top of page

ATJONI DHE KULLA



Gazetat e njohin Atjon Zhitin, edhe “Fjala e lirë”, kanë botuar më parë shkrime, vëzhgimeve të tij rinore që ai solli, me atë vrullin studentor, qartësinë dhe porositë si “kredo” dhe ndjehen po aq aktuale e të freskëta.

Atjoni studionte për filozofi në Itali, në Universitetin “Sacro Cuore”  të Milanos. Ndërkaq ishte dhe anëtari më i ri i PEN Clubit italian, po kështu dhe anëtar i Parlamentit Rinor Europian, përfaqësonte të rinjtë shqiptarë..

            Atjon Zhiti është autor i librit, “Për atë që dua(m)”, (bot. 2015) një përmbledhje me ese, recensa, poezi, intervista e përkthime të një 19 vjeçari, i pritur me dashuri nga lexuesi, sidomos të rinjtë dhe kritika, ku guximi në ide gërshetohet me ëndrrën dhe përkushtimin, që bëjnë të besosh se brezi i ri di të dojë, të kërkojë dhe të presë nga vetja, ku vizioni lidhet me kritikën konstruktive, për të ecur përpara si vend.

            Po kështu në Prishtinë enti botues “Bogdani” ka nxjerë librin “Jam Atjoni”, përmbledhje skicash dhe shkrimesh të ndryshme.

Para se të dilte albumi i madh “Opera Atjon” (në shqip dhe italisht, bot. 2017), ku janë riprodhuar të gjithë vizatimet dhe pikturat e tij të fëminisë dhe adoleshencës, me vlerësime nga studiues e kritikë arti nga vendi, më pas dhe nga të huaj, ishin hapur dhe ekspozita me punime të Atonit në mjedise universitare.

Artikuj të Atjonit kanë dalë në shumë media në Shqipëri e Kosovë dhe në diasporë, në Itali, Zvicër, Mbretëria e Bashkuar, SHBA. Pjesë të tyre janë përkthyer dhe në gjuhë të tjera si italisht e rumanisht. Po kështu ka dhe botime të tjera, libra të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit me kopertina dhe ilustime nga Atjon Zhiti. Për “Studentin e përhershëm” siç e quan gjenerata e tij, kanë folur dhe shkruar personalitete të njohur të kulturës shqiptare, por dhe asaj të huaj.

            Në Romë, në një nga kishat pranë Piazza “Navona” është dhënë koncerti për violinë dhe piano, kushtuar Atjonit.

 Festivali Ndërkombëtar i Filmit për Fëmijë “Giffoni” ka dhënë çmimin me emrin “Atjon Zhiti” për anëtarin më të mirë të jurisë, ku ai bënte pjesë dhe ishte dalluar në takimet në Shqipëri dhe Itali.

Dhe në letërsi jepet çmimi ndërkombëtar “Atjon Zhiti” nga Shoqata e Shkrimtarëve “Bogdani”, me qendrat në Prishtinë dhe Bruksel. Ky çmim së pari shkoi në Argjentinë, më pas në Itali dhe së fundmi në Japoni.

            Emri i Atjonit është bërë më i njohur dhe më i dashur për të gjithë që e kanë njohur apo lexuar. Ai çeli një rrugë dashurie e dritë për të rinjtë dhe vërtet në Tiranë është emërtuar dhe “Rruga e Atjonit”, ajo në hyrje të Parkut të Madh, që bashkohet me Rrugën “Faik Konica”, të cilin ai e adhuronte.

            Në nderim të Atjonit tonë, si ideal dhe frymëzim në këto 10 vjet për gjenratën e tij, po nxjerrim një shkrim të tij, shkruar në gegërishten që e donte, thënie për Atjonin nga emra të njohur dhe disa skica poa nga Atjoni…

  - Redaksia -


KULLA EME NUK ASHT E VETME

Nga Atjon Zhiti                  

                                        

Tash u bane shum net e dit që jam largue prej asaj shpie e atij vendi në gjueti të diçkaje ma t’madhe, që dhe me ma shujtë  mninë që kisha kundrejt kullanëve të mi andej nga Bjeshkët e Epërme t’Kombit tem.                                

Shka m’bante inatçor me vedin e me t’tjerët ishte arsyja se t’tanë ne knaqeshim me lirinë tonë vetore, lirinë e t’dashtunve ton e të gjanave që kishim mbledh ndër mote, knaqeshim nga çka shisnim n‘pazar e çka blenim e ma vonë, n’saj t’ksaj gjaje, nxuna se na kena qindra mijra të drejta mbi kët dhé shekullnor, por sa ma shumë terre t‘dillit shkonin, siç thoshte gjyshi em për eklipset, aq ma shumë bindesha se ne nuk e meritojmë këtë tokë njikshtu.               

Ndërkohe, kur kam mujt me rafigurue kombin tem, mendoj për kët popullnajë, e cila respekton veç nj’ata që dijnë me i fut veç frigën atyne me kamzhig dhe gjaja ma e dhimbshme që arrij me kqyr edhe sot, asht fakti se te ne mbizotnon një farë anarkijet, pasi ne i privojmë vedit konceptin e nji bashkësije të nalt interesash e idealesh t’përbashkta, pasi n’shpirtin tonë mbizotnojnë ndjenja rivaliteti t’theksueme nga krenarija e pamvarsisë vetanake e jo t‘përbashkët. Krijimi i një vetëdije e të tanve na mungon dhe sot e ksaj dite. Ky dhé mujt me ba ma shumë, po kurrë s’kena dit me e frymzue e me shfrytzue.                                                                                                       

Ballina e librit “Jam Atjoni”

Ati em asht kan i nxanun dhe n’voglin teme m’shoqërojshin librat n'veçanti, kur kullotja bagtine, edhe pse jo fort t’përhapun kto tekste, po prapë kishin vlerën e tyne e për ma tepër ishin ken libra t’gjyshit e para tij t‘babës s’madh. Kto libra për ma s‘shumti ishin tekste t‘vjetra t‘para lufte e kta autorë kishin gdhi jetën para ardhjes së Naltmadhnisë.                         Tue studiue, kuptova që kishin t’tana tiparet e analizës antropoligjike, etnologjike e politike. Falë ktyne lëçitjeve, dija eme për kombin tem u shtue tej mase, si fmij i vocër un nuk e kuptojsha shumë mirë çka ishte feja e Zoti, pasi dhe baba m’thoshte t‘mos flisja me shokët e mi, nëse nuk dishroja që ay t’përfundonte si mos ma keq, por ma vonë, kur i kisha mbush dy dekada jet, kur i famshmi Mur i Berlinit ra e ne ringritëm murin rrëxuem që rrethonte kullën tone, kisha mundësi me fol e me studjue gjana shumë e më shumë t‘bujtme edhe për kët arsye shkova kjamet larg.                                                  

Në kto tekste t’lartpërmenduna, kur flitej për kulturën e Shqypnisë në qerthulllin e realitetit të asokohshëm, nuk lihej pa u përmendun skamja, vorfnija, konfliktet, pasigurija e rendit publik, ama viheshin n’pah gjana shumë t’mdhaja siç kje dhe asht me ba lëshime në besim, sidomos në besimin e tjetrit, që sot e quejnë toleranca fetare, që ne sot gabimisht e me mllef e ngatrrojmë me mënjanësinë, me indiferencën: "duke udhtue nëpër Shqypni, u binda se me tri fetë e veta e me tri kleret që bashkjetojnë, asht vendi ma me harmoni që mund t’përfytyrohet", do shkruente prifti italian Gjakinto Amati në ditarin e tij.                                               

Bashkëkombsit tanë janë luftëtarë krenarë prej natyre, por jo shumë puntuer, kena për zemër nderin tonë e t’armve tona dhe me krijue elegji mbi kto sende asht bukur mirë dhe joshse. Luftësia te na asht nji gjendje e vazhdimtë e shoqnisë, rrallherë asht edhe e rritun prej ndamjes fetare, ndërsa ndisa raste t’tjera nga shpirti, gjaku dhe ligji i malit.                               Krijuesi, kur po endej mbi tokën që kishte ba me duert e veta, nuk arriti me njoftë asnji prej trojeve që kishte krijue, sepse kaq shumë kishte ndërhye dora e njeriut e kur mbërriti n’Shqypni ma n’ fund, mujti me thane: "Përnjimend e kremte, vendi i parë që rinjoh, ka ngel njashtu siç e kisha krijue", kjo lloj gjendje nuk m‘ban shumë krenar... At'here n’ket gjendje shtazore dishroj t‘kallzoj ma shum per kullanët e mi.                                  

Jeta e malcorit asht gati homerike, u shmanget punvet t‘randa me shum zell dhe dishron ma shumë nje jetë bariu, tue drejtue bagtinë n‘kullota, siç banin herojt antikë grekë. Ama ne si n‘Gegni e si n‘ Toskni kena nji identitet kombtar tonin, boll t’shperndamun mirë, anipse anejna ka nji fare t‘keqe helenike dhe s’mungon ndikimi si ajo e shkjaut, por Shqiptari, kjoft i krishten a musliman, nuk ban shumë pyetje fetare, po përmblidhet fort tek gjuha e kombsija e vet, ne ndër mote kemi dit t‘rrojmë dhe e shpëtueme trashgimnin tonë gjenetike nga përvetsimet e asgjasimet.                                              

Mendoj se edhe si shoqni jemi mjaftueshëm interesant, po t’përsiatësh që mbas prishjes s'administrates otomane, roli i fiseve/tribuve ka ken diçka shumë pozitive, "regjimi" patriarkal nuk duhet me u konsiderue nji stad inferior i qytetnimit, por për me kenë objektiv, bashkue degjenerimeve, shpalohen koncepte morale shum t’nalta, nji mënyre origjinale me pa jeten, nji organizim shoqnor dhe ekonomik, nji poezi me vlera te pakontestueshme, sado që mundet me u dukë antitez e progresit.                                                    

Duhet me iu kthye virtuteve, se krahas kulturës intelektuale, ka dhe nji kulturë morale, e domosdoshme, ku na, shqiptarët, jemi shum ma t’fortë, ishim, deshta me thanë, prandaj ia vlen kushtrimi me i ringjallë vlerat e shekujve. Virtutet duen gjindje t’virtutshme.

Dhe para se me ba botën përqark e ma përtej, duhet me ba vedin dhe bota asht e bame vetvetiu... 

 

KANË THËNË PËR ATJONIN:



“...Leximi i shkrimit të Atjonit ka qenë nji eksperiencë që përjetohet rrallë, shumë rrallë, në ditët tona. Dukej sikur zani vjen nga diku larg, shumë larg, dhe na tregon si mendon nji i ri me aftësi të rralla mendimi dhe shprehje, dhe si ndjehet zemra bujare e të rinjëve të pakomprometuem nga ndeshtrashat e jetës "moderne". 

      Unë e përjetova edhe si nji "lajmërim" për ne të gjithë që jemi të zanun me problemet (shpesh artificiale) të jetës së vështirë që jetojmë... Sa mendim i thellë, sa gjykim i mprehtë, dhe sa bujari zemre lexohet në atë shkrim.   

      Përdorimi i dialektit geg ashte manifestim i deshirës së autorit me qenë sa ma afër viktimës e me përdorue, si shenjë respekti gjuhen e "fshatit" tij.   

      Sa fisnikëri natyrale; sa ndjenjë miqësore!” (Sami Repishti, Shkrimtar dhe eseist, Lauruar në Sorbonë, jetonte deri sa ndërroi jetë në SHBA)

 ___________________________________________________________________

 


 Atjonit, të cilin unë kam pasur fatin dhe fatkeqësinë ta njoh që kur ishte tre vjeç, në vitin 1998, në Romë, kur ai vogëlush i bukur e simpatik, i pashoq, me ato flokët kaçurrel, i mërzitur nga të ndjenjurit brenda në shtëpi, më thoshte: xhaxhi, dalim...  

(Agim Vinca, Shkrimtar dhe studiues, Prishtinë)

        


                                                                                                      

...atë Engjëll që e kam njohur... (Eqerem Basha, Poet, shkrimtar, Prishtinë)

 

 




 “...Kam lexuar esetë e Atjonit, duke perfshire dhe KULLA EME NUK ASHT E VETME. Shndërrisin mendimet e idetë e Tij si shkëndija të një gjeniu të ri! Kam menduar e shestuar gjatë… në kontekst kombëtar e gjithënjerëzor.

Nxorra pasazhe nga shkrimi i Atjonit dhe i shkrova me dorë në fletoren time, që t'i kem gjithnjë afër fjalët e Tij të pjekura, idetë e thella e largpamëse, shprehjet plot rrezatim të një intelekti të rrallë e shpirti subtil. Thashë me vete: Kur ikin njerëz si Atjoni, varferohet planeti e pasurohet Qielli!...” (Ferhat Ymeraga, Kent, Washington State, SHBA)


“ ...me shkrue gegnisht asht sprovë e njeriut të kulturuem, e njeriut pa paragjykime. Merre me mend, Atjoni  djalosh shpalos dijen e tij për gegnishten dhe asht i hapun për pasurimin e gjuhës sonë të shkrueme me visaret e gegnishtes të lana mbas dore prej druvarëve që i prenë nji krah Gjuhës sonë amtare. Kurse, përkundrazi, do gjoja profesorë të paguem mot e jetë prej  shtetit, u duket se bahet kiameti me studiue gjuhën e Camajt, të Fishtës, të Koliqit e të tjerëve.

      Të mos  e zgjas, Atjoni e ka shikimin ma të kthjelltë se gjojaprofesorët dhe e ka gjuhen ma të rrjedhshme se gjuha e drunjtë e disave prej tyne.” (Sami Milloshi, gazetar , poet, SHBA)            


“Atjoni jetoi me optimizëm dhe i përkushtuar për artin dhe jetën…Mbetet një shenjë që simbolizon shpresën dhe gjallërinë rinore.” (Akademik, Prof. Dr. Jeton Kelmendi, President

  “International Writers Assosaciation ‘Pjetër Bogdani’)




Libri i Atjonit – testament i Tij… si Ungjilli për bashkëmoshatarët e tij, fari ndriçues i brezit të tij.

                        Eugjen Merlika   

studiues, kritik letrar, Itali.

 


            Bota është më e varfër pa Atjonin... Një engjëll i bukur që na fali gjithmonë dashuri, ngrohtësi e miqës…

Luan Topçiu, kritik arti, studiues, përkthyes, Bukuresht, Rumani

 

 

Kjo fytyrë e bukur engjëllore… ajo krijesë e mrekullueshme pra, ishte bërë për qiellin, jo për këtë botë…

            Helena dhe Ismail Kadare

shkrimtarë 

 

TË HUAJT PËR ATJONIN:

 

Nuk kam takuar një të ri kaq të mirë, kaq fisnik dhe kaq të dashur në Shqipëri sa Atjoni…                         

      Robert Elsie 

albanalog kanadez,

Berlin, Gjermani

        

Atjoni është djali që çdo prind do të donte ta kishte të tijin…

                                                                                                Sebastiano Grasso

Poet, President i PEN Clubit, Itali

      

 

Është tronditese, një mrekulli në ngjyra... Një fëmijë që mbledh kështu një civilizim 4000 vjeçar dhe arrin të njëjtën sintezë... Atjoni ka ndjerë shpirtin universal, shpirtin e Zotit, me rëndësi humane.                                                      

                                                                                                              Padre Marko I. Rupnik

                                                                                                               Profesor Teolog, artist,

Universiteti Gregorian. Romë.

 

…një xhevahir krijimtarie… Libri i Atjonit do të vendoset në sektorin e artit në bibliotekën e dikasterit e do të mbetet si dëshmi e një figure që bëri shumë për kulturën në një hark të shkurtër kohe, që na dha shenjën e gjenialitetit të tij.

                                                                                    Kardinal Gianranco Ravasi

                                                                                                Biblist, kritik arti.

                                                                                                Ministër i Kulturës Vatikan

 

 

 ..Atjoni shkëlqente prej poezisë. Dhe vetë është një poezi e magjishme.

                                    Adonis                                                                        Poet, Paris, Francë

 

 


Dhe disa skica nga Atjoni

105 views0 comments

Kommentare


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page