top of page

ARRATISJA E VLLAS ARAPIT...


Dossjer

 

ARRATISJA E VLLAS ARAPIT NGA BRIGADA E PARË E USHTRISË NACIONALÇLIRIMTARE

Vllas Arapi ishte ndër komunistët e parë që parapa se Partia Komuniste po shndërrohej në një Parti Terroriste dhe e braktisi atë.

Botohet për herë të parë: Çfarë deklaronte Vllas Arapi pas arratisjes nga forcat komuniste?

 

 

 

 

Tefta Arapi, ish profesoresha ime, në vitin 1993, më foli për udhëtimet që kishte bërë në fshatrat e Kavajës, Rrogozhinës, Beratit etj duke kërkuar gjurmët e të vëllait, Vllas Arapit dhe më tregoi edhe nje fletore të trashë, ku kishte mbajtur shënime. Ajo më kërkoi mua nëse mund të shkruaja një artikull për Vllas Arapin, a ndofta edhe një libër për të.

Në atë kohë kjo ishte si një ndërmarje e vështirë për mua, prandaj e refuzova, dëshirë ose më mirë ëndërr, që do ta realizonte Fatosi, vëllai saj, me librin  “Kush ishte Vllas Arapi”.

Pas kaq vitesh, në kujtim të profesores time dhe në vlerësim të veprës së Vllas Arapit po botoj

këtë artikull bazuar në dokumente historike, që botohen për herë të parë.  

 

1.     Familja patriotike e Tol Arapit.

Tol Arapi është një familje e njohur patriotike e Vlorës. Ai kishte lindur në Vlorë në vitin 1881, ku ndoqi shkolën greke dhe më pas emigroi në Stamboll ku i vdiqën edhe të dy prindërit. Që herët është aktivizuar në lëvizjet patriotike, duke marrë pjesë në çetat kryengritëse të viteve 1911 - 1912.

Në qeverinë e Ismail Qemalit kreu detyrën e komisarit të policisë dhe ka luftuar kundër rebelëve në vitin 1914. Mori jesë në Luftën e Vlorës 1920, dhe në përfundim të kësaj lufte u rifut komisar policie, ndërsa kur Qazim Kokoshi u zgjodh kryetar bashkie, Tol Arapi do të emrohej komisar në policinë bashkiake.  

Ka propaganduar e luftuar që në kishën ortodokse të flitej shqip dhe në vitin 1922 ka marrë pjesë në Kongresin Kishtar në Berat, si delegat i Vlorës, kongresi që themeloi Kishën Autoqefale shqiptar.

Gjatë Luftës Antifashiste Tol Arapi e ktheu shtepinë e tij në bazë të rëndësishme të lëvizjes antifashiste. Djali i madh Vllasi dhe Liria, vajza, u bënë flamurtarë të rinisë vlonjate. Për këtë arsye më 8 maj 1942 familja e tij iu nënshtrua një kontrolli e bastisje nga pushtuesi, por më parë familja kishte mundur t’i largone materialet kompromentuese.

Më 26 dhjetor 1942, sapo mbritën në Vlorë mercenarët e Halil Alisë, e arrestuan Tol Arapin dhe dy ditë më pas më 28 dhjetor 1942 i dogjën shtëpinë dhe atë bashkë me 40 e ca vlonjatë i internuan në Gërmen të Burrelit.

Më 13 shkurt 1943 vlonjatët e internuar në Burrel, me anën e një telegrami, i kërkojnë Kryesisë së Këshillit të Ministrave lirimin e tyre: “Ne një grup vlonjatësh gjendemi të internuar në Fushën e Përqëndrimit Gërrmen – Burrel. Këto ditë disa u liruan. Tash kemi mbetur 24 persona pleq, plaka, gra e kalamakër të cilët natë e ditë presim me padurim që ajo zemër mëshirë plotë që lirojë të parët, ajo zemër të ketë dhimbsuri e mëshirë edhe për lirimin tonë që të kthehemi nëpër vatrat tona të djegura, mbasi jemi krejt të pa fajshëm.

Burrel 13.2.43.

Tol Arapi, Abas Përpa me t’ ëmën, Ali Çela me t’ tëmën, Vasil Speci me 5 fëmijë, Ibrahim Bino e fëmija, Sefer Taipi, Isa Çakërri, Shehap Dervishi, Telemak Mitro e Dhimitër Mitro, Mahmut Xhelo, Sotir Papajani e fëmija, Hamit Radhima, Nure Taipi, Llambi Mone”.1)  

Prindërit e Tolit, Stavri dhe Aspasia kishin lindur 13 fëjë por do të rronin vetm dy, ndërsa Tol Arapi dhe e shoqja Katina do të lindnin 9 fëmijë 5 djem dhe 4 vajza. Është për t’u theksuar se të 9 fëmijët e Tolit rrojtën dhe megjithëse të varfër kryen arsimin e larta dhe lanë gjurmë të mira në historinë e qytetit të Vlorës.

Vllasi Arapi (1922 –1946), kreu shkollën tregëtare në Vlorë.

Liri Arapi (1923 – 1991), kreu arsimin e lartë pedagogjik në Napoli Itali. Liria u arrestua më 14 qershor 1942 së bashku me Sulltana Çakërrin dhe Xhemil Çakërrin, por me miqtë e xha Tolit mundi të lirohej më 15 korrik 1942 nga ku doli në mal partizane.

Pirro Arapi (1925 – 2022), kreu arsimin e lartë pedagogjik në Itali.

Fatos Arapi (1930 – 2018), u diplomua në Sofie ekonomist dhe u bë i famshëm si poet e shkrimtar.

Petrit Arapi (1931-1977), ekonomist i lartë.

Shqiponja (1932), Bubulina Arapi (1933 – 1976), dhe Tefta Arapi (1935 – 1995) ishin mësuese dhe i fundit Astriti (1937) ishte inxhinjer.

Tetë prej fëmijëve të Tol Arapit e gëzuan jetën. Ndryshe ndodhi me djalin e tij të madh Vllasin i cili pati një fund tragjik.

Tol Arapi vdiq në Vlorë në vitin 1962 dhe u varros në vendin e origjinës në Zvërnec.2)

 

2.Vllas Arapi ishte ndër komunistët e parë që parapa se Partia Komuniste po shndërrohej në një Parti Terroriste dhe e braktisi atë.

Vllasi i njohur me pseudonimin e luftës “Pelivani” ose “Pelivan Vlora”, lindi në qytetin e Vlorës më 22 shkurt 1922. Ai ishte një nga të rinjtë komunistë entuziastë, aktivë, i zgjuar, trim dhe i përkushtuar për çdo sakrific për lirinë dhe Atdheun e tij. Në prill 1942 doli ilegal, ndërsa e motra Liria do të arrestohej në qershor 1942.

Prefektura e Vlorës më 5.10.1942 në një listë ku figurojnë 32 vetë të arratisur politik nga Vlora ndërmjet të cilëve Mitat Dautaj, Xhemil Çakërri, Mynyr Xhindi, Naun Hondro, Hysni Abazaj, Jonus Mersini, Neki Hoxha nga Gjormi etj., për Vllas Arapin shkruan: “Vllas Arapi i biri Tolit dhe i Katinis, lindur e banues në Vlorë, vjeç 19, student, dënuar nga Gjykata Ushtarake e Tiranës për propagandë subversive”.3)

 “Më datën 17 janar 1943 qe vra me të shtime rovolveri marshalli Mario Lombardi kamandant i stacionionit të Skelës në Vlorë. Autorët komunista deshën me një gjest të këtillë deliktuoz për të hequar nga kjo jetë një nënoficer i cili kishte kryer shërbime të dukëshme në fushatën e policisë politike, aq më tepër mbasi dinte mirë edhe gjuhën shqipe.

Pas këtij delikti Komanda e Përgjithshme vendosi që të pushkatoheshin katër komunista nëse brenda mëngjezit të ditës tjetër  të mos dorëzoheshin autorët e deliktit të kryer. Kështu që, në mesditë të datës 18 katër të burgosur Mitaq Sallata, Astrit Kokoshi, Pavllo Kafia dhe Tole Bitri qenë pushkatue afër spitalit civil...” 4) 

“Autorët e vrasjes së marshall Lombardi janë identifikuar kriminelët Sallata Lefter dhe Vllas Arapi të arratisur”, shkruan Shtabi i Policisë Mbretërore të Vlorës.5)

Në monografinë që Fatos Arapi i kushton Vllasit, nuk e thotë troç, por na lë të kuptojmë se atentatori marshallit Lombardo ishte pikërisht vëllai tij, Vllasi.

Në shkurt 1943 Vllas Arapi dërgohet në Mallakastër si përgjegjës partie. “Ai ishte karakter krejt i ndryshëm nga Mehmet Shehu. Si luftëtar, ai e pranonte luftën, e pranonte  ashpërsinë e luftës, por ishte kundër terrorit dhe vrasjeve që mbillte Mehmet Shehu ngado që shkonte. Nuk e honepsi kurrë as therjen që iu bë karabinierve në Mallakstër , as vrasjen e fshatarëve në Divjakë… Shqetësimi tjetër i Vllasit janë marrëdhëniet me nacionalistët”. F. 101

Më 15 gusht 1943 Vllas Arapi do të trasferohet në Brigadën e Parë. “Sipas dëshmive ai herë gjëndet në batalionin e dytë herë në të tretin, herë përgjegjës rinie, herë komisar kompanie por në më të shumtën e kohës ai është partizan i thjeshtë… Komandant i batalinit të tretë emrohet Gjeli Argjiri, i cili, sipas pohimeve të tija është ai që ka pushkatuar Anastas Lulën… Caktimi i Vllasit partizan i thjeshtë në batalionin e tretë..., nuk është veprim i pa menduar i Mehmet Shehut”. F. 119  

 Në dimrin e vitit 1944, Brigada e Parë e Mehmet Shehut, marshon në kondita jashtëzakonisht të vështira  për të shpëtuar Shtabin e Përgjithshëm që kishte mbetur i rrethuar.

Në këto momente të vështira Vllas Arapi i thotë Mehmetit: “Pse duhet të sakrifikohen tre batalione për 12 – 13 vetë? Ata udhëheqin një ushtri e s’dalin dot vetë nga rrethimi?...”. f.125

Terrori që ushtronte Mehmet Shehu ndaj partizanve, luftën kundër Ballit Kombëtar dhe çdo kundërshtari të tij i thelluan kontraditat e Vllas Arapit me Mehmet Shehun i cili tentoi ta eliminonte, por ai mundi t’i shpëtojë pritës së tij dhe u arratis nga Barigada e Parë më 6 prill 1944.

“Më 6 prill dezertoi nga rreshtat tona Vllas Arapi (Pelivani) nga Vlora, shkruan Mehmet Shehu, i  cili më datën 12 ka mbajtur një fjalim në Fier kundër Brigadës sonë dhe kundër Partisë Komuniste. Ky element ka qenë kurdoherë alarmues dhe sidomos kohët e fundit. Në Sulovë kishte dhënë shenja dyshimi. Na shpëtoi nga duart”. 6), 7)

 

3. Deklarimet e Vllas Arapit pasi u arratis nga forcat komuniste.

Pasi u arratis nga Brigada e Parë e Mehmet Shehut, Vllasi u bashkua me forcat e Ballit Kombëtar.

Ai mbajti takime e fjalime ne qytete e Shqipërisë së Mesme ku denoncoi dhunën dhe terrorin e Partisë Komuniste. Më poshtë deklarimet e tij:

 

“ Nga rradhët e Dushanit në gjirin e atdheut. Dekllarata me rëndësi të Vllash Arapit

“Rini! Mblidh mëndjen, shtrëngo brrylat e rradhët se po të afrohet diktatura më e ndyrë dhe më e përgjakshme që ka parë faqja e dheut, në të cilën nuk do të jemi veçse skllevër dhe një turmë bagëtish”.

 

Në fillim të muajt prill, një i ri 23 vjeçar i nisur nga Maliqi i Korçës, duke kaluar përmes kaq rreziqesh fill i vetëm, pasi përshkoi një rrugë të gjatë nëpër Opar, Tomorricë, Sulovë, zbret në Berat dhe paraqitet në Komandën e Ballit Kombëtar. Ky djalosh që dorëzohet ishte Vllash Arapi nga Vlora, një prej përgjegjësve kryesorë të Brigadës Partizane të Mehmet Shehut.

 

Kush është Vllash Arapi?!

  Ky është i mbiqujtur “Pelivani”, të cilin s’ka burrë, i ri dhe grua, besojmë, që të mos e njohë e që të mos e ketë dëgjuar emrin në Toskëri. Vllash Arapi qysh dy vjet më pare, ka zhvilluar një aktivitet të madh në krahinën e Vlorës e të Mallakastrës, për përhapjen e idesë nacionalçlirimtare. Por si shumë të rinj edhe Vllash Arapin e vrau një ditë ndërgjegja, dhe ky i hapi sytë më në fund dhe e pa realitetin.

Prandaj nga rradhët e Dushanit u hodh në gjirin e Atdheut, i cili i pret bijtë e gabuar me dhimbje e dashuri.

“Pelivani” dridhet kur kujton lemeritë që egzistojnë në rardhët e Partisë Terroriste. Por megjithëkëtë nuk mungoi që këto ngjarje që të ngjethin mishtë, tmerrojnë shpirtin dhe trondisin  ndërgjegjen ti vërë botërisht në dije të popullit. Në një seri  konferencash që mbajti në Fier, Lushnjë e Berat, Vllash Arapi përshkroi me lotë në sy “ferrin” që ekziston në Partinë Terroriste.

-  Jeta fillon. Vllash Arapi: Në çetat terroriste ishte bërë e padurueshme  mungesa e bukës, e veshjeve, municioneve dhe sidomos nga vrasjet e kota që Partia bënte kundër popullit, ballistëve e partizanëve. Ajo Parti qëndron mbi gjak dhe mbahet në këmbë vetëm me anën e terrorit.

Për të vlen më tepër një fyshek se sa një njeri. Parrulla “Liri e popull” që përdor partia ka qenë dhe vazhdon të jetë një mashtrim i math. Për popullin  e mjerë ka vetëm lemeri….

 

Një përshkrim i Brigadës në Veri.

-  Një muaj e gjysëm më parë Mehmet Shehu mbajti një ligjëratë duke ekzaltuar ushtarët e Brigadës së Parë me këto fjalë: “Shokë, jemi të ngarkuar të bëjmë një udhëtim të gjatë në Veri të Shqipërisë, udhëtim që ka për mision veprimtarinë më të shkëlqyer të Partis. Kjo rrugë është e rrezikshme, se do të kalojmë vende të vështira, të mbuluara me borë, në toka armike, ku nuk do të gjejmë bukë e strehë, por neve do ti kapërcejmë këto, qoftë sikur të hamë edhe kuaj të ngordhur. Nuk mund të vëmë në dije qëllimin e misionit tone, sepse atëherë të gjithë çetat partizane që janë në Jug do të pasojnë Brigadën duke lënë frontin bosh. Për të kryer këtë mision mjafton Brigada e Parë”.

Brigada u nis dhe kaloi në malet më të larta të Shqipërisë së Mesme.

 

Maj 1944.

-  Hyri në Martanesh, në Gollobordë, doli në Gur të Bardhë, shkoi në Shëngjergj, në Pezë dhe andej hyri në Sulovë e në Tomorricë. Gjatë këtij udhëtimi lamë 101 veta të vrarë, të ngrirë nga bora, të zhdukur e mbytur në Shkumbin. Në çdo katund që vamë na pritën me pushkë dhe raprezaljet tona kanë qenë të përgjakshme. Vetëm në Martanesh vramë 25 veta nga populli. Kështuqë numri i partizanëve dhe katundarëve të vrarë arriti pothuaj 200 veta!

 

Misioni iudhëtimit të Brigadës.

-  Kur  muarmë vesh qëllimin e udhëtimit, u dëshpëruam të gjithë, sepse Brigada shkoi në Dibër për të marrë Ernver Hoxhën dhe Spiro Moisiun të cilët nuk i gjetëm atje, mbasi kishin ikur më përpara. Të gjithë u tmerruam kur pamë se për të marrë dy veta nga krerët e partisë në Dibër, u sakrifikua jeta e 200 shqiptarëve!

Të gjithë menduan se në rast se nevoitet shpëtimi ndonjë Dushani ose Mehmet Shehu për ta shpurë në Tiranë, ose më ndonjë vend tjetër të sigurtë, do të duhesh të sakrifikohej jeta e 1000= shqiptarëve.

 

Flamuri i Skënderbeut u hodh poshtë.

-  Kur u kthyem nga udhëtimi i gjatë dhe plot peripecira, në Moglicë të Oparit, u bë atje ceremonia e hedhjes poshtë të Flamurit Kombëtar, i cili u zëvendësua me një tjetër me drapër e çekan!

Tani në beretat e partizanëve nuk shihet më Flamuri i Shqipërisë, por drapëri e çekani me yllin e kuq në krye. Në fjalimin që mbajti Mehmet Shehu në këtë rast, midis të tjerave, tha: “Flamuri i Shqipërisë nuk ishte gjë tjetër veçse një reckë e qelbur për t’u hedhur poshtë”. 

Gjithashtu atë ditë u proklamua edhe qeveria proletare.

Pothuaj të gjithë të rinjtë u dëshpëruan thellësisht për hedhjen e Flamurit Kombëtar poshtë, por e mbajtën veten me zor nga frika e terrorit.

 

Shumica e madhe e rinisë është penduar.

-   Shumica e madhe e të rinjëve, që bëjnë pjesë në rreshtat e partisë, janë penduar, mbasi e shohin me sytë e veta greminën në të cilën po e hedh qeveria nacionalçlirimtare atdheun e mjerë. Shumë prej të rinjve kanë mundur të largohen dhe të kthehen në vatrat e tyre.  Shumë të tjerë duan të largohen por nuk gjejnë dot rastin.

Nacionalizmi shqiptar duhet të bëjë ç’është e mundur për t’i ardhur në ndihmë dhe për t’a shpëtuar rininë nga kuçedrat e terrorit të këlyshëve të Dushanit e Miladinit.

Të gjithë të rinjtë që janë kthyer në shtëpitë e veta mbas thirrjeve dhe kërcënimeve që u bëri partia, u përgjigjën: “Mjaft më!”

Unë largimin tim nuk e vendosa përnjëherësh, për një arsye, ose për një tjetër, por për shumë arsye. Ishin ngjarje dhe fakte të përditëshme, që si pikat e ujit njëra mbas tjetrës e mbushën kupën dhe u derdh. Me një vështrim retrospektiv të veprimeve, të luftrave, të krimeve të përditëshme, të djegieve e të rrënimeve ku mësova se e ashtëquajtura nacionalçlirimtare nuk punonte për çlirimin e atdheut, por për zhdukjen e racës arbënore.

Ikja nga rreshtat e Partisë është shumë e zorshme mbasi rrjeti i kontrollimit dhe i spiunazhit është shumë i fortë. S’ka njeri në rradhët e partizanëve që të ketë guximin t’i hapet shokut dhe t’i propozojë largimin, sepse e di me siguri se fjala e tij do të raportohet dhe si shpërblim të menjëhershëm do të hajë plumbin ballit.

Populli i Malësive nga ana tjetër është tepër i mërzitur prej një lufte të tillë, prej çkatërrimeve dhe prej rrëmbimit të bukës e i bagëtive që bëhen nga ana e çetave partizane.

 

Brigada shumë, por vetëm me emër.

-  Brigadat janë të shumta por vetëm me emër pasi janë shpartalluar krejt. Ajo që qëndron më mirë në këmbë është Brigada e Parë, edhe kjo në sajë të Batalionit të Parë të formuar prej vlonjatësh e kurveleshas. Brigadë e cila vepron nën grushtin e tmerrshëm të katilit Mehmet Shehu. Brigada e Parë ka qenë njësia më e fortë e fuqive partizane, por edhe kjo u prish dhe u demoralizua nga grushtet e rënda që hëngri në Patos, në krahinën e Vlorës dhe tani në fund në udhëtimin që bëri në Gegëri, udhëtim i cili i kushtoi rëndë dhe i shkaktoi demoralizimin e partizanëve më të vendosur.

Vlen të shënohet se një grusht tepër të rëndë Brigada e Parë e hëngri nga një fuqi e Ballit Kombëtar te Mali i Bardhë afër Qafës së Dardhës kur po kthehesh nga udhëtimi. Kjo fuqi e Ballit që komandohesh nga Muahrrem Kapllani që siç mora vesh më vonë përbëhej nga 120 vetë mundi t’i presë hovin Brigadës, ti shkaktojë shumë dëme dhe të mos e lërë të kalojë.

Pra sot çetat partizane nuk përbëhen më si më parë vetëm nga vullnetarë të rregullt, por nga turma të rekrutuara me zorr, e me frikë që luftojnë sepse nga mbrapa u qëndrojnë komisarët politikë me mitraloza e armë në duar që kështu e bëjnë të vështirë ikjen.

 

Shkaqet e luftës kundër Ballit Kombëtar.

-   S’ka asnjë dyshim se luftën kundër Ballit Kombëtar e çeli Nacionalçirimtarja. Shkaku ka qenë sepse u konstatua se masa më e madhe e popullit kishte prirje nga nacionalizmi dhe sepse Balli duke u organizuar çdo ditë, do ti përfshinte të gjitha forcat dhe energjitë e Shqipërisë. Partia Terroriste te Ballin Kombëtar shihte armikun më të madh jo vetëm si fuqi luftarake por edhe si fuqi morale intelektuale tepër të shëndoshë.

Parrulla e të gjithë partizanëv ishte: “Duhet të bëjmë ç’është e mundur që t’a eliminojmë Ballin”.

 

Dushani, Miladini dhe Partia.

-   Fuqia më e madhe e partisë janë dy serbët: Dushani dhe Miladini. 

Roli i Dushanit ishte kryesor, sepse ishte ky që jepte udhëzime për t’i vënë në praktikë. Miladini ishte këshilltar politik dhe mendimtari i kësaj maqine të tmerrshme. Të gjithë krerët shqiptarë me rëndësi të kësaj organizate nuk ishin veçse kukulla, që zbatojnë në mënyrë të verbër urdhërat e serbëve.

Këta dridheshin prej Dushanit e Miladinit dhe u bënin atyre shumë kallëzime e hipokrizira për t’i patur në konsideracion dhe për t’i graduar.

 

Dëshpërimi dhe pasioni i krerëve terroristë.

-  Dëshpërimi dhe pasioni i krerëve të Partisë Terroriste ka mbërritur kulmin e tërbimit, kaq sa shpesh herë thonë që neve na nevoitet të hyjmë nëpër qytete vetëm dy orë, për t’u dhënë mësimin e fundit reaksionarëve shqiptarë.

Merreni me mënd se ç’mynxirë mund të ngjajë sikur të realizohet ëndrra e këtyre të çmendurve.

Për hakmarrje kundër Polisit dhe Çermenikës që pengoi marshimin e Brigadës së Parë në udhëtimin e fundit, Mehmet Shehu është betuar se do t’i therë të gjithë meshkujt nga 6 deri në 60 vjeç.

 

Një thirrje popullit dhe rinisë.

-   Vllash Arapi, duke përfunduar deklaratat e tij u drejton këtë thirrje popullit dhe

rinisë shqiptare:

“Popull Shqiptar!

Bashkoju i gjithë si një bllok nën hijen e Flamurit të Kastriotit dhe me besën e burrninë e të parëve që të karakterizon, vërsulju terrorit, se për ndryshe të presin ditë më të zeza. Duhet ta dish, se sot është në lojë ekzistenca e një rrace që ka mundur të shpëtojë gjatë kaq shekujsh invazionesh.

“Rini!

Mblidh mëndjen, shtrëngo brrylat e rradhët se po të afrohet diktatura më e ndyrë dhe më e përgjakshme që ka parë faqja e dheut, në të cilën nuk do të jemi veçse skllevër dhe një turmë bagëtish”.

Maj 1944.                                                                   Balli Kombëtar “ 8)

 

4. Vrasja e Vllas Arapit.

Pas arratisjes nga Brigada e Parë, Vllas Arapi qëndroi me forcat e Ballit Kombëtar në Shqipërinë e Mesme duke propoganduar kundër terrorit dhe luftës civile të Partisë Komuniste. Pas çlirimit në vitin 1945 ai do të bashkohej me grupet antikomuniste që i bënë qëndresë regjimit komunist.

Për këtë arsye familja e Tol Arapit nuk shpëtoi as nga persekutimi i komunistëve të cilët me të ardhur në fuqi, në vitin 1945 “e mbajtën tre muaj në burg, atë edhe vjehrrën e tij plakë”.

“Një ditë në rrugë Kadri Hazbiu takoi nënën e Vllasit, tek e cila gjatë luftës kishte ngrenë bukë disa herë. Ai e përshëndeti atë dhe i dha një pusullë ku shkruhej: “Xha Toli, i thoni Vllasit të dorëzohet dhe të pres me gëzim dënimin që do t’i japë Partia”.

Por xha Toli nuk u dorëzua dhe nuk i besoi ish shokët komunistë të Vllasit. Në letrën e fundit ai i shkruante të birit: “Plumbin e fundit vetes. Nuk dua të të shoh në duart e këtyre. Më paç uratën. Toli”

Gazeta “Flamuri” botim i Ballit Kombëtar në emigracion, në vitin 1950 shkruante: “Në Shqipërinë e mesme…, çetat e Vlash Arapit me shokë i banë të pa sigurta rrugët dhe atakuan sa herë me sukses e trimëri qendra e fuqi komuniste”. F. 185

Këta burra patriot si Vllas Arapi që e kundërshtuan me armë diktaturën komuniste u përndoqën me terror. Në saje të përndjekjes Vllas Arapi është vrarë natën duke u gdhirë 6 qershor 1946. Ai u vra me tradhëti nga agjentë të Sigurimit të Shtetit të infiltruar në grupet e rezistencës antikomuniste. “Vllasin e sollën të vrarë me qerre nga fshati Domës. Unë e pash Vllasin të vrarë në morg, i zhveshur, me shtatë plagë në trup. Fytyrën komplet të rregullt dhe trupin shumë të lidhur. E kam parë vetë dhembin e florinjtë në gojën e tij. Fshatarët thoshin se është trim mbi trimat. Për ta varrosur e mori policia. Pasi është vrarë Vllasi, është dorëzuar fshatari që ka qenë me të. Atë e mori Babë Myslimi në mbrjtje”, ka deklaruar zv/kryetar i Degës Brendshme të Kavajës.

Familja e Tol Arapit u vesh me të zeza edhe Liria, e motra, që ishte partizane dhe komuniste u vesh me të zeza.     

 

5. Nuk e denim se do të dilte kështu…

Ata që u munduan të eliminonin Vllas Arapin, lanë me lëkurën e tyre një pjesë farë të vogël të krimeve që kishin kryer:

Mehmet Shehu në dhjetor të vitit 1981vriste veten, në vilën e tij të sapo ndërtuar . Kadri Hazbiu, sipas tregimeve, kur e shpinin ta pushkatonin në të vërtetë kishte vdekur shumë kohë më parë nga torturat në hetuesi. Gjeneral Argjiri mbërthyer prej një krize të rëndë nervore po në ato kohëra , hidhej nga ballkoni i shtëpisë duke thirrur: “Nuk e denim se do të dilte kështu…”

 

P Ë R F U N D I M

Sa herë që lexojmë ose shkruajmë për atë sistem çnjerëzor të diktaturës komuniste më vjen ndër mend ajo shprehja profetike e Luigj Gurakuqit, që pati fatin të mos i shihte shqiptarët se si vriteshin mes njëri-tjetrit gjatë viteve të fundit të Luftës së Dytë Botërore, i cili do të shkruante që në vitin 1919-ën “Duhet ta dini ju shqiptarë se anmiqtë e atdhesë e të kombit tënë punojnë, siç kanë punuem gjithmonë…për me na qitun para botës…jo si një komb që meriton jetën e vet më vete, por si disa fise qi s’kanë pasun kurrë bashkim njani me tjetrin, si njerëz të egjër e të padisiplinë qi, po të lihen më vete, kishin me ngranë shoqi-shoqin për së gjalli…”9)

 

B U R I M E T:

1)     AQSH, F. 149.I, D. 450, f. 170-171

2)     Shih për më shumë: Tol S. Arapi “Që të bëhej Shqipëria”, albin, Tiranë 1996

3)     AQSH, F. 149, D. 1199, f. 120 - 121 

4)     AQSH, F. 153, V. 1943, D. 223, F. 10 – 14

5)     AQSH, F. 153, V. 1943, D. 283, f. 5

6)     M. Shehu Vepra të zgjedhura Vëll. I Tiranë 1981, f. 241

7)     Citimet janë marrë nga Fatos Arapi “Kush ishte Vllas Arapi”, “Dita 2000”, Tiranë 2000

8)     AQSH, F.270 APL, D.12, f.40

9)     “Historia e popullit shqiptar”, vëll. III, Toena, Tiranë, 2007, fq. 132 .

LEGJENDA E FOTOGRAFIVE DHE GAZETAVE, DHE DOKUMETAVE:    




                               

·       Vllas Arapi në vitin 1942                  

·       Vllasi partizan

·       Letra e fundit e Vllasit që u dërgoi prindërve nga arratia

·       Trakti i Ballit Kombëtar me deklarimet e Vllas Arapit, në konferencat që ka mbajtur në Shqipërinë e Mesme.

·       Vlonjat të internuar në Burrel ndërmjet të cilëve Tol Arapi kërkojnë lirimin.

·       Tol Arapi uron Sulejman Delvinën, Luigj Gurakuqin etj.

4 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page