top of page

Aromë e virgjër


Aromë e virgjër

Tregim nga Fatmir Terziu

 

Atë e mban si gjënë më të shtrenjtë në këtë jetë. E mban në një ndarje të portofolit. E mban më të domosdoshme se monedhat e palosura dhe madje dhe se karta e bankës. Fundja ka të drejtë. Pa Dokumentin Ligjor të drejtimit të makinës ai nuk do të ishte i njohur me Shavon. Por kjo njohje edhe e lodh, edhe e mban me shpresë.

Lodhja grumbullohet mbi supet e tij të kërrusura si një kosh plehrash në fund të ditës. Pak arratisje nga njerëzit. Një rrugë drejt vetes, e mbështjellë në mënyrë të panjohur në trupin e vogël, joproporcional që i ngjan një shakaje njerëzore, me fytyrën e një mbreti dhe gishtat e një pianisti, ama larg e shumë larg moshës së tij.

- Gishtat e tu janë merimangat e bukura të dantellave, njësoj si punimet në fustanin e ri, të cilin e bleve dje. A do të martohesh me mua që të marr një pasaportë britanike? – e pyet ai, Shavon, me sytë që i shkëlqejnë. Zbarkime kunallesh të vockla, me pamje të shkëlqyera të dritës së hënës.

- Njerëzit martohen për dashuri. Unë jam shumë e vjetër për ty. Ju jeni vetëm 25 vjeç. Në ndonjë rimishërim tjetër unë mund të jem nëna juaj.

- Kush martohet për dashuri sot, Geni? Të gjithë dinë vetëm si ta rregullojnë jetën e tyre. Në mënyrën më fitimprurëse të mundshme. Unë do të jem një burrë i mirë për ju. Unë do t'ju bindem dhe do t'ju gatuaj ushqimet që i kam mësuar prej nënës, me aroma të shijshme të zonës sime ku kam lindur dhe me shumë erëza të mbledhura në shpate të thepisura malesh,  të hidhura si trishtimi i grumbulluar nga kohëra të mbushura me pezm e pak shpresë jete.

Por ama ne do të jemi të lumtur. Si në përralla. Derisa vdekja të na ndajë.

Vdekja... si një fantazmë e sjellshme banon në trupin e saj të shkretë, të helmuar nga ilaçet e shumta që pin qëkur u diagnostikua me atë sëmundje dhe me kujtimet e dhimbshme për humbjen e buriit të saj dhjetë vjet më parë, ndërsa ai komandonte një skuadër ushtarake në një vend të lindjes. Dhe diku në sytë e saj që ndahen mes dy albumeve dhe realitetit duken mjaft surpriza, që shkojnë e pikëtakojnë edhe dështime të vogla, pengesa të vogla, të heshtura me heshtje të sjellshme. Por ama Gjyqi pas vdekjes së bashkëshortit në luftë i dha para të bollshme. Ajo preferon të qëndroj e heshtur.

- Heshtja është mbrojtja më e mirë për një anglez të vërtetë – thoshte babai im nga South Yorkshire - kështu që askush nuk mund të arrijë ndjenjat e tij më të thella! Sa shumë kemi heshtur bashkë me ju, problemet e jetës së babait tuaj, mjerimi i atyre kohërave të tmerrshme në komunizëm, shembja e karrierës suaj filmike në vendin tuaj, por dhe në Greqi e në Itali. E tashmë kur mas kohën. Time me këtë që kam mësuar nga ty, eh më duket se po ndrysoj. Ndaj më duket, se në moshën 60-vjeçare, tashmë jam e kënaqur! Unë kam një shtëpi me një kopsht. Vetëm për ne të dy, bir i dashur! Nuk e kam jetuar përrallën time, por jam e bekuar me një fund të lumtur.

Ai është gjithmonë i pari që hyn në klasën e anglishtes që shoqërohet me një kurs aktrimi dhe ulet në cepin më të largët në një kolltuk tipik të kohës viktoriane, në mënyrë që të mos pengojë shoqet dhe shokët e tij të zënë më shumë vende përpara. Ai vendos laptopin në prehër dhe hap foton bardh e zi të Demir Hyskjas, me autograf „Për Genin, djaloshin më të mirë që njoh!" Më pas ai ndjek ndeshjet e ekipit të futbollit Chelsea për të rezervuar një hotel në fundjavë për veten dhe shokët e tij, me të cilët ata kanë katër vite që ndjekin ekipin e tyre të preferuar. Ndeshjet fryjnë heshtjen. Britmat janë gëzim. Vullkanet e programuara të së shtunës mbi enigmën e mërzitshme të fjalëve të mbytura nga kurioziteti i stërvitur:

- E pe sa e zbehtë është Shavon? Zoti im, duket si hija e vet! Ajo ka kancer, apo jo? E pyeta një nga shoqet e saj në vallëzimin e lirë ku shkon edhe Shavon dhe ajo e konfirmoi…

- Më e qetë që të të shpjegoj, më ndiq vetëm me sy e buzë... Kaq... Dua ti ngjaj. E di që është një aktor i filmave të kohës së komunizmit që ka luajtur në role të ndryshme por me një staturë e lojë të pëlqyer në publik. Ai mund të bëhej yll kinemaje globale, po të kishte liri ...

- Hesht, po vjen... Mirëmëngjes, Geni, a gjete lehtësisht vend parkimi sot? Mësova se orët e tua të anglishtes janë reduktuar në minimum. Nuk jeni mirë fare? Ooooo, ju duhet të kujdeseni më shumë për veten tuaj... Ushqehuni shëndetshëm, ushtroni dhe...

- Mirëmëngjes të gjithëve.

Ajo kalon e qetë. Shtatë hapa deri te dritarja, pesë deri te kolltuku i thellë. Pesëmbëdhjetë minuta pritje. Zile. Dhimbja, një qepallë e shurdhër me një gjëmim të zjarrtë, dërgon konvulsione torturuese nëpër trupin e saj të përdredhur. Breshkat vdesin ngadalë në guaskat e tyre të forta, qenie të paafta të zvarriten prej tyre dhe të thërrasin për ndihmë. Linjat e një artisti të parealizuar, mbretëri në rënie e kockave në vetminë shfryrëse. Dera e kuzhinës. Veshjet e bardha, duhet të jetë me uniformë, këmisha e bardhë, si shenjë zbutëse e frikës. Përshëndetja duket se kalon shkitazi e pazëshme drejt kukullave. Bardhësia spitalore e godinës. Duket se është vendosur për të njëjtën shfaqje, nuk ka shanse që të jetë një premierë, prova ditë pas dite. Titulli. Heshtja lexon një shkëputje transparente shekspiriane:

“Të jesh apo të mos jesh?/dhimbje/ Monolog për mitin e jetës/ dhimbjes/ në prag të vdekjes /dhimbje/”

Dera e dhomës befas kuisi si pas një goditje në rrjetë në një lojë futbolli të ashpër dhe mes heshtjes së gjallë të korridorit, shqiptari, i pafat në dy shtete të tjera, Itali dhe Greqi, hyri brenda.

Spitali tashmë i njeh të dy. Ai e merr e transporton tre herë në javë dhe përkujdeset për të në gati tre vite. “A mendoni se ata janë të dashuruar? Ata janë aq shpesh bashkë sa...Dhe për çfarë po flasin kaq shumë? Në lidhje me filmat...Pa kuptim! Kush flet për filma kur...”

“Unë nuk mendoj kështu. Po të ishin të dashuruar do të fshiheshin... Të gjithë fshihemi në këtë jetë. Përndryshe, ne thjesht vdesim të ekspozuar.”

Shavon i dëgjon, por thashëthemet janë vetëm për tekste filmash. Nënqesh. Dhe ia vë fajin vetëm njeriut. Kështu del nga spitali dhe tenton të ndërroj rrugë në timonin që drejton Geni.

- Më falni, a mund ta mbyllni pak dritaren e makinës, - vjen zhurma e fëmijëve që buzëqeshin në rrugë, por unë dua të flas me mësuesin tuaj të anglishtes për një moment. Një gumëzhimë e lehtë shkërrmoq heshtjen në grimca të padukshme dhe shfryhet si një qese bosh patatinash, ndërsa Geni ndjek vetëm urdhërat që i jep Shavon. Nuk kalojnë më shumë se dhjetë minuta udhë shtesë.

Emigrantët që mësojnë anglisht si gjuhë të dytë, a të tretë, natyrshëm i fshehin sekretet e tyre të vogla, ndërkohë që vjen pushimi i papritur, i lodhur, dhe i bufatosur nga mërzia e fjalëve të përgatitura në thellësi të heshtjes. Por ai, shqiptari që flet edhe greqisht, edhe italisht tashmë është i detyruar të buzëqesh, kur gabon kohët e foljes. Sidoqoftë mësuesi i tij dhe Shavon gjithnjë i thonë se ti je i shkëlqyeshëm, flet përsosur gjuhën angleze. Kështu ai e kthen në mirëbesim.

- Shavon, të solla një tufë me çaj mali shqiptar. Bimët e vërteta, që kanë në brendësi aromën e virgjër të maleve të mia, bëjnë mrekulli! Më premto se do t'i pish dhe do të shërohesh shpejt! Ti e di që unë i dua filmat për natyrën. Një film i ri është realizuar këto ditë për Turizmin e Bimëve Mjekësore në vendin tim. Dua ta shikojmë së bashku në kanalet shqiptare, pasi ai ka dhe titra anglisht!

Ajo e merr pakon me gishtat e saj të kalozuar e venë-transparente dhe buzëqesh, me aromën e virgjët të maleve, duke e bërë veten palë me qiellin vrenjarak që tenton të kthehet disi në kaltërosh. Por edhe pse është shumë larg të qënit i tillë, fundja, gjithmonë ka shpresë në fund të tregimit.

22 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page