top of page

Armela Hysi: Ekzistencë provokuese

  • 4 hours ago
  • 2 min read

Kjo poezi e Armela Hysit më duket si një ekzistencë e shkruar në dy plane: në intimitetin e një mbrëmjeje familjare, ku trupi dhe dëshira përplasen me detyrimin e përditshëm, dhe në një hapësirë më të thellë filozofike, ku “ajo” bëhet një prani provokuese, një alter ego, një pasqyrë që e detyron poetin të përballet me veten. Pikërisht ky kalim nga “zgjo të voglin për në banjë” te “rrathët gjenialë bashkëqendrorë” është një nga ironitë më të bukura të poezisë: ekzistenca është njëkohësisht trup, dëshirë, familje, banalitet, filozofi dhe ankth.

Armela Hysi e ndërton tekstin mbi një gjuhë të guximshme, herë erotike, herë biologjike, herë filozofike, duke krijuar një poetikë të përplasjes. “Membranat citoplazmike” përballë trupit të dashur, “fobitë e moralit” përballë instinktit, “udhëtimi i gjatë i pelegrinit” përballë mbeturinave të përditshmërisë – të gjitha këto e bëjnë poezinë një territor ku e larta dhe e ulëta nuk ndahen më. Ajo provokon jo për të tronditur thjesht, por për të çliruar të vërtetën e ekzistencës nga format e saj të stolisura.

Në këtë kuptim, “Ekzistencë provokuese” është një poezi që kërkon të na vërë përballë pyetjes: çfarë mbetet nga filozofia jonë, kur përballemi me trupin, dëshirën, familjen, harresën dhe vetveten? Dhe përgjigjja e poezisë duket se është po aq e thjeshtë, sa edhe e ndërlikuar: njeriu jeton gjithmonë në kufirin mes asaj që dëshiron të jetë dhe asaj që, në të vërtetë, është. (F.T.)



 

 

para se të flemë

 

pjata e përgjysmuar e darkës

ngre mbi tryezë akuza të vogla të harresës.

 

unë ngroh shputat e mardhura

në kofshët e tua

ti më përkëdhel gjoksin

fund’ barkun

kërkon gjuhën time ngulmueshëm

 

para se të flemë

fjalët e pathëna do të ngrenë kufij

membranash citoplazmike

pa ç’ka se kafshon të pasmet e mia

ndërsa derdh frymëndalur buzëqeshje ekzotike.

-       para se të flemë

mos harro të zgjojmë të voglin për në banjë!

 

25 prill 2008

ekzistencë provokuese

 

ajo është aty për të më provokuar mua.

një fuçi e shqepur këllqesh

mbushur me rrëmet

të rëndomë dhe

mbeturina ushqimore trupore.

një nga të shumtat që

merr shprehjet e mia

imiton të miat vështrime

vendosur diku në hyrjen mes dyzimeve

fobive e të moralit akrepa mbufatur

durim-statik

si pikë rrjedhëse

emonish.

kur të gjej pse e kam vënë

udhëtimit time të gjatë prej peligrini

kur të heshti së më kënduari tëmthave – me

gjuhën jashtë dhe hije të rrodhtë – jehonën

time filozofike të pëshpëritur

rrathësh gjenial bashkëqendror

kur të bindem për të drejtën e saj

në një trajtë të shquar qoftë

edhe duke më hequr copëza

akoma dhe nëse ajo e gjynaftë s'ka

dritësim të pikëllohet

mund të kaptoj kurthin e zig-zaktë

rikaloj e ripërtyp

pa shkuar

maleve shkum derdhur

si kapuçino të stërmëdha porositur për jashtë

në plastika të tejdukshme

që joshin vrundujve përtej

vite.

korrik 2017

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page