top of page

ALI IBRAHIM ÇEPELE THEMELUES I QYTETIT TE ROSKOVECIT



Nga Nuri Plaku

Historiku i tregut të Roskovecit është i lidhur ngusht me zhvillimin e mëvonshëm urban të vetë kësaj qëndre. Nga kjo pikpamje, është pikërisht tregu ai që ka qenë promotori i këtij zhvillimi, aq sa është i vetmi rast në gjithë territorin e Shqipërisë që mundi të krijoj edhe emërtimin e tij zyrtar: “Pazari i Frashërit.” Nga pikpamja historike ky treg është i lidhur ngushtë me zhvillimin ekonomik të rajonit të Beratit përgjatë gjysmës së parë të shek. XIX. Mbas rënies së Janinës, Berati u bë një qendër e rëndësishme e zhvillimit ekonomik me karakter kombëtar i cili ndihmoi shumë në forcimin e bashkësisë ekonomike të trojeve shqiptare. Pikërisht, në këtë periudhë, në trevën e Myzeqesë u shfaqën edhe elementët e parë të ekonomisë kapitaliste. Një rol të rëndësishëm në zhvillimin e tyre luajtën tregjet fshatare, veçanërisht ai i Fierit, Libofshës, Cakranit dhe Roskovecit. Por midis tyre, më i madhi ishte ai i Frashërit. Sipas studjuesit Zija Shkodra, në gjithë Shqipërinë e Jugut pazaret më të njohur ishin ai i Frashërit në Myzeqe dhe i Këlcyrës në rrethin e Përmetit. Në Pazarin e Frashërit vinin dhe tregëtonin mallrat e tyre tregtarë nga Berati, Lushnja, Vlora, Mallakastra, Tepelena dhe Kavaja. Aty tregëtoheshin të gjitha prodhimet bujqësore e blektorale, ato artizanale e të fabrikuara, vendas dhe të huaj.

Shtrirja e tregjeve në gjirin e ekonomisë fshatare, ishte një hap i madh përpara për përhapjen në fshat të ekonomisë monetare. Pranë tyre u ngritën qendrat e para tregëtare si; samarpunues, kallajxhinj, xhokaxhinj, mullinj bloje, kafexhinj, nallban, teneqexhi, furrtarë etj., të cilat ndikuan ndjeshëm në urbanizimin e tyre. Me zgjerimin e këtij rrjeti, mjaft fshatra si; Erseka, Leskoviku, Lushnja, Fieri, etj., u shndërruan në qytete të vogla me funksione të rëndësishme ekonomike tregëtare krahinore.Por Roskoveci nuk mundi të hidhte këtë hap të rëndësishëm urban. Ai mbeti një treg rural që zhvillohej një herë në javë dhe ditët e tjera, popullsia vendase merrej me aktivitet agrar.

Dyqani i parë në Roskovec u hap në vitin 1906  nga Gori Gjyzari me prodhime manifature me kapital 600 Fr. Ari, ndërsas i dyti në vitin 1920 nga Tol Prendi, gjithashtu manifaturë me kapital të përgjithshëm 800 Fr. Ari.

Sipas rregjistrimeve të popullsisë të bëra në vitin 1922 nga qeveria shqiptare, Roskoveci kishte gjithsej 25 shtëpi me 170 banorë. Në vitin 1923 ai u bë për herë të parë qendër administrative me statusin e krahinarisë dhe vula e administratës mbante emërtimin “Pazari i Frashërit.” Vetëm mbas këtij viti filloi të krijohej edhe rrjeti i shërbimeve artizanale për banorët. U ngritë kovaçana e parë nga Beqir Sadiku që vinte nga Kavaja, teneqe punuesi Dane Balluku nga Velmishi, u hapën furrat e para të pjekjes së bukës me furrtar të ardhur nga Sinja, Berati e Vokopola. U hapën gjithashtu punishtet e para të samarpunuesve, këpucarëve, zdrukthtarëve etj. Por këto dyqane ishin të tipit  baraka prej dërrase apo prej muri të punuara me shtylla, baltë e kallama. Një pamje të tillë të kësaj kohe, na e jep Enver Hoxha në librin me kujtime “Vite të vegjëlisë.”“Arritëm në Roskovec, - shkruan ai, - ku nuk kishte veçëse disa baraka të vjetra, por bëhej pazar i madh, kishte mjaft popull që shiste e blinte.”

Kjo ishte pamja reale e këtij tregu kur filloi aktivitetin e tij tregëtari më i madh e më i njohur i kësaj treve, Ali Çepele.

Aliu u lind në fshatin Jagodinë të Roskovecit në vitin 1878 nga prindërit Ibrahim dhe Emine Çepele. Ishte djal i vetëm mes dy mortave dhe që në fëmijërinë e hershme binte në sy për zgjuarsi, natyrë të gjallë, karakter të fortë e këmbëngulës. Në moshën 9 vjeçare i ati u nda nga jeta. Në vitin 1896 u thirr në shërbimin ushtarak të cilin e kreu në Grebene dhe Follorinë. Gjatë këtyre viteve arriti të mësonte turqisht dhe greqisht.

Mbas kryerjes së shërbimit ushtarak u kthye përsëri në fshatin e lindjes dhe filloi të merrej me punët e bujqësisë. Duke rënë në sy për shkathtësinë dhe zotësinë e tij të veçantë, njëri nga pronarët e tokave, Isa Libohova, e mori në punë si administrator të pasurisë së tij. Libohova kishte prona në Jagodinë, Matkë e Roskovec dhe Aliu, pas një ekperience të gjatë administrimi, filloi të praktikojë elementët e parë të tregëtisë së bagëtive. Pazari i Frashërit ishte baza e kësaj fillese nga ku shumë shpejtë do të bëhej një nga konkurentët më të mëdhenjë të këtij tregu.

Pas një periudhe të shkurtër  aktiviteti intensiv, në vitin 1926, ai krijoi shoqërinë e parë tregëtare me emërtimin “Çepele”e cila merrej me prodhimin dhe tregëtimin e lëkurëve brenda dhe jashtë vendit. Kjo ishte e para shoqëri  tregëtare e krijur në trevën e Roskovecit dhe Aliu shënon kështu të parin tregëtar që zgjeron përmasat e këtij tregu duke e bërë aktivitetin individual pjesë të një shoqërie të liçensuar. Madje kjo shoqëri ishte ndër më të rrallat edhe në ktrejt prefekturën e Beratit.

Sipas dokumentave të kohës, “... në vitin 1926 në rajonin e Beratit përmenden vetëm dy shoqëri të prodhimit dhe tregëtimit të lëkurëve; shoqëria “Çepele” me pronar Ali Çepelen dhe shoqëria “Saraçi" të cilët e kishin shtrirë aktivitetin e tyre deri në Itali.”

Aliu merrte bagëti në Shkodër, Mal të Zi, Serbi etj., dhe pasii mbante një farë kohe në livadhet e Jagodinës e të Matkës i tregëtonte në Itali e Greqi. Fushat e Roskovecit u kthyen në savanet e bagëtive të tij, ku hynin e dilnin çdo vit mijëra krerë. Këto janë vitet kur Aliu e lidhi Pazarin e Frashërit me tregjet e huaja e i dha atij një dimension të gjerë ndërkombëtar.

Me fitimet e nxjerra Aliu operonte me mençuri duke blerë sipërfaqe të tëra tokash në Jagodinë e Matkë, ndërsa në qendër të Roskovecit bleu një sipërfaqe të quajtur “Mali i hanit.” Tashmë, për nga niveli pasurisë dhe operacionet dinamike të tregëtisë së tij, ai radhitej me pronarët më të mëdhenj të zonës si:Ylvi bej Resuli, Fuat bej Libohova,etj.

Kur tregëtonte bagëti në Athinë, Aliu u njoh me një emigrant nga Durrësi, Anastas Hebeja i cili punonte aty si kasap. U miqësuan me njëri-tjetrin dhe filluan të bënin tregëti si ortak të përbashkët.

Në vitin 1930, tregu i Roskovecit fillon të zgjerohet. Këtë vit, Vangjel Gjata hapi farmacinë e parë me kapital 400 Fr. Ari, ndërsa më 1931 Vangjel Pasku hapi kinkalerinë e parë me kapital 700 Fr. Ari.

Por deri në këtë kohë, ende nuk ishte bërë një hap i rëndësishëm në drejtim të infrastrukturës tregëtare moderne. Këtë hap e bëri në vitin 1932 pikërisht Ali Çepele i cili ndërtoi mu në qendër të Roskovecit një hotel dykatësh. Godina kishte arkitekturë moderne të nivelit bashkohor e kompletuar me një sistem të gjerë shërbimesh. Kati i parë kishte nji farmaci, kazino, rrojtore, furrë buke e dy magazina. Kati i dytë shërbente si hoteleri me 15 dhoma. Pra, për herë të parë në Roskovec u ndërtua një godinë e mirëfilltë, e cila shumë shpejt do të bëhej pika e gravitetit dhe bërthama e zhvillimit urban të kësaj qendre. Tashmë me ndërtimin e saj, Roskoveci nuk kishte më,“veçse disa baraka të vjetra”por një sistem shërbimesh mjaft domethënëse për kohën. Ky është momenti kur tregu i Roskovecit e kapërceu nivelin e çertexhinjve dhe shënoi alfën e urbanizimit të tij.

Por, pavarësisht kësaj, Roskoveci vazhdonte të ishte një qendër rurale dhe elementi industrial që do të ndryshonte marrëdhëniet në prodhim dhe do të nxiste zhvillimin kapitalist të forcave prodhuese ende nuk ishte futur. Në Shqipëri ky element ishte futur që në fillim të shekullit me zhvillimin e industrisë ushqimore dhe në qytetet kryesorë të vendit, dega më e zhvilluar e kësaj ekonomie ishte ajo e blojes. Kjo degë, mori zhvillim të hovshëm, veçanërisht kur u futën mullinjtë e blojes me motor. Me futjen e tyre, filloi edhe konkurenca e mullinjve me ujë.

Në Fier, mulliri i parë me motorr u ndërtua në vitin 1919, duke shënuar për këtë qytet elementin e parë industrial, alfën e zhvillimit kapitalist. Ndërsa në Roskovec mulliri i parë me motor u fut 16 vjet më vonë, në vitin 1935 dhe personi që e futi atë, ishte Ali Çepele. Aliu ndërtoi makinën e parë të blojes në qendër të qytezës me fuqi motorike 25 – 30 H.P. dhe kapital 1000 Fr. Ari. Ky ishte një moment mjaft i rëndësishëm për zhvillimin perspektiv të Roskovecit. Kjo makinë përbënte një risi, një hap të madh zhvillimi të industrisë së bloes dhe Aliu duhet konsideruar pionieri i parë i ndryshimit të marrëdhënieve ekonomike të kësaj qendre, dallandyshja e parë e pranverës së industrializimit të saj. Pikërisht për këto arësye, Aliut i takon merita e ndryshimeve dhe statusi i themeluesit të qytetit modern të Roskovecit.

Ndërkohë, potenca monetare e “Pazarit të Frashërit” po merte një hop të ndieshëm pozitiv vetëm fal kontributit tregëtar të Aliut. Sipas shifrave të reklamuara nga Banka e Shqipërisë në vitin 1936, Ali Çepele realizonte një shumë me vlerë 8 000 franga ari, nga 18 000 franga ari që realizonte krejt Pazari i Frashërit. Vetëm për gjatë këtij viti ai ka tregëtuar nga Roskoveci në skelën e Vlorës 200 kuaj e pela, 700 krerë bagëti të trasha dhe 4000 krerë të imta. Është pikërisht ky kontribut që e bën atë përfaqësues të një tregëtie të hovëshme dhe moderne e cila duhet konsideruar si një vlerë e çmuar historike në funksion të njohjes dhe zhvillimit të mëtejshëm të Pazarit të Frashërit.

Në vitin 1936 Aliu ndërtoi një shtëpi dykatëshe dhe erdhi familjarisht me banim në Roskovec. Kjo ishte një tjetër godinë moderne që ju shtua kësaj qendre. Mbas çlirimit kjo godinë u sekuestrua nga qeveria moniste e u përdor për spital rajonal.

Krahas ndërtimit të shtëpisë së tij, aii dha një sipërfaqe trualli edhe Anastas Hebesë i cili ngriti aty një shtëpi dykatëshe që e përdorte për pushime. Edhe vila e Hebesë ishte në nivelet e arkitekturës moderne të kohës. Gjatë Luftës Dytë Botërore, ajo ju la në kujdestari Uan Gogës e më vonë, mbas çlirimit, u përdorë për maternitet.

Pas tyre, filluan të ndërtonin shtëpi moderne edhe familjet Zavalani, Poda, Selenica, Frashëri etj. Rreth viteve 1940 Zenel Prodani ndërtoi gjithashtu një vilë, e cila pas sekuestrimit u përdor për zyrat e fermës. Pra me këto ndërtime, Roskoveci po merrte pamjen e një qendre të urbanizuar por, epiqendra e këtij urbanizimi mbetej kompleksi i shërbieve të hotelit të Ali Çepeles.

Krahas tregëtisë së gjësë së gjallë, Aliu e zgjeroi aktivitetin e tij duke u marrë  edhe me sipërmarrje të ndryshme. Rruga Roskovec - Kurjan u ndërtua me sipërmarrjen e tij, ndrsa në vitin 1939, mori në sipërmarrje tregun e Fierit. Sipas dokumentave arkivore, në dhjetor të këtij viti, ai u paraqit përsëri në ankand për vitin e ardhshëm 1940. Këshilli i ankandit ja dha sërish atij të drejtën e sipërmarrjes  me këtë shënim: “Si sipërmarrës i Bashkisë në vitin 1939 ka dhënë provën e një sipërmarrësi të ndershëm prandaj vendosim pranimin e kërkesës së tij.

Por, aq sa i ndershëm ishte Aliu aq ishte edhe i ashpër me ruajtjen e kësaj të drejte. Në vitin 1942 ai paditi në gjykatën e Beratit Bashkinë Fier pasi kasnecët e saj kishin ndaluar panairin e të Enjtes së Madhe për shkak të rrëmujës ushtarake dhe atij i ishte shkaktuar një dëm prej 5000 deri 6000 Fr. shqiptare. Në gjykimin paraprak të kësaj padie, Kryetari i Bashkisë Kahreman Vrioni e quantetë drejtë kërkesën dhe hyri në marveshje me Aliun për shlyerjen e dëmit.

Më 3 shtator 1941 Aliu e zgjeroi aktivitetin e tij duke mar një konçension të ri me afat 5 vjeçar për “punime guroreje, tulla e tjegulla.”Sipas skicës që shoqëron dekretin e nxjerrë nga Ministria e Industrisë dhe Tregëtisë, Aliu hapi në Matkë një sipërfaqe kaminash prej 2 ha. duke u bërë kështu nismëtar i zhvillimit të një dege të materialeve të ndërtimit që nuk ishte praktikuar më parë në trevën e Roskovecit.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i aktivitetit të tij, ishte edhe angazhimi në ngjarjet kryesore të kohës. Ai u përfshi në Kryengritjen Antizogiste të Fierit të 15 gushtit 1935 dhe për pasojë u arrestua nga forcat e shtetit. Më 15 shtator doli në gjyq në përbërje të një grupi  27 të pandehurve dhe u lirua për mungesë provash.

Gjatë Luftës Antifashiste në radhët e saj ishte angazhuar me armë në dorë i biri, Tofik Çepele. Tofiku kishte mbaruar shkollën mashkullore në Fier dhe më pas kishte vazhduar Liceun e Korçës ku kishte qenë nxënës i Enver Hoxhës. Mbasi u kthye nga shkolla ai formoi organizatën e Partisë Komuniste në Roskovec dhe duke zhvilluar prapagandën komuniste të kohës, ju fliste të afërmëve, se mbas çlirimit të vendit do të ndërmerreshin reformat ë rëndësishme ekonomike dhe populli do hante “me lugë floriri.”Aliu e shikonte me keqardhje indoktrinimin e të birit dhe kundërshtonte idetë e tij utopike.

Më 12 mars 1943 në kulmin e raprezaljeve të kriminelit Isa Toska, Ali Çepele së bashku me parinë e zonës, Hysni Toskën, Ramadan Velmishin dhe Kamber Kapon, i dërguan një letër ankimore Ministrisë Brendshme në Tiranë për arrestimin e tij. Letra përshkohet nga tone të ashpra revolte ndaj veprave kriminale të Toskës.“Kjo bishë e egër me fytyrë njeriu, - shkruajnë ata, - që ska lënë turp dhe njollë pa e ngarkuar në shpinën e vet, bie në bashkëpunim të ngushtë me forcat e milicisë, godet një grumbull njerëzish shtie zjarr e flakë në kasollet e bujqëve të ngratë...ky shkaktarë i kaq e kaq krimeve të poshtra e të ndyra zgjeron rrezen e veprimit të tij krah për krahë me ushtrinë e këmishave të zez...

Kuestura italiane e Beratit dërgoi në ministri informacione të hollësishme për secilin nga autorët e letrës dhe Çepelen e përcakton si: “Person me sjellje të mirë morale, ndjenja nacionaliste shqiptare dhe gjendje të mirë ekonomike.”

Po këtë muaj Isa Toska e përndoqi familjen e Aliut për ta persekutuar e në pamundësi për ti kapur ju dogji shtëpinë.  Mbas vrasjes së Isa Toskës, Aliu e riparoi shtëpinë por, në vitin 1944  ja dogjën sërish forcat gjermane.

Mbas çlirimit të vendit, i biri, Tofiku, i zhgënjyer nga regjimi në nëntor të vitit 1946 tentoi të arratisej por u kap dhe u akuzua: “Për veprimtari kundër pushtetit popullor.”Ai u dënua me “burgim të përjetshëm, punë të detyruar, humbjen e të drejtave civile e politike përjetë dhe konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme.”

Mbas tij u arrestuan edhe dy djemtë e tjerë, Refiti me Ibrahimin. Tashmë familja e tregëtarit u zhvesh krejtësisht nga pronat dhe u vu nën survejimin e rreptë të sigurimit të shtetit monist.

Aliu u zhyt në mjerim ekonomik. Me mundim siguronte ushqime të pakta dhe ua çonte djemve në burg. Një ditë, kur vajti te Tofiku në burgun e Beratit, polici i shërbimit ja mori pakon në dorëzim e itha se Tofikut i duhej një lugë druri. Aliu vajti në treg, mori lugën dhe kur ja dha policit itha:

- I thuaj Tofikut që kjo është luga e florinjtë.

Aluzioni ishte i qartë. Tashmë ishte shfaqur në mënyrë dramatike fundi i ideve utopike të të birit dhe forca e gjykimit kundërshtues të të atit.

Në vitin 1951, familjen e Aliut e larguan nga Roskoveci në Matkë, duke shënuar kështu internimin e tij të parë. Krahas kësaj, varfëria sa vinte e bëhej më e rëndë. Aliu detyrohej të dilte ditët e pazarit në krye të një rruge për të blerë vez apo shpendë, pastaj dilte në një tjetër rrugë t’i shiste sërish për të nxjer ndonjë lekë. Në vitin 1960 bëri veprimin e fundit tregëtar. Zbrazi dyshekun e tij nga leshi dhe e mbushi me kashtë. Leshin e shiti për t’i ardhur në ndihmë familjes.

Mbas Matkës filloi faza e dytë e internimit. Këtë herë i çuan në Kavajë. Këtu u nda nga jetë më 2 korrik 1962, i dëshpëruar e në mjerim të plot ekonomik, duke përjetuar deri në eshtër dhimbjen e rëndë të diktaturës.

Për dhjetra vjet, emri dhe vepra e këtij njeriu u mbulua me kapakun e ndryshkur të kohës.

Por pavarësisht qendrimit zyrtar të nomenklaturës komuniste, opinioni shoqëror e ruajti atë me respekt në kujtesën e brezave. Ai mbeti një personalitet i rrallë e i jashtëzakonshëm që me talentin e tij, idha tregut të Roskovecit dimensione ndërkombëtare, ndërtoi bërthamën urbane dhe, mbi të gjitha, hapi rrugën e zhvillimit kapitalist të zonës duke futur aty mekanikën moderne, bazën e industrializimit kapitalist. Të gjitha këto elemente e bëjnë Ali Çepelen themelues të qytetit të Roskovecit dhe, sii tillë, ai mbetet një emër i nderuar, një emër simbol në historinë e zhvillimit modern të kësaj qendre.

86 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page