ANTI KRIMI, AMP NË START TË MBARË
- Dec 6, 2023
- 4 min read

ANTI KRIMI, AMP NË START TË MBARË
Halil RAMA-Mjeshtër i Madh
Bashkëpunimi i efektivëve policorë në krimin e organizuar në dhjetra raste të publikuara dhe të njohura nga opinioni publik, më shumë se kurrë dikton jo vetëm pastrimin e Policisë së Shtetit nga eksponentë të tillë por edhe penalizimin dhe vënien e tyre para drejtësisë. Kjo domosdoshmëri evidente pranohet edhe nga vetë kryeministri Edi Rama i cili në vijimësi ka deklaruar se largimi i policëve të inkriminuar nga radhët e policisë së shtetit do jetë baza e punës së mandatit të tretë qeverisës. Po ashtu edhe Ministri i Brendshëm Taulant Balla që me marrjen e detyrës e ka konsideruar vetë-pastrimin e të inkriminuave në radhët blu si një proces kyç, në luftën ndaj paligjshmërisë.
Por, me gjithë angazhimet publike, rastet e videntuara diktojnë luftë pa kompromis në këtë process. Mjafton për këtë qoftë dhe një raport i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, nga i cili mësojmë se vetëm për muajin nëntor 2023 janë 11 referime në Prokurori për 18 punonjës të Policisë së Shtetit dhe 5 shtetas, të dyshuar për vepra të ndryshme penale.; të arrestuar/ndaluar në flagrancë 6 persona (1 punonjës policie dhe 5 shtetas); 2 punonjës policie të ndëshkuar me “Pezullim i ushtrimit të një detyre nga shërbimi publik” dhe “Detyrim paraqitje në Policinë Gjyqësore”; 1 punonjës policie “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim paraqitje në Policinë Gjyqësore”.., dhe lista vazhdon edhe me masa të tjera më të ulëta ndëshkimore për punonjës policie që kanë vepruar në kundërshtim me ligjin.
Po ashtu, referuar rasteve të fundit, në Fier më 4 dhjetor AMP ekzekuton vendimin e Gjykatës për një punonjës policie të dyshuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv dhe po në këtë datë AMP dhe Prokuroria e Korçës arrestojnë Shefin e Kufirit, me dyshimin se favorizoi një shtetas që trafikonte drogë. Burime pranë kësaj strukture bëjnë të ditur se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Fier - Berat) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, e cila ka caktuar masën shtrënguese “Ndalim për të dalë jashtë shtetit” dhe masën ndaluese “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për Nënkomisar Taulant Ismailaj, me detyrë Specialist i Seksionit të Luftës Kundër Narkotikëve në DVP Fier, i dyshuar për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Sipas AMP-së, nga hetimet ka rezultuar se Taulant Ismailaj ka kryer veprimtari kriminale në dëm të interesave të shtetit.
Ai dyshohet se ka favorizuar shpërndarës të lëndëve narkotike duke mos i arrestuar, në rastet e flagrancës nga Policia e Shtetit.
Një rast tjetër flagrant që flet për veprimin energjik të Agjencisë sëe Mbikëqyrjes Policore është ai i AMP (Rajoni Korçë-Elbasan) që ka ekzekutuar urdhërin e Prokurorisë Pranë Gjykatës Së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për ndalimin e Kryekomisar Stiljan Pasho 53 vjeç, me detyrë Shef i Sektorit të Kufirit pranë DVKM Korçë.
Ndalimi u krye në kuadër të hetimeve të procedimit penal të vitit 2023, referuar nga Sektori i AMP Korçë, regjistruar për veprën penale “Trafikim i narkotikëve“. Nga veprimet hetimore të kryera nga AMP, nën drejtimin e Prokurorisë Korçë, dyshohet se Kryekomisari S.P., me veprime konkrete e të drejtpërdrejta, duke shfrytëzuar pozicionin në DVKM Korçë, në intervale të ndryshme kohore dhe së fundmi në datë 27.11.2023 ka favorizuar shtetasin L.L. të kalojë kufirin në PKK Kapshticë pa iu nënshtruar kontrollit kufitar në automjet, si dhe duke urdhëruar vartësit për mos kryerjen e kontrollit në mjetin e tij. Në çast pas këtij aksioni, Ministri i Brendshëm Balla ka përgëzuar Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore për dokumentimin e plotë në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit Përgjithshëm Korçë. Kreu i dikasterit blu ka shprehur besimin se drejtimi i ri AMP dhe forcimi i bashkëpunimit me agjencitë e tjera ligjzbatuese si SHISH, Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK do ta intensifikojnë procesin e vetë-pastrimit të Policisë së Shtetit.

Këto dy raste të drejtuara nga vetë kreu i ri i AMP Florian Sulejmani si dhe konkluzioni për një vizion të përbashkët në takimin e tij me përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA në Tiranë të datës 4 dhjetor, dëshmojnë për vënien e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në start të mbarë.
Në takimin me Z. Richard Deasy, Atashe për Asistencën në Çështjet e Zbatimit të Ligjit, përfaqësues i ICITAP (Departamenti i Drejtësisë) për Shqipërinë, si edhe Z. John Kastning, Drejtor i Byrosë për Çështjet e Drogave dhe Zbatimit të Ligjit (Departamenti i Shtetit) për Shqipërinë, fokusi i diskutimit ishte forcimi i mëtejshëm i partneritetit me Programin ICITAP për zhvillimin e kapaciteteve të Agjencisë, në funksion të zbatimit të ligjit dhe goditjes së paligjshmërisë në radhët e Policisë së Shtetit. Kreu i ri i AMP Florian Sulejmani vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm, si edhe vizionin e përbashkët me ICITAP-in, duke shprehur gadishmërinë e Agjencisë për të intensifikuar më tej bashkëpunimin kundër fenomeneve të paligjshmërisë që cënojnë rëndë besimin e publikut të punonjësit e Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera që mbikëqyren nga Agjencia. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA në Tiranë përforcuan mesazhin për vazhdimin e asistencës dhe mbështetjes ndaj Agjencisë, në funksion të përmbushjes së misionit.
Florian Sulejmani u zgjodh kreu i ri i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në vendin e mbetur vakant pas dorëheqjes së Ardi Veliut. Ai është zgjedhur në mesin e 5 emrave të që kaluan në tjetër fazë pas aplikimeve prej 26 në total. Për Sulejmanin që duket se e ka nisur me përkushtim e përgjegjësi maksimale këtë funksion të lartë mjaftë të përgjegjshëm, struktura e AMP-së nuk është e re. Më herët, ai ka mbajtur postin e drejtorit të Drejtorisë së Verifikimit të Pastërtisë së Figurës dhe Monitorimit të Brendshëm, por u largua nga detyra duke dhënë dorëheqjen. Gjatë kohës së Vettingut në Polici, iu nënshtrua procesit, të cilin e kaloi me lehtësi. Vlerësimi i tij u bë në bazë të kriterit të pasurisë, kontrollit të figurës si dhe vlerësimit të aftësive profesionale. Vettingu për të u krye në të trija shtyllat, ndërkohë që sipas Komisonit të Jashtëm të Vlerësimit, nuk ka të dhëna që Sulejmani të ketë patur kontakte apo miqësi me persona të inkriminuar. Aktualisht, ka 1 vit qw ishte shef seksioni tek Drejtoria e Policisë së Shtetit.
Në funksion të transparencës me qytetarët Sulejmani pohon se AMP mbetet e përkushtuar në misionin për garantimin e zbatimit të ligjit, vetëpastrimin e Policisë, e fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës apo Shërbimit për Mbrojtjen nga Zjarri dhe për Shpëtimin.








Comments