top of page

Anjeza Musollari: Mesopotami. Historia e Një Fshati që Refuzoi të Vdesë

  • 55 minutes ago
  • 5 min read

 

 

 

Një lajm i thjeshtë në dukje: “Ka ardhur djali i Selfos.”Dhe menjëherë pas tij, heshtja që flet më shumë se fjalët. Sepse zakonisht nuk thuhet “u kthye për të jetuar”, por “erdhi për disa ditë”. Një vizitë e shkurtër në vendin që dikur ishte shtëpi.

Emigrimi nuk është thjesht lëvizje njerëzish. Është zbrazje e kujtesës. Ikën të rinjtë për punë, për shkollë, për një jetë më të mirë. Pas mbeten prindërit, shtëpitë dhe rrëfimet. Ky është realiteti që dhemb: jo vetëm largimi fizik, por ndarja e ngadaltë nga rrënjët. Megjithatë, fshatra si Mesopotami mbajnë ende një dritë ndezur. Sa herë dikush kthehet, qoftë edhe për pak, rikthehen zërat, hapen portat dhe duket sikur koha ndalet për një çast pranë lumit.

 

NJË FSHAT MES HESHTJES DHE KUJTESËS

Në Jugun e Shqipërisë ka ende fshatra ku koha duket sikur ka ndalur. Jo sepse aty nuk ndodh më asgjë, por sepse gjithçka që dikur i jepte jetë është larguar ngadalë, vit pas viti.

 

Mesopotam është një prej tyre. I shtrirë mes dy lumenjve, me histori të lashtë dhe me natyrë që dikur ushqente jetën e qindra familjeve, Mesopotami sot mbart plagën më të thellë të Jugut shqiptar: zbrazjen njerëzore.

Dikur në këtë fshat dëgjohej zhurma e jetës. Oborret ishin plot. Tokat punoheshin. Shkolla kishte fëmijë. Në darkë dritat ndizeshin njëra pas tjetrës dhe fshati merrte frymë si një trup i vetëm.

 

Sot shumë prej atyre dritave janë fikur.

 

Rrugicat janë boshatisur. Portat hapen rrallë. Shumë shtëpi jetojnë vetëm në kujtime. Dhe në çdo kthim të shkurtër të emigrantëve përsëritet e njëjta fjali:“Ka ardhur djali i filanit…”

 

Një fjali e vogël që në Jug mbart një dhimbje të madhe.

 

 

 

 

EMIGRIMI QË ZBRAZI JUGUN

Pas viteve ’90 emigrimi u kthye në shpëtimin dhe tragjedinë njëkohësisht për Jugun shqiptar.

Të rinjtë ikën drejt Greqisë, Italisë, Gjermanisë dhe më pas drejt çdo vendi ku mund të gjenin punë, siguri dhe mundësi ekonomike. Ata nuk u larguan sepse nuk e donin vendlindjen. U larguan sepse vendlindja nuk po arrinte më t’i mbante.

Por ndërsa emigrimi ndërtoi jetë individuale, ai shkatërroi gradualisht jetën kolektive të fshatrave.

Në Mesopotam mbetën vetëm të moshuarit. Ata ruajtën shtëpitë. Ruajtën tokat.Ruajtën kujtimet. Ruajtën dritat ndezur.

 

Por nuk mundën të ruanin kohën.Shkollat nisën të boshatiseshin.Ara të tëra mbetën djerrë. Shumë shtëpi nisën të shemben nga mungesa e njerëzve.

 

Në Jug, emigrimi nuk mori vetëm njerëzit. Ai mori vazhdimësinë.

 

EMIGRIM APO MIGRIM?

Drama shqiptare mes mbijetesës dhe zbrazjes së rrënjëve

Në diskutimet publike shqiptare, shpesh përdoret fjala “emigrim” si një term i zakonshëm, pothuajse i konsumuar nga përsëritja. Por në të vërtetë, ajo që ndodhi në Jugun e Shqipërisë pas viteve ’90 nuk ishte thjesht një lëvizje normale popullsie. Ishte një transformim i thellë social, ekonomik dhe emocional që ndryshoi strukturën e jetës shqiptare.

Pyetja sot nuk është vetëm semantike: Ishte emigrim apo migrim?

Sepse migrimi, në kuptimin klasik, është lëvizje njerëzish nga një zonë në një tjetër për arsye ekonomike apo sociale, me mundësinë e rikthimit dhe ruajtjes së ekuilibrave demografikë.

Por ajo që ndodhi në shumë fshatra të Jugut shqiptar ishte më shumë se kaq.

Ishte një largim masiv i brezit aktiv.

Rrënjët nuk emigrojnë kurrë

Një shkëputje e ngadaltë e lidhjes mes njeriut dhe vendlindjes. Në Mesopotam dhe në qindra fshatra të tjera të Jugut, emigrimi nuk mori vetëm njerëzit; mori ritmin e jetës. Mori energjinë prodhuese, fuqinë punëtore, vazhdimësinë familjare dhe vetë idenë e komunitetit rural.

Megjithatë, do të ishte padrejtësi historike të trajtohej emigrimi vetëm si plagë.

Sepse emigracioni ishte edhe shpëtim.

Ai mbajti gjallë ekonomi familjare në vitet më të vështira të tranzicionit shqiptar. Paratë e emigrantëve ndërtuan shtëpi, edukuan fëmijë, mbajtën në këmbë familje të tëra dhe shmangën një katastrofë sociale në shumë zona rurale.

Në realitet, emigracioni u bë shteti social që Shqipëria nuk kishte.

Ndaj, të kritikosh largimin pa kuptuar arsyet e tij do të ishte hipokrizi. Të rinjtë nuk u larguan sepse nuk e donin vendin. U larguan sepse vendi nuk po u ofronte arsye të qëndronin.

Por…, ndërsa emigrimi solli kapital ekonomik, ai la pas një boshllëk njerëzor që sot ndihet në çdo fshat të Jugut.

Sot shumë zona jetojnë mes dy realiteteve kontradiktore: shtëpi të mëdha të ndërtuara me para emigracioni, por pa jetë brenda tyre.

Në shumë raste, emigrimi prodhoi prosperitet individual, por dobësoi strukturën kolektive të komunitetit. Fshati mbeti fizikisht në këmbë, por socialisht nisi të mplaket.

Dhe ky është paradoksi shqiptar: emigracioni shpëtoi familjen, por rrënoi vazhdimësinë e fshatit.

Megjithatë, historia nuk mbaron me largimin.

Vitet e fundit po shfaqet një fenomen i ri: rikthimi emocional dhe ekonomik tek rrënjët. Disa prej larguarve të dikurshëm po rikthehen për të investuar në vendlindje, për të rindërtuar shtëpitë e braktisura, për të zhvilluar agroturizëm apo për të krijuar ekonomi lokale.

Djem si Ylli…. përfaqësojnë pikërisht këtë kthesë. Një brez që dikur iku për të mbijetuar, por që sot po kupton se identiteti nuk ndërtohet vetëm larg vendit tënd. Ai ruhet duke rikthyer diçka aty ku gjithçka nisi.

Ndoshta për këtë arsye pyetja “emigrim apo migrim?” mbetet ende e hapur.

Sepse për shqiptarët e Jugut, largimi nuk ishte vetëm lëvizje gjeografike.

Ishte një ndarje mes jetës dhe rrënjëve.

 

Ai iku si shumë të tjerë. Me një valixhe të vogël. Me ëndrra të mëdha.Me premtimin se “do të kthehej shpejt”.

Por vitet kaluan larg. Atje ndërtoi jetën, sakrifikoi rininë dhe arriti suksesin e tij në fushën e biznesit. Ashtu si shumë emigrantë shqiptarë, ai mësoi të jetonte mes dy botëve: asnjëherë plotësisht i huaj jashtë, por asnjëherë më plotësisht i pranishëm në vendlindje.

Dhe ndërsa vitet iknin, në Mesopotam koha ndalonte. Shtëpitë plakeshin.Rrugët boshatiseshin. Dritat fikeshin njëra pas tjetrës. Ndërsa në oborret e fshatit mbetën vetëm prindërit që prisnin. Mes tyre ishte edhe Seloja.

Ai nuk kërkonte pasuri nga djali. Nuk kërkonte luks. Kërkonte vetëm praninë. Një zë në mëngjes. Një derë që hapej. Një hap në oborr. Por si shumë baballarë shqiptarë, ai u largua nga kjo jetë me mallin e pashuar për rikthimin e plotë të të birit. Dhe ndoshta pikërisht aty fillon dhimbja më e madhe e emigrimit shqiptar: kur suksesi vjen, por koha nuk pret më.

Sot Ylli rikthehet ndryshe në Mesopotam. Jo si turist. Jo si vizitor vere.Por si bir i atij fshati që kupton se rrënjët nuk zëvendësohen me asnjë sukses.

Ai investon në vendlindje sepse kërkon të rikthejë jetën aty ku dikur kishte vetëm pritje dhe heshtje. Rikonstrukton shtëpi, hap dyer të mbyllura prej vitesh, ringre prona dhe përpiqet t’i japë frymë një fshati që për shumë kohë jetoi vetëm me kujtime.

Por investimi nuk është vetëm ekonomik. Është një përpjekje për të kthyer dinjitetin e munguar të fshatit. Për të mos lejuar që historia e Selos dhe e një brezi të tërë të përfundojë në harresë. Për të treguar se bijtë dhe vajzat e emigracionit mund të rikthejnë jo vetëm para, por edhe shpirt.

Ylli nuk është vetëm një person. Ai është simbol.

Simboli i atyre djemve që ikën të rinj dhe u kthyen burra. I atyre vajzave që ndërtuan jetën larg, por që ende mbajnë çelësin e shtëpisë së vjetër në çantë.I një brezi që kuptoi shumë vonë se njeriu mund të largohet nga vendlindja, por vendlindja nuk largohet kurrë prej tij.

 

Dhe sot, sa herë që një dritë ndizet përsëri në Mesopotam, duket sikur rikthehet edhe një pjesë e shpirtit të atyre që pritën gjatë.

 

Emigrimi që zbrazi fshatin, rikthimi që po ringjall shpresën

Mesopotami sot mbetet simbol i një Shqipërie që u zbraz nga emigrimi, por që ende refuzon të dorëzohet. Historia e këtij fshati është historia e qindra zonave të Jugut: ikje, heshtje, pritje, mall, dhe tani… rikthim.

Ndoshta shumë gjëra kanë humbur përgjithmonë.Ndoshta shumë prindër, si Seloja, nuk jetuan mjaftueshëm për ta parë fshatin të zgjohej përsëri.

Por fakti që bij si Ylli po rikthehen për të investuar aty ku dikur nisën jetën, është më shumë sesa një histori personale.

 

Është një shenjë shprese.

Sepse një fshat nuk vdes kur boshatiset.

Një fshat vdes vetëm kur harrohet.

Dhe Mesopotami, mes dy lumenjve të Jugut, duket se ende nuk është harruar.

 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page