top of page

AT PJETER MESHKALLA S.J.


2021

VITI

AT PJETER MESHKALLA S.J.




(1901 – 1988)

120 VJETORI KUR U Lé N’ SHKODER I MADHI

AT MESHKALLA !

(PERGATITI FRITZ RADOVANI, 2021)

AT PJETER MESHKALLA S.J.

(Biografi e shkurtë)


Në këte 120 vjetor kujtojmë një nga Figurat ma të mëdha, që i dha Shkodra Historisë së Lavdishme të Qytetit të Rozafës dhe asaj të Klerit Katolik Shqiptar, në Trojet e Gjergj Kastriotit!

Ky ishte Trimi i pashoq i Shqipnisë “komuniste” nen tiraninë e saj 47 vjeçare: Ky ishte At Pjeter Meshkalla i ynë, dhe ndoshta, i krejtë Lindjes komuniste nën diktaturën barbare stalinjane.

At Pjetër Mëshkalla S.J., asht lé në Shkodër me 25 shtator 1901 prej prindve të nderuem Hil’ e Age Mëshkalla, familje bujare, mjaft e vorfën qytetare, që banonte në një jerevijë në fund të rrugës së Daulles, përballë rrugës së Motrave Stigmatine, në Gjuhadol, ku ngjitë me deren e Tij ishte Sigurimi i Shtetit.

Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa ata ma të naltat teologjike i përfundoi në Linz të Austrisë. Prej vitit 1924, ka vazhdue në Goricie të Sllovenisë studime për letërsi, i shtymë nga pasioni që kishte për atë degë. Mbasi kishte vëndosë me iu kushtue Urdhnit Jezuit të “Shoqnisë Jezu” (S.J.), Ai ishte i detyruem (simbas rregullave të Urdhnit) me plotësue moshën 32 vjeçare, tue vazhdue studime të tjera mbasuniversitare, kështu që, vazhdoi përgatitjën në filozofi e teologji në Poloni, në Torino dhe në Napoli të Italisë, ku spikati si student dhe si përvetësues i gjuhëve ndër këta vende. Ishte një poliglot i vërtetë; edhe pse ishte në moshë të re. Në burgun e Burrelit ma vonë mësoi rusishten, edhe pervetsoj mirë anglishten.

Në vitin 1931 kje kthye në Shkodër, ku u Shugurue meshtar pranë Jezuitëve. Po në seminarin e tyne dha mësim që nga shkolla fillore e deri tek kurset ma të nalta, në gjuhë shqipe, letërsi, filozofi, teologji etj. Në vitin 1934 themeloi rrethin “Shën Gjon Bosko”, i shtymë nga dëshira që kishte me punue për edukimin e rinisë sonë.

Në vitin 1937 trasferohet në Tiranë dhe menjëherë atje formoi rrethin e “Shën Pjetrit”, me fëmijët e kryeqytetit. Në vitin 1938 asht aty kur inaugurohet Kisha e Jezuitëve, dhe ajo e “Zemrës së Krishtit”, që ishte edhe si qendër e famullisë. Viti 1939 e gjen në Tiranë. Okupacionin fashist Ai e priti keq, ashtu si shumica e krejt Klerit Katolik Shqiptar. At Mëshkalla kishte kohë që pikëpamjet Atdhetare i kishte shprehë botnisht nëpërmjet predikimeve publike, shkrimeve, revistave dhe debateve me jezuitët italianë të cilët punonin në Shqipni.

Në pranverën e vitit 1940, kur At Gjergj Fishta vizitoi shkollën dhe kuvendin e Jezuitëve e njëkohësisht edhe rrethin e “Shën Pjetrit”, At Mëshkalla u flet të rijve që mos me përshëndetë në mënyrën fashiste, madje, bashkë me At Fishtën, shprehin tek eprorët jezuitë paknaqësinë e tyne të madhe kundër dhunimit të Flamurit Shqipnisë nga Italia fashiste.

Gjatë kohës së pushtimit nazist, bashkë me Don Shtjefën Kurtin, kanë ndihmue dhe strehue popullatën e Tiranës dhe mjaft ebrej gjatë reprezaljeve dhe bombardimeve. Të dy nga komunistet u konsideruen “fashistë” e “armiqë të popullit”, madje Don Shtjefën Kurti, në vitin 1971, edhe u pushkatue me akuza fallse se: “Pagzoi një fëmijë dhe shtoi një Katolik në Shqipninë ‘ateiste’ të 1967”.

Okupacioni komunist i vitit 1944 për At Mëshkallën, ishte një okupacion diktatorial si dy të parët, por me fëtyrë nga Lindja. Në vitin 1942 shprehet haptas se partizanët që kanë dalë në mal dhe luftojnë nën drejtimin e komunistëve jugosllav dhe shqiptarë, ata nuk janë tjetër veç ushtarët e Titos dhe të Stalinit. Ata nuk do të sjellin as lirinë e vendit dhe asgja të mirë per Pushtetin “demokratik” të mbas luftës Botnore.

Në vitin 1945, në predkun me rastin e vdekjes së Imz.Bumçit, flet haptas kundër shkeljës së të drejtave të katolikëve dhe e fillon fjalën e përmortëshme kështu: “Imzot Bumçi, Ti nuk vdiqe, por, plase!..”. Në vitin 1946, bashkë me Prelatët e Klerit Katolik të gjithë Shqipnisë, bani dhe një “promemorje” për kryetarin e shtetit komunist, gjeneral kol. Enver Hoxhën, teksti i së ciles u pergatitë nga At Meshkalla dhe At Frano Kiri. Në takimet që bani me disa nga udhëheqësit komunistë shpreh haptë përsekutimin që po i bahët popullsisë katolike, rinisë, intelektualëve shqiptarë dhe klerit, tue e theksue këte edhe në shtypin e kohës, si dhe në organet shtetnore, se Kleri Katolik Shqiptar asht Atdhetar ka punue per shkollimin e rinisë sonë dhe, as nuk do të shkëputet nga Vatikani dhe Papa. Sigurisht, kjo ishte një deklaratë e të gjithë Klerit dhe jo përsonale, mbasi gjamët e këtij qendrimi do të ndigjohën shumë shpejtë.

Shenim nga Fritz Radovani: Do të vazhdojmë me materiale dhe disa dokumenta të domosdoshme që duhen me u njoftë nga Rinia Shqiptare, në ketë 120 vjetor që At Pjetri kje le në Shkoder, në vitin 1901, dhe asht konsiderue nder Figurat ma te mëdha të Kombit Shqiptar.

Melbourne, 1 Janar 2021.



36 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page