top of page

BARDHOSH GAÇE:  FARUK MYRTAJ DHE PROZA MODERNE SHQIPTARE

  • 4 hours ago
  • 13 min read

BARDHOSH GAÇE

Nëpër faqet e prozës bashkëkohore shqiptare

(Kritika Letrare/ botoi “Maluka” 2026)


Pas rënies së “institucionit” të censurës në Shqipëri, pas viteve ’90, në të vërtetë ndodhi një fenomen i çuditshëm dhe i rëndësishëm lidhur me letërsinë artistike, veçmas me krijimtarinë, e cila vinte nga një tematikë e kontrolluar dhe në disa raste e orientuar në kushtet dhe rrethanat politike-ideologjike në të cilat gjendej vendi. Pavarësisht mjeteve të caktuara që “institucioni” i censurës dukej se ishte aktiv, në gjysmën e viteve ’90, por edhe më parë në forma të ndryshme, qoftë dhe përmes kritikës mbi artin modernist, në Shqipëri teoritë moderne, autorët bashkëkohorë, veçmas ato të realizmit magjik kishin depërtuar në vend dhe ishin përthithur nga një pjesë elitare e krijimtarisë dhe e mendimit estetik. Pra, Shqipëria nuk ishte një vend kaq i izoluar lidhur me erërat e perëndimit në letërsi.

Vitet ’90, të cilët rrëzuan ligjërisht censurën në letërsi dhe në art, u shfaq në letërsinë artistike në një formë mjaft të larmishme, ku nuk mungonte dhe një lloj karikaturizmi apo arti pa formë dhe pa ide, qoftë dhe në prozë apo në poezi, dhe kjo lidhej me një element të rëndësishëm që në thelbin e vet ka një letërsi kombëtare qoftë nën censurë, ose jo; poetët dhe shkrimtarët e talentuar mbeten të tillë, ata sjellin në çdo rast dhe kohë art, informacion social dhe krijojnë harmoni.

Rrymat letrare në botë, që më herët dhe posaçërisht në turbulencat kulturore të shekullit të XX e kanë vërtetuar këtë më së miri. Kështu, në fillim vitet ’90 dhe në vazhdim pati një prurje të konsiderueshme letërsie, veçmas në poezi dhe në rastet më të veçanta në prozë, përmes së cilës u shfaq dhe letërsia bashkëkohore shqipe, e cila nën vizionet dhe prurjet e letërsisë oderne, njohjes dhe kontaktit me një masë të gjerë të njerëzve, qoftë ata që njihnin një gjuhë të huaj, veçmas të studentëve dhe të njerëzve të mendimit kritik, shumë shpejt krijoi seleksionimin e kësaj prurjeje të madhe.

Faruk Myrtaj është njëri nga krijuesit e brezit më të talentuar të kohës, të fund- viteve ’80 dhe fillimvitet ’90, të cilin e gjeti mjaft aktiv rënia ligjërisht e censurës në letërsi dhe art. Myrtaj lexohej dhe ishte një nga prozatorët më interesantë dhe në fund- vitet ’80, i cili në periodikët dhe shtypin letrar të kohës kishte arritur të krijonte një emër prej krijuesi që mbahej mend nga lexuesi, dhe kjo është shumë e rëndësishme për një talent të ri. Pas viteve ’90, sfida ishte me talentin dhe jo me konceptin e shumë komentuar të lirisë. Në kushtet e lirisë së krijimit, pa talentin nuk arrin të bësh art, d.m.th. nuk mund të bësh asgjë.

Shkrimtari Faruk Myrtaj është bërë i njohur në letërsinë bashkëkohore shqipe, me një krijimtari të pasur e të larmishme, si: “Dielli i nëntokës” (poezi) 1985, “Rroba e fjalëve gjithnjë ngushtë më rri” (poezi) 1991, vëllime me tregime e novela: “Njerëz që kam njohur” 1987, “Marrëveshje për të jetuar” 1989, “Nudo zyrtare” 1996, “Njerëzit janë tepër” 2000, “Luftëtarët vriten në paqe” 2003, “Hijet e virgjëreshave” 2006, “Dritat e Italisë” 2009, novela: “Qyteti i ministrave” 1998, ese: “Pse druhemi nga nacionalizmi” 1995, “Markezë shqiptarë” 2002. Mjaft tregime e vëllime janë botuar edhe në Shkup, Prishtinë, Toronto (Kanada) e gjetkë. Libri me tregime “Nudo zyrtare” u nderua nga Ministria e Kulturës në Tiranë, me çmim kombëtar, 1996.

Mora shkas për të krijuar një lloj profili dhe tabloje më të gjerë në kuptimin e raportit të krijuesit me kohën, pikërisht nga krijimtaria e Faruk Myrtajt, i cili për shkakun e talentit arriti t’i qëndrojë kohës dhe të përballojë dehjen e lirisë së krijimit, e cila në disa raste është e rëndësishme dhe në disa raste është shkatërruese, për shkakun se i humbet konvencionin kohës dhe krijuesit.

“Nudo zyrtare” është një nga librat më të mirë të shkruara pas viteve ’90, në vlugun e lirisë së krijimit. Është një prozë, e cila për shkakun e një lloj shqise dhe pluskimi të natyrshëm të hulumtimit social të krijuesit pleks tematikisht dhe në këndvështrimin antikonformist shtresën më të pacenueshme të shoqërisë, d.m.th. hierarkinë e saj. Parë dhe hetuar në të gjithë tregimet e librit, Myrtaj dëshmon një prozator të hollë, me një intelekt të zilishëm e të bërit letërsi. Titulli “Nudo zyrtare” përbën ndoshta një nga gjetjet dhe raportet e brendshme të librit, që komunikon vertikalisht, horizontalisht dhe diagonalisht, e cila të kujton fjalëkryqet, që herë shfaqen si metafora, herë si satira dhe herë si piktura. Autori, siç ndodh në prozën moderne të shekullit të XX, veçmas ajo e frymës ekzistencialiste e zhvesh nudo realitetin, i cili në rrethanat kur është shkruar libri, përveç lirisë si shprehje e kohës kërkon balanca, të cilat i vendos një lloj alkimie e hollë.

Duke qenë gati intim, për shkakun e një psikologjie interesante që i përshkon njerëzit, mjediset dhe rrethanat, duket se prozatori ka një përthithje, një gjendje të vetën, i cili në fakt ngrihet mbi atë realitetin e përditshëm dhe zyrtar për ta lexuar, për ta marrë dhe të tjerët, që në letërsi nuk është kaq e lehtë të realizohet.

Pikërisht kjo është ndoshta pjesa më komunikuese e kësaj proze, pasi shkrimtari arrin t’i shpërfaqë me këtë rast raportet shoqërore, burokracinë si një tipar të kohës.

Me të drejtë, ndonjë studiues apo në ndonjë mendim kritik elitar të kohës, në prozën “Nudo zyrtare” të Faruk Myrtajt është kërkuar ndopak kafkianizëm, një kafkianizëm i kohës së shkrimtarit, veçmas përmes personazhit të tëhuajsuar, që lidhet me lirinë individuale, pasi ajo që bie në sy në prozën e Kafkës është ajo që lidhet me individin dhe raportin e tij me lirinë (ligjin). Dhe ky tipar është ndoshta një nga gjërat më të dukshme dhe shprehëse të Myrtajt dhe që bie në sy për shkakun e fabulizmit, ngjarjet dhe subjektet në prozën e tij janë ndoshta më të mirët në tregimin shqiptar. Ai arrin të gjejë subjekte, ngjarje dhe personazhe që mund ta “zhveshë” burokracinë e kohës nudo, si tipar i sistemeve totalitare, por edhe ata që vrasin lirinë e individit.

Rrëfimi që qerthullon një kohezion të çuditshëm lidhur me lirinë individuale është tregimi “Radio për të burgosurit”, i cili ndërkohë, për shkakun e lirisë individuale nëntekston lirinë kolektive. Pavarësisht se ç’kërkohet dhe ç’ndodh me idenë e programit të radios së burgut, në tregim lëviz një lloj “kumti” nëse mund ta quajmë të tillë, se dhe të burgosurit janë “bijtë tanë”, ku autori krijon raportet e lirisë individuale me ato kolektive, gjithmonë nën çështjet e lirisë, dhe marrëdhëniet e lirisë së vogël me atë të madhe, siç vepron Kafka.

Po një situatë absurdi dhe përmbysjeje realitetesh për të raportuar kohën dhe realitetin social, shpërfaqet tregimi “Qyteti i dekoruar”, nën një fabul të thjeshtë dhe të shkurtër, një qyteti grotesk, ku dielli lind në perëndim, ku gjysma e qytetit është dekoruar ndërsa gjysma tjetër pret në radhë për t’u dekoruar, pra një lloj iracionaliteti të nderuar mjeshtërisht me racionalitet.

Një tregim tjetër i një natyre absurde është dhe tregimi “Dritarja e fundit”, një tregim që thotë apo tregon për njeriun fatal të kohës; një shtëpi të madhe, që e fiton një familje e madhe (?) i kërkohen dy kushte, së pari këtë shtëpi nuk duhet ta lëshojë kurrë, ndërsa kushti tjetër është ai, që meremetimet e jashtme t’i bëjë tjetër kusht. Është një tregim mjaft i thukët dhe me një metaforë simbolike të jashtëzakonshme, pasi rast pas rasti dritaret e saj i mbyllin me tulla, dhe brenda saj krijohet një gjendje e hatashme ankthi. Duke nënthënë se asgjë nuk krijohet vetvetiu, shkrimtari krijon një lloj diagrame të ankthit, një pamje që në realitetin shoqëror të kësaj kohe është mjaft mirë i identifikuar, ku realitetet e absurdit dhe ankthit kafkjan në raport me ligjin janë të njohura mjaft mirë.

Ideja e fatalitetit shpërfaqet mjaft mirë dhe në tregimin tjetër “Shpirtra tepër”, një subjekt nga miniera, në të cilën ka një dualitet të njohur me frikën, ndërsa ideja se ku mbaron frika dhe fillon vdekja është ndoshta pjesa e fatalitetit të xha Markos, tri ditë para se ai të dilte në pension.

Në një formë tjetër ky lloj fataliteti shfaqet dhe në tregimin “Fjala”, i cili “raporton” një model sundimtari. Natyrisht në një pjesë të dukshme, të “nevojës” artistike subjektet dhe gjendjet psikologjike në pjesën më të madhe të tregimeve tek “Nudo zyrtare” shfaqen si në një hiper-realitet, një realitet mbi atë të zakonshmin dhe përditshmin, por identifikimi si një realitet i përditshëm i tyre është i kuptueshëm, për shkakun e çlirimit të tyre nga subjektiviteti.

Në tregimet e shkrimtarit Faruk Myrtaj shquajnë karakteret, të cilët përgjithësisht janë të ftohtë, si nënprodukt i kohës dhe i qëndrimit të autorit. Po ashtu, në një rrafsh horizontal, nëse do të kërkonim t’i shprehnim ngjarjet përmes një raportimi të tillë, e gjithë ajo që thotë dhe kërkon të thotë në tregimet e tij Faruk Myrtaj vjen përmes situatave konkrete, situata psikologjike, pasi Myrto nuk ka peizazhe në krijimtarinë e këtij libri, por në të ka një saktësi të habitshme, që autori e ka sjellë për një qëllim të caktuar dhe të njohur, duke shpërfaqur edhe tiparin e tij letrar, si prozë antikonformiste.

Krahas tregimeve që Faruk Myrtaj ka botuar në gazetën “Zëri i Rinisë”, “Drita”, apo revistën “Nëntori”, një roman me vlera të veçanta është edhe ai me titull “Atdhe tjetër”.

Që në titull, romani i Faruk Myrtajt na josh të kapemi dhe të rendim pas një fiksioni se kush është atdheu tjetër. Mund të ketë dy shtete, por s’mund të ketë dy atdhe. Veçse, në letërsi ka edhe dy atdhe, pa mohuar kurrsesi atdheun e parë, pra, ka një atdhe. Mjaft thënie kozmopolite qarkullojnë mbi konceptin e atdheut dhe ajo më e njohura është se “atdheu është aty ku jeton mirë” apo thënia e Kutelit “duaje atdhenë edhe kur ai të vret”, ashtu si thëniet e bukura të Faik Konicës apo të Çajupit.

Para se të jetë diçka materiale, atdheu është një kondicion shpirtëror, ai është kujtesë edhe kur nuk të afron gjësend në të tashmen dhe në të ardhmen dhe nëse në këto tri dimensione heq njërën, dy të tjerat mbeten të lëkundura dhe përcaktimi definitiv mungon. Shumë pyetje shtrohen dhe mjaft dilema përgatiten të të zënë në kurth pasi lexon romanin e Faruk Myrtajt “Atdhe tjetër”, një roman i rrafshit të gjerë dilematik dhe që ndërtohet me teknikën e të përsiaturit, duke thirrur në ndihmë mendimet e protagonistit, ato autoriale apo të një rrafshi më të gjerë nga sfera e historisë, politikës, aktualitetit, emigrimit, apo nga autorët e mëdhenj të letërsisë.

Këtu në këtë roman, kemi relacionin e një emigranti me atdheun dhe me botën ku shkon dhe kuptohet se kemi mjaft shenjëzime autoriale, që vihen në spikatje dhe zgjerohen e marrin trajtë rrëfimore përmes një diskursi të thellë i shtruar në trajtë pyetjesh dhe kontradiksionesh të thella. Faruk Myrtaj është autor i disa vëllimeve me tregime si dhe i mjaft romaneve. Vlera përsiatëse te proza e tij sjell në spikamë një veçori të stilit të tij, që synon drejt realizimit artistik të një proze problemore e që i thyen kufijtë e subjektit. Pra, nuk kemi një subjekt si montim me ato pjesët përbërëse, por kemi një subjekt ku ngjarjet qëndrojnë në rend të dytë apo të tretë dhe përparësi merr ideja apo fluksi i ideve, të cilat përcillen dhe konturohen në një botë shpirtërore ankthioze.

Proza e Faruk Myrtajt dallohet për vendosjen e drejtë të raporteve sociale me ato personale dhe, nëse do të mbeteshim deri këtu, kjo do të ishte e padrejtë, se këto raporte marrin një vlerë universale apo aktualizojnë një kohë të caktuar që të kujtojnë ikjen pa kthim nga vendi yt. Kështu raporti personal shërben si indikator prej të cilit mund të hysh në raporte më të thella e më të ndërlikuara të individit të sotëm shqiptar në afrimin dhe largimin që ka ai me ideologjinë, politikën, ekonominë, mirëqenien, varfërinë apo arsye të tjera të psikikës njerëzore që e trondisin qetësinë e saj.

Kjo temë dhe ky bosht ideo-tematik, është zgjeruar dhe trajtuar me zotësi dhe nivel artistik nga autori, realizuar estetikisht përmes një proze që duhet lexuar me kujdes dhe vëmendje. Njeriu kur ikën jashtë shtetit apo kur ikën përgjithmonë për të jetuar në një vend tjetër ndodhet përpara dy rreziqeve: rrezikut të të-huajzimit, pra, të humbjes së identitetit të parë dhe rrezikut që s’mundet ta ruajë identitetin dhe kjo është e natyrshme.

Ruajtja e identitetit mbase është dështim i integrimit në një shoqëri tjetër siç ndodh me Karl Rosmanin te romani “Amerika” i Kafkës, autor, që Myrtaj e përmend shpesh në roman. Përmes këtyre rreziqeve zhvillohet dhe shkulmon herë vrullshëm e herë më qetë një botë e tërë ankthi, dhe nevoje për qartësi, dhe për të dalë nga suaza e ideve që të torturojnë.

Faruk Myrtaj ashtu si edhe në tregime e romane të tjera, e ndërton metaforën e tij narrative në ide parabolike që qëllojnë jo drejtpërdrejt dhe marrin harkun për ta mbuluar e për ta shtresuar kuptimin, duke i lënë kohë lexuesit të mendojë. Proza e tij gjithashtu përfshihet në paralelizma të shumtë dhe i shpëton linearitetit të rrëfimit me kthimet pas dhe teknikën e avancimit të ngjarjeve, teknika të njohura këto të prozës moderne që përzien kohërat e rrëfimit, duke i parë ngjarjet në disa kënde konceptualë të vështrimit të tyre.

Mbi një fabul të njohur (meditimet e një mërgimtari në largim dhe të larguar), autori trason dhe u hap udhë mjaft ideve, të cilat përhapen fije-fije dhe mblidhen duke krijuar kështu lëmshin e dhimbjes njerëzore që vjen nga largimi.

Rrëfimtar i realiteteve të përmbysura si rezultat i zhvillimeve sociale dhe politike të pas viteve ’90 dhe i realiteteve të reja që krijohen, por që marrin nga realitetet e vjetra dobësinë dhe dhimbjen e kësaj përmbysjeje, Faruk Myrtaj di të krijojë përmes tyre frymën e guximit dhe të orientimit të protagonistit të romanit kur shikon se këto realitete nuk shihen jo vetëm si një dramë, por edhe si një mësim i vyer për t’i parë gjërat më realisht përmes qartësisë së një mendimi të kthjellët, që nuk e humb mundësinë e të parit përmes mjegullave të kohës dhe të hapësirave të panjohura nëpër vende të huaja.

Faruk Myrtaj gjithnjë e zgjeron kontekstin e ngjarjeve jo vetëm prej mundësisë që jep zgjedhja e faktit jetësor apo tema-por edhe prej prirjes së tij të natyrshme si veçori talenti, që proza të mos mbetet në trajtën e një rrëfimi të thatë deskriptiv. Kështu, romani i tij “Atdhe tjetër” i lexuar përmes kësaj tejqyre të vështrimit, përfton e të jep mundësi të përftosh si lexues mjaft qasje të veçanta ideore, pesha e të cilave mundëson një rrezatim intelektualist e filozofik në shfaqjen e tyre të njëmendtë.

Situatat e përshkruara në roman dhe të ndërthurura me njëra-tjetrën, përcillen sa në konkretësinë e tyre, aq edhe me një lojë të imagjinatës apo në dhënien e saktë të një bote plot dritë-hije të sferës shpirtërore të njeriut për të kuptuar se ç’ndien ai në këtë rrugëtim pa kthim, kush është pesha e fatit apo loja e tij për ta rënduar më shumë këtë peshë apo për ta lehtësuar.

Vizioni i një bote të njohur dhe të panjohur shkrihet, qartësohet, mjegullohet sërish, merr pamje tjetër dhe bëhet një udhë me ulje-ngritje për ku ecën troku i mendimit që herë bëhet i shpejtë dhe herë i ngadaltë. Është ky vizion që përbën intrigën jo narrative, por ideore të romanit, sepse ky roman të intrigon më shumë në mendim dhe në zotësinë për ta shteruar mendimin drejt gjërave të njohura sesa me ngjarje intriguese të papritura.

Në pjesën e parë të romanit autori sjell tipa interesantë, nostalgjikë, anemikë, njerëz që humbin shpresat për shkak të ndryshimeve, Të gjithë treguesit nënshtrues dhe kufizues të atij sistemi të shembur, por jo të përfunduar, përcjellin slogane letrare të tipit si: “nga vetja nuk iket”, “jetët imitojnë të shkruarat”, “korniza ekspozite pa fotografi”, “vetmia s’është gjithnjë e keqe”, “një ditë e gjejmë veten”, “Gur i Sizifit, si gur i shkelur”, “je nisur kur s’të rrihet më” etj., etj.

Ndërtimi subjektor i nënvizuar në tituj, të cilët nuk kanë një rend kronologjik është bërë me një rend të çrregullt për të na dhënë amullinë dhe shpresën, kërkimin dhe pesimizmin, për të na dhënë një kohë të pakohë që kërkon një fytyrë dhe nuk di se si ta gjejë. Ajo shfaqet dhe zhduket si në një dramë absurdi, ku shpresat ndizen dhe fiken dhe krijojnë një lojë, kuptimi i së cilës nuk merret vesh. Kjo përthyerje narrative dhe ky shenjim përmes titujve që vijnë befasishëm dhe sikur nxisin njëri-tjetrin, ka një funksion të mirë-menduar të tablloidit aktual në këtë kapërcell vitesh të rrëmujshme, që duket sikur shtyjnë njëra-tjetrën drejt asgjësë me një delir dhe shpresë që i ngacmon për mirë.

Shkrimtari ynë i mirënjohur, Faruk Myrtaj, tregon me një ironi të hidhur takimin me kryeministrin e kohës përmes një episodi të shkurtër, kur ardhja e kohës së re erdhi ndryshe nga çfarë pritej, ashtu siç jep imazhin e një femre në kalim apo një bisedë me një mik që i kujtohet vetëm si bisedë dhe që mundohet t’i gjejë kuptimin, por nuk ia deshifron dot veçse me shenjat e sëmura morale të kohës së re. Kështu vjen me “faj në gjuhë të huaj” mësuesi Greg që u mëson anglishten atëherë kur kjo gjuhë ishte e ndaluar dhe mësimi i fshehtë i saj sillej si fajësi ose një dashuri e fshehtë që kishe frikë se mos zbulohej. Sillet në roman figura e Tinës apo e Besartit dhe figura të tjera shokësh apo njerëzish të zakonshëm të vizatuar shpejt e shpejt për të dhënë dinamikën e një përjetimi që varet gjithnjë nga një mjegullnajë kuptimi dhe moskuptimi.

Autori në këto mjedise të zakonshme dhe intelektuale sjell herë pas here emra shkrimtarësh si Samërset Mom, Orhan Pamuk, Lorka, Heminguej etj., etj., duke e përshpejtuar rrëfimin e duke krijuar tipologjinë e të menduarit aktiv, ku në çdo emër që sillet nuk është një rastësi, por një bartje e vetëdijshme e rrëfimit drejt një vetëdije kohore, që nuk bëhet kurrë esëll se nuk ka se si.

Dhe ja ku shfaqet Franc Kafka me “Amerikën” e tij dhe harta politike e botës, e cila sidoqoftë e orienton protagonistin drejt Perëndimit dhe në Perëndim. Ai është një Lindor, po përse jo një njeri? Konvencioni flet shumë. Romanin “Amerika” të Kafkës e sjell si lajtmotiv narrativ dhe e përmend shpeshherë. Ky lajtmotiv ka një domethënie ideore, Në Amerikë s’duhet të jesh një Karl Rosman, na mëson Kafka me romanin e tij të famshëm të papërfunduar.

Po çfarë mund të jesh dhe këtu fillon dilema, e cila qep dhe shqep vazhdimisht pëlhurën narrative të romanit dhe krijon gjendje të tilla që vijnë dhe shtjellen, hapen e mblidhen me një dramatikë të fortë psikologjike përmes detajeve të shumta që kalojnë në filtrin e mendimit.

“Bota po shndërrohet në Babilon” thotë prozatori, f. 123. Një botë tjetër, një mjedis tjetër diçka hutuese për këtë “Karl Rosman” të ri dhe të vjetër ashtu si mijëra të tjerë. Dhe ja ku shfaqet “atdheu i dytë” një vend i Perëndimit anglishtfolës, ku autori përshkruan gjithë ato rregulla dhe atë odiseadë kufizimesh e lirish që ndërkëmbehen shpesh me njëra-tjetrën.

Romani “Atdhe tjetër” është një roman social, politik, kulturor, psikologjik me një shumësi të avancimit rrëfimor dhe digresionit po kështu. Ai ndërtohet në shumë rrafshe të projektimit të ideve dhe të realizimit të tyre, që vijnë përmes episodeve të shumta të shkurtra dhe që frymojnë e jetësohen artistikisht. Është një roman ku subjektivizmi përfshihet maksimalisht në shprehjen autoriale që shkrihet me protagonistin që është tek e fundit çdo shqiptar i emigruar e veçmas me atë shqiptar që shkon kulturalisht i përgatitur në Perëndim.

Fjalia e prozës së Faruk Myrtajt ngërthehet nga shumë paradokse të të shprehurit, duke dhënë kështu absurdin e jetës, ku njeriu kërkon një atdhe tjetër, që nuk e gjen plotësisht, sepse nuk e lë e kaluara që përzihet me të tashmen, duke dhënë kështu një dimension të thellë të qenies njerëzore në këtë botë të modernitetit dhe të identitetit të kërcënuar prej tij.

Kemi një procedim që të kujton Kafkën në krijimin e gjendjeve surreale që mbërthehen nga një fiksion diku-diku haluçinant dhe që e shfaq delirin si dhimbje të përjetshme për atë që nuk iu bind idealit human dhe zhvillues.

Autori e funksionalizon këtë gjendje përmes një fjalie mjaft të përpunuar e detajeve shprehëse që tregojnë për një qëmtim të hollë e zhbirim në psikologjinë e njeriut në kapërcell kohërash. Romani lexohet me përqëndrim dhe kërkon vëmendje në të lexuar, ashtu siç sjell një botë të pasur shpirtërore, e cila kalon më së miri sprovën e vështirë të mendimit kërkues dhe nuk e humb shpresën.

Mbetet një roman që shtjellon bukur nocionin e lirisë së individit në kontekste soc-politike, kulturore dhe psikologjike, duke vënë në ballafaqim mungesën e lirisë dhe kontaktin me atë të individit, ku zbulohen natyrshëm kontrastet midis kohërave në dy dimensione, midis të shkuarës dhe të tashmes dhe e ardhmja si dimension i tretë zhytet në mjegullnajën e së paditurës.

Romani i përket tipit të romanit problemor dhe lloji i ndërtimit subjektor është unazor, protagonisti sa del nga një rreth hyn në tjetrin dhe kjo vjen në mënyrë të natyrshme pa humbur këntiunitetin e idesë që është liria e individit në qasje me idenë e atdheut si kujtesë dhe si mbërritje e destinacionit.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page