ARRITJE DHE PERSEPKTIVA


“ARRITJE DHE PERSEPKTIVA TË MËSIMDHËNIES SË GJUHËS

AMTARE TË SHKOLLAVE SHQIPE NË DIASPORË”

Nga Frank Shkreli

Në selinë qëndrore të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra në New York, më 7 Shtator ora 6 p.m 2021, Albanian-American Dual Language and Culture dhe Shkolla “Children of the Eagle”, organizuan promovimin e vëllimit të parë të punimeve të seminarit: “Arritje dhe perspektiva të mësimdhënies së gjuhës amtare të shkollave shqipe në Diasporë. I ftuar për të marrë pjesë në ketë ngjarje me rëndësi kulturore e kombëtare ishte edhe Frank Shkreli, i cili iu drejtua të pranishëmve me këto fjalë:


Të nderuara kolege -- Të nderuar kolegë --

Ju falënderoj që më ftuat në këtë promovim, Zonja Gjongecaj. Përshëndes edhe Vatrën që i ka hapur dyertë këtij aktiviteti të vyer, në shërbim të komunitetit.


Jam këtu me ju sot sepse po të ekzistonte ky program 50-vjetë më parë, unë mund të isha një prej nxënësve tuaj atëherë. Për arsye të rrethanave në fëmijëri dhe më vonë në rininë time, unë nuk flisja asnjë prej gjuhëve me një njohuri të nevojshme funksionale, madje as shqipen. Nuk dua të hyjë në historinë time – megjithëse edhe unë i kam pas mësuesit e mi -- por dua të theksoj rëndësinë e punës, të misionit e të pëkushtimit tuaj dhe të kolegëve e kolegeve tuaja ndaj projektit të dy gjuhësisë dhe mësimit të gjuhës shqipe, si elementë të domosdoshëm për forcimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve në diasporë, sidomos këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Mund të jetë, thjesht, një rastësi që ky takim sot -- në selinë qëndrore të Federatës historike Panshqiptare të Amerikës, Vatra në New York -- kushtuar mësimdhënies së gjuhës shqipe në Amerikë dhe më gjerë në diasporë – përkon me 105-vjetorin e themelimit të “Komisisë Letrare Shqipe”, me 1 shtator 1916 në Shkodër -- me nismën e Akademisë së Shkencave të Vjenës -- 8 vjet pas njësimit të alfabetit të përbashkët të gjuhës shqipe më 1908 në Manastir, ndërkohë që javën e kaluar në Prishtinë është mbajtur Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.


Megjithëse më shumë se një shekull midis tyre, këto ngjarje kanë të përbashkët, konsolidimin, zhvillimin dhe kultivimin e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare, brezave të shqiptarëve anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në diasporë – përfshir edhe albanologët e huaj që janë të interesuar për gjuhën shqipe, e të cilët morën pjesë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën javën e kaluar në Prishtinë. Ky aktivitet, pra – promovimi i librit për mësimin dhe konsolidimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë -- nga Shoqata Shqiptaro-Amerikane e të dy Gjuhëve dhe Kulturave -- vazhdon të jetë, siç thuhet në anglisht, “work in progress”, por me një fillim mjaft të suksesshëm dhe me një reputacion ekspertësh të përgatitur e të dalluar shqiptaro-amerikanësh, me arsim të lartë në Amerikë dhe në Shqipëri e Kosovë.


Falë përkushtimit të dhjetëra edukuesve shqiptaro-amerikanë që marrin pjesë në këtë projekt, profilet e të cilëve janë botuar në librin që kemi sot në dorë, misioni i shenjtë dhe i domosdoshëm që këta patriotë e patriote kanë ndërmarrë nepërmjet këtij projekti, do të vazhdojë me të njëjtin entuziazëm që është filluar disa vite më parë. Është një mision i shenjtë dhe i domosdoshëm sepse, “mësimi i gjuhës shqipe në shkollat e diasporës”, sipas Zonjës Gjongecaj, “është një çështje esenciale e ruajtjes së identitetit kombëtar” të shqiptarëve që jetojnë jasht trojeve shqiptare në Ballkanin Përendimdor.


Zonja Drita Gjongecaj është themeluese e shkollës së trashëgimisë shqipe, “Children of the Eagle”, e cila operon dy qendra në qytetin e Nju Jorkut me rrethina. Ajo ka hartuar projektin për hapjen, për herë të parë, të programeve dy gjuhësore në shkollat publike amerikane në vitin 2016, kur ka themeluar dhe drejton edhe organizatën, “The Association of Albanian-American Dual Language “Culture (AADLC), ose (Shoqatën Shqiptaro-Amerikane të dy Gjuhëve dhe Kulturave). Programet dy gjuhësore -- është shprehur Drita Gjongecaj, në një intervistë dhënë kohë më parë, autores dhe gazetares Marjana Bulkut, në programin e saj, “Një Jetë…Disa Histori” -- janë përpiluar “Mbi baza reale akademike dhe me metodat më bashkëkohore tashmë të provuara si të suksesshme”, ndërsa ajo këshillon prindërit dhe nxënësit se, përveç mësimit të gjuhës shqipe si një mjet për ruajtjen e identitetit kombëtar -- jetike në vetvete -- “Të mësuarit në dy gjuhë jo vetëm e ndihmon përparimin e tyre edhe në mësime në përgjithësi, por në të njëjtën kohë, i bën këta fëmijë akoma më observues, më të thellë në mendimin analitik e po ashtu me kulturë të gjerë”, ka thënë Zonja Gjongecaj, duke shtuar se “E vecanta e këtij programi është se u krijon nxënësve, njëkohësisht, mundësinë për të përvetësuar dy gjuhët, si atyre që kanë lindur në Amerikë dhe e kanë anglishten si gjuhë parësore, edhe atyre që dinë shqip por vetëm pak ose aspak anglisht”.


Ky është, pikërisht, edhe misioni i dyfishtë i “Albanian-American Dual Language and Culture dhe Shkolla “Children of the Eagle” (Fëmijtë e Shqiponjës), mësimi i gjuhës shqipe për të ruajtur identitetin kombëtar dhe për të ndihmuar fëmijtë shqiptaro-amerikanë, që me anë të dy-gjuhësisë, të jenë edhe më të përgatitur për karierat e tyre dhe për jetën në përgjithësi. Kjo është edhe arsyeja që së bashku me Federatën Panshqiptare Vatra, si shërbim për komunitetin, organizohet sot promovimi i vëllimit të parë të punimeve të seminareve I-II e III të Shoqatës: “Arritje dhe perspektiva të mësimdhënies së gjuhës amtare të shkollave shqipe në Diasporë”, një seminar ky i përvitshëm tanimë, që për komunitetin shqiptaro-amerikan, por edhe më gjerë, është shëndërruar në një traditë që bashkon në një tryezë mësues, studiues, gazetarë, historianë dhe veprimtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe jo vetëm.


E gjithë kjo veprimtari më bën të këthehem mbrapa në histori 50 vjetë më parë të komunitetit dhe më kujton sa shumë kanë ndryshuar punët në këtë fushë, gjatë viteve dhe dekadave të kaluara -- për më mirë, natyrisht. Jo se dikur mungonte vullneti për veprimtari të tilla. Por, komuniteti ishte shumë i vogël në krahasim me sot. Mungonin, jo vetëm, mundësitë dhe mësuesit me diploma, por mungonin dhe nxënësit. Gjatë 1970-ave dhe më vonë, disa kisha dhe xhamia këtu në Nju Jork përpiqeshin të organizonin mësimdhënie të gjuhës shqipe në qendrat e tyre fetare, por pa ndonjë sukses të madh dhe më në fund, pas një kohe të shkurtër, veprimtari të tilla, megjith vullnetin e mirë të disa udhëheqësve të komunitetit në atë kohë, fatkeqësisht, u ndërprenë.