top of page

BALADA E FUSTANIT TË BARDHË


Arqile V. Gjata

BALADA E FUSTANIT TË BARDHË

Sa herë qëmtoj brengat

më rishfaqet buzëqeshja

e asaj vajze…

Dikur,

me shpresë për të ndezur

një zjarr

ëndrrat tona u copëtuan qiellit

nga goja e arnuar e kohës…

Shpesh

një pikë loti të tretur

i dhuroj tek qetësohet e harruar

thërrmuar degëve,

ngelur në sirtar këpucët e nusërisë

që askush nuk ia dhuroi.

***

Tani e shumë vite

vajza po fle

hedhur mbi vete nën rërën

e kripur të fshatit

fustanin e bardhë…

Para portës së kujtesës

nxitoj hapin e viteve,

më mbyt dëshpërimi i atyre ditëve

të asaj vajze të vrarë…

Me grushtin shtrënguar në zemrën time

përtyp lot, të hetoj dramën e asaj vajze

të uritur për një gllënjkë dashurie!

MËSUESJA IME E PARË

(Kristavgji Bano)

Nga thellësia e moteve të shkuara

dora e Mësueses

ende mi përkëdhel flokët e thinjura.

Sa herë e kujtojë Mësuesen e parë

një muze ndjenjash më ri çelet në kujtesë.

Mësuesja ime Kristavgji Bano,

herë e shohë të re me dy sytë e zinj

herë me atë blerim të kohës,

vetëm mosha e saj di ta shpjegoj botën.

Sot…

ta dëgjova përsëri zërin

më përqafove, t’i putha ato dy duar!


BASHKË ME PRANVERËN BËHEMI TRE

Poet,

ma mbushni gotën plot me verë

të ndjej frymëmarrjen e pranverës

të kap mirëseardhjen e lulëkuqeve!

Ne…

bashkë me poetët jemi natyra

jetojmë me muzikën e luleve të porsa çelura.

A nuk është sot Pranverë?

Eja vashëzë…

vishu me ngjyrat e festës

ti bashkohemi rrëfenjës intime,

për sot

syri i stinës së ngjyrave

ka zgjedhur dashurinë të recitoj!

Dritë gëzimi Pranvera

si bijë e jetës

dhe e dashura ime si sot ka lindur!

***

Në çdo gonxhe trëndafili

unë dhe poeti

bashkë me pranverën bëhemi tre!


TË GJITHA NGA PAK!

Sot

të tria vaktet e ditës

i lagu nga pak

shiu rufjan.

Pak shi. Pak ftohtë,

pak zhurmë makinash.

Të gjithë nga pak lexojnë në fb-k,

nga pak i dorëzohen bukurisë së dashurisë.

Pleqtë e pallatit

nga dritaret kuvendojnë

nga pak me kopshtin

e ndodhur atje pranë.

Banorët e këtij pallati

buzëqeshin nga pak,

kështu bëjnë dhe tipat e komplikuar

kur kalojnë para portës.

Në hyrjen time 133

porta e jashtme hapet dhe mbyllet

me pak zhurmë…

GRUAJA ËNDËRRIMTARE

Ajo,

“Gruaja ëndërrimtare” sodiste veten,

ndjente ftohtë

kur mendonte se ishte aq e bukur.

Me tërë madhështinë e moshës doli nga zarfi,

si shelgu vajtues zgjati duart

në kërkim të së vërtetës…

Kishte rënë peng e vetvetes…

Këtë gjë e dinin dhe rrugicat e moteve

stina e saj ishte vetvetja

donte të bëhej pjesë e asaj ëndrre

vërtetë, ajo fluturon nga qejfi!

I thotë vetes:

-Jam e butë dhe e bukur si ëndërr!


KU SHKONI, O TË PLAKUR…?

Çapiten nëpër ajër të kohës,

kukurisin me pak zë grumbuj të moshuarish.

-Ku shkoni, o të plakur,

nëpër mjegullën e bardhë?

Jeni hallexhinj

deri në shpirt të thinjur.

* * *

Tani nuk ka lojëra për ata,

veç fjalës që ua dhurojmë

a belbëzimin e një foshnje.

Mbetur me veten,

qeshin me fytyrën plakushe të tyre

dhe ëndërrojnë kujtimet e së djeshmes

varur në kopshtin e lodrave.

Në gramë të shpirtit

ndihen pëshpërima buzësh

që dikur puthën.

Të ecin duan, diçka më tutje, ashtu,

me gjysmë fryme, ecin…

***

Dhe unë, pse i thinjur dua të hapoj,

më pëlqejnë lojërat

“Valët e Danubit” me elegancë e vallëzoj!!


PËR SHËN VALENTIN

E dashur,

në studion tonë kemi shumë letra dhe fjalë dashurie.

Ka ardhur koha,

me to të ndërtojmë Shtëpinë e fjetjes.

Mëngjeseve do përtypim mesazhet plot hire

të poezive

shkruar për buzët dhe flokët e bardha.

Gjithçka nga letërkëmbimet do i shtrojmë në tapetin e kuq

e ne të dy, futur brenda njeri-tjetrit

do vallëzojmë sonte në natën e Shën Valentini-t,

të recitojmë kujtimet

ruajtur me merak në dy gjysma zemre.

Me germat e tyre do pikturojmë të sotmen,

buzëqeshjen e dashurisë…

mbi një trëndafil të kuq!

21 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page