top of page

ANDREA ZARBALLA: MOS E SHIKO FUNDIN E DETIT





 

 

 

 

LAVDIA

 

Të henën ngjeshi në kokë një kurrorë dafine,

të martën mbushi xhepat si kacek me gjethe dafine,

të mërkurën shkuli një pemë të tërë dafine dhe e

hodhi supeve,

të enjtën u pajtua rojtar në pyllin e dafinave,

të premtën la testement të presin gjithë pyjet e dafinave

e t’ia hedhin mbi varr.

 

Të shtunën e zunë një palë djerse të ftohta, pa fund.

Τë dielën iku i palavdishëm.

 

 

 

 

POETET E VDEKSHEM

 

Poetët e vdekshëm

presin me ankth majin, o shtatorin,

të shtërngojnë duart qoftë edhe një mbremje,

t’ u bien shpatullave njeri-tjetrit me nënkuptime,

të dhurojnë libra njëri-tjetrit me kushtime superlative

të recitojnë vjershat e tyre

e të mbledhin një për një duartrokitjet,

ashtu si zogjtë grurin e derdhur në një oborr fshati,

të hedhin ndonjë valle

me iluzionin se kështu, me ritme e kadenca vargjesh,

po shkojnë drejt pavdekësisë.

 

E dinë, se ditën tjetër,

që në mëngjes, do të dëgjojnë në lagjen e përtejme

ngulçimin e sharrës,

goditjen e thatë, inatçore të çekiçit,

sepse, nga puna e shumtë

lirohen lehtë dërrasat dhe bullonat e arkivolit

që mbart poetët e vdekshëm.

 

Kështu që Usta Harrimi,

mbushur tallazh edhe me lapsin kaluar veshit,

e riparon shpesh,

atje, në lagjen e përtejme,

 

 


 

DHJETOR

 

                        Piktorit J.M.

 

Mori të përpjetën i përhumbur, midis ngjyrave,

vijave e kurbave

për të vizatuar tymin e oxhakut,

që përdridhet si akrobat në cirkun e pafund të qiellit;

harabelin e oborrit,

që vazhdon koncertin e durimit sipër gardhit,

vetëm me një sol dhe me një fa.

 

Pëlhura ishte e gatshme,

tri ditë edhe tri netë e zbardhte me merak dhjetori.

 

Erdhi pesë herë rrotull në dëborë,

thua se u vu të ngrëjë një mur të lartë,

të mos hynte bisha.

 

Por bisha kishte hyrë prej kohësh

dhe kish coptuar akrobatin e fundit të qiellit,

solistin e fundit të oborrit.

 

Pastaj, mori të tatëpjetën,

duke kërkuar ngjyra, vija edhe kurba të panjohura,

të hedhë në pëlhurë

tingullin kërcitës të këpucëve të trasha në dëborë;

 

në pëlhurën e bardhë

që e kish ndehur bukur në dy bredha

dhjetori i fundit.

 

 

 

 

MODESTI

 

I mjaftonte vetëm një gjethe

për të shtrirë mbi të gjithë jetën e tij

dhe të nxënte akoma edhe dy oqeane.

 

Në fund të fundit,

sokaku i ngushtë i meridianit,

qoftë drejt veriut po ta shkelësh,

qoftë drejt jugut

me siguri, te akullnajat do të të nxjerrë.

 

Por edhe një paralel po të shkelësh

do të vijë një ditë,

që do të gjesh përpara prapë veten tënde.

 

I mjaftonte kodra e vogël me ullinjtë,

me ato degë të rënduara

nga pesha e këngës së gjinkallave.

 

I ngjitej asaj kodre dhe sodiste Globin.

 

Por, jo se kishte iluzione,

s’ mund ta shikosh tërë Globin nga një kodër –

modestët, s’janë medoemos të marrosur,

por, e dinte se kalonte ai nga kodra.

 

Kalonin dallëndyshet, dielli dhe lejlekët,

kalonte era edhe lufta,

vinin tej nga kontinentet, tej nga oqeanet,

dhe ai maste me pëllembë gjurmët e këmbëve të tyre,

kaq gjatësia, kaq gjerësia e thellësia,

dhe mbillte gjurmëve të tyre ullinj të rinj,

me degë të përkulura

nga pesha e madhe e këngës së gjinkallave.

 

 

KUFIJTE

 

Mos e shkel gjithë mllef hartën e botës,

dhe mos kërce nga një shtet te tjetri,

nga një kontinent te tjetri,

sepse kurrë s’do të arrish të zgjerosh kufijtë.

 

Këtë gjë të thjeshtë e di dhe molla e kopshtit.

 

Molla nuk i shtyn gardhet të zgjerojë kopshtin.

Mendja e saj ditë e natë është te kokrrat,

ditë e natë bredh mendja e saj

damarëve të ngjyrave dhe aromave.

 

Mos i gjakos, or mik, duart e bardha,

vetëm mbështetu për një çast te trungu i saj

dhe mollëza, për hatrin tënd,

do të vijë për në çast prej damarëve të ashpëra

sa të të thotë: kokrrat aromatike, faqekuqe

i hapin vetë kufijtë e kopshteve,

të shteteve,

të kohrave.

 

 

I SEMURI

 

Ma tha një trung i prerë, i plakur shumë,

ma tha me rrathët, lartë nga akuareli i piktorit:

Sëmundja jote është e pashërushme. Duhet të shkosh

të flesh një natë të tërë

në tempullin e blertë të Bredhit.

 

Zbrita te porta e tempullit më 17 korrik,

në çastin që një engjëll mbi çati mbante në dorë

hënën e freskët,

dhe dolën murgjit shtatëlartë me pelerina të jeshilta

hedhur krahëve

edhe me kryqe të brishta kokave,

gulfuan ujë të ftohtë prej rrënjëve dhe më spërkatën

                        në fytyrë tri herë,

sollën erë mali dhe ma kryqëzuan zagushinë e trupit,

më treguan se si çajnë kaltërsinë me kryqet,

dhe pastaj më mbuluan me thekore për të fjetur.

 

Bredhat njomëzakë, pa zë,

hidheshin, përhidheshin rreth gjumit tim tërë natën;

 

dhe në mëngjes, kur u zgjova,

pashë një shtambë të thyer copa – copa para meje,

dhe trishtimin tim të zi të derdhur krejt.

 

 

 

ANIJET E MBYTURA

 

Kemi dalë së bashku,

si një flotë festive që rrëshqet ujrave të kaltërta,

me direqe, flamuj, vela dhe bori, një të diel.

 

Për çudi, s’e ndjeva fare,

ishte nata, apo ndonjë shkëmb nënujor;

sidoqoftë, ishte kaq e rëndë, kaq e papritur,

mbytja e parë!

 

S’ ish dëgjuar asnjë farë përplasjeje,

vetëm ca kërcitje të zakonshme, të thjeshta,

por të tilla, i dëgjon njeriu,

edhe kur afrohen vitet nga e nesërmja 

ndërsa u kërcasin rrugëve këpucët fringo.

 

Sidoqoftë e çara ishte e madhe,

edhe anija zhytej me ngadalë,

duke çjerë me direkët dhe me bashin 

ujrat e brishta, të pamësuara me mbytje.

 

Si ta mbash me duar një anije?

E provoi para meje vllai i Eskilit, Kinegirosi,

dhe iu prenë duart, iu pre koka.

 

Dhe fundosej në mënyrë torturuese anija e parë,

deri sa takoi fundin e detit.

 

Por, me kohë, filluan mbytjet tre e tre

e pesë nga pesë.

Vanë varkat dhe anijet

me pëlhurat, me direkët dhe boritë.

 

M’u mbush fundi i shpirtit me gjemi të mbytura!

 

 

 

 

GURIÇKAT

 

Deti i Litohorit pikturonte gjithë ditën guriçkat,

nuk e dinte se Meri, që i mblidhte, kishte ikur.

 

Përderisa detrat e tjerë ia kanë fshehur,

as unë s’ ia tregova,

se mos trishtohej dhe humbiste përgjithnjë ngjyrat e tij.

 

U ktheva nga ana tjetër,

të mos më shohë me lotë e fillon dyshon,

dhe hiqesha sikur kërkoja gërmat J, E, T dhe prapë E.

 

Dhe gjersa deti të mbarojë e të shkojë për gjumë,

mendoja Mjeshtrin e çuditshëm,

që kaq lehtë ndërton një mozaik të tërë

vetëm me katër gogla.  

 

GJUMI

 

Përse të thosha shpesh se, kur flë

i ngjan një varke që vozit

detrave të bardha të çarçafëve?

 

Një varkë që erdhi dhe u ndal në dritaren time

dhe unë që s’ e duroja dot kaq pafundësi,

kundroja i mbështetur në përvaz

remat e liruara të vetullave,

shtambën rozë të buzëve plot ujë për udhëtimin,

që kur e pi shumohet,

velat e gjinjëve që i frynin erëra të paduruara.

 

Përse të thosha se i ngjan një sanalleje

që udhëton detrave të bardha të çarçafëve?

 

Dhe ty, për hatrin, tim, ke fjetur përgjithnjë.

 

 

 

 

LYPSARI BASHKËKOHES

 

Doli rrugës tej nga fusha e madhe,

dhe u lypte kalimtarëve

pak fushë.

 

Zbriti nga një mal i lartë

dhe u lypte kalimtarëve në sheshe

një copë mal.

 

Ndënji i pikëlluar në breg të lumit,

dhe u lypte kalimtarëve

pak ujë. 

 

VËLLAVRASJE

 

Ishte gusht

kur dolën për shëtitje bubullimat në Murganë.

 

Në çdo hap të tyre çirrej horizonti,

në çdo fjalë, shterej uji i burimeve.

 

Djersë të ftohta i pikonin që pa gdhirë

shtambës së ujit,

qeni i mbuluar me hijen e ullirit dridhej në mesditë,

fluturat te gardhi rrihnin krahët si ca plaka

që i bien kokës me dy duart pas mandatit.

 

Plot me ankth milingonat rrugëtimeve të tyre,

plot me ankth farat e gjëmbaçëve të kapura

prej jeleve të erës,

dhe një  brumbull sterë  i zi,

shtynte së prapthi Globin si top plehu.

 

Në murin e notepsur të mullirit, me antenat ngritur,

kërmilli mblidhte lajmet, për vallen e egër të thikave,

për gushtin vëllavrasës,

ku uli kokën thellë i Munduri,

e uli thellë edhe Triumfatori. 

 

     

ARAT SHTERPA

 

Poshtë, në arat e Grekosalentes, te ullinjtë,

çirret Fizarmonika e vogël

dhe Defi, si fëmijë, nga pas, u ngjir nga dënesat.

 

Poshtë në arat shterpa të Grekosalentes,

Befas një vajzë del vrik nga dallgët e Mesdheut,

shkund flokët një e dy, i hedh para e prapa,

shkel tokën prush hop! hop! me këmbë të zbathura –

A, nuk duroka një ulli, shkulet dhe ai nga dheu,

hedh e përhedh degët para e prapa,

kërcen mbi rrënjët si i dehur.

 

Tani, u bënë dy, që kërcejnë Tarantelën –

Zbrazuni ju, o detra, zbrazuni o shekuj!

 

Tej në arat e Grekosalentes,

çiftin mijëvjeçar,

e kish pickuar keqas Merimanga e Nostalgjisë.

 

 

 

MULLINJTË

 

Këngëtarë pleq breglumenjëve me vetulla plot miell,

trak-trak përsipër mokra e rëndë,

e vu e vu përposhtë fletët e helikave

dhe uji të vrapojë si mëz trevjeçar me yllin e diellit

në ball,

dhe Zonja Merimangë të drejtpeshohet në cepin e

kasketës tuaj,

dhe Zonja Breshkë e Ujit t’ju gudulisë ngadalë shputat

e këmbëve,

dhe rrepet me erashkat t’ju freskojnë zverkun,

dhe dapa-dup dërstilat deri në mengjes për ngjeshjen

e flokateve  

dhe radhë - radhë thasët e bardhë si gjyle gati për të rënë

mbi çatinë e urisë,

dhe trak e truk përsipër mokra e Kohës

dhe vu e vu përposhtë helikat e Shkretisë.

 

Dhe unë që endem me një thes pikëllimi krahëve,

ku ta bluaj?!

 

 Mokrat, futur gjer në mes në dhe, ngjajnë si spiranca

të braktisura. 

AUTOBUZI B5

 

Në stacionin e Atikës, të njoha nga vështrimi

që hiqej zvarë shinave

si një zog i trembur, pak para se ta shkelin trenat,

të njoha nga të ecurit e ndrojtur

përderisa kaq kohë të mungojnë fusha e mali,

por metroja të përpiu.

 

Sulem drejt stacionit të Aj Dhimitrit,

por ty shkave drejt Dukeshës Plancentia.

 

Në Aleksandras,

Autobuzi 5 kalon serbes me profilin tënd ngjitur xhamit.

thërras, lëviz duart, por më merr për të huaj i poshtëri,

dhe sa të arrij në kthesën Patision

zverdhem njëherësh si plepat përkarshi.

Vjen edhe era e Nëntorit nga Parnitha,

fërgëlloj si plepat e më bien fletët trotuarëve.

 

Dhe përkulem për t’i mbledhur një nga një copat e mia,

dhe pastaj në një stol, natën, në sheshin e Aresit,

lodhem t’i montoj nga fillimi.

 

Duhet të të gjej patjetër,

para se Shërbimet e Bashkisë

të më mbledhin copa – copa qeskave të zeza.

 

15 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page