top of page

Ali Hafiz Korça, elitë e mohuar, sot mban urdhrin “Nder i Kombit”


Vilhelme Vrana Haxhiraj

Vilhelme Vrana Haxhiraj


Më 7 janar 1957 u nda nga jeta, intelektuali i shquar që dha shumë për kombin, por u mohua.

Ali Korça është i pari shqiptar që denoncoi ideologjinë komuniste si shkatërrimtare të kombit.

Besimtari, dijetari, studiuesi, shkrimtari dhe përkthyesi Ali Hafiz Korçaështë shprehur: “Deri sa kërkoja të drejtat kombëtare si, gjuhën e traditën gjatë Perandorisë Osmane, më quanin laik dhe sekularist...e po ashtu kur kërkoja të drejtat fetare e civilizuese pas largimit të Perandorisë, më quajtën osmanofil dhe turkofil!”(A.H.K)

Hafiz Ali Korça lindi në Korçë më, 5 prill,1873 dhe vdiq në Kavajë, më 7 janar 1957. Aliu ka qenë hoxhë, hafiz, hatib, publicist dhe përkthyes i kryeveprave të letërsisë fetare e artistike orientale. Aliu ishte i biri i Iljaz efendi Kadiutnga Korça. Rrjedh nga një familje që ndër breza kishin pasur dijetarë të fesë. Mësimet fillore dhe të mesme i mori në vendlindje, në shkollën Iptidaijedhe atë Idadije. Studimet e larta i kreu në medresen "Çifte Minareli" në Stamboll. U aktivizua në lëvizjen kombëtare qysh më 1889, koha kur nisi të jepte mësime falas në shkollën shqipe të djemve në Korçë dhe pas një viti edhe në Idadijen e Korçës.

Kur mes shqiptarëve të shquar debatohej për llojin e alfabetit të gjuhës shqipe, që po shtyhej nga disa qarqe në Stamboll, ndërsa Hafiz Aliu përkrahu alfabetin latin. Mori pjesë në Kongresin e Dibrës, ku mbajti fjalën kryesore. Përkrahu Kongresin e Elbasanit, 2 shtator 1909, ku u hodhën themelet e arsimit kombëtar. Më 1916 në qeverinë e Esad pashë Toptanit,  ministri Shahin bej Dino, e emëroi  Hafiz Aliun drejtor të Arsimit për Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Dibrën , Matin dhe Pogradecin.Ishte anëtar i Komisis Letrare të Shkodrës, ku më 1916 bëhet kryemyfti në Këshillin e Naltë të Sheriatit. I vendosur në Tiranë më 1918 gjendet në Këshillin e Naltë të Sheriatit. Ka qenë bashkëthemelues dhe mësues në Medresenë e Tiranës, ku ndërmori reforma në kurrikula dhe hartoi tekste për nxënësit, që t'u lehtësoheshin studimet edhe në shkollat e larta jashtë shtetit. Pas daljes në dritë të veprës së tij "Shtatë ëndrrat e Shqipërisë", që u bë shkak i pushimit të tij nga puna.

I pajisur me njohuri në gjuhët tradicionale të lindjes, përktheu kryeveprat fetare e letrare si "Mevludi" më 1900, "303 fjalë të Imam Aliut" botuar në Korçë më 1910. Përktheu më 1918 veprën e Sadiut,"Gjylistani dhe bostani"dhe "Rubairat" e Omar Khajamitmë 1930 nga persishtja. Për përkthimin e veprës së Omer Khajamit pati debate të gjera me Nolin, i cili e kishte përkthyer nga një variant anglisht. Hafiz Ali Korçaargumentonte se sa ka humbur nga origjinali përkthimi i bërë nga Noli, pasi ndikon në keqshqiptim krahasuar me variantin e përkthyer prej tij.

Më 1925 shkroi Bolshevizma a çkatrrim i njerëzimit” duke u shënjuar si denoncuesi i parë shqiptar i ideologjisë komuniste. Më 15 shkurt 2017 Presidenti i Republikës Bujar Nishani e vlerësoi pas vdekjes me dekoratën "Nderi i Kombit" me motivacionin:

“Për rolin dhe kontributin e tij të rëndësishëm e vetëmohues në dobi të çështjes kombëtare: si martir i kombit e kulturës shqiptare, si klerik atdhetar i shquar e veprimtar i flaktë për çlirimin e vendit nga zgjedha e huaj, si figurë e papërsëritshme intelektuale, duke u shndërruar në një nga dijetarët më të ndritur të filozofisë islame në Shqipëri”.


Hafiz Ali Korça

Hafiz Ali Korça, dijetari që nuk ia zhdukën dot as varrin dhe as emrin... i cili vetëm 61 vjet pas vdekjes, më, 2017, u dekorua me urdhrin “Nder i Kombit”.

Midis hoxhallarëve të përndjekur nga pushtuesit, nga fanatikët dhe komunizmi për idetë, pikëpamjet dhe veprimtarinë e tyre është dhe Hafiz Ali Korça. i rritur në një mjedis patriotik, fetar e kulturor korçar të pastër, ai u brumos me bindje dhe parime bazë, që e ngritën lart emrin e tij. Për këto ai, në vitin 1893, kur ishte në moshën 20 vjeçare, u internua në Sinop, sepse ndërsa udhëtonte me trenin Sofie-Stamboll, iu kapen librat shqip, që ishin të ndaluara. Më 1900, u internua në Anadoll, për veprimtarinë në mësonjëtoren e Korçës. Pas Kongresit të Dibrës ia shkatërruan shtëpinë. E gjejmë pjesëtarë në Komisinë Shqyp në Shkodër, bashkë me At Gjergj Fishtën. Më pas, Kabineti i Telat Pashës e dënoi me vdekje, por me ndërhyrje u fal. Më 1924, u përjashtua nga Këshilli i Lartë i Sheriatit. Më 1925 botoi në Tiranë pamfletin "Bolshevizma a çkatërrimi i njerëzimit". Hafiz. Ali Korça, zhvilloi një veprimtari intensive në disa drejtime dhe kryesisht në fushën e kulturës, të fesë dhe të publicistikës. 

Botimet e autorit:

Ai ka shkruar një varg veprash origjinale në prozë e poezi fetare dhe laike. Ndër to shquhen:  *Mevludi (1900).  "303 fjalë të Imam Aliut" (Botuar në Korçë më 1910).  "Historia e shenjtë dhe të katër halifetë" (Botuar në Tiranë më 1931, fq.288).  "Jusufi me Zelihanë" (Botuar në Elbasan më 1923).  "Gjylistani", përkthim nga Saadiu, (1918).  "Shtatë Ëndrrat e Shqipërisë", poezi, (Botuar në Tiranë më 1944).  "Tefsiri i Kur’anit", (mbetur dorëshkrim, me një vëllim prej 2000 faqesh, R.Z.) punuar gjatë viteve 1920-1924.  "Rubairat e Khajjam"(Hajjam, përkthim nga O. Kajami, 1930- Ribotim 1942 në Tiranë).  Një rëndësi të veçantë kanë gjithashtu edhe tekstet shkollore të përgatitura prej tij si :  "Abetare shqip" (1910).  "Fe Rrëfenjësi, morali" (1914).  "Gramatika, Syntaksa shqip—arabisht edhe fjalime", (1916).  “Rubairat” e Omar Khajamit(1930)

Përkthimet: Hafiz Ali Korça ka lënë edhe një numër të konsiderueshëm dorëshkrimesh e përkthimesh. Hafiz Ali Korça, duke përkthyer kryeveprat si "Gjylistani", "Rubairat" si dhe "Jusufi me Zelihane", i bëri të flasin shqip poetët e mëdhenj si Saadiun, O.Kajamin etj. 

Hafiz Ali Korça, ka zhvilluar një aktivitet të ngjeshur politiko-atdhetar dhe arsimor. Ka qenë një ndër mësuesit e parë të mësonjëtores së parë shqipe në Korçë dhe bashkëpunoi ngushtë me Pandeli Sotirin, drejtorin e mësonjëtores së parë shqipe të Korçës. Aty ka dhënë pa pagesë edukatë islame . Pas shpalljes së Pavarësisë, iu ngarkuan detyra të rëndësishme. Ishte këshilltar i Ministrisë së Arsimit, Drejtor i Përgjithshëm po i kësaj Ministrie, Shef i Fetva-minit pranë Këshillit të Lartë të Sheriatit në Shqipëri, pedagog në Medresenë e Lartë të Tiranës etj. Gjatë jetës së tij Hafiz Ali Korça bashkëpunoi me një varg figurash që luajtën rol të rëndësishëm në historinë e kohës së re të Shqipërisë, siç janë: Kristo Luarasi, Jusuf Turabi Kërçova, Pandeli Sotiri, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Mati Logoreci, Sali Nivicaetj. 

Aktivitetet më të rëndësishmetë Hafiz Ali Korçës në dobi të kombit:

-Mësues në Mësonjëtoren e Parë Shqipe të Korçës  -Pjesëmarrës në Kongresin e Dibrës  -Këshilltar dhe Drejtor i Përgjithshëm në Qeverinë e përkohshme të Vlorës të kryesuar nga Ismail Qemali (1914)  -Pjesëmarrës në Komisinë Letrare Shqipe në Shkodër(1916-1918)  -Drejtor i Arsimit për Durrësin, Elbasanin, Dibrën, Matin dhe Pogradecin(1916) 

Thëniet më të spikatura të Hafiz Ali Korçës -O Mëmëz, o halle-madhe ç'gjëmë e zezë të ka zënë, Bijt 'e tu s'mentohen fare, rrugëvet të kanë lënë .Të pamëshirçmit s'të shohin, nuk kujdesen për ty fare Të kanë lënë të shkretë, xhveshur, zbathur e pa ngrënë. (Hafiz Ali Korça).  *-Për Shqipërinë u përpoqa sa flijova jetën time. Nuk tregohet se sa hoqa, se shteti m’i njihte krime (Hafiz Ali Korça në kryeveprën e tij 7 ëndrrat e Shqipërisë) :-“Shih pra nuk mbetën fare ndërtesa, Ndër këmbë' u muar e shenjta besa, Xhami e kisha s'lan' i rrënuan, E kësi punësh djajt i shënuan, Priftërinjtë e hoxhët si kec i grinë, Inteligjentët në dhet’ i shtrinë. “ Hafiz Ali Korça "Bolshevizma çkatarrimi i njerëzimit“:”-Nuk duhet të mbushim, gjuhën tonë ëngjëllore, me gjëmba e me ferra që nuk i qërojmë dot më vonë.”



Epitafi në varrin e Hafiz Ali Korçës

... kalatë, kishat, xhamitë, shtëpitë e vjetra monumentale, e madje edhe qytete të tëra, janë duke u zhdukur nga dita në ditë. Të gjitha shkatërrimet dhe tmerre nuk kanë mundësi t’i ndodhin një populli që pretendon se i takon një qytetërimi dhe një kulture të lashtë. E ku është kultura, ku është lashtësia…?!? Po, por shqiptarët duhet të kuptojnë se nuk mund të jetojë si “njeri”, duke e refuzuar, larguar, kundërshtuar, përçmuar, përbuzur fenë dhe kulturën shpirtërore e materiale. Ku qëndron faji? Me rëndësi është se ne nuk duhet të merremi, ose të kërkojmë se kush është fajtori.”

As një njeri, një popull, një shtëpi, një qytet, një shtet nuk mund të jetojë pa e respektuar të shenjtën, pa e respektuar edhe të vdekurin.

Në kujtim të veprës atdhetare të tij, eshtrat e Hafiz Ali Korçës u zhvarrosën nga fshati dhe i rivarrosën në qytetin e Kavajës, ku vendosën si epitaf një thënie të tij: “Një varr i heshtur që ulërinte me heshtjen e tij”.

Më pas përsëri u thurën intriga për ta lëvizur këtë varr, duke kërkuar dashamirësisht ta zhvendosin tek varrezat e qytetit, por përsëri çdo përpjekje shkoi kot. Ai varr përsëri qëndron i heshtur, por triumfues. Nën të qëndron një trup, ndërsa mbi të një emër dhe një mbishkrim...

 Referenca:

-S. Bega,”Hafiz Ali Korça”, pasqyrë atdhetarizmi për brezin e ri, Tiranë: "Kultura Islame", 1941 Nr. 3-4, fq. 102-107.

-Th. Çollaku, “Kalendari i botës shqiptare”, Tiranë: Omsca-1, 2010.

-Robert Elsie (1995),”Histori e Letërsisë Shqiptare” përktheu Abdurrahman Myftiu, Tirana & Peja: Dukagjini, 1997.

-D.Hoxha, “Hafiz Ali Korça” - Veprimtaria e tij në lëmin e atdhedashurisë dhe arsim-kulturës shqiptare, orientalizmi(.wordpress.com, 5 shkurt, 2014. Marrë më, 10 shkurt, 2018).

-M. Yvejsi, “Hafiz Ali Korça 1873-1956”, (sa-kra.ch,Prishtinë, marrë më, 10 shkurt, 2018).

- H.Matoshi, “Atdheu në poezinë e Hafiz Ali Korçës”, Prishtinë: Buletini, 2012. fq. 249-253.

-Hafiz Ali Korça –Dokumentar 2017, nga Komuniteti Myslian i Shqipërisë

-An Approach to Study of Tasavvuf in Albanian Literature: From Conception to the Tasavvuf Attendance, European Journal of Language and Literature Studies, Sep-Dec 2015 Vol.3, Nr. 1, fq. 120.

-I. Ahmedi, “Hafiz Ali Korça”: jeta dhe vepra, Shkup: Logos-A, 2006

-Presidenti Nishani vlerëson Hafiz Ali Korçën (pas vdekjes) me dekoratën“Nder i Kombit”, 15 shkurt 2017.

Vlorë, 7 janar, 2020


51 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page