Avni Halimi: Avokatia kulturore
- Jan 31
- 3 min read

Asociacionet kulturo-artistike, në çdo vend të civilizuar, paraqesin një mjet organik të zhvillimit kulturor, një mekanizëm përmes të cilit komunitetet ushqejnë profesionalizëm dhe sigurojnë vazhdimësinë e identitetit shpirtëror nën përkujdesjen e institucioneve kombëtare. Ato funksionojnë si pemë të rritura në kopshtin e politikave kulturore, nga të cilat vilen frutat e diversitetit krijues, të memorieve kolektive dhe të orientimeve estetike që e pasurojnë mozaikun e kulturës së një shteti. Në vetvete, shoqatat kulturore përbëjnë zgjatimin shoqëror të strategjive nacionale të kulturës, sepse programet e tyre artistike duhet të reflektojnë, mbështesin dhe plotësojnë axhendat zhvillimore të institucionit përgjegjës për jetën e gjithmbarshme kulturore.
Mirëpo, në kontekstin shqiptar të Maqedonisë së Veriut, shoqatat kulturo-artistike kanë marrë një funksion tjetër, më shpesh mbrojtës sesa zhvillues, më shumë dëshmues sesa krijues politikash. Sot funksionojnë mbi pesëdhjetë shoqata kulturore shqiptare, por asnjëra prej tyre nuk e ka ushtruar, qoftë edhe minimalisht, rolin e avokatit të politikave kulturore të subjekteve tona politike, subjekte që pretendojnë të jenë bartës të zhvillimit të gjithmbarshëm shoqëror, por që kulturën e lënë në harresë të plotë. Ruajtja dhe kultivimi i elementëve tradicionalë janë padyshim një detyrim themelor i këtyre organizmave, por që këto përgjegjësi të mbeten ekskluzivisht mbi supet e tyre është barrë e tepruar për organizma të dobët, të paorganizuar dhe, shpesh, të pambështetur institucionalisht.
Gjatë dekadave të fundit, në një mjedis ku bashkësitë kulturore të tjera kanë pasur qasje të privilegjuar në institucionet publike, shoqatat kulturore shqiptare kanë qenë zëri i vetëm që ka dëshmuar ekzistencën e një kulture të përjashtuar, një identiteti të papranueshëm për politikat shtetërore. Në këtë kuptim, ato kanë ushtruar një lloj “politike kulturore paralale”, pa e emërtuar si të tillë, pa resurse, pa infrastrukturë, dhe shpesh pa njohjen minimale publike. Kjo gjendje, përtej çdo pritjeje, vazhdon edhe sot, pas më shumë se tridhjetë vjetësh pluralizëm. Ministria e Kulturës ka pasur ministra shqiptarë, funksionarë shqiptarë, dhe megjithatë politikat kulturore shqiptare kanë mbetur një kapitull i zbrazët, një boshllëk i mbuluar me aktivitete ceremoniale që kanë shërbyer më shumë për fotografitë e politikanëve sesa për zhvillimin kulturor.
Në këtë realitet, shoqatat kulturore shqiptare shpesh trajtohen si dekor politik, si vitrina ku ekspozohen fytyrat e partive, më shumë sesa si mekanizma të mirëfilltë të krijimit dhe mbrojtjes së politikave kulturore. Ndërkohë, në kontekste shtetërore unitare, ku identitetet kulturore të bashkësive apo komuniteteve etnike shihen me dyshim, roli i asociacioneve kulturore duhet të ishte krejt tjetër: të vepronin si organizma avokues, të dokumentonin sistematikisht shkeljet, diskriminimet strukturore dhe mungesën e mbështetjes institucionale, dhe t’i adresonin ato tek subjektet politike që kërkojnë votën shqiptare. Por, fatkeqësisht, nuk ekziston asnjë asociacion i përbashkët kulturor shqiptar, asnjë “sindikatë kulturore”, asnjë platformë e centralizuar e cila do të mund të prodhonte një dokument të vetëm strategjik që do t’u vendosej para partive që garojnë për pushtet në emër të shqiptarëve.
Në këtë vakuum strukturor, shumë shoqata formohen për të shërbyer si kamuflazh i mungesës së politikave kulturore, si petk që mbulon varfërinë konceptuale të programeve politike, të cilat, në shumicën dërrmuese të rasteve, nuk e përmendin kulturën as në mënyrë deklarative. Mjerimi kulturor shqiptar është i dukshëm në çdo nivel: në programet politike të paplotësuara, në strategjitë e Ministrisë së Kulturës që përjashtojnë në mënyrë të heshtur identitetin shqiptar, në mungesën e debateve publike, të konsultimeve paraprake, të reagimeve kolektive, të kritikës së strukturuar. Kemi intelektualë, profesorë, artistë, folkloristë e kulturologë, por një pjesë e tyre kanë zgjedhur heshtjen, nënshtrimin politik, konformizmin karrierist, ose rolin e “figurantëve” në vitrinën kulturore të partive.
Kjo gjendje do të mbetet e pandryshuar për sa kohë subjektet kulturore shqiptare vazhdojnë ta perceptojnë veten si shërbëtore të partive dhe jo si aktorë të pavarur avokues të identitetit kulturor. Vetëm kur këto organizma do të transformohen në agjentë kritikë, në institucione me zë të artikuluar, në mekanizma presioni ndaj politikës, vetëm atëherë do të fillojë procesi i shpëtimit të kulturës shqiptare institucionale nga marginalizimi i qëllimshëm. Avokatia kulturore nuk është luks, është domosdoshmëri historike.









Comments