top of page

Marsel Fregjaj: Zëri i Valbona Ahmetit është zë që bekon

  • 1 day ago
  • 4 min read

 

Te Vargje të Përdiellta, zëri i Valbona Ahmetit është zë që bekon, zë që kërkon dritë, poezia e saj e mban të gjallë kontradiktën derisa ajo të prodhojë kuptim. Libri ngre një tezë të thjeshtë, por me dimensione të thella, përkatësia, është marrëdhënie morale. Në libër ajo mbahet me erë, me heshtje, me shi, dhe, paradoksalisht, me pranimin e pafuqisë. “Aromën e Tokës Amë e solla me vete” te poezia “NATA DE TERRA”, këtu përkatësia shfaqet si diçka që bartet. Dhe, nëse atdheu është diçka që e ke në trup e shpirt, atëherë faji, malli, kujtesa dhe detyrimi janë brumi i vetë qenies.

Estetika dominante është ajo e himnit si lutje dhe e odës qytetare, thirrje e drejtpërdrejtë, përsëritje që funksionon si rit, dhe një prirje për ta parë vargun si akt publik. Por libri e shmang, në momentet më të forta, kurthin e solemnitetit bosh duke futur brenda vetë himnit prishjen e tij, si përshembull zërin që nuk dëgjohet, busullën që mungon, shiun që zbut. Kjo është “linja” e brendshme e koleksionit, një traditë funksioni, poezia si ndërgjegje që s’ia lejon vetes luksin e pafajësisë.

“Me emra dëshmorësh udhët u pagëzuan” te poesia “NË KËTË TOKË”, atdheu fillon aty ku shqisa bëhet ligj moral. Ky varg e kthen hapësirën në dëshmi, rruga kthehet në akt kujtese që e bën ecjen, përgjegjësi. Logjika poetike është e rreptë, nëse udhët “pagëzohen”, atëherë historia banon nën këmbë. Kjo është një nga lëvizjet më të zgjuara të librit, idealet kombëtare “materializohen”, dhe kështu detyrojnë lexuesin të mendojë për përkatësinë si praktikë jetsore.

“Nuk dëgjohet klithma ime” te poezia BEKIMI PËR TOKËN, e vërteta e lutjes matet me sa shumë i reziston iluzionit. Në vend që ta shesë fjalën si fuqi shëruese, poezia e zë brenda aktit të saj dhe e vendos përballë kufirit, klithma mund të mbetet pa jehonë. Ky pohim e shndërron lutjen në etikë. Dhe gjetja, këtu, është refuzim për t’u dorëzuar ndaj cinizmit. Kontradikta n’kët rast punon si motor, pikërisht sepse fjala nuk garanton rezultat, ajo bëhet më e pastër, si detyrë, e thjesht, por aq madhështore.

“Në kërkim të dritës, pa busull” te poezia “ËNDRRËN NA E DOGJËT”, mërgimi është mënyrë e re e të pasurit, duke mos pasur. Kjo formulë shënjon një krizë orientimi ekzistenciale, e dimë çfarë duam, por kemi humbur instrumentin e matjes. Më pas libri e gdhend figurën e subjektit që nuk rrëzohet, edhe kur “hartat” nuk jain garanci, “Qëndron stoik mërgimtari!” te poezia “JETË MËRGIMTARI”. “Stoik” këtu lexohet si teknikë mbijetese, disiplinë e brendshme që e mban njeriun në këmbë, ndërsa brenda tij vazhdon të rritet mungesa.

“Kanë gjuhën brisk”  te poezia "VARGJE TË DIELLTA", drita pa prerje është sentimentalizëm, prerja pa dritë është thjesht ashpërsi. Dmth. toni i ndritshëm, mirëbesimi, ngushëllimi, shpresa, bekimi, fjala që do të bëjë mirë. “Prerja” do të thotë, dallimi i saktë, kufiri, kritikë, të thënit e së vërtetës edhe kur dhemb, refuzimi i zbukurimit. Pra, nëse një tekst vetëm “ndriçon” por nuk dallon, nuk rrezikon, nuk vendos kufi, nuk e ekspozon kontradiktën, atëherë ai rrëshqet në sentimentalizëm. Sepse emocioni bëhet i lehtë dhe i sigurt, te poezia e Valbonës lexuesi ngushëllohet pa u sfiduar. Kjo është ars poetica e koleksionit, e thënë thjesht, vargu duhet të presë, jo të ledhatojë. Por libri nuk mbetet te morali i brendshëm i artit, e fut “briskun” në kohën e sotme, ku shqetësimet vijnë me shpejtësi e me shumicë. Dhe mbyllja e librit e kthen këtë debat në një realitet të përditshm, duke e lënë filozofinë të marrë frymë kurë thotë “Ka disa ditë në qytet bie shi” te poezia “KA DISA DITË NË QYTET BIE SHI”. Në vend të një kulmi retorik, vjen moti. Kjo ulje është zgjedhje e mençur, e bën dritën të besueshme, sepse e lejon të vijë pas errësirës së shiut.

Forca kryesore e librit është se e koncepton poezinë si përgjegjësi, vargu kërkon të jetë akt e bekim, kujtesë, qortim, durim. Përsëritja dhe thirrja e drejtpërdrejtë i japin energji ceremoniale, dhe kur kjo energji lidhet me një detaj shqisor (erë, heshtje, shi), ideja lidhet.

Në disa momente poezia rrëshqet nga rreziku i mendimit në sigurinë e këshillës. Titujt me prirje vetëndihmëse si p. sh. “MERRU ME VETËN”, “MENDIMI POZITIV”, “UDHËT E JETËS”, të dukshëm në renditjen e librit e ulin presionin konceptual, thonë të vërteta të përgjithshme pa atë kontradiktë artistike që e bën koleksionin të shkëlqejë diku tjetër.

Edhe pa ndarje eksplicite seksionesh, renditja krijon një udhëtim të lexueshëm, fillimisht themelimi i “tokës” si bosht moral (mërgim/kthim, bekim, kujtesë), më pas zhgënjimi dhe kërkimi i orientimit (busulla e munguar), pastaj një thellim në intimitet (nëna, heshtja), dhe në fund përplasja me “kohën e re” dhe kthimi në një qetësi të fituar (shiu). Praniaa e Montrealit në titujt e mesit e shënjon edhe një dimension të rëndësishëm, jeta e re nuk fshihet, futet në arkitekturë dhe dimension gjeografik si provë konkrete e diasporës.

Ky është libër për lexues që kërkojnë poezi me barrë etike, dhe dritë.

E ktheva “NATA DE TERRA” në këngë sepse ky tekst, që në rreshtat e parë, ecën. Është poezi e trupit të lodhur, e rrënjëve të mbetura pas, e një aromë dheu që nuk e heq dot as deti, as koha. Kur e lexon, e ndjen se vargu kërkon frymë, dhe fryma, natyrshëm, shkon drejt melodisë.

Kënga ishte një mënyrë për t’ia shtuar praninë. T’i jepej zë kthimit, asaj thirrjeje të fundit që është njëkohësisht urdhër dhe lutje, të kthehesh te toka që pret. Që ky mall të mos qëndrojë i kunturuar brenda kopertinave të librit, në heshtje, por të marrë formën më të thjeshtë dhe më njerëzore të kujtesës, tingullit.

08-02-2026

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page