top of page

ARTISTI PA KALENDAR


Nga Eli Kanina

MODEST DERI NË MADHËSHTI

Nuk ka nevojë të flasësh për poetin, kineastin e regjisorin Petrit Ruka, flet vetë vepra e tij. Librat me poezi të vyera, që qarkullojnë gjithandej. Filma dokumentarë e artistikë, që sa herë t'i shohësh e kupton se kanë edhe vlerën e punës së tij. E megjithatë moderatori i mbrëmjes, regjisori e shkrimtari Pëllumb Kulla, një jetë në skenë e televizion, e paska të vështirë të menaxhojë emocionet për privilegjin që i është dhënë. Të shprehë së pari, mirënjohjen e tij për punën dhe veprat e Petrit Rukës. Edhe më të vështirë e ka të menaxhojë kohën e të tjerëve që përshëndetën e uruan poetin e mikun Petrit Ruka. Pale të kthejë mbrapsh edhe sa të tjerë që donin të merrnin fjalën. A thua veç aty, para mikrofonit mund të quhet mirënjohja, mirënjohje? Petriti ka vite që e merr çdo ditë mirënjohjen e njerëzve që e duan me një përshëndetje nga larg, një dorë miku mbi supe, një kafe e parapaguar në vendlindje, një gotë e ofruar si qerasje, një ftesë nderi diku, një drekë, një darkë, një udhëtim... Ai e ndjen se e duan, dhe nuk mund ta kalojë kaq lehtë këtë promovim të librit "Shami të zeza qiellore" që koinçidon me 65 vjetorin e tij. Me këtë festë që organizon shoqata Labëria për të, ju jepet mundësia të gjithëve ta shpërblejnë me mirënjohje e mirësi, madhështinë e tij. Nuk ka rëndësi cilët janë e nga vijnë, kaq shumë në një sallë të tejmbushur, ai i pret të gjithë që e përqafojnë përzemërsisht. Me apo pa mikrofon, dashuria e mirënjohja për Petrit Rukën, ka marrë udhë si lakadredhat e Vjosës, që e frymëzon edhe në gjumë, nderimi për të është bërë det qyshkur. Të përzgjedhurit për ta përshëndetur poetin Petrit Ruka, venë e vijnë me artin e fjalës së bukur, me artin e këngës, labçe siç i rrjedh atij ndër deje, por edhe hyjnishëm siç zëri i sopranos Denisa na solli nga aria e Schubert. Mirënjohës e të përzemërt, të largët e të afërt, miq e bashkëpunëtorë, të njohur por edhe thjesht dashamirës të vargjeve të tij, janë mbledhur bashkë në 65 vjetorin e jetës së Petrit Rukës, apo në 50 vjetorin e punës e veprës së tij. Nuk është nevoja të shpjegohesh si e njeh apo çfarë të lidh me sebepçiun e kësaj feste. Ai është kaq popullor me vargjet e tij, sa vetëm rastësia mund të sfidojë ndokënd që vargjet e pëlqyera, të mos i dijë që janë të Petrit Rukës. Ai është po kaq popullor si njeri, sa të gjithë ndihen miq e të afërt me të, edhe pa e takuar. Kënaqësi të jesh dëshmitare e kësaj mirënjohjeje që Petriti merr nga shoqata e origjinës së tij, nga duart e mësueses së tij të dikurshme, duke sfiduar gjithë çmimet Kombëtare e nderimet ndër vite që ai ka marrë, me dashurinë e krenarinë e merituar prej biri të bekuar të Labërisë, që tashmë i rri paksa ngushtë, ndërsa i përket gjithë Shqipërisë, ashtu si puna e tij e shtrirë në hartë, në vite dhe në motivin e përkushtimit. Kënaqësi të shohësh sesi shndërrohet fotografia bardhë e zi e letërnjoftimit të nënës së tij nga vargjet e shkruara prej tij, në një pikturë portrteti me ngjyra, si dhuratë nga piktori në shenjë mirënjohje e miqësie. Sa shumë të tjerë do të kishin dashur të jenë sot për Petritin, dhe nuk kanë mundur! A nuk ishte letra e poetit Ilirian Zhupa, nga Italia për Peten e tij, një përshëndetje që përloti sallën, me emocionin e miqësisë prej një jete, të dy poetëve të talentuar tepelenas? Një interpretim po aq prekës nga aktori i ri, që e lexoi për të pranishmit! Ndaj është privilegj të jesh në këtë Mbrëmje Poetike, ku arti përshëndetet me art, dashuria me dashuri dhe modestia me madhështi. I uroj autorit e mikut Petrit Ruka, madhështinë fizike të babait, madhështinë e eksperiencës së gjatë të punës me të mëdhenjtë e Artit dhe Letërsisë Shqipe, madhështinë e talentit të lindur të penës së tij, dhe jetëgjatësinë përmbi 100 vjet, që i duhet për të përcjellë gjithë bukurinë e dashurinë, që shpirti i tij mbart! Jo thjesh si "një farë që duhet mbjellë" siç e përcaktoi moderatori, por si një farë e lashtë pa omgj-të e sotme, që duhet mbarështuar në shpirtrat e shqiptarëve, si një motiv jete e frymëzimi! Mjaftojnë ata tinguj që hapin mbrëmjen, vargjet e bukura prej tij në këngën e filmit "Eja" me zërin e ëmbël të Ermira Babaliut, që të kuptojmë se poeti Petrit Ruka do jetë mes nesh, edhe 100 vjet, modest deri në madhështi, si një artist pa kalendar!

7 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page