Analizë e poemës “Rrënjë dhe lule ulliri” të poetit Zyhdi Dervishi
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Feb 10, 2024
- 11 min read

Analizë e poemës “Rrënjë dhe lule ulliri” të poetit Zyhdi Dervishi
Nga Fatmir Terziu
1. PROBLEMI DHE PYETJET DISKURSIVE TË KOHËS
Poema “Rrënjë dhe lule ulliri” paraqet një perceptim dramatik të ndjesive, emocioneve dhe mendimeve adekuate, të qasjes poetike në rrjedhën e kompozitës së shtrirë në itinerarin e realitetit, ku asgjësimi i vetë reales është një konflikt, një kundërshti, një absurd, një faturë dhe një rrënjë që e lind sidoqoftë edhe jo të dëshiruarën. Tashmë në një kënd të tillë diskursiv kjo treshe, pa e quajtur trinom perceptues, pikëtakon pikërisht shqetësimin e poetit, dhe me këtë arsye perceptimi ndërton vargun dhe arsyetimin e lindjes së një poezie. Dhe kështu treshja e drejtuar të sqarojë lindjen e poezisë bëhet shqisa më e rëndësishme për një varg të tillë. Prandaj, Zyhdi Dervishi gradualisht e shkëput nga ajo që në thelb mbetet shoqëria, ajo formë e paaftë që është e strukur në pakuptimësinë logjike dhe që mbetet e denjë për të pranuar poshtërimin e të qenit e keqardhur dhe e tallur në tërë rrjedhën që e bën arsye dhe fakt lindjen e një poezie. Dhe pjesa më e goditur është se poeti nuk mund të dëgjojë shtirrjen, heshtjen, kapjen e të gjithë të përditshmes nga një sfidë e padukshme. Prandaj, poeti, ashtu si Hamleti, në një moment jo krejt apriori vjen në dilemën: “Të jesh apo jo?”, por në një perceptim më filozofik të përcaktuar sikurse vetë ai shprehet me formën e denjë në këtë pikëlidhje „të shkretim shkretimit“. Spektri joshës i vargjeve [kur zhduken] „vragat e çdo zvarritjeje/dhe kryengritja altruiste/ngjizet e ringjizet pareshtur/edhe në zemrën/e çdo kryengritjeje“ e plotëson vetë atë që poeti e realizon në lindjen e poezisë, por që në fakt është një pyetje që lind nga ndërgjegjja intelektuale, nga bota e tij e brendshme, nga ushqesa sfidante në tërësinë diskursive të realitetit, që gjithnjë pas çdo perceptimi vargor ka një pyetje të thellë filozofike. Dhe pastaj Dervishi fillon t'i bëjë gjithëgjendjes pyetje rreth asaj që ka lëshuar rrënjë dhe lule ulliri, duke ngacmuar vetë pretencën me të cilën vargu bën në padashje të realizoj vetë absurdin e lindjes diskursive të mesazhit poetik. Cili është kuptimi i „Poezia lind“? Pse mendoj se duhet të shumë arsye që e ngacmojnë këtë perceptim kritik të poetit? Cili është roli i artit në këtë botë të destinuar në fate dhe fakte që ushqejnë nga vetvetja artin e fjalës së bukur dhe a ka kuptim të jetosh për artin e bukur në një rrjedhë të tillë të ushqyer nga fakti kur „përanash çdo tërbimi/kur dhe heretikët/u thyejnë kockat inkuizitorëve/për të formuar me to/kryqe dhe gjysmëhëna/të një tjetër adhurimi“? Çfarë do të thotë poeti kur shqisat, sidomos sytë, dhe dëgjimi ndjehen „… si kufomë e përbuzur/shpërbëhet e vërteta/dhe duart e rreshkura të nënës/përkëdhelin thinjat mbi krye/të foshnjës që ende nuk /ka hedhur një hap/mbi këmbët e veta? A është kjo fatkeqësi, apo përkundrazi, një mundësi për të injoruar të sipërfaqshmen dhe për të prekur thelbin? Duke e krahasuar paaftësinë e sistemit, shoqërisë, realitetin me verbërinë e momentit, poeti Zyhdi Dervishi arrin në përfundimin se „nën përkundjet ndjellaligë të tërmetit/dhe në baticat/kërcënuese të gjullurdisë/pastruesja i bën psikoterapi/profesorëve mendjemykur/e shpirttharë të psikologjisë“ me një nënkuptim të thellë pra, vetëm të verbrit e panë qartë atë që mijëra njerëz me shikim nuk mundën.
Këto shqetësime që bëjnë shtrat dhe rrënjë , që hedhin dhe blosomojnë lule ulliri, janë filozofikisht të afërta me vetë kohën në të cilën gjithnjë ka vetëm një kohë, dhe ajo është kryefjala perceptues e kthimit në art të vetë kohës. Këtë e bën mrekullisht vargu i kësaj poeme, e cila në vetvete ndoshta jo rastëisht ka ardhur në të njëjtat pyetje dhe baza filozofike që diktohen apriori që nga titulli i saj domethënës. Por vënia e tyre në një vepër arti nuk është vetëm rezultat i dëshirës së tij për të ndarë shqetësimet e tij personale. Arsyet që tingëllojnë në poezi sjellin probleme dhe vlera krejtësisht të reja për letërsinë shqiptare. Letërsia jonë deri në këtë moment është përpjekur t'i ndihmojë shqiptarët të bëhen një komb modern, të ndërtojnë në zemrat e tyre imazhin e atdheut të përbashkët, të kuptojnë problemet që e pengojnë atë të bashkohet me botën moderne dhe të ushqehen me vargje sadokudo të drejtpërdrejta, me këto vargje plotë perceptime, filozofi dhe mbretërim të gjuhe poetike të mirëfilltë rruga shtrohet ndryshe.
Poezia jonë deri në këtë moment, paraqiti dhimbjet, problemet, por dhe këndoi heroizmin e mbrojtësve të atdheut, pa u thelluar në arsyet dhe shkaqet e thella, u ushqy vetë vargu aty, e paraqiti shembuj për t'u ndjekur në kërkim të idealit kombëtar, që në këtë rast shkojnë në qasje ndryshe më të thukët, më të ndjeshme, më të pranueshme pos realitetit. Ose, siç e mund ta shprehim në mënyrë metaforike prurjen masive poetike, se vetë poezia jashtë këtij modeli, ajo u përpoq të krijonte një shqiptar në një skllav të faturës së vjen nga tërësia ku autori e fuqizon me përsëritjen në fillim të çdo strofe, apo idevargu „poezia lind“. Por siç rezulton, kjo nuk mjafton. Epoka moderne kërkon njerëz me ide më të avancuara, me ide e pjekturi më të thellë, me perceptim më të gjerë, me arsyetim më adekuat. Njerëz jeta e të cilëve ka kuptim, që e kuptojnë ligjin moral brenda vetes dhe arrijnë t'i kthejnë sprovat e jetës në armë dhe forcë morale. Komploti i poezisë tregon rrugën që duhet ndjekur për të arritur këtë qëllim të lartë. Kjo është rruga e krijimtarisë, e cila vetëm mund t'i japë kuptim jetës së njeriut, sepse përmes saj njeriu mund t'u japë diçka të tjerëve, por duke korrigjuar edhe atë që shkon tek determinacioni diskursiv i lindjes së një poezie në kushte të sqaruara artistikisht. Në rastin e situatave, problembe është vargu, harmonia, fisnikërimi i tërësisë, zhvillimi i shpirtit, ajo që burimshëm deh fuqimshëm kupton e nënkupton se „Poezia lind/kur lulet nuk çelin në stinën e vet/dhe breshri qelqet e qiejve/prush të korrikut godet,/kur koha ndryshon kahen e rrjedhës/dhe akujt e dimrit ngujojnë/aromat – mjaltë të fundpranverës“. Ky është vetë misioni. Për të tjerët, misioni mund të jetë i ndryshëm. Por nëse një person ka një mision të tillë, jeta e tij do të jetë plot dhe nuk do të kalojë kot. Njeriu do të arrijë pavdekësinë me veprat e tij, sepse, si Prometeu, ai do t'u ketë dhënë diçka njerëzve. Dhe ata, nga mirënjohja, do ta mbajnë atë në zemrat e tyre gjatë gjithë shekujve.
2. KONFLIKTI SI PËRKALLJE E VLERAVE
Fragment i parë i poemës „Rrënjë dhe lule ulliri“ i shkëputur nga nga libri „Hakerat e mjegullës' të poetit Zyhdi Dervishi që në rrjedhë na qartëson vetë atë që përbën në thelb konfliktin e gjërave. Konflikti, si itillë në rrafshin kryesor, rreth të cilit ndërtohet poema është vetë beteja e njeriut me fatin. Fati është një koncept mitologjik me të cilin njerëzit kanë shprehur idenë, se jeta e tyre nuk varet nga vetja, por nga rrethanat e jashtme të panjohura, ndonjëherë edhe nga loja e verbër e rastësisë. Vetëm kështu njerëzit mund të shpjegonin pse edhe njerëzit e padenjë kanë shpesh sukses në jetë, ndërsa të tjerët, shumë më mirë se ata, vuajnë dhe përjetojnë fatkeqësi. Edhe në kohët e lashta, këto pyetje tingëllonin në balada. Pse një krijesë e re dhe e pafajshme mbytet në lumë? A ka mëkatuar ajo kundër botës për ta merituar këtë dënim? Ky ankth i paqartë i ka shoqëruar gjithmonë njerëzit në kontaktin e tyre me botën e paparashikueshme. Por a është e vetmja mundësi që njeriu t'i nënshtrohet fatit? Kjo është pyetja që tingëllon në poezi. A ka ndonjë mënyrë për të mposhtur fatin? Një rrugëdalje, natyrisht, është ikja, mospranimi, tkurrja, largimi, zhdukja, tretja, zvetënimi, humbja e identitetit, errësira „kur lumenjtë do të harrojnë/shtigjet e trazuara të së mirës/dhe do të rrotullojnë së prapthi/turbinat e hidrocentraleve/për të shumëfishuar/zbrazëtinë e errësirës "
Këtu, megjithatë, konflikti me fatin kthehet në konflikt me veten. Me dobësinë e vet, me mungesën e vullnetit, me mungesën e ndjenjës së kuptimit, me humbjen e idealit. Në njëfarë kuptimi, edhe me skllavërimin e ideve të vjetra. Sepse zbulimi i horizonteve të reja zakonisht kërkon sakrifica, vuajtje, nuk vjen kot. Dhe kështu Dervishi kupton se vuajtja, të cilën ai, nga zakoni i trashëguar njerëzor, e perceptoi si një fat fatkeq, mund të kthehet në një mundësi „kur lotët ngrinë mermer i kuq/nën qerpikët e ndryshkur/hallesh të nënës“. Një mundësi për të rinovuar jetën, duke krijuar antitezën: „Poezia lind/kur në bjeshkët e vendit tim/akullohen puhizat aromëmbël të verimit/dhe tufanet e nëmun/si nëpërka struken në katakombet“.
Konflikti i njeriut me fatin zbulohet edhe në mënyrë paradoksale. Në thelb, ideja e fatit do të thotë „përanash çdo tërbimi“. Dikush jashtë personit, për shembull, skicimi i poemës tek grupi i njerëzve „kur përballen pa pushim/në betejat më të vështira/ushtria e njerëzve/me ushtrinë e sozive të tyre/më të pështira.“ e ka paracaktuar jetën e tij në themel të asgjësimit të realitetit të ndikuar nga kushtet dhe fatet e grupit. Por ky paracaktim mund të interpretohet ndryshe. Nga njëra anë, mund të nënkuptojë që një person do të jetë një lodër e verbër në duart e fatit gjatë gjithë jetës së tij. Nga ana tjetër, megjithatë, paracaktimi i njeriut mund të nënkuptojë edhe se ai erdhi në tokë për të përmbushur një mision të rëndësishëm, për të cilin ia vlen të sfidohet fati i kohës, pra mjafton që „poezia lind“ dhe sqaron rrënjët me të cilat kalibron dhe lulet që do të vijnë. Duke përdorur dy fjalë të ndryshme me të cilat njerëzit emërtojnë paracaktimin e tyre, Dervishi arrin të rrënjosë këtë kontradiktë të brendshme dhe të tregojë një rrugëdalje nga konflikti: „Poezia lind/kur nëna e priftit dhe e hoxhës/mendjendritur në shkencë/atdhetari e besim/i lutet xhelatit shpirtkatran:/– Vritmi djemtë/të shpëtojnë nga ky/përçud torturim!“.
3. HEROI I POEMËS SI MASA E NJERIUT
Duke treguar situatën diskursive me rrënjë dhe lule ulliri, poema kërkon të pohojë një model të ri arsyetimi, gjetjeve, përcjelljeje dhe sjelljeje. Deri këtu, letërsia shqiptare imponon vetëmohimin në emër të ndonjë ideali të madh, atdheut, lirisë, dinjitetit njerëzor, si shembulli më i lartë për imitim. Megjithatë, me fatin e tillë në të cilin detyrohet poezia të lind, Dervishi, dëshiron të tregojë një mundësi tjetër, të jetojë në emër të një ideali më të lartë, mjafton që të mbaj dhe të mbahet e gjallë. Edhe nëse do të thotë vuajtje, fatkeqësi, shpirtligësi, ka një arsye ku lind poezi. Megjithatë, ky shembull është i zbatueshëm vetëm për njerëzit që kanë më shumë se jetë biologjike për të sakrifikuar nëse është e nevojshme. Ata duhet të kenë diçka për t'u ofruar njerëzve dhe diçka për të cilën ia vlen të jetohet. Me fjalë të tjera, të ketë ndonjë mision tjetër përveç vazhdimit biologjik të gjinisë. Kjo është një vlerë e re, moderne, në kundërshtim me konceptet tradicionale patriarkale, sipas të cilave jeta e njeriut ka kuptim vetëm nëse brenda saj është i gdhendur në botë harmonia që drejton ciklin e përjetshëm. Kjo harmoni buron nga natyra e botës. Por këtu në “Rrënjë dhe lule ulliri” propozohet një ide e re e natyrës dhe harmonisë. Poema fillon me një përshkrim tipologjik të skenës „Poezia lind/kur lulet nuk çelin në stinën e vet/dhe breshëri qelqet e qiejve/prush të korrikut godet,/kur koha ndryshon kahjen e rrjedhës/dhe akujt e dimrit ngujojnë/aromat – mjaltë të fundpranverës“ të dominuar nga diskursi simbolik i gjendjes, që mbetet simboli i përjetshëm i rendit kohor. Megjithatë, vazhdimi është shqetësues: „kur xhonglerët e çdo politike/luajnë ping – pong mbi fushnajën/e përzhitur të shpirtrave njerëzorë/duke përdorur si topa/rrufetë sferike“. Kontradikta midis qartësisë së rendit natyror dhe errësirës së gjendjes aktuale sjell disharmoninë. Këtu duhet të kujtojmë idenë e filozofit gjerman Immanuel Kant për unitetin midis „qiellit me yje mbi mua“ dhe „ligjit moral në mua'. Vetëm ky unitet mund të sjellë harmoni në jetën e një personi. Vetëm kështu ai do të hyjë përsëri në ndërveprim me botën edhe kur „poezia lind“ pra kur „kur foshnjat nuk pranojnë qumështin/bekim të nënës biologjike“.
Dervishi e lind poezinë edhe tek thelbi. Thelbi që shkon si një diksurs më vete tek idealit i njeriut. Ideali i njeriut i sugjeruar nga poezia e Zyhdi Dervishit është shumë i afërt me imazhin e Supernjeriut nga filozofia e Friedrich Nietzsche-s. Për një kohë të gjatë, ky ideal u keqinterpretua si një shprehje e një ideje arrogante të njerëzve që e perceptojnë veten si superiorë ndaj të tjerëve dhe për këtë arsye të destinuar të sundojnë mbi ta. Në fakt, ideja e Mbinjeriut është shumë e afërt me idenë e zbuluesit të psikoanalizës, Sigmund Freud, të super-egos. Mbinjeri mund të jetë vetëm ai që ka kapërcyer paracaktimin e tij biologjik, instinktet dhe dëshirat e pavetëdijshme, e ka realizuar veten si një qenie morale dhe përpiqet të jetojë sipas diktateve të arsyes, moralit dhe krijimtarisë. Imazhi i pikturuar në poemën e poetit Zyhdi Dervishi është një shembull i vërtetë i një realiteti të tillë. Një shembull për t'u klasifikuar jashtë perceptimit, brenda moderimit të realitetit, brenda rrënjës dhe lules së ullirit, një model për tu ndjekur.
4. IMAZHI I BOTËS I KRIJUAR NGA POEMA
Edhe pse flet për dramën e konturit real brenda rrjedhave të realitetit, poema krijon gjithashtu një imazh të botës përmes së cilës mund t'i japim kuptim. Nuk është më kot që harmonia dhe prishja e saj përmenden kaq shpesh në të. Si duhet ta perceptojë njeriu botën ku jeton? Si një vend i rrezikshëm dhe i paparashikueshëm ku sundon rasti i plotfuqishëm, duke luajtur me fatet e njerëzve? Apo si një vend ku mund të vendoset harmonia midis natyrës dhe njeriut, midis „qiellit me yje mbi mua“ dhe 'ligjit moral brenda meje'? Tundimi për ta perceptuar botën si një vend të rrezikshëm dhe të paparashikueshëm është i madh, ndaj poeti e gjen aty terminologjinë diskursive „lind poezia“, se poezia atë mision ka të sqarojë. Por në të njëtën kohë ajo që ndodh për fat të keq josh vetëm njerëzit e dobët. Vetëm ata shkojnë me rrjedhën dhe kur hasin probleme preferojnë të ikin nga jeta. Të fortët e shohin botën si një sfidë. Po, ata vuajnë nga sprovat që u ndodhën, nga padrejtësia e tyre. Për çfarë padrejtësie më të madhe mund të ketë sesa të privosh kohën më të ëmbël të jetës, muajin e mjaltit, pra „të sapomartuarit/nuk bëjnë plazhin e muajit“?
Bota nuk është si Kopshti i Edenit, por më tepër si purgator. Megjithatë, harmonia mund të gjendet në të, një harmoni që përfshin jo vetëm bukurinë idilike të natës së kthjellët me yje, por edhe vuajtjet, fatkeqësitë, stuhitë e jetës. Ky motiv zhvillohet në skenën me „Poezia lind/kur dhe kristalet më të pastra/të vlerave myken për neveri/kur mashtruesit mashtrojnë edhe veten/e kridhen në pellgjet e llumta/që ndyejnë të vërtetën“ dhe ku autori kërkon të diktojë me formën më të lartë perceptuese, atë që duhet, atë që vjen si shkas tek realiteti dhe harmonia e gëjrave. Në fakt, jashtë kësaj, është ky ligj i harmonisë që është ideja që poema dëshiron të ndërtojë si imazh të botës që mbars vetë kohën. Por ama që duhet një botë që nuk u bindet recetave të vendosura dhe nuk ndjek rrugë të shkelura, por vazhdimisht kërkon dhe i kapërcen sfidat. Sepse jeta e njeriut përbëhet nga sfida. Vetëm kështu njeriu do ta kapërcejë fatalizmin që sugjerojnë baladat dhe do të qëndrojë krenar e madhështor kundër lojës së verbër të fatit.
5. VENDI I “RRËNJË DHE LULE ULLIRI” NË SKENËN ARTPRURËSE
“Rrënjë dhe lule ulliri” sikurse poezitë e tjera „filozofike' të Zyhdi Dervishit luan një rol të veçantë në kulturën artprurëse. Me idetë e sugjeruara nga këto vepra, po ndryshon vetë ideja e rolit të letërsisë në jetën e njeriut dhe në shoqëri. Arti nuk duhet t'i ndjekë ngjarjet vetëm për t'i „reflektuar“ ato, por të ndërtojë aktivisht njeriun e përshtatshëm, që është i aftë të realizojë ligjin moral brenda vetes. Për një pjesë të shoqërisë, këto ide janë frymëzuese dhe hapin shtigje të reja. Megjithatë, ka edhe njerëz që rebelohen kundër gjërave të tilla thelbësore, duke e kundërshtuar atë ndaj një formatizimi primitiv. Po, njeriu nuk është vetëm dhe nuk mund të jetë i vetëm në botë. Komuniteti është i rëndësishëm. Për më tepër, individi nuk mund të ekzistojë pa një komunitet, sepse ne fitojmë vetëdijen për ekzistencën tonë duke parë përreth në sytë e të tjerëve. Por kolektivi nuk mund të jetë gjithçka. Ai nuk duhet të ndrydhë personalitetin, sepse kjo është mënyra më e sigurt për ta depersonalizuar njeriun dhe për ta bërë atë lodër, por jo në duart e fatit të verbër, por në duart e njerëzve të tjerë që kanë uzurpuar të drejtën për të përcaktuar se çfarë është e drejtë, dhe çfarë, jo. Në fund të fundit, ka periudha në zhvillimin e vetë formës poetike kur, për shumë, presioni i kolektivit luajti rolin e fatit absurd në një masë të veçantë.
Të gjitha këto kontradikta në jetën e shoqërisë dhe kulturës artprurëse pasqyrohen drejtpërdrejt në fatin e veprave të Zyhdi Dervishit, të cilat kam pasur fatin që ti lexoj, si në formatin e publikimit akademik, shkencor, kërkues dhe hulumtues në detaje, por dhe në aspektin tjetër krijues dhe aq poetik në thelb. Në tërësinë e larmishme krijuese të Zyhdi Dervishit nuk mbetet një herë, por janë në theln tërë ato herë, se ai është shumë cilësor dhe produktiv. Ato herë nuk ndalohen, ato herë nuk glorifikohen, ato herë nuk keqinterpretohen, por bëhen aq shumë të domosdoshme për letrësinë dhe krijimtarinë. E sotme. Idetë, mesazhet, perceptimet, filozofitë dhe pyetjet e përfshira në të gjithë këtë produktivitet të larmishëm nuk janë prurje brenda natës, ato janë vepra të një kohe të gjatë studimore, krijuese dhe kërkimore, që janë para njeriut dhe njeriu është i detyruar t'i seleksionoj e lexoj mirëisht dhe lirshëm ato çdo ditë. Dhe poema, më saktë vargjet plotë filozofi të saj, sikurse e cituam më lart poemën “Rrënjë dhe lule ulliri” e ndihmon vetë intelektin e njeriut për t'i zgjedhur vlerat.
Comments