top of page

ANTITEZAT E VENDIT TIM


Vullnet Mato

ANTITEZAT E VENDIT TIM

Vendi im, kryesisht malor, me emër shqiponje në Ballkan, ka mbetur me pak banorë, sa një qytet, mesatar evropian; Për shkak se ka shumë antiteza, njerëzit ikin, pasi vendi i rrit, ashtu si ikën nga pula, veza, s’mbeten gjithë kokrrat në furrik.


Në vendin tim kush del në krye, quhet president, quhet mbret, flet si profesionist i përkryer, shkruan ligje dhe i vulos vet. Bëhet prokuror e kryejurist, dikton dënime paraprakisht, nxjerr miq nga burgu i sigurisë, dënuar për krime përjetësisht.

Politikanët përdorin fjalor ambicioz, të rinjtë imitojnë të vjetrit, në vend të hallit kombëtar serioz, zhyejnë e baltosin njëri-tjetrin. Kush caktohet zyrtar i lartë, bëhet bankier, numëron miliona, siguron jetën e brezit të shtatë, me qindarka nga taksat tona.

Në vendin tim, kanë frikë protestat, për bukën dhe punën jetike, shqiptarët tundin flamujt nëpër festa, për krerët e partive politike. Në vendin tim ngrihen shtëpi pa lejë, shemben ato me hipotekim, merr tokën, kush s’ka ta blejë, shpronësohet, kush e ka trashëgim.

Për Evropën dhe botën vendi im, është pus me thellësi pa fund, ku hidhen fonde, pa numërim, dhe shkojnë ku s’duken askund. Leku shqiptar qëndron kryelartë, mbi të gjitha monedhat e tjera, dollarin dhe euron hedh në baltë, me pastrim parash nga plehrat.

Në vendim tim ushton gënjeshtra, bëhen premtime publike aforfe, ashtu si ndërron qielli në vjeshtra, avullojnë të gjitha dhe bëhen re. Shifrat bëhen lojëra zhonglerësh, pasaktësia sundon transparencën, hyjnë nga jashtë fruta fermerësh, bujku vendas humbet vlerën.

Në vendin tim po kthehet Turqia, ka pushtuar ekranet me seriale, magjeps shpirtrat me historira, nga zakonet e veta patriarkale. Këtu jeta e njeriu kushton fare pak, plumbin e ka kushdo pas koke, mjafton zënka për banalin shkak, të përfundosh brenda grope.

Në vendin tim ka shumë të çmendur, që janë dhe mendjemëdhenj, harxhojë kohën ekraneve duke rendur, të bëjnë të mençurit budallenj. Vendi im bën përjashtim me antiteza, në disa sfera të jetës njerëzore, ndaj kanë vështirë të jetojnë këtu brezat dhe zgjedhin jetën botërore.

54 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page