top of page

ANA LIND, MARTIRJA SUEDEZE


ANA LIND, MARTIRJA SUEDEZE

Stokholm, 10 shtator 2003. Atë mbasdite vjeshte Anna Lindh doli nga zyra. Në shoqërinë e një mikes së saj ecte në drejtim të shitores “Hennes-Mauritz”. Ishte Ministre e Jashtme e Suedisë, prej pesë vjetësh. Por ishte dhe qytetare, dhe bashkëshorte, dhe nënë. Lëvizte pa makinë, pa shoqërues, në vendin e saj të lirë. Dhe s’mund ta mendonte se, kjo ishte dita e fundit e jetës dhe ëndrrave. Tek ngjiste shkallët e shtrinë në tokë, e mbytën në gjak. Një thikë e goditi në gjoks, një në stomak dhe një në krah. Ra në gjunjë dhe përpëlitej. Tri hone të thella u hapën brenda trupit të saj. Shoqja që ishte pak hapa para, ktheu kokën dhe i thirri Anës. Mendoi mos kishte rrëshkitur. Ambulanca mbriti menjëherë, mirëpo xhelati kishte mësuar si të përdorej thika. Ngjante me një vrasje kishtare, yshtur nga kryqi i mallkimit, kushedi në ç’manastir mesjetar. Kështu godet pabesia. Anna 46 vjeçe u shemb si shtatore. Qielli u ça nga dhimbja. Barbaria e rrënon qytetërimin. Gjithmonë. Po kush ishte vrasësi? Një serb 24 vjeçar, Mijailo Mijailoviq, çuditërisht i “sëmurë mendor”. Paska patur çrregullime polare apo bipolare, i paska shfaqur edhe në familjen e tij, është grindur me babain, mirëpo s’vrau atë me thikë, por Ministren e Jashtme të Suedisë, sepse ajo mbështeti fuqishëm Naton dhe intervenimin e trupave ushtarake në Kosovë. "Ne nuk jemi të lumtur pse bombardohet Serbia, por të gjitha mundësitë e tjera politike, diplomatike e ndërshtetërore për ndaljen e tragjedisë së një populli u shterën dhe mbeti vetëm zgjedhja ushtarake." Kështu deklaroi Ana Lin një ditëv para vrasjes, pra më 9 shtator 2003, në televizionin suedez. Kjo mjaftoi për të ndezur fitilin vrasës. Skenaristët dhe rregjizorët e aktit makabër, zgjodhën me kujdes për t’i përcjellë pastaj në sallat e montazhit, ato çfarë duhet të digjonte e shikonte qytetari suedez. Pak ditë pas vrasjes, Vujoviqi (mesa duket bashkëkombas i Mijailos), reporter i TV Suedisë, vizitoi gjyshin e vrasësit në fshatin Ub, në Serbi. Ai plak i “pikëlluar” nga veprimi i nipit të tij, djalit të vajzës, u kërkon falje publike familjarëve të viktimës. Dhe ky reagim u shfaq në televizion për të ndikuar te qytetarët paqësorë suedezë. Shikoni pra, çfarë veprimesh të studiuara. Po kosovarët që jetojnë në Suedi, si reaguan? Ata ndjekin prej vitesh rrjedhën e qytetarisë që i ka strehuar dhe punësuar, e kësisoj s’mund të bëhen pjesë e veprimeve denigruese apo hakmarrjeve primitive në sofrën e bujarisë suedeze. Vrasësi vuan dënimin me burgim të përjetshëm, por vetëm ai, ani pse në Bruksel, në selinë e BE-së, një sallë (dhomë) plenare mban emërin e Ana Lind. Mesa duket, terrorizmi kërkon strehë nën ombrellën e paqes. Sa keq! Njerëzimi e vrau Zotin mbasi e krijoi atë. Nuk di pse e ndjej kaq të afërt këtë martire suedeze. Në qytetin e Pejës, (Republika e Dardanisë) një rrugë  mban emrin Ana Lind. Besoj se ky emër i bukur (mbiemri i saj i përkthyer në shqip, do të thotë- Bliri) do zbukurojë ndonjë rrugë të kryeqytetit shqiptar. Besoj se do ndodhë një ditë.

#Mihal #GJERGJI

34 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page