top of page

“Anyway”


Fatmir Terziu


E takova në mëngjesin e asaj dite. Ishte mjaft herët. Ndaj dhe kafenetë “Takeway” (merre me vete) të zonës sime ende nuk ishin hapur. Sidoqoftë u takuam. Ai mbante në dorë një letër, të cilën gati-gati gjithë natës, m’u lut që t’ia përktheja urgjent. Dhe mëngjesi ishte koha më e mundshme. Kjo ndodhi diku matanë në rrugën kryesore. Aty ku u duk se u dëgjuan qepenat e një kafeneje të hapur mes karantinës. Shkuam aty dhe menjëherë e mora letrën në dorë. Letra kishte emër. Kishte adresë dhe natyrisht i adresohej atij. Shkruhej bukur dhe qartë në gjuhën vendase…

…Ajo është një dele. Jo në mënyrë figurative, por fjalë për fjalë. Është vetëquajtur specie që rritet, jo në një stallë të thjeshtë, por në kopshtin zoologjik. Ngjan si speciet inter-bashkuese, (nuk gjeja fjalë tjetër më të ngjashme) klonuese për të prodhuar një gen të ri.

Ajo është një dele. Por më lejoni t’ju tregoj, se si filloi e gjitha…

Kur ishte dhjetë vjeçe, e kuptova se vdiste pas kafshëve, ishte e dashuruar me kafshët. Këtë e kuptova fare thjesht, kur ajo vuri të kuq buzësh në një derr dhe gati u mbyll me të në një hambar. Më vonë në moshën dymbëdhjetëvjeçare, xhaxhai i saj filloi ti vinte emrin e saj qenit, se qante po të mos e quanin ashtu si ajo. Dhe sa herë që dilnin para xhaxhait, ajo dhe qeni, sa herë që ajo shkonte në fshat tek ai, ndodhte një mister që lidhej me të dhe kafshët.

Po në atë moshë, ajo leu me gjalpë të gjitha muret e shtëpisë së xhaxhait të vet. Më vonë kur u bë 13 vjeç, filloi të turrej e të bënte garë me gomarin. Në të njëjtën kohë filloi të humbiste shumë kohë pas gomarit të xhaxhait tim. Eh, një kohë të pallogaritur shpenzonte pas tij.

“E dua” – na thoshte, gomarin.

Hë, e dua gomarin!”

Ende i kujtoj këto ndodhi, nëse ndodhi të tilla, nuk mund të quhen mistere. Është e panevojshme të them, se unë nuk e kam përdorur shkopin, jo për të qëlluar ndonjë kafshë, as për të goditur atë, apo … apo dikë keq fare, por për të mbajtur ekuilibrin në kujtimet e mia.

Kujtimet? Kujtimet me shkop… A nuk ju kanë qëlluar edhe juve?

Ju e dini, se si thuhet se shkopi erdhi dhuratë, dhe ajo dhuratë është nga Perëndia? Kështu që kjo gjë më ndihmon të justifikoj kujtimet e mia me të. Por, më besoni kur vjen fjala për shkopin …, koha bën të sajën.

Sidoqoftë, kur ajo ishte 14 vjeç shkopi mori drejtim tjetër për një kokërr kumbulle mbi gardh. Dhe e mbaj mend fare mirë kur nisi të thoshte…

“Kjo ndodh me shkop. Kjo është kur ju cilësojnë përvetësues në pronën e dikujt tjetër dhe shkopi bën punën e tij. Po, shkopi. Shkopi qenka për kafshët? Kështu e mësova atë ditë…prej saj. Kafshët?”

Dhe pak më vonë, kur si një i rritur, e takova atë me një shkop në dorë, teksa kulloste delet. Emrin e kishte mjaft delikat. Delikat për shkak të leshit të saj të bardhë engjëllor. Unë e takova mes një tufëze të kafshëve, që kishte ardhur për verim dhe bëhej palë me sytë e mi në vendin e quajtur “Natyra e Dashuruar”.

Ishte një tufëz në një vend të mbushur me ëndërra, aty ku thuhet e provohet se ekziston vetëm një në botën e tillë, nën kulturë të tërë ndryshe, në dygjuhësi, në përhumbje të plotë. Nuk mund ta imagjinoni. Kurrë! Si një grimëz narrative nga Arka e Noes. Vetëm se koha ishte ndryshe. Koha kishte lënë pas mjaft vite me ndryshime… Ishte koha më e përngjashme me Tjetrin e Panjohur. Ishte koha e mbylljes. Koha e karantinës… na jepte lajme dixhitale.

Një djalë në këtë kohë, pra në kohë karantine na u martua dixhitalisht. Kështu që, sipas kushteve dhe ligjësive specifike të karantinës, është i detyruar të jetë ligjor në të gjitha detyrimet e ligjit. Dhe në karantinimin e kohës edhe ligji përshtatet sipas kohës. Jo më kot e thotë populli sipas vendit dhe kuvendi. Dhe Kuvendi? Kuvendi me burra karantine dhe gra homologe i kishte shkruar të gjitha, deri në pikat më intime… Pra ishte shkruar nga vetë ai Kuvend i karantinuar…ligji për dashnoret dhe dashnorët e dashuruar. Dhe ligji si ligj fliste … dhe e citonte mjaft mirë:

“Nëse ajo, ndonjëherë do të ketë qingja, pra fëmijë, ata do të kryqëzohen me racë, gen, e katandi dhe do të jenë me pamjen tipike të Njeriut të sotëm. Vetëm gallatë, ha e pi e rri .. në shtëpi, deri këtu … mjaft mirë, dhe je vetëm sipas urdhërit të Njeriut me Shkop, i lirë.” Dhe pos ligjit duhej betimi dixhital. Betimi i dashurisë dixhitale. E duhet ta aprovoje me zë e figurë në rrjetet sociale:

“Kështu që unë kam ardhur për të dashur … dhe u martova me të. Ai më thotë se kjo martesë qenka vetëm për letra. Zemra ime, … dergjet për delet. Fleta ku po derdh këto fjalë nuk më kupton, por mendoj se nuk jam kafshë. Jam dakord me Shkopin!?”

Nuk e di a më dëgoje? Unë e mbarova, tani është radha jote…

Unë kurrë nuk kam dëgjuar, që dikush të thotë vetëm Shkopi më mban ekuilibrin, ose të mbajë Shkopin vetëm për ekuilibrin e tij.

Faleminderit për mirëkuptimin. Unë kam qenë dhe jam një dashuri tjetër. Në “Fermën e Kafshëve” shkopi është mi(ni)ster pa emër. Shkopi yt duhet patjetër, por vetëm në letër.

Nëse kam bërë ndonjë gabim në këtë letër, Ju kërkoj ndjesë, sidoqoftë nuk është faji im, por i përkthyesit, por origjinalin e keni në telefonin tuaj. Tabulatet ua kam postuar, ndoshta ju vijnë një ditë më pas. Kaq!

E juaja me sinqeritet,

(jashtë dhimbjes së kokës)

Nga ana tjetër e Kohës… Karantinë. Anyway…

Ah, ah po… dhe … ah, po … A të marrë një Takeway?

30 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page