top of page

    Anjeza Musollari: Gruaja shqiptare


 

Gruaja shqiptare sot, nga Rozafa, te roli i saj në shoqërinë moderne

 

Anjeza Musollari

 

 

 

 

Rrënjët e forcës së gruas shqiptare

Në rrënjët e çdo shoqërie që ka mbijetuar kohën, gjendet figura e gruas. Ajo nuk është vetëm nënë, motër apo bashkëshorte, por shpesh është themeli mbi të cilin qëndron e gjithë struktura shoqërore. Në historinë shqiptare, gruas i është dashur të përballet me kohë të vështira, luftëra, varfëri, mungesë të drejtash dhe shpesh me një shoqëri patriarkale që nuk ia ka njohur gjithmonë rolin e vërtetë. Por pavarësisht kësaj, gruaja shqiptare ka qëndruar, është përkulur, por nuk është thyer. Simboli më prekës i kësaj qëndrese është Rozafa, gruaja e legjendës së Kalasë së Shkodrës. Përmes saj, kuptojmë më mirë se çfarë do të thotë të jesh grua në një botë të ndërtuar mbi sakrificë, dashuri dhe forcë morale.

Rozafa, me vendimin e saj të dhimbshëm për t’u murrosur në emër të një ndërtese që nuk qëndronte dot ndryshe, bëhet një monument i përjetshëm i femrës që sakrifikon për të mirën e përbashkët.

Rozafa, Gruaja që u bë mur për të mbrojtur jetën


Legjenda e Rozafës nuk është thjesht një rrëfim për të shpjeguar origjinën e një ndërtese. Ajo është një pasqyrë e ndjenjës sublime të flijimit dhe përkushtimit që karakterizon gruan shqiptare. Në një kohë kur logjika nuk kishte vend dhe vetëm magjia mund të shpjegonte ngjarjet, ajo qëndroi përpara një zgjedhjeje të tmerrshme: të zgjidhte jetën e saj, apo fatin e ndërtimit që simbolizonte përpjekjen e përbashkët.

Rozafa e pranoi fatin, por me një kusht që e përjetësoi si simbolin më të madh të mëmësisë dhe përkushtimit familjar, të mbeteshin jashtë murit njëri sy, një dorë dhe njëri gji, për të parë, përkëdhelur dhe ushqyer të birin. Kjo kërkesë

është manifest i vërtetë i asaj që gruaja nuk është vetëm mish e gjak, por burim jete, ndjenje dhe mbështetje.

Në këtë legjendë, Rozafa nuk shihet si viktimë. Ajo është zgjedhësja e fatit, një aktore aktive në rrjedhën e historisë, dhe kjo e bën atë më shumë se legjendë e bën të pavdekshme.

Gruaja në përballje me jetën, nga mitet te realiteti

Ashtu si Rozafa që ndërtoi një kala me trupin e saj, edhe gratë shqiptare ndërtojnë çdo ditë jetë, shpresë dhe të ardhme me duart, mendjen dhe shpirtin e tyre. Ato janë nëna që rrisin fëmijët mes vështirësive ekonomike, mësuese që edukojnë brezat, mjeke që shërojnë, gazetare që guxojnë të raportojnë të vërtetën, dhe po ashtu, janë edhe ushtare që mbrojnë flamurin dhe kufijtë.

Sot, sfidat e gruas nuk janë më vetëm flijimi fizik, por janë më të padukshme dhe më të ndërlikuara, padrejtësi sociale, mungesë mundësish të barabarta, dhunë në familje, presion estetik e kulturor. Por njësoj si Rozafa, gratë nuk e braktisin përpjekjen. Ato i përballojnë këto vështirësi jo me ankim, por me vepra, duke ndërtuar karrierë, duke rritur familje, duke marrë pjesë aktive në vendimmarrje.

Gruaja në uniformë, kur guximi dhe nderi marrin formë

Sot, shumë gra shqiptare i janë bashkuar Forcave të Armatosura. Ato nuk janë aty vetëm për përfaqësim, ato janë aty sepse e meritojnë, sepse janë të afta dhe sepse çdo ditë tregojnë që përkushtimi nuk njeh gjini.

Të jesh grua në ushtri është një sfidë që kërkon më shumë se vetëm aftësi fizike, kërkon guxim moral, disiplinë, përkushtim dhe një ndjenjë të thellë të shërbimit ndaj vendit. Përmes shërbimit në misione paqeje, stërvitjeve ushtarake intensive, dhe përballjes me situata të rrezikshme, ato dëshmojnë se gruaja shqiptare është gjithmonë aty ku vendi ka nevojë, në vijën e parë të betejës, qoftë ajo fushë lufte, apo fushë sociale.

Gruaja shqiptare sot, forca që ndryshon botën

Gruaja shqiptare moderne është një figurë komplekse, është ruajtëse e vlerave tradicionale dhe njëkohësisht bartëse e progresit. Ajo i ruan rrënjët, por nuk ngurrojnë të hapë degë të reja. Në një shoqëri që ende lë hapësira të pabarabarta, ajo kërkon vendin që i takon, jo me dhunë, por me dinjitet dhe dije. Në rritje është edhe përfaqësimi i grave në politikë, drejtësi, diplomaci, arsim dhe media. Ky nuk është një favor që i bëhet gruas, por një përmirësim i natyrshëm i një shoqërie që e kupton se pa fuqizimin e gruas nuk ka zhvillim të vërtetë.

Le të ndërtojmë mure që nuk kërkojnë flijim

E ardhmja e një shoqërie nuk ndërtohet mbi flijimin e një Rozafeje tjetër, por mbi mundësitë e barabarta, respektin dhe njohjen e vlerës së secilit. Gruaja nuk duhet më të kërkojë të mbetet me një sy jashtë për të parë fëmijën e saj. Ajo duhet të jetë kudo: në tryeza vendimmarrjeje, në pozita udhëheqëse, në hartimin e politikave, në fushën e betejës dhe në tempullin e dijes.

Duke nderuar Rozafën si figurë legjendare, nderojmë të gjitha gratë që kanë qëndruar në këmbë përballë stuhive. Dhe duke fuqizuar gruan e sotme, sigurojmë që muret që ndërtojmë si shoqëri të mos kenë më nevojë për gjak, por për drejtësi, dashuri dhe bashkëpunim.

Ti, Gruaja që Botës i dhe emrin Tënd

Ti je Rozafa moderne. Ti nuk je për t’u murrosur, por për të ndërtuar.Ti nuk je për t’u flijuar, por për t’u vlerësuar. Ti nuk je më vetëm histori, ti je e ardhmja.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page