Alizoti që studioi inxhinieri mineralesh në Exeter


Riza Fejzi Alizoti

Alizoti që studioi inxhinieri mineralesh në Exeter


Duke u ngacmuar nga një fakt për jetën e një intelektuali shqiptar që ka studiuar në Angli


Dr Fatmir Terziu


Duke lexuar librin e shkrimtarit Vlash Fili, “Përsëri në Vendlindje” në faqen 135 të tij, pikërisht në kapitullin “Kuçova dhe njerëzit që lidhen me të” gjendet edhe emri i Riza Fejzi Alizotit. Sipas Vlash Filit, Riza Fejzi Alizoti, është “Inxhinieri i parë për nxjerrjen e naftës” (Fili, 2008:135). Më tej në kërkimet e mia dhe në leximet e mëtejshme në këtë libër mësojmë se ai “ka studiuar në Universitetin e Oxfordit ne Angli”. (ibid). Kështu duke konsideruar këtë fakt tejet të rrëndësishëm që lidhet me një emër shqiptar, të diplomuar në një nga universitetet më të mira të Botës, për të gjitha kohërat, dhe natyrshëm duke parë më tej edhe fatin e jetës së tij, kuptohet qartë edhe një arsye më shumë pse intelektuali dhe njeriu i zgjuar mbeten një hije e pazhdukur nga bloza që i ka vënë koha. Duke u ngacmuar nga intelekti i këtij personaliteti intelektual dhe duke shtuar kërkimet e mia gjeta se në të njëjtën kohë me këtë intelektual kanë studiuar në universitet e Londrës dhe të Britanisë së Madhe, dhjetra e dhjetra intelektualë shqiptarë të fushave të ndryshme. Meri Lalaj shkruan se “Në të njëjtin vit me Rizain filluan studimet: Rexh Metanë Cambridge specialiteti financë, i cili i kreu studimet me rezultate të shkëlqyera; Qani Kastratiinxhinieri, Rifat Tiranainxhinieri elektrike në Londër, Tefik Kalaciinxhinieri, po në Londër. (Lalaj, 22 Dhjetor 2008, “Shekulli”).

Gjatë kërkimeve të mia gjeta se Riza Fejzi Alizotinë fakt ka studiuar në Camborne School of Mining të Universitetit të Exeterit në Anglinë Jugperëndimore. Ky Universitet është themeluar në vitin 1888 dhe përbëhet nga Shkolla e Minierave në Camborne (CSM)që është një kombinacion i ekspertizës së gjeologjisë inxhinierike për mineralet, minierat dhe për përpunimin e energjisë së ripërtëritshme. Është një universitet me emër në fushën botës-shkencore dhe të mësimdhënies në këtë fushë. Universiteti në fjalë ka patur një moto të hershme të tij që të promovojë një përgjegjësi për minierat dhe zhvillimin e qëndrueshëm, duke ditur faktin se qysh herët Britania e Madhe ka qenë një nga vendet me minierat më të mëdha. Portofoli i këtij universiteti është universitar, pasuniversitar dhe ai i programeve kërkimore që të sigurojë një bazë të shkëlqyer për karriera, në Mbretërinë e Bashkuar, dhe jashtë shtetit, brenda burimeve të Tokës, inxhinierisë civile, dhe mjedisit dhe në sektorin e energjisë. Shumica dërrmuese e të diplomuarve të këtij universiteti janë të punësuar në fushat e lidhura me shkallët e tyre të kualifikimit.

Në të njëjtin universitet me inxhinierin, Riza Fejzi Alizoti, kanë studiuar qindra emra të inxhinierisë gjeologjike dhe mineralogjike të Britanisë së Madhe, Amerikës dhe mbarë Botës. Nga Britania e Madhe ka studiuar edhe Baroni i Aucklandit, Frederick George Colvin Eden. Kështu emri i tij përkrah kësaj elite studentësh britanikë, natyrshëm kërkon një respekt më të madh. Sipas Meri Lalajt mësojmë se “Alizotët, Fejzi dhe Riza, u ekzekutuan me pushkatim dhe varje. Intelektualët, babë e bir, që kishin kontribuar shumë për këtë vend, janë sot pa varre. Ndërsa nipërit e Fejzi Alizotit, gjejnë pas gjysmë shekulli gjysmën shqiptare të familjes Tragjedia e familjes Alizoti dhe kërkimi i rrënjëve nga pasardhësit që Riza Alizoti pati nga martesa me Kathleen Mary Yeates. Në fillim të viteve tridhjetë të shekullit të kaluar shumë të rinj shqiptarë u ishin drejtuar universiteteve të Europës Perëndimore për tu shkolluar edhe më tej. Njëri prej tyre ishte Riza Alizoti, i lindur në Stamboll më 10 tetor 1910, atje ku i ati, Fejzi Alizoti kryente detyra me rëndësi në Qeverinë Turke. Rizai, pasi kishte kryer në Stamboll Robert College u kthye në Tiranë për të vazhduar mësimet në Shkollën Teknike Harry Fultz. Paskëtaj me bursë të shtetit shqiptar në vitin 1929 filloi studimet e larta në Angli, pikërisht në jug-perëndim të saj në Camborne për inxhinieri miniere.” (ibid)

Më tej duke lexuar Lalajn mësojmë se shkak i një dënimi të tillë të reptë ndaj këti intelektuali ka qenë pikërisht edhe martesa me vajzën angleze, që studionte në të njëjtën kohë në Universitetin e Oxfordit, dhe këtu ndoshta është konfuzioni në lidhje me Universitetin ku ka studiuar vetë Alizoti, që sipas përshkrimit të Filit del në Oxford dhe faktit e atij që shkruan Lalaj del në atë të Universitetit të Exeteritnë zonën e Cornwallit, pikërisht tek Shkolla e Minierave në Camborne. Por vazhdimi i praktikave mësimore që zakonisht Shkolla e Minierave në Camborne i kryente gjatë asaj kohe në qytetin bregdetar Truro më në Jug të Cambornes, mesa duket ka qenë shkaku i dashurisë me vajzën vendase që sipas Meri Lalajt quhej, “Kathleen Mary Yeates” dhe se “ajo vazhdonte studimet në Oksford” (ibid). Lalaj sqaron më tej “Sipas certifikatës së martesës, ata u kurorëzuan në distriktin Truro më 28 qershor 1930. Në mars 1931 u lind djali, Muhtar Peter, ndërsa në qershor 1932 u lind vajza Diane Jacqueline Belkiz, (sipas emrit të motrës së Rizait, por vajza do të thirrej shkurt: Xheki). (ibid)

Meri Lalaj sqaron më saktë “Në vitin 1933 Riza Alizoti diplomohet, pastaj kryen specializimin në Strasburg. Në vitin 1934-35 kryen shërbimin ushtarak në Tiranë dhe sipas ligjeve të qeverisë shqiptare duhej të punonte shtatë vjet për Atdheun, që i dha bursën e studimit.

Ndërkohë Kathleen po përfundonte studimet, ndërsa nga ana tjetër nëna e saj nuk donte që e bija të largohej nga Anglia e të shkonte në një vend të panjohur të Ballkanit. Dihet se anglezët asokohe i kishin të përcaktuara mirë shkallët shoqërore dhe familja e tyre duke qenë shtresë e mesme e shihte paksa të pamundur këtë martesë me birin e një deputeti të parlamentit shqiptar dhe njëherazi ministër i qeverisë. Ndodhi dhe një fatkeqësi, djali Muhtar u mbyt në lumë. Paskëtaj martesa u prish.

Inxhinier Riza Alizoti, i ardhur në Shqipëri u emërua me punë në puset vajgurore të Kuçovës. Në vitin 1941 krijoi një familje të re. Në vitin 1943 sipas dokumenteve arkivore e gjejmë duke mbrojtur të drejtat e punëtorëve dhe duke marrë pjesë në demonstratë bashkë me ta, për këtë shkak, Rizai u internua prej italianëve në Porto Romano. Nga martesa e dytë i lindën tre fëmijë: Nezi, Sevimi dhe Fejziu. Me vendim të Kryeministrisë Shqiptare më 22.12.1945 dekorohet me Urdhërin e Punës, por nuk do të kalonin veç disa muaj kur mbi kokat e Alizotëve do të binin fatkeqësitë njëra më e madhe sesa tjetra.Në gjyqin e parë special më 15 prill 1945 Fejzi Alizoti u dënua me pushkatim. Në takimin e fundit me një familjar ai lë amanetin: “Mallkuar qoftë nga fisi im kush merret me politikë!” Në çastin e ekzekutimit përballë skuadrës së pushkatimit, ndërsa 16 vetë rrëzohen përtokë, Fejzi Alizotin nuk e kapën plumbat e mundi të flasë: “Sipas ligjit ndërkombëtar më falet jeta…” I kthehen duke e qëlluar me plumb kokës e duke i thënë: “Komunistët nuk njohin ligje…” (ibid)

Pas kësaj një luftë mes shifrash që rjeshtojnë data, vite dhe … përgjigje meskine e arbitrare qeveritare shqiptare deri në mohim, derisa do të vinin pasvitet 1990-të. Përçapjet për të gjetur lidhjet e gjakut mes dy vendeve kishin shterpësuar gjithshka. Derisa më pas do të vinte ajo që Lalaj sqaron “Në ditët e para të janarit 1990 Xheki pret faqet e gazetave angleze ku shkruhet sesi zvarrisen të vrarët nga regjimi i Ramiz Alisë, është fjala për të rinjtë shkodranë dhe të qyteteve të tjera, që donin të kaloninkufirin. Kur në Shqipëri u futën kompjuterat dhe interneti, motra filloi që të kërkojë motrën e vet. U lidh me zyra dhe persona që filluan ta ndihmojnë duke i dërguar certifikatën e martesës së Rizait dhe të lindjes së motrës Diane Jacquline Belkiz (Xheki). Motra në Shqipëri u lidh me emisionin televiziv “Njerëz të humbur”, të cilët bënë kërkime në Angli dhe deri diku arritën të bien në gjurmët e familjes.”

Më tej, shkruan Lalaj, u desh këmbëngulja e Plarentit (djalit të Nezit), i cili jeton me bashkëshorten në Gjermani, ai mundi të gjente në internet rrënjët e familjes së munguar. Së pari, ai mësoi lajmin e keq se tezja e tij Diane Jacqueline Belkiz (Xheki), motra e nënës kishte ndërruar jetë në vitin 2001, pastaj u vu në kërkim të fëmijëve të saj dhe një ditë prej ditësh një telefon tingëlloi në Camborne të Truros: “Zonjë, unë jam një shqiptar, por ne të dy kemi diçka të përbashkët; gjyshi juaj është edhe gjyshi im…”

Në fillim ajo nuk po kuptonte dhe u përgjigj: “Ju lutem zotëri mos bëni shakara të tilla!” Ai vijoi “Gjyshi im ka qenë Riza Alizoti…” Asaj iu kujtua porosia e nënës në shtratin e vdekjes se “në Shqipëri kini kushërinj të afërt” dhe zonjës Jane i ra telefoni nga dora. Duhej të kalonin disa çaste që ajo të mblidhte veten dhe të lajmëronte vëllain Nicholas në Birmingham, kështu familjet u lidhën me njëra tjetrën, në fillim vetëm me telefonata. Familja në Shqipëri nuk mendonte se brezi i tanishëm në Angli do dëshironin të njiheshin nga afër, të takoheshin me njëri-tjetrin.

Natyrshëm në këtë shkrim duke patur thjesht dëshirën e nxitur nga libri i shkrimtarit Vlash Fili, “Përsëri në Vendlindje”, u thellova dhe huazova së tepërmi faktet e mrekullueshme të Meri Lalajt, një penë e mrekullueshme shqiptare, për të cilën gjej rastin ta falenderoj, dhe njëkohësisht ta përgëzoj për një shkrim me kaq vlera dhe kaq bindës, ku gjen atë që i mungon kohës dhe brezave. Lalaj ka ndikuar me penën e saj më shumë se ngacmimi i gjetur për të plotësuar një detyrim për lexuesin.


#riza #alizoti #terziu #fatmir #vlash #fili

9 views

Shkrimet e fundit