top of page

Asi kërkon një emër për qenin e tij


Asi kërkon një emër për qenin e tij

Tregim nga Fatmir Terziu


Nuk mund ta quanin ndryshe. Në atë oxhak kishin zbrazur tym nga lludha e gdhendur nga dru bushi tetë Hasanë. I nënti natyrshëm me një ndryshim të vogël, postmodern, apo perëndimor sikurse, koha, vendi dhe kuvendi, do të quhej Has, pa atë „an“ në fund dhe shoqëria në Londër do ta thërriste shkurt As, duke ia hequr arbitrarisht atë „H“-në e madhe përpara. E kështu nisi të njihej si As trashëgimtari i nëntë i lludhës së Hasanëve. Ai u rrit, u edukua, u kualifikua si As në metropolin britanik. E pas të gjithave doli në jetë. Jeta ia mbushi kuletën falë të qënit, jo thjesht As si emër, por vërtet një As në profesionin e tij privat. Asi u bë njësh në vendin e tij të ri kapitalist. Dhe kështu u martua, u bë me fëmijë, mori shtëpi me kredi bankare, dhe më në fund bleu dhe një qen.

Disa thonë se ai bleu një qen të shtrenjtë. Disa thonë se Asit ia kishte falur një klient, të cilit i kishte bërë një shërbim të mirë. E në të tilla raste qeni i dhuruar, le ta zëmë duhej të thirrej, pra e donte një emër. Nuk mund ti thuhej atij, përshembull në park, aty ku Asi dilte për të luajtur me të, „Hajde këtu o qen?!“. Nuk ia bënte zemra për këtë, por as kultura e fituar perëndimore nuk e lejonte këtë tek Asi. Prandaj, duhej të thirrej në emrin e tij. E kështu, Asi u detyrua dhe kërkoi ndihmë familjarësh, shokësh, klientësh, madje kërkoi ndihmë edhe tek xhumaheti i Xhamisë, kur shkonte të falej të premteve. Por, emrat e propozuar nuk e bindnin. Dhe kështu ai preferoi rrjetet sociale.

Në rrjetet sociale shkruajti me kujdesin më të madh, pa gabimin më të vogël në gjuhën e tij dhe atë të dytën që e zotërron, ashtu sikurse i thonë intelektualçe: Si të quaj qenin tim? Pakkush u nxitua të jepte ndonjë emër. Dikush i sugjeroi të shkonte në ndonjë zyrë qensh, apo në ndonjë vend specifik për emrat e qenve, por dikush i tha përpara se që të kërkosh emrin për qenin tënd të dashur, mundohu dhe shkruaj një histori të shkurtër për kafshën tënde të preferuar!

Kjo e fundit e bëri Asin për vete. Dhe tha me vete: „Është shumë e thjeshtë“. Por sa u ul pranë kompjuterit, e pa se intelektualizmi i tij kishte ngrirë. Ai mund të shkruante mjaft historira për njerëzit, si ishin, si janë, si duhet të jenë, si duhet të sillen, si duhet të mblidhen, e si duhet të jetojnë…, por për qenin e kishte të vështirë. Mjaft të vështirë! Nuk e kuptonte pse i ndodhte kështu. Habitej. Mërzitej. Por, ama Asi, si As i vërtetë, i ngjiti menjëherë shkallët e Bibliotekës Britanike. Dhe aty gjeti një katalog informues. Natyrisht nuk ishte vështirë të gjeje një katalog të tillë për emra qensh, në një intitucion të tillë që në një vit arkivon miliona botime. E nisi të lexonte…

Në këtë katalog do të gjeni disa shembuj të rrëfimeve të tilla, si për kafshët shtëpiake, ashtu edhe për kafshët e egra të pyllit. Eh pëshpëriti në dilemë me vehten, po bjeri shkurt, hajde mjaft shkurt. Më trego… Dhe mendja i shkoi tek dosjet e tij të shumta. Vallë si trazohen gjërat?! Tek dosjet flasin njerëzit dhe historitë e tyre i mbushin ato. Këtu, në këtë rast… Eh, nuk ka lidhje fare… Dhe sërrish i uli sytë mbi atë katalog udhëzues. Ju vetë mund të dilni me ndonjë histori të tillë duke përdorur një skemë të thjeshtë: së pari emërtoni këtë kafshë, më pas përshkruani pamjen e saj, e cila është karakteristike për të (për shembull, veshë të gjatë, bisht të shkurtër, lesh të bukur, sy inteligjentë, pra çdo gjë që ju vjen në mendje, por ama mos harroni edhe kostot karakteristike të kësaj kafshe). Më pas përshkruani pak nga zakonet e saj, çfarë mund të bëjë, si i ndihmon njerëzit, apo si kujdeseni për të, si luan kjo kafshë, ku jeton, cili është ushqimi i saj i preferuar etj. Në fund mund të shkruani një përfundim të shkurtër, se pse ju pëlqen kjo kafshë. Gjëja kryesore që mund t'ju duhet është një grup mbiemrash kafshësh, aftësia për të përdorur folje.

Asi u shpërqëndrua. Kishte parë në tërë ato dosje emra të ndryshëm njerëzish të lindur në dekada të ndryshme, emra që vinin nga kongrese, fjalime, plenume, konferenca partish, kishte parë dhe ishte habitur me emra aktorësh të filmave, me emra presidentësh, e sekretarësh partie, me emra femrash e meshkujsh, që kishin lënë emrat dhe shijet tek prindërit e tyre, emra bëmash dhe kafshësh, por për qenin e tij e kishte të vështirë të gjente një emër. I dukej se të gjithë e shikonin në sy dhe habiteshin: „Asi nuk gjen një emër për qenin e vetë?!“

Por, e mendoni se Asi u dorëzua? Kush e mendon këtë do të thotë se nuk e njeh Asin e vërtetë. Kështu ai nisi të shkruaj… Kafsha ime e preferuar është qeni im. Është e bardhë me pak kafe. Ka lesh të gjatë dhe bisht të shkurtër. Ai është shumë i lezetshëm dhe qesharak. Kur dëgjon zërin tim, i tundet bishti. I pëlqen të hajë mish, ëmbëlsira dhe madje edhe çokollatë. Ai jeton në shtëpinë tonë. E gjithë familja ime pëlqen të luajë me të. Ai shpesh më ndjek nëpër shtëpi me një top të vogël në dhëmbë dhe ma lëshon në këmbë, kështu që unë ndonjëherë më duhet ta shkelmoj. Ai kujdeset për mua. Nëse dikush më afrohet, ai fillon të leh. Por ai kurrë nuk kafshon. Të gjitha këto arsye tregojnë pse e dua vërtet qenin tim të mrekullueshëm. Pra si ta quaj?

Asi mbeti në dilemë. Por, mos e mendoni se ishte i pamundur. Një ditë si gjithë ditët e tjera, doli në park me qenin e tij. Aty pa se ishin më shumë qenër se ditët e zakonshme. U afrua. E aty mësoi se do të bëhej një paradë bukurie qensh. Buzëqeshi. Iu afrua qenit të vetë, e shtrëngoi fort, madje e përkëdeli aq shumë, sa që qeni filloi ti afrohej mjaft afër. Nejsë, Asi, u skuq dhe ia bëri me shenjë që të sillej sikurse sillet dhe i ka hije një qeni, që e mban për dore një intelektual. E që të mos e zgjasim, nisi parada e bukurisë. Nisën të lexohen emrat e qenve… Charlie, Duke, Riley, Bear, Bailey, Buddy, Beau, Jack, Coco, Bella, Cooper, Ginger, Stella, Leo, Max, Finn, Luna, Molly, Milo, Maggie, Harley, Lola, Ace … E aty u çlirua përfundimisht. Ky i fundit ishte pikërisht ai që i tingëlloi bukur. Ishte vetë ashtu sikurse e quanin kolegët e tij anglezë: Ace, e që do të thoshte pa pikë e pa presje As. Buqëqeshi. E tashmë u kthye i gëzuar në shtëpi. Në atë shtëpi që nga ajo ditë e bekuar e paradës së bukurisë së qenve në Londër, jetojnë, luajnë, dhe i bëjnë shërbimet e tyre dy Asa.

43 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page