?


-Mirë dhe kaq, e bëri Adriatik Zotka, se ne për të zbritur për te shtëpia jonë, na duhej të shkonim nga ajo rruga e keqe e Bargullasit, që ka qënë dikur në kohën e kooperativës. Në zbritje takuam disa bonorë të Nishovës. Sapo ju afruam shkollës, zbritëm nga makina dhe të parët që takuam ishin Beku dhe Tahiri. Hymë në oborrin e shkollës.

Çdo gjë nga ato që kishim ndërtuar ne me mund e djersë në vitet ’80-’88, ishte shkatërruar krejt. Kishin mbetur gjurmë të dy portave, nga komunikonim për të hyrë dhe për të dalë në ambjetet e shkollës.


Imeshoqe pasi hodhi sytë në ambjentet e oborrit të jashtëm të shkollës u shpreh me keqardhje dhe habi;- vetëm arra paska mbetur? !

- I paskan prerë të gjitha pemët, qershitë, mollët, kumbullat, akacijet, ligustrat dhe mozaikun në hyrje të shkollës, i ndërtuar me zajet e grumbulluara me nxënësit nga lumi i Bogovës, kur zhvillonim orët e ekskursionit. Kanë mbetur edhe banjat, -i them unë- të cilat i ndërtuam për të mbajtur veglat e punës dhe më pas i kthyem në tualete brenda oborrit të rrethuar të shkollës.

U ndamë me Tahirin dhe në shoqërinë e Besnikut, xhaxhait të Dritanit, shkuam te shtëpia e Agim Spahos, ku na kishin ftuar për drekë. Në pamje të jashtëme, vila e ndërtuar me një artikturë të kohës, na pëlqeu shumë. Në ambjentin e jshtëm të binte në sy një çezëm me uji të ftohtë dhe muri i zbukuruar me pllaka guri të malit Tomor. Në oborrin e vilës na pritën Agimi, Ollga dhe e shoqja e Besnikut, Dyshja. U ngjitëm në katin e dytë. Kudo mbizotronte rregulli dhe pastërtia. Agimi me Ollgën na pritën përzemërsishtë dhe na ftuan të uleshim në ambjentet e brendshme të vilës.    

Jemi shumë të gëzuar,- tha në urimin e tij Agimi - si unë dhe Ollga që na solle Linën për vizitë.

Urimet i takojnë Tanit, - i them unë, sepse ai na mundësoi që të merrnim rrugën për te ju, këtu në Nishovë, - i them Gimit.

Ollga dhe imeshoqe u takuan me mall dhe të dyja kishin se çfarë të kujtonin.

Agimi është nipi i Shefit Beut, që ishte martuar me hallën time, Feruzenë, dhe kishte djal të jatin e Agimit, Ismail Benë. Gjatë kohës që unë banova në Nishovë halla ime Feruzeja, vinte shpesh nga Bilça dhe qëndronte në familjen tonë. Në kohën që unë jetova në Nishovë Agimi, ndërtoi shtëpitë afër nesh dhe shpesh qëndronim bashkë në familjet e njëri-tjetrit.

Pasi na uruan mirëseardhjes, Ollga shtroi petulla të ngrohta, të sapo bëra, në tavolinë të shoqëruara me mjalt, salcë  kosi, gjizë, gjalp, fruta etj dhe me nga një gotë raki. Më pas solli dhe mish qëngj, të porsa pjekur në furrë. Mëngjesi na shijojë shumë dhe nga atmosfera e ngrohtë që na krijuan në familjen e Gimit.

Agimi na bëri me dije se, kafen ekspres, do ta pimë në Kulmak, te Dervish Iljazi. Imeshoqe qëndroi në Nishovë me Ollgën dhe kunatën e saj, kurse unë, Agimi dhe Tani morëm rrugën për në Kulmak. Porsa dolëm në Breg të Qamës u shfaq fshati im, Dobrusha. Tani, sikur ma lexoi mendimin dhe ndaloi makinën. Zbrita dhe shkrepa disa herë aparatin fotografik. Kur iu afruam Dërrasës së Qamës,- i them Gimit;

-Kur isha pa shkuar në shkollë të mesme, çdo vit mblidhja me çunat sherebel dhe vinim deri këtu, sepse sherebela ishte më e dëndur dhe më e rritur. Shpesh shkonim dhe deri te Gjurma e Abaz Aliut. Rruga me asfalt dhe e mirëmbajtur bëri që brenda një kohe të shkurtër të ndodhemi në Kulmak. Pasi parkuam makinën dhe u përshëndetëm me punëtorët që punonin në ambjentet e Teqes, morëm rrugën për te busti i Dervish Iljazit dhe më pas te vendi ku gjenden shenjtorët dhe në fund ndezëm qirinj, për mirësi e mbarësi të familjeve tona. Në mbarim të riteve morëm rrugën për te resorti i Adriatik Zotkës. Ambjentet e hotelit, që është ndërtuar në Kulmak, janë ambjente që ia vlejnë të pushosh, por shërbimi ishte për të dëshiruar. Qëndruam gati një orë dhe më pas morëm rrugën për në Nishovë, te shtëpia e Agimit. Në shtëpinë e Agimit na priste një drekë me mishqëngji  të pjekur dhe gjithë farë ushqimesh si salcë kosi, djath, gjalp, sallat jeshile dhe plotë të tjera. Në bisedë me Agimin, mësova se, çdo gjë që mbjell dhe vjel është bio pa spërkatje, ashtu sikundër i bënë nëna natyrë. Në drekën e shtruar për nderin tonë merrnin pjesë dhe vëllezërit e Agimit, Ladimiri, Besniku dhe e shoqja e tij Dashuria. Gjatë drekës folëm dhe me vëllan e Agimit, Fitimin, që punon e jeton në Greqi. Dreka kaloi në një atmosferë tepër gazmore dhe mbetëm të kënaqur të dy palët. Për ne ishte një pritje përrallore me plotë të mira. Mbetëm shumë të kënaqur nga mikpritja, respekti që ruanin akoma ndaj nesh, si mësues të viteve ’80, jo vetëm vëllezërit e Agimit, por edhe gjithë banorët e fshatit Nishovë, që banonin aty. I falenderojmë nga zemra dhe i ruajmë në kujtesën tonë me respekt dhe dashuri.

Pasi u ndamë me familjarët, morëm rrugën e kthimit për në Tiranë. Këtë radhë Tani plotësoi kërkesën e timeshoqe, e cila kërkoi që në kthim do të kalojmë nga rruga e vjetër. Tani, eci ngadalë, sepse rruga ishte e prishur dhe nuk kishte vënë njeri dorë për ta rregulluar. Më në fund zbritëm në Pronovikë dhe morëm rrugën për në Tiranë. Kaluam qytetin e Poliçanit, Mbrakullën dhe arritëm në Berat.

-Këtë radhë tha Tani do i biem nga Lushnja dhe do qendrojmë pak kohë në Durrës, të takojmë mësues Asqeri Koxhan. Na pëlqeu shumë mendimi i Tanit dhe të dy me një gojë aprovuam këtë mendim, pasi na kishte marrë malli për kolegun tonë. Tani, gjatë rrugës na foli me shumë respekt për mësues Asqeriun, i cili tani është në moshë madhore, në pension.

Dhe ne, kemi kaluar shumë mirë me mësues Asqeriun, gjatë viteve që qendruam në Nishovë, bile atij dhe familjes së tij, i jemi shumë mirënjohës, sepse më ka shpëtuar jetën në një qershor të vitit 1984, kur u helmova pa dashje në shtëpinë e Feritit.

Rruga kaloi shpejtë dhe në fund qëndruam afër shtëpisë së mësues Asqeriut, që na priste te lokali. U takuam gjithë mall dhe respekt me kolegun tone, që kishim punuar bashkë disa vjet, në shkollën “Ilmi Koxhaj”, në Nishovë.  Pasi pimë kafen dhe u shmallëm me njëri-tjetrin, i kërkuam leje kolegut të nderuar dhe respektuar, Asqeri Koxhajt për tu larguar drejtë Tiranës. U ndam nga kolegu ynë Asqeri Koxhaj të përmalluar dhe morëm rrugën për në Tiranë. Gjatë rrugës, disa herë pyeta timeshoqe, nëse ndihej e lodhur dhe ajo me sinqeritet u përgjigj që nuk e ndieva fare lodhjen, por u kënaqa shumë nga ky udhëtim.

Më në fund arritëm në shtëpi dhe falenderuam Tanin, për udhëtimin që na mundësoi për në Nishovë, të planifikuar prej shumë vitesh dhe u bë realitet sot më 26.05.2024.

I përshëndesim dhe i falenderojmë me shumë respekt dhe dashamirësi, gjithë banorët e fshatrave Nishovë, Bargullas dhe Novaj që na takuan dhe respektuan.

Me respekt dhe mirënjohje Bashkim dhe Angjelina Saliasi Tiranë, 24. 06. 2024