KOSOVË, FLAKADAN LIRIE…
BAJRAM CANAMETI
Nga luftërat e dallgëzuara si deti
Gjëmon forca e qëndresës,
Shpirti yt, shkundullues si ballë tërmeti
Në emër të jetës….
Sa njerëz mbetën pa varre,
Sa u endën nëpër botë,
Porsi Feniksi veten e ngjalle
Në dhimbje e lotë…
E ti qëndrove, o zonjë fisnike,
Me dhimbjen deri në asht,
Hordhitë e panumërta armike
I ktheve mbrapsht…
Në udhën drejt dritës
Hisen e diellit ia dhe shqipes…
Tani në hartë të botës je
Gjethe njomështie e ndritur.
Në eshtrat e dëshmorëve rri
Shtizë e flamurit tënd,
Dëshmorët prehen në përjetësi
E ti drejt të ardhmes rend….
Kosovë –dardane, gjoksi i shqiptarisë
Fjala e parë dhe e fundit e lirisë….
MITROVICË,SHPATULL E THYER…
Ah,kjo shpatull e thyer
Në trupin tënd, Kosovë,
Kjo dhimbje,ky acar e ngricë
Në të moçmen Mitrovicë…
Mbi lumin Ibër,
Lidhësja urë
Për habi bëhet mur.
Mitrovicë
Dhimbjembërthyer,
Shpatullthyer.
Vdekja me ty luajti një shekull,
E hasmi iku me tërbim,
Po këtu la të fundit kafshim,
Dhe presim që dielli të shkrijë
Të egrën ngricë,
Moj shpatullthyer
Mitrovicë!...
PRESHEVË,KRAH I PRERË…
Kambana zgjon
Shenjtorët tek flenë,
Mes botës që kallet.
Një diell i uritur
Këtu ndalet.
Në këtë Luginë kam varret
Tokën dhe zjarret,
Bashkë me hirin
Gjuhën dhe këngët,
Emrin tim shekullor.
Krah i prerë shqiptarie
Është Lugina,
Peng i mosnjohjes
Në kërthizë të Evropës.
Preshevë,
Medvegjë,
Bujanovc.
Krahu trupin kërkon
Siç ka qenë
Jetë e mot!...
PËLLUMB I PAQES
Ibrahim Rugovës.
21 janari,
Akull,
Acar,
Dhimbja borën edhe më ngrin,
Nuk ndrit dita si më parë
Në Prishtinë….
Iku Ai mendjekthjellëti,
Dhe mentar e luftëtar,
Toka rënkon së thelli,
Në të ftohtin janar.
Për Rugovën vizionar
Në beteja të vështira,
Se ish gen dorë e parë
Emërliria…
Brenda zemrën kishte qiellin
Brenda fjalës aq butësi
Fjala e tij përkulte hekurin
Qe balsam për çdo njeri…
Në Amerikë dhe Evropë
Në tryeza, kancelari,
Erdh e bukur dhe e ngrohtë,
E mençur fjalë e tij.
Ndriste dhe hapte mundësi,
Aq sa edhe Pëllumb i Paqes,
Rrrahu krahët afër tij…
Që ta merrte këtë butësi….
ADEM JASHARIT
Nuk gjendet fjala për ty,
Para teje fjalët dridhen,
Se ti lirisë i dhe rini,
Kosovës i dhe emblemën…
Ti gen fisnik iliro-dardan,
Ardhë nga legjendat mitike,
Mbi truallin tënd fytyrën mban
Njomur si me frymë biblike…
PËRMENDORE E LIRISË
Ramush Haradinaj…
Fis i thinjur Dardanie
Nëpër shekuj, kryet lart,
Zjarr i pavdekshëm lirie
Në çdo shtrëngatë.
Vëllezërit e tu shenjtorë lire,
Janë zemër e pavdekësisë,
Për Kosovë,flamur lavdie,
Për kombin e shqiptarisë.
O Ramush,dashnor i diellit,
Zemërndezur,atdhetar,
Ti ke mbetur ballë i trimit
Ëndërrbardhë e zemërzjarr.
Për Kosovën je flamur
Sa të ketë diell e hanë,
Nuk lëshon as tokë,as gur
Do të jenë aty ku janë.
Nuk tundesh nga rrëmeti,
Kryelarti i shqiptarisë,
Se nuk shkelet amaneti
I dëshmorëve të lirisë.
Simbol i shenjtë,nderim
Za i fortë maturie,
Rrufe thyen me guxim,
Përmendore pavdekësie…
VIGANËT E PAFAJËSISË
Hashim Thaçit, Kadri Veselit,Jakup Krasniqit…
Ju jeni bijtë e Kosovës kreshnike,
Dhe si male kryelartë
Qëndruat përballë stuhive
E tash përballë stuhisë tjetër në Hagë…
Fajësoheni pse luftuat për liri,
Ndaj bishës shoviniste serbe,
Bota njeh shumë çmenduri
Dhe kjo, çmenduri e të çmendurve…
Si kripa në ujë shkrihen akuzat,
Në heshtjen tuaj pa fjalë,
Dhe ju sërish shtrëngoni bashkë supet
Si dje, në vijë të frontit të parë…
Dhe shkëlqen pafajësia juaj
Si borë e parë në mal,
Në jetën tuaj vitet më të çmuara
Janë ato , kur ballëpërballë
I ndenjtët bishës dhe Kosovës i dolët zot…
Ani pse koha shpesh i bën sytë qorr,
Ani pse,harrohet çdo sakrificë
Ju ngriheni në Hagë madhështorë,
Viganë pafajësie, monumente epike…
ALBIN KURTIT
Zemra juaj brenda gjoksit
Është gatuar prej barutit,
Në mendjen tënde qelibar
Është bashkimi kombëtar.
Si shkëmb ke vendosmërinë
Guximin,besnikërinë,
Kaq i guximshëm ti godet
Çdo monstër antishtet.
Diplomatët mendjehollë
Porsi kulpra që lakojnë,
marrin rrugë të zhdrenjtë
Të spërdredhur poshtë e përpjetë..
Si besnik i rri të drejtës
Tokës tënde,të vërtetës
Ndaj qëndron si shkëmb pa tundur
Dhe pse stuhitë të janë sulur.
Se je djalë,djalë dardan,
Ti i njeh kur të vijnë me tam-tam
Dhe me kërcënime kur të vijnë,
Por në zemër ke lirinë…
Comments