
Vladimir Muça
Në postmortun të një vjetorit të ndarjes nga jeta e Moikom Zeqos
Arkeologjia e palimpsesteve dhe rilindja kulturore
( Mbi librin"Sagë palimpsestesh" - Anima mundi -" të dr. Moikom Zeqos, botim i " Zenit Editions, Tiranë, 2018.)
Libri i "Jetës ", siç e perifrazonte në një bisedë telefonike, dr. Moikomi, librin " Sagë palimpsestesh - Anima Mundi" të ngulitet në mendje si një radiografi por dhe një anamnezë e psikoterapi e kulturës shkrimore, por edhe shoqërisë njerëzore.
Duke u marrë me këtë botë shpirtërore, me atë çka është subkoshienca e tyre kthyer ndër shekuj në një materie jo vdekëtare, Moikom Zeqo praktisikon në këtë libër, atë çfarë ka konceptuar që në vitin 1938 Pol Valery se:
"Historia e letërsisë s' duhet të jetë historia e autorëve dhe e të papriturave të karierave të tyre, a e karierave të veprave të tyre, por historia e shpirtit si prodhues dhe konsumues i letërsisë."
Palimpsestet e kulturave njerëzore janë si pllakat tektonike. Ato ndërfuten tek njera tjetra, zgjojnë ndjesitë etnike të mëvehtësive, por edhe krijojnë tërmete shoqërore, duke zjarrmuar erupsion kulturor, mbuluar nga hiri i shekujve.
Me esetë erupsive, templare, determinuese kulturore: "Të padukshëmit" , "Skifterët e pikëllimit", " Enigma në Napoli", "Dallëndyshet e Shopenhauerit"," Arti si estetikë teologjie", " Profeci"," Portat e fjalës dhe ligjit", "Adami i poetikës baroke shqiptare" , " Bota ndryshe", " Palimsesti i zanafillës", " Nil sub sole novum", " Enigma e Florimontit", " Princi shqiptar në oborrin e Dantes", Moikom Zeqo e ka rrëmitur hirin shekullor duke përndezur kongjijtë kulturorë të Dantes, Borgesit, Tomas Pinçonit, Franc Kafkës, Georg Traklit, Rober Musilit, Amosit, Uoester Uallasit, Umberto Ekos, Markesit, Gijom Apolinerit, Mishel Nostradamusit, Pier de Ronsard.
Kjo magmë kulturore e shpirtit të botës, si një bashkësi unitarie e pesë stileve të përqasur nga kritiku, eseisti Fatmir Minguli, sjell në substancën e sotme kohore një bashkësi yllore, mbarsur me shpirtin e botës kulturore të pakohë, me tipologjinë e jetës shqiptare, mbartur në të ngjarje dhe fenomene shoqërore, etno- kulturore.
Në këtë amalgamë spikat dhe eseja “Enigmë në Napoli” ku në dialogun mes nënmbretit të Spanjës Don Petro dhe Gjon Rencit shqiptar, reflektohen kulturat e ndërsjellta por dhe reflektimi i arsenalit kundërshtues ndaj vlerave të pakundërshtueshme, që përcjell te lexuesi i gjërë “Don Kishoti” i Servantesit. Në një komunikim të tillë del dhe supremacia përvetësuese e vlerave letrare që kanë pasur shqiptarët ndër shekuj, ndaj përqasjeve botërore.
Nisur edhe vetëm nga një përqasje e tillë jam i një mendimi me studjuesin Besim R. Cengu i cili në një vëzhgim definon:”…është i vetmi “krijues shkencëtar”, siç e konsideron Frederik Reshpja, që ka identitetin brenda trupit krijues kombëtar sot dhe që ka krijuar karakteristikat e veçanta, trillin e tij, raportet e tij specifike në artin e kohës nga njera anë dhe lexuesit nga ana tjetër.” ( Moikom Zeqo- misionari i një arti letrar.)
Në arkeologjinë e palimpsesteve, Zeqo me thellësinë interpretuese, në kimiografinë shkrimore, që nga zanafilla, nxjerr në pah pandryshueshmërinë e subkoshiencave njerëzore të sintetizuara në thënien latine”carta per canta”, duke mbartur që nga thellësitë e kohrave diversitetin e asimetrive mendimore, si një dukuri e filozofisë të zhvillimit.
Duke interpretuar shpirtin e botës, të njehësuar me shtresat minerale si palimpseste të subkoshiencës; në bisedën me Arnisën, Mjeshtri Zeqo, sjell në karriera të tjera të botës së sotme, me arkeologjinë e perceptuar të fjalëve, ligjet dialektike të mohimit, si një gjenerator i “ zhvillimit jo vetëm të mendimit por edhe të përfytërimit të shoqërisë, me vizione të reja hapësinore e kohore, trupore, duke u përcaktuar si” kjo lloj qenie absolute është një realitet që është e tëra për të tërën.”
Kësisoj autori na jep një abstraksion mendimor, duke hapur dyer të reja, të një fuqie të re krijuese në shkencën e letrave, për të arritur një stad të ri botëkuptimi, duke na dhënë si në tepsi të argjentë atë zonë shpirtërore e cila qëndron fluide mes zotit dhe njeriut( unë them bindshëm, zotit të vetëvetes dhe natyrës që e rrethon.)
Një profesi kjo, e shekullit të 21- të, e komunikimit të njeriut, ku primare, duke mos mohuar gjithçka nga e kaluara, forcohet e tashmja ekzistenciale nga ujemet e së kaluarës, gjenerohet krijimi ( risia) duke rigjeneruar në kontekste të reja ardhmërinë me një strukturim estetik e stilistik të ri.
Alkimia e gjurmimeve të reja letrare e dr. Moikom Zeqos, ka arrit tashmë në ato nivele inteligjente, sa që të thyejë rregullat e shkencave në fushën e letrave, e të na sjellë përmes shtresave shekullore të kulturave, historinë njerëzore ndër lloje mineralesh letrare, në substanca të reja kohore, natyralizuar në biodiversitete të reja, me një vizion të ri letrar: shpirtin e një kohe të tërë, të pakohë.
Duke bërë këtë arkeologji të kulturave mitike, biblike, religjioze të reja pas pagane, e dukurive të reja moderne në shkencën e letrave, Moikom Zeqo, në papajtueshmëri me qëndrimet e mohimeve absolute të trashëgimnive kulturore, sjell si smeralde anët më të mira vulmëtare në sfondet e jetësive të reja, si një themeli e thënies biblike: ” e para është fjala”.
Demiurgu ynë e atribuon fjalën e shkruar si një rikthim të pakohë në kartotekën njerëzore, në luftë me nihilizmin ndaj fjalës së shkruar, në papajtueshmëri me Ciberian e internetit, duke na dhënë mesazhin e një lëvrimi letrar thurur bukur, me mozaikën e kohërave, saktësinë e fakt-dokumenteve linguistike, përmes një elegance e dukurive monumentale të palimpsesteve, shtresuar në mijëvjeçarët e historisë njerëzore.
Me thellësinë e interteksteve, hapësirat vizionare, gjithçka vjen përmes esesë brilante ku nga thellësitë biblike, Gjon Muzakës i vjen “Nil sub sole novum” (Asgjë e re nën diell), në vendin emigrator Itali, e cila në aludim me raporte të pakohë vjen në vitet ’93 të shekullit të njëzetë.
Tre palimpseste, të një dramaciteti shoqëror ku po njehësoj:
“ Këtu që si një princ teatri, pra jo i vërtetë, qe thjeshtë një emër, por jo njeriu i dikurshëm dhe i fuqishëm, një fantazmë ekzotike dhe krejt e papërfillshme, aspak e gjallë, konkret dhe i rrezikshëm.”
Dheu amë është i shenjtë, është pronë e patjetërsueshme, ndaj autori, përmes Gjon Muzakës, në definicion thirrmon se “Shenjtëria e pronës, burimi i pushtetit, miti i plotëfuqisë në mijëvjeçarët që ndryshojnë e zhbëjnë gjithçka.”
Një mori nëntekstesh bulojnë, shtratifikohen nga kjo shumi palimpsestesh, si një realitet jo vetëm psikologjik, por dhe shoqëror.
Duke qenë sikundër në poezi dhe në prozë i përkorë në konceptimin e tingëllimit poetik të fjalës, zotërues perfekt i metaforave polifunksionale, në prozën “Enigma e Florimontit” Moikomi si i përveçëm, përqas te lexuesi një frymë poetike të re moderne. Muzikaliteti e tingëllima e fjalës ndjehet dukshëm në vetorin e njëtrajtësuar me kalorësin Florimont, i jetësuar me kalorësin e sotëm, me pathosin poetik të fjalisë e të përmbajtësisë së saj ku: “ Dashi yjor qëllon me brirë Mosmirnjohjen, Pabesinë, Turpin në grigjën e mediokërve këngëzonjës, paranoja kërcënon gjithëçka si në termat e fshehura dhe i paralajmëron...Florimont, Florimont.
Sepse një “ksoll” me vargje sipas një melodie antike, e Hallës së madhe, duke shfryrë një përdëllim të hatashëm, me kapërcim kohor, kërcënon e sfidon çdo lloj dije të së sotmes, ku vetanake është përjashtimshmëria e saj me sfidën e mos mohimeve.”
Ku dhe: “ stili im (definon autori në kontekste të epërme- V.M.) plot vese stilistikore dhe metonomike, doktrinat e vrazhda dhe dinake të interpretimeve alternative, me këtë lak kohor të patjetërsueshëm dhe mahnitës, shpërbëheshin të tejpashmet dhe absolutisht, të parëndësishme, të pameritueshme.”
Sepse, konkludon me ngulm dhe “frikshëm” Mjeshtri Zeqo, kjo pritshmëri e re, dhe në letrat shqipe “ është një ftillëzim” mbi themelinë e një të kaluare, që do të thotë se “ çdo krijim është një rikrijim.”
Një ndërlidhje e tillë komunikuese e krijuesve, përkthyesve, studjuesve shqiptarë, nga antika, mesjeta e herëshme, e më vonë gjer në shekullin e njëzetë, vjen si një apologji e letrave dhe kulturës shqiptare e cila ka qenë gjithnjë bashkëkohore me atë botërore, jo vetëm duke marrë ekstraktin e saj si një imput të domosdoshëm por ka dhënë edhe gjeneracionin e saj kulturor, sintetizuar bukur në esenë brilante “Princi shqiptar në Oborrin e Dantes.
Apo eseja “Adami i poetikës baroke shqiptare”, ku si askush përqaset figura poliedrike e teologut Pjetër Budi, ku autori Moikom Zeqo, me diturinë e tij shumë dimensionale ngrehon si aktualitet i zymtë sot në letrat shqipe raportet e artit të të shkruarit me individin, duke e marrë si një referencë estetikën budiane të nënteksteve, ku letërsia nuk nxjerr në pah në triorimin e saj përjetimet intime të individit por subjektivitetin e subkoshiencës në qëndrimet për jetën, duke e magjistruar jetën si një festë të dyfishtë, ku krijimi letrar si një shkencë më vete i nënshtrohet racionales.
Gjithçka vjen si një vazhdimësi, pjesë e një gjerdani të madh kulturor të periudhave të mesjetës së herëshme, të mesme dhe të vonë me rilindjen shqiptare. Kjo gjenezë kulturore del në dritë të diellit duke zvenitur ndryshkun turkoshak dhe mjegullnajat e shekujve. Gjithëçka në togfjalëshin “Atdhe e fe” vjen e trashëguar ndër breza nga ky vullnetar i madh i kulturës dhe atdhetarisë shqiptare.
Pikërisht nga kjo gjenezë kulturore dr. Zeqo na përqas një shpirt bote si një psiko- analitikë, përmes një triniteti vetorësh: personazhit autor- personazhit A- personazhit B. Në këto diskurse dialoguese, si në dritë të diellit, del në pah apokalipsi shpirtëror, kriza morale e shoqërore e kohës së sotme në një universialitet gjithëpërfshirës, ku natyra me dhunimin, shndrimet e saj, vjen si një gjenerues i krizës shoqërore të familjes, kulturës dhe artit. Një qëndrim ambientalist i cili e ka lindshmërinë në moskuptueshmërinë, thellësinë e njohjes, apo anashkalimin e ligjeve të natyrës, të zhvillimit e të seleksionit natyral.
Mirëfilli, Moikom Zeqo ngulmon në një rrugëtim, me një barazpeshë midis zhvillimit të shkencës dhe stoicizmit moralistik, larg absurditetit prevalues mes tyre. Një super enigmë, mutante, që e ndjek në jetësimin e tij, njeriun me gjithë përfshirjen shoqërore dhe politike. Politika me format nga më të ndryshmet, burgos subkoshiencën njerëzore, e atrofizon atë gjer në asgjë. Liria aq shumë e përfolur, me të drejtat njerëzore, shëtit në kipse virtuale, njeriu i realizuar kthehet në një qenie të tjetërsuar, në boshësi. Mjeshtri Zeqo përmes këtyre definicioneve psiko-analitike, i bie kambanës: se liria duhet të jetë “ftillesa, realizimi, përsosje, zhvillim, përparim, kapërcim i absurdit të mundshëm”, ku ligjet e të kundërtave, lufta e mohimit të mohimit mes tyre, sipas ligjeve të dialektikës, është vetë zhvillimi në progres i tyre.
Në këtë kontekst, të lidhjeve njerëzore ”Lidhja reale ( e pakamufluar) midis tyre nuk është jetë politike ( që sot te ne është bërë gangrenë shoqërore-V.M.) por jeta civile ajo që çimenton shtetin” e së drejtës shoqërore.
Një rol të rëndësishëm në këtë aspekt luan shkenca e letrave, ku autori merr si ekstrakte tekstuale skicën e jashtëzakonshme të Migjenit “Novelë mbi krizën” ku roli i letërsisë vjen pararendëse e zhvillimit social në substanca të reja jo vetëm kohore por edhe shoqërore.
Kësisoj dr. Moikom Zeqo në retrospektivë me direksionin psiko- analitik të Migjenit të Madh, në aludimat, i bën anamnezën shoqërisë së sotme shqiptare, e cila ngjan si dy pika uji ku “Paria” janë partitë e sotme. Vetëm me emancipimin e letërsisë si primare, arrihet emancipimi i shoqërisë, ngulmon përmes analitikës konceptuale të skicës migjeniane, autori. Një konceptualitet sa real aq dhe ekzigjent për kohën.
Në vazhdimësi të eksplorimeve letrare, si një ndërlidhje e bukur, interferime letrare, vinë recetat estetike e stilistike, nxjerrë nga vëzhgimet analitike të romanit “Emri i trëndafilit” të Umberto Ekos. Ato vinë si një traktat i një rigjenerimi të ri letrar i letrave shqipe, me koncepte globaliste, larg provincializmit arkaik ku evidentohet në këtë rropulli krijuese humbja e identiteteve e në konceptin e ri të krijimit të personazheve artistikë, ngulmohet shumësia e identiteteve, të cilët përbëjnë prototipin shoqëror; ndaj dhe në erudicionin e tij me të vërtetën absolute të arsyetimit, që në krye të “Arkeologjia e identiteteve”, Zeqo shtron si zgjidhje të kohës sentencën se “ kriza e individualitetit është një krizë e thekshme. Ç’ ndodh me një krizë të tillë? Çdo gjë bëhet pluhur, ankthi i krijimit duket i largët dhe kriza e identitetit është detyrimisht dhe kriza e rikrijimit.”
Moikom Zeqo duke u thelluar në estetikat konceptuale të Ekos, i jep përgjigje retorikës me sentencën e tij, si një promemorje e letrave të reja shqipe, si një dukuri binjakëzuese në globalizmin e sotëm letrar.
Populli shqiptar në vitet ’90 thërriste me të madhe “go west”, ndërsa Zeqo na thotë se më parë në Europë duhet të shkojmë me një “go west” letrar. Përqasjet nga Ekoja, me vëzhgimet mbi Apollinerin për Konicën e veskun e tij, e tregon më së qarti këtë përqasje kohore europiane të shqiptarëve.
Ky shpirt bote konkludon në analitikat e tij eseistike, Moikom Zeqo është diçka edhe larg përqasjeve të Xheims Hillmonit si “diçka e tretë”. Ajo është palimpsest, një materie e pavdekshme letrare fosile, arkeologjike, skedar muzeal, ndaj si demiurg ngulmon me përkushtimin e tij në nxjerrjen në pah të shpirtit të botës, lënien brezave si një tailsman, zanafillë e një vazhdimësie të re.
“Anima mundi”- n e kemi kudo rreth nesh, si ata gjyshërit e mirë, si dadot e përkushtuara, mjaftojnë të kemi aftësinë e mundësinë të kuvendojmë me të përmes shtresave diamantike të palimpsesteve e vizionet e së ardhmes e do jenë të paskëtaj, të mbështetura në suportet e këtyre diamnatikave si kontribute të së kaluarës, s’ka rëndësi i kujt shteti, apo kombi i përkasin ato.
Në të kundërt të Xheims Hillmonit, Moikom Zeqo këtë ringjallje konceptesh, e një forme librare të ndodhive, miteve, legjendave, bëmave të heronjve, e sheh të shpirtëzuar në substancë të re kohore, herojtë i sjell njerëzorë, ku në vend të kodeve neuronikë janë palimsestet mendimorë që interferojnë në mendjet njerëzore, në vend të gjallimit optik, të cilët ndriçojnë rrugën si dy diamantet në kafkën e Jan Kukuzelit, në malin Atos.
Në këtë kontekst dhe psiko- analiza e sendeve dhe fenomeneve imburson psiko- terapeutikën letrare, sepse burimi i kësaj është diku në një cep të trurit, atje ku sendërtohet shpirti i një bote të pakohë.
Në këtë lloj materie librare të pavdekshme siç janë edhe këto shpirtra, me një përkushtim arkeologjik, alkimik, do të arrihet të mbahet gjallë psiqika krijuese letrare, kulturologjike, duke ngritur më lart vlerat qytetëruese pa kufij shtetesh e ndasishë etnike.
“Anima mundi” është stërgjyshi i kulturave me pavdekësinë e tij. Gjithëçka e përftuar në këtë libër të një amalgame, shpirtërore të derdhur interpretime letrare, me tautologjinë e tyre pamore, e mban të ndërlidhur këtë “Anima Mundi” moikomian, sepse siç shprehet dhe në epilogun me Makabenë virtual, Moikomi; “ Beson në shkencën moderne, por e “marton” atë me astrologjinë, spiritualizmin, ufologjinë dhe filozofitë e lindjes.”
Ndaj pa asnjë hezitim, me bindjen time, njëkonceptohem me përcaktimin telefonik të Mjeshtrit dr. Moikom Zeqo, se ky libër është libri i një jete, shpirt i një bote pa kufij kohorë.
Unë shtoj: një preambul e një fillimi jete të re të letrave mbi themelitë e një bote të shkuar, në konceptin dialektik të zhvillimit se: "asgjë s'lind nga asgjëja, asgjë s'humbet, asgjë s'krijohet, por çdo gjë transformohet."
Ndaj dhe libri " Sagë palimpsestesh- anima mundi" me arkeologjinë e palimpsesteve dhe alkiminë e fjalëve, si mbijetesë në shpirtin e botës, vjen si një gjetje perfekte e kujtesave njerëzore, e emocioneve që lindin, përjetimeve dhe anktheve jetësore. Gjithçka vjen me statusin e një pasaporte individuale, mbartur si kredo e një anatemimi të vetëvetes, të kohes dhe bashkëkohësisë.
Në subjektivitetin letrar, ky libër, ndërtuar mbi bazën e një arkeologjie letrare, më ngjan me ato gravura ku nga thellësia e shtresave të penelatave, apo të grafitit vjen dritësira me tonet e kohërave, si një brerore me reflekset e ngjyrave si boreale e polit ku shpështillen rrezet kozmike.
Kjo formë spektrale, në kohë të ndryshme, nxjerr në pah historinë e popullit iliro-albano- shqiptar si një psiqikë e vetënuar, trulltare, e vetme në këto troje ilirike ( shumë vonë u quajt ballkanike) në mijëvjeçarë, ku vetëm ndryshku turk në shekullin e tetëmbëdhjetë ia ndryshoi toponimitetin, nga ilirik në ballkanik.
Me analiza tekstuale, fakt- dokumente e artifakte, duke marrë si referenca "dinosaur të gjallë të letërsi botërore" si një murg Atosi shqiptar, me liturgjinë letrare të përveçme thirrmon:
"Mos mendo se shkatërrimi është atje jashtë ( jashtë qenësisë personale- V.M.), por djeg si zjarr brenda dhomave tona të ngrënies" ku defakto shoqëria shqiptare, udhëhequr nga profanët e hiperzhvillimit vetjak: " Në këtë varfërim ekzistencial dhe metafizik, të gjithë janë viktimë të një qielli e të një çatie".
Duke u mbështetur në referenca të diturakëve nga më të mëdhejtë botërorë, duke krijuar një imazhinizëm të ri, në kohë të re, Moikomi me poliedritetin e tij arrin të "rindërtojë universet " e shoqërisë shqiptare me artin e fjalës, duke qenë vetë mbijetesa e popullit një palimsest mendor; dhe si një Pitagorë duke përcaktuar këndorët dhe parabolat e gjuhës, këngëve, eposeve, obsesionet mendore në subkoshiencën njerëzore brez pas brezi.
Ndaj dhe shqiptari ka mbijetuar duke i " rimishëruar" kulturën, zakonet, dijet jo nëpërmjet librave, por përmes njerëzve të gjallë. E më tej, Zeqo, në konceptin e të drejtës definon se kjo do të arrihet vetëm atëhere siç thotë Franc Kafka që në vitin 1917: " Lumturinë do ta gëzoj vetëm në rast se do të mundja ta lartësoja botën të pastërtia, te e vërteta, të liria e pandryshueshme."
Gjithçka në substancën, në realitetin dhe pas njëqind viteve sintetizon në parabola të pakoha, se në substancën shoqërore një botë njerëzore duhet të këtë ligje dhe se "e ardhmja e njeriut do të jetë vetë njeriu", një proklamatë juridikisht- shoqërore për klasën e sotme politike, shtetarët dhe drejtësinë si psiko- terapeutike gjyqësore e përjetimeve tona"
Durrës
Qershor 2021
Marrë nga libri në proçes botimi "Arkeologjia letrare e Moikom Zeqos" (Vëzhgime kritike)
Comments