Atdheu i mbartur në këngë… ose Atdheu i shpëtuar.


Atdheu i mbartur në këngë… ose Atdheu i shpëtuar.

Përsiatje mbi librin “Rapsodi të një poeme arbëreshë”

Nga Timo Mërkuri.

1-Mbi librin “Rapsodi e një poeme arbëreshe” , me krijime popullore të mbledhura në kolonitë e Arbëreshëve të Italisë nga Jeronim De Rada dhe kthyer në shqipen e sotme nga poeti Agim Mato, pata shkruar në qershor të vitit 2012 shkrimin “Deti në ekzil”, të përfshirë në librin tim “Kur flasim për Artin Jonian” (Milosao, 2013). Në këtë shkrim, këndvështrimi im mbi këtë libër, ishte nga dritarja e Artit Jonian. Por ja që arti ka shumë dritare, ku i mbështetur në parvazët e tyre mund të sodisësh kohën kur lindën, vendin ku lindën dhe u rritën këto këngë, ashtu siç sodisnin gjyshet nga dritarja e shtëpisë vashëzat e vogëla, tek luajnë në obor me shilarëse. Dhe po nga ajo dritare i shohnin pak më von, kur nisen nuse, për ti riparë kur kthehen për vizitë te prindërit, me fëmijët e tyre përdore. Koha ecën shumë shpejt dhe bashkë me dëborën dimërore që shkrin në pranverë e rrjedh nëpër përrenj, shkrijnë dhe ngjarjet e kujtimet, duke rrjedhur në lumin e harimit. Por nqse përenjve malorë populli u ngre prita me gurë e drurë, me qëllim që erozioni të mos “tretë” dheun, duke lënë shpateve vetëm skeletet e gurta, harimit i ka ngritur “prita” arti, ku ngjarjet mblidhen siç mblidhet uji i përenjve në ujëmbledhës, për tu përdorur në kohë thatësire.

Një “ujëmbledhës” ose më saktë , një “këngëmbëledhës” ka krijuar Jeronim De Rada te “Rapsodi e një poeme arbëreshe”, të cilën poeti Agim Mato e ka kthyer në shqipen e sotme aqë mjeshtërisht, sa që të krijohet përshtypja se ngjarjet e kënduara paskan ndodhur në ditët e sotme, në fshatin tënd. Madje edhe personazhet të duket se i ke takuar në rrugët e fshatit, madje dhe ke biseduar me ta.

2-Rapsodi të një poeme…. e quan De Rada përmbledhjen e tij të këngëve popullore dhe mendoj se jo më kot. Të gjitha këngët e përmbledhura në tre libra, me tema të ndryshme, kanë në fakt një kryetemë… Arbërinë .

Për këtë Arbëri lindën e u ritën, dashuruan e luftuan, madje dhe u vranë, e prapë u ngritën. Për këtë Arbëri ikën nëpër det, për tu rikthyer përsëri. Me këtë Arbëri në zemër e në mëndje ngritën fshatra arbëreshe në dheun e ri, duke u përpjekur të rikrijonin Arbërinë e tyre në dhe të huaj. E pse jo? Fshatrat i quajtën me emrat që kishin fshatrat e tyre në Arbëri, shtëpitë i ngritën tamam si shtëpitë në fshatin e tyre në Arbëri, me po ato dyer, dritare e çati. Vetëm kopështet i kishin pak më të vogëla, se më e vogël ishte dhe toka ku i ndërtuan shtëpitë. Madje edhe horizontet këtu ishin më të ngushta, vetëm nga lindja, ku matanë detit ishte Arbëria, sytë hapeshin më shumë duke zhbiruar horizontin e kaltër.

Në qoftë se në Arbëri kishin një kështjellë ku jetonin të gjithë bashkë, fisnikë e luftëtarë të thjeshtë, këtu kishin disa shtëpi të veçanta, të vogëla. Vërtet të ndërtuara si kështjella, shpesh ngjitur me njëra tjetrën, por gjithsesi shtëpi të veçanta.

Te njëra shtëpi bëhej dasëm, të tjetra lëngonte një trim nga plagët e luftës. Pak më tejë, në ajodhimë ngrihej Kostandini, se kishte një besë për të mbajtur. Ndërkohë që Skënderbeu bisedonte me vdekjen, një vashë, bijë e hënës, puthej me trimin. Ndërsa te një obor plot lule bisedonin dy të ra, për fëmijët motakë, që kur do rriteshin, do vidhnin zemrën e njeri tjetrit.

Të gjitha këto ndodhnin në një …poemë(fshat) arbëreshe.

Të gjitha këto janë ngjarje madhore, që nga puthja e asaj vashës, që një ditë më parë… lozte më një mollëe hidhte lart dhe e priste në gji…, kur del e bukura në derë, tek amanetet e Dedi Skurës e Pal Golemit, te besa e “Kostandinit të vogëlth” e gjer te Vdekja e Skënderbeut.

Të gjitha këto janë rapsodi,njëra më e bukur se tjetra.

Si të, tilla janë të denja për tu kënduar me lahutë apo vënçe, me iso, në odën e burrave të Arbërisë, në netët e dimrit. Veç e veçë, nëpër netë të ndryshme apo të tëra bashkë, në një natë të gjatë ekzili.

Të gjitha këto këngë kanë një lidhje organike, aqë sa të duken se janë vazhdim i njera tjetrës .Duke parë këtë lidhje organike mes këngëve si edhe faktin se janë një dëshmie e pakundërshtueshme shpirtërore e arbëreshëve për një të shkuar të lavdishme e fisnike, De Rada i grupoi nën titullin kuptimplotë…Rapsodi e një poeme....

3-IkënArbërit nëpër det…por me vehte morën Arbërinë.

Sepse atdheu janë njerzit, lufta dhe jeta, këngët dhe vallet, legjendat dhe vajet, ëndërat e shpresat e tyre.

Po malet, do pyesë dikush? Po ja pra, ata burra të heshtur në kuvertë ishin vetë malet e Arbërisë. Shtëpitë që do ndërtonin janë kështjellat.

Fushat janë gratë e tyre, lumenjtë janë lotët që derdhën dhe detet e liqenet janë shpresat që ata kanë për një të ardhme.

a-Ikën arbërit nëpër det….Dhe duke ikur këndonin vajin (apo vajtonin këngën)…O lamtumirë dheu im/të përshëndes se po të lë/e të të shoh s’do mundem më…

b-Në kiç e në bash të anieve që çanin dallgët drejt perëndimit, në këmbë, të veshur me parzmore lufte, me dorën të mbështetur te shpata a te heshta, të heshtur qëndronin luftëtarët. Në vitet që do vinin, në mëndje e në zemrat e tyre do gjëmonin brirët e luftës dhe thirrjet e kryezotit, Skënderbeut, në betejë ….O ti zoti Dukagjin/veç krahët ti më ruaj/të luftoj me këtë qën/të shohë shpatën si e luaj/flamurin si e valëvis/Bëri kryq e u lëshua…

-U kujtohej çdo detaj i jetës së Skënderbeut, dhe tani që ai s’ishte më, ua kuptonin domethënien disa fjalëve e disa veprave të tij. Edhe tani u kujtohej fjala e tij për nusen që do mirte, ku përkundër propozimeve të shumta për nuse të huaj, me tituj e prona, ai tha:…Unë…vajzën e dua arbërore/për nga gjuha dhe zakonet…prandaj …dërgoni fjalë zonjës/Donikë Marinëza.Sepse ai e kishte kuptuar që turku, së pari do përpiqej të shprishte gjakun e arbërit. Ndaj në çdo dasëm arbëreshe do këndohej kjo këngë.

c-U kujtohej si tani ajo ditë kur…u hap në qiell/libri i të vdekurve/dhe papritur e zezë e ftohtë/diçka si vello…/u ul e ra mbi kryete…tij. U kujto