Anjeza Musollari: Kur libri gjendet në rrugë
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 2 days ago
- 4 min read

Kur libri gjendet në rrugë dhe nuk humbet, shembulli europian për një Shqipëri që nuk lexon
Me ndryshimin e sistemit politik, hapja e Shqipërisë me Europën ka bërë të mundur lëvizjen e lirë e cila na ka krijuar mundësinë të shijojmë bukuritë natyrore dhe arkitektonike të këtyre vendeve, kur përpara ‘30 vitesh ishte thjesht një utopi. Por mesa duket për një pjesë të mirë të shqiptarëve, duket se këto zhvillime janë të krijuara vetëm për ato vende dhe nuk munden ti sjellin me vete në ‘valixhen’ e tyre teksa kthehen në Shqipëri. Një ‘çudi europjane’
janë dhe bibliotekat e rrugës deri këtu nuk kemi ndryshim sepse dhe ne në format primitiv ‘tregëtojmë’ libra në rrugë, ajo që bën diferencën është se në bibliotekat europiane, të rinj dhe të reja, fëmijë dhe të moshuar qëndrojnë në rradhë për të marrë librin e tyre të preferuar.Ndërsa në Shqipëri, grupmosha të ndryshme, reagimin e vetëm indiferent e kanë pikërisht kur kalojnë mbi trotuaret e mbushur me libra.
Biblioteka pa mure, një realitet europian dhe një mundësi e humbur shqiptare.
Në një shoqëri që ecën me ritme të shpejta drejt modernizimit dhe globalizimit, kultura e leximit mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme të zhvillimit shpirtëror, intelektual dhe moral të individit. Një shembull i jashtëzakonshëm i kësaj kulture mund të gjendet në Gjermani, Angli, Itali ku në qytete të mëdha dhe të vogla, janë të pranishme të ashtuquajturat biblioteka të rrugëve – një ide e thjeshtë, por e thellë në simbolikën dhe funksionin e saj.
Këto biblioteka janë dollapë ose struktura të vogla të vendosura në vende publike, në trotuare, parqe, stacione metroje, afër shkollave apo edhe pranë ndërtesave të banimit ku qytetarët mund të marrin një libër për të lexuar dhe të lënë një tjetër në vend të tij. Janë të hapura për të gjithë, pa ndonjë rregull burokratik, pa regjistrim, pa pagesë. Çdokush mund të lexojë, pavarësisht moshës, profesionit apo statusit ekonomik. Vetë koncepti përfaqëson besimin në qytetarët dhe në fuqinë e dijes.
Në pamje të parë, kjo mund të duket një nismë modeste, por në të vërtetë ajo është shprehje e një shoqërie që ka vendosur leximin në qendër të jetës së përditshme. Kur kalon pranë një biblioteke të rrugës në Berlin, Londër apo Romë, shikon njerëz që ndalojnë për të parë se çfarë librash ka, prindër që i mësojnë fëmijët të zgjedhin tituj, të rinj që gjejnë aty një alternativë të shëndetshme ndaj ekranit të celularit.
Europianët nuk e kanë humbur kontaktin me librin edhe pse jetojnë në një epokë digjitale. Përkundrazi, leximi është integruar në mënyrë organike në jetën urbane dhe individuale.
Kontrasti me Shqipërinë: mungesa e kulturës së leximit
Për fat të keq, kur e krahasojmë këtë realitet me atë të Shqipërisë, kontrasti është i thellë dhe shqetësues. Në vendin tonë, leximi është gjithnjë e më shumë në rënie, jo vetëm si statistikë, por si vlerë shoqërore. Ndonëse në rrjete sociale, shumë njerëz postojnë citime librash apo flasin për letërsi, kjo është shpesh vetëm një fasadë. Realiteti tregon një tjetër tablo: bibliotekat publike janë të varfra, të neglizhuara, me fonde të vjetruara dhe pak të frekuentuara. Libraritë private janë përherë më pak të vizituara dhe librat shihen si mallra luksi, të paarritshëm për shumë familje me të ardhura të ulëta.
Në sistemin arsimor, leximi shpesh reduktohet në një detyrim shkollor, jo në një kënaqësi apo nevojë personale. Shumë nxënës mësohen të lexojnë për t’u testuar, jo për të kuptuar botën apo për t’u formuar si individë të pavarur në mendim. Kjo i bën ata të zhvillojnë një refuzim të heshtur dhe të qëndrueshëm ndaj librit, i cili shpesh zgjat gjatë gjithë jetës së tyre.
Kjo mungesë e kulturës lexuese nuk është thjesht një çështje personale. Ajo është pasojë e një sistemi të tërë që nuk i jep prioritet zhvillimit kulturor dhe edukativ. Politikat arsimore shpesh janë të papërqendruara, promovimi i leximit është i dobët ose inekzistent, dhe mungojnë nismat kreative që mund ta sjellin librin më afër qytetarëve – siç janë bibliotekat e rrugëve, festivalet e leximit, panairet e librave në shkolla, leximi në natyrë, etj.
Pse funksionon në Europë dhe pse dështon në Shqipëri?
Mentaliteti shoqëror dhe ndjeshmëria ndaj librit. Në europë,që në moshë të hershme, fëmijët mësohen të kenë kontakt me librin. Familjet lexojnë me fëmijët, kopshtet kanë lexime të përditshme, dhe mësuesit e paraqesin librin si një shok të përhershëm. Në Shqipëri, në shumë familje nuk ka libra fare në shtëpi dhe nuk ka një traditë të leximit si aktivitet familjar.
Infrastruktura publike.Bibliotekat në këto vende janë të shumta, të pasura me tituj dhe të aksesueshme nga të gjithë. Në Shqipëri, shumë qytete të vogla kanë vetëm një bibliotekë, shpesh të papajisur dhe me staf të pakualifikuar. Biblioteka e shkollës shpesh është formale, ekziston vetëm në letër.
Gjithashtu leximi promovohet nga institucionet, nga liderët publikë, nga media. Leximi është pjesë e identitetit kombëtar. Në Shqipëri, mungon frymëzimi. Shpesh janë pak individë entuziastë që nisin nisma të vogla, por pa mbështetje institucionale ato shuhen shpejt.
Çfarë mund të marrim nga këto vende veç ‘relaksit’?
Bibliotekat e rrugëve nuk janë thjesht një risi arkitektonike apo një detaj simpatik urban. Ato janë simbol i një shoqërie që e vlerëson dijen si pasuri kolektive.
Shqipëria ka shumë për të mësuar nga ky model, por ndryshimi nuk do të vijë vetvetiu. Duhet një strategji kombëtare për rikthimin e leximit si prioritet kombëtar, i cili duhet të përfshijë:
Ndërtimin dhe modernizimin e bibliotekave publike dhe shkollore
Nisma komunitare për ndarjen e librave (edhe bibliotekat e rrugëve si projekte pilot)
Promovimi i leximit në media dhe rrjete sociale
Përshtatja e programeve shkollore për të nxitur leximin kritik dhe kreativ
Përfshirja e prindërve në edukimin kulturor të fëmijëve
Biblioteka e rrugëve në Gjermani është një dritare e hapur drejt një bote ku libri ka vendin që i takon, në zemër të jetës publike dhe private. Ajo dëshmon se kur leximi kultivohet që nga fëmijëria, kur institucioni beson te qytetari, dhe kur shoqëria e konsideron dijen si investim, atëherë krijohet një kulturë që nuk shuhet.
Shqipëria ka nevojë për më shumë libra në duar, në parqe, në shkolla, në shtëpi. Por mbi të gjitha, ka nevojë për dashuri për leximin, një dashuri që nuk mësohet me detyrim, por me shembull, me hapësira të aksesueshme, me nisma që frymëzojnë dhe me besim se libri është çelësi i emancipimit dhe progresit.
Comentarios