“Bëmat e Nuros” dhe shkrimtari Luan Çipi


Petraq Janko Pali

Nga Petraq Janko Pali


Edhe herë të tjera kam dashur të shkruaj, për të përshëndetur punën e çmueshme në krijimtarinë shumë planesh letrare, të mikut tim Luan Çipi. U benë shkas rrëfenjat “Bëmat e Nuros” që u botuan për publikun kohët e fundit, për të plotësuar dhe unë një detyrim të hershëm.

Dua të them qysh në fillim se Luan Çipi, si mjeshtër i fjalës së zgjedhur, ka shprehur në art filozofinë e popullit tonë, duke u renditur midis shkrimtarëve dhe poetëve të spikatur bashkëkohor. Pa menduar se mund t’i bëj dot një analize të thellë kësaj veprimtarie të konsiderueshme letrare, dua të them dy fjalë, mandej jo vetëm për këtë cikël rrëfenjash.

Me krijimtarinë e Luan Çipit, me 5 librat e botuara posaçërisht, si dhe me po kaq të tjera të botuara në faqet letrare të diasporës, dhe në gazeta e revista prestigjioze brenda vendit, jam njohur rregullisht në këto dekada edhe sepse kemi qenë afër njëri tjetrit si dy miq shumë të mirë dhe që na afrojnë bashkë shumë gjëra, por mbi të gjitha dashuria për shqiptarët dhe për fjalën e shkruar shqipe.

Së pari, dua të them me sinqeritet se Luan Çipi, është një nga qytetarët më në zë të qytetit të Vlorës dhe nga intelektualët më të kompletuar që unë kam njohur:

I arsimuar dhe i kulturuar, modest, i sjellshëm dhe i dashur, fisnik dhe me plot virtyte të trashëguara nga gjeni i familjes të hershme patriotike të Çipajve të Gjirokastrës, po që merituan denjësisht për gati një shekull edhe dashurinë dhe respektin e Vlorës dhe vlonjatëve.

Po të vësh re në përgjithësi në të gjitha veprat e tij, arti i të shkruarit të tërheq , pa e lënë librin nga dora, sepse stili i tij i të shkruarit është i veçantë, i thjeshtë dhe shumë tërheqës. Kjo pa përjashtim si në prozë dhe në poezi, apo publicistikë, esse, fejton, rrëfenja. Kudo, Luan Çipi, është i vërtetë dhe i këndshëm dhe shtrihet njësh me ambientin dhe njerëzit që e rrethojnë. Kjo duket me subjektet reale e të vërteta, të nxjerra nga jeta e përbashkët me ta, ose të krijuara e të shoqëruara në kohën e shkuar, apo në ditët e sotme, shoqëruar me figura letrare të zgjedhura apo nëpërmjet portretizimit të saktë të tyre.

Me pak fjalë ka një përshtatshmëri të pa ndarë me kohën dhe ngjarjet dhe si amalgam i lidhur me jetën dhe me hallet e këtij populli, që ende nuk po gjen vet-veten ai, shpreh në art atë realitet me syrin e një artisti.Tregimet, portretet, poezia dhe publicistika shoqëruar me njohuri internetike dhe jetësore e bëjnë interesant krijim letrar të Luan Çipit, pikërisht se e pasqyrojnë më së miri realisht këtë. Kështu, dora dorës, gdhendur në art të vërtetë, Luan Cipi, nëpërmjet penës së tij, tash gjithnjë e më të sprovuar, ka arritur të pasqyrojë realitetin Shqiptar dje dhe sot.

Një meritë e shkrimtarit Luan Çipi, është trajtimi i gjinisë së portretit letrar. Ai, bukur dhe me vërtetësi ka paraqitur portretet e shumë njerëzve të shquar vlonjatë dhe me tej për Shqipërinë, tënjerëzve të thjeshtë, të shquar për mirësi e zgjuarsi , po sidomos edhe të personave publikë, që i dhanë shoqërisë dhe Kombit të vetë, atë më të mirën që kanë pasur dhe që Luan Çipi ka ditur ta evidentojë e përjetësojë, gdhendur në art, duke i bërë të pa vdekur për veprën që ata lanë pas.

Kështu me radhe do na kujtohen njerëzit e mirë e të thjeshtë: Usta Miti (Rrumbullaku), Usta Andoni (Panozaqi), UstaToli(Stefani), shokët e tij Vaso Suli, Nuri Bodo e Refit Hoxha, Minella Kostandini, Llambi Kona; kolegët gjurmëlënës, Ejup Mita, Pirro Dodbiba, Nedin Hoxha dhe Vasillaq Ndini, Aristidh Kaçi, Lilo Panozaqi, Nexhat Mersini, Tish Daija; artistet, shkrimtaret dhe njerëzit e shquar si Isuf Luzaj, Janko Pali, Dino Martiko, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Agim Shehu, Kadri Roshi, Drita Pelingu, Timo Flloko, Skender Kamberi, Nestor Jonuzi;

si dhe një mori personazhesh negativ, përfaqësues të regresit, keqbërës e tiranë. Pa dyshim një vend të gjerë në krijimtarinë letrare të Luan Çipit zënë motivet patriotike të dashurisë për Atdheun, për shokët e tij të shumtë e të mirë, për prindërit, familjen, gruan, fëmijët, nipat dhe mbesat e tij.

Një tjetër gjini e trajtuar me mjeshtëri është reportazhi dhe përshkrimi i udhëtimeve të shumta në të gjitha anët e botës, shoqëruar me njohuri plotësuese e kuriozitete, duke nisur nga udhëtimet brenda vendit, nëpër shtetet e ndryshme të Ballkanit, në Holande e Belgjikë, në Kanada dhe Amerikë, për të cilat është gati për shtyp libri voluminoz “Nga Llogoraja në Niagarë”

Me dashuri dhe kujtime e intimitet, mbështetur në ditarët e mbajtur nder vite, janë gati për botim dy libra: “Jeta Ime” dhe “Njerëzit e mi më të dashur”

Në krijimtarinë e Luan Çipit, është për t’u theksuar gjuha e përdorur prej e tij. Ajo është mjaft e pasur dhe ka gjithandej përshtatshmëri me ngjarjet dhe subjektet që përshkruan, si dhe ndjeshmëri të lartë shpirtërore karakterizuese për objektin. Leksiku cilësor i zgjedhur e tërheq lexuesin dhe krijon tek ai, ato mbresa karakteristike përcaktuese, që nuk i harron kurrë, si ngjarje tipike jetike qoftë për të djeshmen, plot halle e derte, qoftë dhe për të sotmen, plot ndryshime pozitive, shoqëruar me mangësi, gabime e padrejtësi.

Për t’u bërë një analist me një bagazh kulturor e jetësor, me një përkushtim të një njeriu me karakter të lartë me virtytet më të mira njerëzore, Luan Cipi, ka kaluar një jetë të pasur aktive shoqërore e sociale në çdo drejtim. Ai, ekonomist i lartë në arsimim, si mësues dhe pedagog i Fakultetit Ekonomik te Universitetit, Filiali Vlore (gati 20 vjeçar), si ekonomist i thjeshtë e deri drejtues në disa ndërmarrje të rëndësishme në Vlorë, si sportist (deri kampion e mjeshtër sporti), muzikant e aktivist shoqëror, është karakterizuar gjithnjë nga mirëkuptimi, përshtatshmëria dhe komunikimi me njerëzit e çdo shtresë shoqërore.

Për të mos u larguar nga objekti që morëm përsipër, mund të them se, tek Luan Cipi dhe krijimtaria e tij do të gjejmë sot një shkrimtar dhe poet të afirmuar, të nderuar dhe të vlerësuar, që me punën e pa lodhur disa vjeçare në këto letra, ka ditur dhe ka trajtuar tema interesante, duke portretizuar në mënyrë origjinale filozofinë e këtij populli.

“Bemat e Nuros” të cilat i shfaqi këto ditë, të përmirësuara e të ndryshuara, e pohojnë “profecinë” time se Luan Cipi, ka krijuar dhe është tash më një shkrimtar që është ngjitur me njerëzit dhe preferohet nga lexues të shumtë të çfarëdo niveli shoqëror. Ai është njeriu që “ushqen”dhe mban gjallë këta njerëz, me krijimtarinë shumë planesh të tij.

Po të vësh re me kujdes, (jo thjesht të tërhiqesh nga emri i autorëve të mëdhenj) në krijimet letrare të Çipit, si në prozë ashtu dhe në poezi, do vësh re se ai qëndis një realitet, një ngjarje, një vërtetësi. Ai tregon në të, virtytet dhe mençurinë apo vlerat e popullit tone dhe asnjëherë nuk largohet nga traditat më të mira, si në rastin e Nuros, (Nuri Drassa, një person historik i vërtetë), që me aftësitë e tij, aftësi këto të vetë popullit, dha zgjidhje të mençme dhe filozofike që i shërbyen vetes dhe shoqërisë. Në këtë rrëfenjë, që lidhet me Luftën Italo-Greke, duke marrë trajtën e një fejtoni sarkastik, natyrisht të ekzagjeruar, tregohen ca të vërteta: Alibia e “Daut Hoxhës” për shpalljen e luftës nga imperialistet fashist italianë, dizenteria dhe medikamenti i quajtur kaskarasagrada, vaji i ricinit përdorur nga Italianë ne Luftën e Njëzetës,

dezertimi i dy batalioneve shqiptare të mobilizuar nga Perandoria Fashiste dhe sidomos rruajtja deri sot në mënyre krejt qesharake në kuadrin e Natos, e gjendjes së Luftës me Greqinë.

Me bukuri, sarkazëm dhe humor paraqiten dhe rrëfenjat e tjera te cikli “Bëmat e Nuros”, që padyshim formon një kulm për tregimet me humor të shkrimtarit, siç janë dhe “Prostituta”, ”Gomarët e Xhonit”, “Çalamanët”, Kiçua me Rumon”, “Gungaçi, Qafokët”, Qyfyret e Telemakut”, “Vrasja e Ushtarit”, “Xhebro Gjika...”, “Dosjet Sekrete te Luftës”, etj.

Luan Cipi, në çdo krijim të tij, ashtu siç di të qëndisë, të portretizojë apo të përshkruajë me plot patos portretin, ngjarjen, të madhështojë figurën, ashtu di të kritikojë e të qesëndisë të keqen, keqbërësin apo negativët e shoqërisë dhe të jetës.

E veçantë tjetër e Çipit si krijues, është se nuk lejon kurrë që të shtrembërohen realitetet e kohës dhe të çdo epoke, nga gjerë që shkruajnë pa përgjegjësi dhe shtrembërojnë apo fyejnë gjithçka, dhe nëpërmjet penës së tij të ndershme apo mesazheve njerëzore, me plot finesë kritikon të keqen duke u dalë ballë për ballë, gjë që nuk e kanë të gjithë.

Luan Cipi, si aktiv dhe i pa lodhur kurrë me një shoqëri të madhe e të zgjedhur në të gjithë Shqipërinë për sa vërej unë, është një njeri i veçantë dhe me një kredo mbarë popullore dhe I gjendur për çdo rast në të mirë dhe në të keqe.

Siç thashë më lart, pa analizuar gjithë krijimtarinë e saktë dhe me vlera të tij. Luan Çipi, sjell gjithmonë prurje me vlera kombëtare të cilat do tu shërbejnë brezave.

Do desha ta falënderoja zotin #Luan #Çipi për këto krijime brilante por edhe për ndihmesën e madhe që i bën “Lidhjes Qeparotase dhe Miqve të saj” si një nga bashkëpunëtorët më kryesorë dhe më në zë.

Nga Virxhinia pjp

#Petraq #Janko #Pali

11 views

Shkrimet e fundit