top of page

Bashkim Saliasi: PËR ËNDRRËN TONË QË NISI DIKU           

17 minutes ago
5 min read

                

 

Përjetime pas leximit të librit “Këtu ku nisi ëndrra ime” të shkrimtarit Veledin Durmishi

 

       Ditë pranvere, 20 maji 2026. Mes erës së luleve dhe trëndafilave një kafe me poetin e shkrimtarin, bashkëkohës në shkolln e dijes, në qytetin e bukur të Myzeqes, në Fier, Veledin Durmishi nga Tepelena, me banim në Tiranë, pata fatin të marr dhuratë ndër të parët librin me vlerë të titulluar; “Këtu ku nisi ëndrra ime”. E prisja këtë dhuratë. Për disa arsye: së pari sepse edhe unë vija nga e njëjta shkollë, së dyti kisha ndërtuar edhe unë një libër për klasën time dhe së treti jam edhe unë një krijues letrar.

      Por çdo libër pret kohën e duhur për të reflektuar. Pasi e rilexova këtë libër me vlerë të shkrimtarit e poetit Veledin Durmishi në këto ditë të freskëta të vjeshtës, vendosa të publikoj përjetimet që ndjeva nga leximi i tij. Së pari libri shpreh një mesazh  ngushëllues, mirënjohjeje për drejtoreshën e kësaj shkolle, Bubulina Mici, e cila u nda nga jeta  tetë muaj pas mbarimit të maturës së vitit ’75. Ishe një grua vitale, një drejtoreshë autoritare që në kujtesën e gjithsecilit prej nesh  ajo ka mbjellë rrënjët e dashurisë, mirësisë, vlerat e atij misioni të madh siç është mësuesia.

       U ndjeva mirë që shkrimtari Veledin Durmishi arriti të hartojë këtë libër udhërrëfim për bashkëmoshatarët e tij dhe m’u duk, se edhe unë isha njëri nga këta pedagogjikas të viteve ’70  –’75, ku nisi edhe ëndrra ime pranë kësaj shkolle në profesionin e nderuar të mësuesisë  në  Fier dhe pas mbarimit të shkollës u shpërndamë në të gjitha rrethet e Shqipërisë, nga kishim ardhur si misionarë të dijes. 50 vjet më parë, me atë hapin e drojtur, me nga një valixhe druri, me pak rroba e plot me ëndrra, këta që sot janë nga 70 vjeç, iu drejtuan një shkolle mësuesie, e tani, pas 50 vjetësh, sërish më atë hapin e drojtur, rendën drejt njëri-tjetri nën peshën e madhe të emocioneve të bukura.

   

   Por vjen një moshë që njeriu e kupton se kujtimet janë thelbi i së shkuarës dhe për më tepër ato nuk të lodhin, por të ripërtërijnë, ato të bëjnë të kthesh një herë kokën pas për të parë gjurmët e tua në jetë dhe dikur njeriu vendos ta sjellë të djeshmen në një libër kujtese duke ia hequr harresës të drejtën të vendosë me pamëshirrën e vet. Këtë bëri edhe poeti Veledin Durmishi e që falë   rrjeteve sociale bëri të mundur që këta pedagogjikas të lidhen dhe të shkëmbejnë biseda ndërmjet tyre. Takimet e organizuara nga matura ’74 si nismëtare dhe pasimi nga matura ’73, do ishte një shtysë edhe për maturën ’75 që të realizonin takimin pas 50 vitesh. Shkrimtari Veledin Durmishi arriti që me ndihmën e shokëve dhe shoqeve të maturës ’75 të hartojë librin me titull; “Këtu ku nisi ëndrra ime”.

Veledini ka punuar me shumë kujdes në përgatitjen e librit që bie në sy që nga kopertina me një titull domethënës; “Këtu ku nisi ëndrra ime”, e shoqëruar me foto -kujtim nga takimi pas 50 vjetësh. Libri është korrektuar nga ish shoku i klasës së Veledinit, profesor doktor Bektash Mema, konsulente Gonxhe Ndreka (Toma) dhe përpunimi i fotografive nga Anduela Aliko.

Shkrimtari Durmishi na fton në këtë sofër ne ish pedagogjikasit e shkollës së Fierit në vitet ’69-‘76 të përtypim gjellën e gatuar me shumë shije. Gjithkush nga ne që ka ecur në këtë rrugë ka se çfarë të kujtojë nga ato vite të vrullshme, gjë për të cilën na ndihmon edhe bashkudhëtari ynë pedagogjikas, poeti e shkrimtari Veledin Durmishi nga Mezhgorani i Tepelenës.

Libri përcjell emocione dhe mesazhe që të mbeten në mendje.

“Le të jetë ku libër një hyrje për të prekur ëndrrat tona të rinisë së parë, e asaj rinie, që, edhe pse në një truall shterpë, kishte ngjyra të bukura, kishte ëndrra plot dritë që prisnin radhën të ndizeshin në jetë”, - shkruan në hyrje të librit shkrimtari e poeti tepelenas, Veledin Durmishi.

Dhe më poshtë vazhdon me fjalët lapidare:

“Le ta quajmë përmendore këtë libër ku secili ka pak faqe, por aty flenë kujtimet, ëndrrat, merr frymë jeta jonë në ato katër vite që gjithkush i quan aq vendimtare, në formimin e vet”.

 ”Le të jetë ky libër gjurmë e artë në kujtesën tonë”…

Shkrimtari Veledin Durmishi di ta mbjellë arën dhe di të zgjedh farën. Me një përkushtim dhe punë njëvjeçare ai arrin që të marrë “një prodhim të bollshëm”, nga shokët e shoqet e tij, ku secili sjell muzën e vet të të treguarit për fillimin e punës, ndërtimin e familjes, mbarëvajtjen dhe shkollimin e fëmijëve dhe pse jo dhe të nipërve dhe mbesave. E veçanta e klasës IV D, matura ’75 është; - se Veledini me inisiativën e tij dhe të shokëve Bektash Mema dhe Haki Shuka, arrijn që nëpërmjet rrjeteve sociale të gjejnë shokët e shoqet e klasës brenda dhe jashtë vendit.

Në fjalën përshëndetëse në takimin e parë pas 50 vjetësh në Fier ai shkruan: “Ca valë përshtjelluese na mbulojnë, ndërsa rendim drejt njëri-tjetrit nën një drithërimë emocionesh përvëluese. Tani burra e gra, gjyshër e gjyshe po mbushim këtë oborr krejt të përhumbur me atë vështrim hetues në përqëndrimin e vet.…Imazhe të ngurtësuara, ca fonepsje që shoqërohen me ngritje supesh, ca vështrime brenda dy oborreve të shkollës e konviktit sikur aty të jetë një çelës kujtese. Një minutë heshtje për të larguarit nga jeta; Periste Kora, Arseni Alimuça, Emrioni Jovani, Natali Hila, Shkëndi Piro dhe Adem Pepa.”

E veçanta e këtij libri është se gjithsecili përshkruan rrugëtimin e vet, ku spikatin çiltërsia dhe vërtetësia e tregimit. Puna e shkëlqyer që ka bërë autori me botimin e këtij libri që ngjan me një kopsht magjik ku lulëzojnë shumë lule dhe secila lule ka kumtin e vet që me aromën e mirë që shpërndan josh zemrat djaloshare të rinisë, kurse tani mali me dëborë që ka mbuluar zonjat dhe zotërinjtë fisnikë që për mbi 40 vjet kontribuan në edukimin e brezave, gëzon nipërit dhe mbesat të cilët krenohen me punën e gjyshërve të tyre.


U ndjeva krenar që shoku im i shkollës, pasardhës në mësonjtoren e Fierit, erdhi para shokëve dhe shoqeve me këtë botim me plot vlera me të cilin kanë me se të krenohen shokët e shoqet e klasës së Velos për këtë punë kolosale dhe botim dinjitoz me ballin që rrezaton dhe të fton që në shikimin e parë të zhytesh në thellësi të librit dhe nga njëra faqe në tjetrën ke se çfarë të mësosh për këta mësues  që tani gjenden në pension. Libri lexohet me etje, me një frymë, faqet ndjellin njëra-tjetrën dhe ti kujtohesh vetëm në fund se paske mbaruar një libër. Dhe mbyllja është një gjetje e veçantë artistike.  Për secilin nga shokët e shoqet ai bën surprizën e bukur: për këdo nga pak rreshta e strofa duke i ngacmuar të gjithë brenda një humori të hollë, të bukur dhe aq elegant në finesën e tij. Ka nota të theksuara humori duke sjellë para tyre momente të bukura të atyra katër viteve, por që ishin aq vendimtare në formimin e tyre si mësues.

Shumë urime krijuesit Veledin Durmishi!! Mos pushoftë kurrë pena e tij!

Libri në mbyllje ka edhe një poezi të cilën po e sjellim këtu të plotë.

 VEGIM

Atë qershor diplomën mora me vete

Dhe dy sytë e tu gjer në përgjërim.

Diploma mbeti diku në sepete

Ndërsa sytë e tu e ndoqën fatin tim.

 

Te shkolla sa herë vija mendjengrehur

Dhe te ai stol ku rrinim gju më gju.

Mbase një dritare për mua mbante fshehur

Imazhin e bukur të syve të tu.

 

Imazhin tënd më kot e kërkova,

U lodha, u lodha e s'të gjeta dot.

Nëse ndopak unë ty të lëndova

Sot për ty unë fal dy pika lot.

 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page