BUZËQESHJA E HIDHUR*
Ali Aliu
Faruk Myrtaj shkrimtar, i përngjan një nxënësi të urtë, i cili parapëlqen të heshtë dhe të përgjigjet vetëm atëherë kur e pyesin. Atëherë e vë re se është një nxënës i vyeshëm, me një shikim vrojtues dhe mendje të mprehtë që, ashtu në heshtje dhe për vete, regjistron ngjarje dhe njerëz, të rëndomtë por edhe të veçantë.
Natyra e këtij evidentuesi është e veçante:.gjërat e mëdha i sheh dhe i zbulon te dukuritë, ndërsa gjërat e vogla, njerëzit e vegjël – në kuptimin dhe në të kuptuarin e tyre.
Do shprehej qysh në hapje të vëllimit me tregime “Nudo Zyrtare”:
“Por si qytetar i fund-shekullit, nuk mund tu shmangem veseve të qytetarit të fillim-shekullit, joshem në të njëjtën kohë nga ato që parashikohen për vitet 2000. Është një marrëzi tjetër, realiste, që në të vërtetë për mua nuk është e tillë. Mbase thjesht për faktin se nuk dëshiroj të jetë e tillë!”
Njësoj e ka fjalën shkrimtari për iluzionet e lindura të njeriut që beson se ecja e tij nëpër shekuj shkon drejtë përsosjes, siç mund te ketë fjalën për ne, për qytetarin shqiptar që ëndërron dhe beson (në bosh) njësoj., si në fillim të shekullit që e kemi lënë pas, ashtu edhe në fillim të këtij që posa kemi shkelur.
Buzëqeshja, përmes së cilës vrojton dhe rrëfen shkrimtari I këtyre tregimeve është tejet e hidhur, për të në radhë të parë, me që e ka të qartë se njerëzit, në thelb, ndryshojnë tepër tepër ngadalë (në drejtim të ëndërruar), për të mos thënë, në çaste dëshpërimi, se nuk ndryshojnë fare. Natyrisht, ironia, sado e hollë, që e përshkon tërë vëllimin në fjalë, është tejet e hidhur edhe për ata që e “dëgjojnë” rrëfimin e shkrimtarit Faruk Myrtaj.
Thellësitë e tij kuptimore e metafizike shkrimtari I rrëfen lehtë, thjesht, kryesisht përmes sjelljeve, gjesteve më të përditshme, të njerëzve të përditshëm. Kështu një personazh, fshatar që nuk pranon të jetë bashkë me disa që I njeh si hajdutë, denoncues dhe që partinë e kanë si mbulesë që i sheshon ose synon t’i sheshojë të gjithë dhe, ç’ndodh: pastërtia, pathyeshmëria e tij është e një shkalle gati të paarritshme për realitetin që na rrethon dhe ai, si i tillë, rrezikon të jetë përjashtim, të mbetet I vetmuar, i braktisur, i anatemuar…
Narracioni në prozën tregimtare të Faruk Myrtajt është në substancë realist dhe kryesisht mbështetet edhe në përvojën humoristike dhe fantastike të llojit gogolian, bullgakovian.
Personazhet dhe situatat e shpeshta të tyre, po ashtu, në momente janë babaxhanë të tipit dhe sojit të Shvejkut, që mendimet I thonë si përmes një marrëzie, ashtu thjesht e drejtë, si pa gjë të keqe. Jo rrallë hasen edhe situata, atmosferë orvelliane, brenda së cilës njeriu ndjehet si vidhë e një makine monstrume.
Pra, shkrimtari Faruk Myrtaj rrëfen pa pretendime që doemos ta dëgjojnë të tjerët. Atë, maninë për të rrëfyer, e shfaq si një ecje të rëndomtë, të përditshme, duke kapur kalimthi detaje njerëzish që ecin po ashtu pa pretendime për të qenë material I zgjedhur, i lindur për shkrimtarin. Ajo që rrëfehet, prandaj, pashmangshëm e ka aromën e dokumentit të kohës, të hapësirës, prej nga pastaj fiton dimensionin universal.
Sidomos e ndien hijen, frymën e njerëzve publikë, i identifikon prirjet e tyre, veprimet dhe rrjedhimet e atyre veprimeve dhe, si lexues, fare spontanisht merr pjesë dhe pozicionohesh pa ta sugjeruar këtë shkrimtari sheshit. Teknika narratoro-logjike e tillë ka mundësi ta vërë në lajthitje lexuesin e pa-përgatitur: ku është distanca e nevojshme krijuese, ku është mbulesa si diskrecion artistik që e bën reale-ireale njëkohësisht, lëndën, kohën, njerëzit për të cilët rrëfehet.
Pse njerëzit që hasim në tregimet e Faruk Myrtajt jo vetëm janë të ngjashme me ata që i njohim nga rruga dhe përditshmëria, por jo vetë ata…
Është e njohur, si teori dhe praktikë, vështirësia, plogështia e krijuesit në kapjen, në bluajtjen e lëndës në mullirin krijues, nëse mes saj dhe shkrimtarit nuk ekziston distanca kohore dhe, që është thelbësore, distanca e brendshme.
Prandaj është bindja e përgjithshme se distanca - që nënkupton distancën nga koha e pranimit të impulsit të jashtëm, pranimin e tij në paradhomë, pastaj në laborator - dhe procesin e sedimentimit deri në artikulimin final, është, sipas dëshmive të shumta të vetë krijuesve, proces i domosdoshëm.
A e ka ecur këtë golgotë bota që rrëfehet, bota për të cilën rrëfen shkrimtari në këto tregime? Natyrisht që po.
Bota, realiteti që e rrëfen ai nuk është I natyrës, I çastit refleksit të papritur, të përnjëhershëm. Përkundrazi, bartësit e përditshmërisë janë prani e përhershme brenda një harku kohor (autori thotë, me dozë ironie dhe dëshpërimi, I shtrirë mbi tërë shekullin) të caktuar.. Veset dhe virtytet janë njerëzore dhe manifestohen në këtë apo atë shkallë, në varësi nga rrethanat. Tek ato shqiptare, aktualisht, kanë këtë apo atë ngjyrim intensitet, pasoja. Prirjet destruktive, ana e shëmtuar, shfaqen të pranishme sidomos nga perspektiva e pushtetit. Ai, pushteti, sprovon dhe sfidon njeriun deri në lakuriqësim dhe mjerim shpirtëror. ..
Pikërisht kjo hapësirë veprimesh dhe njerëzish e ka tërhequr vëmendjen e shkrimtarit Faruk Myrtaj. Syri i tij, me këtë rast, arrin të zhbirojë nga një kënd atë që ndodh para syve tanë, që ndodh aq publikisht…
Është një tregim në këtë vëllim të Faruk Myrtajt (“Zgjidhje Zyrtare”) tërheq vëmendjen për një origjinalitet të veçantë. Krejt tregimi mund të përjetohet si një metaforë për një situatë psikologjike njerëzore. Përmes një gjuhe të pastër dhe deri në ekstremitet grotesk, rrëfehet një realitet thellësisht i ankthshëm. Fabula është fare e thjeshtë: burrë e grua, me plotë fëmijë, jetojnë në një hapësirë tmerrësisht të ngushtë dhe kërkojnë ndihmën e pushtetit lokal. Përfaqësuesi i tij i këshillon bashkëshortët që në atë hapësirë të ngushtë t’i fusin edhe drutë e dimrit, pastaj lopën e vetme, pastaj edhe ato pak pula dhe dhinë, duke shpresuar se ky mund të jetë kushti përtua zgjidhur kërkesën..
Kur veprojnë kështu, banesa ku flenë bashkë të gjithë, shndërrohet në ferr. Pas një kohe, kreu i familjes merr porosinë: nxirre lopën, pastaj…dhe familja, duket si e rilindur! Si nuk kanë ditur, si nuk kanë qenë të vetëdijshëm se kanë banuar si në parajsë, para se të bëhen bashkë në një dhomë njerëz e kafshë?! Pushteti “bujar” e shpëton familjen…
Ky tregim grotesk, më ciniku që kam mundur të lexoj, më solli ndër mend cinizmin e një mikut tim të dëshpëruar nga Tirana kur më tha: nuk e njihni ju lumturinë, çastin e lumtur parajsor, kur pas disa orëve terr shkrep drita me shkëlqim qiellor në dhomën tonë. Pa le kur vjen uji! Ç’rëndësi është të mos e ndjesh fare praninë e tyre të përhershme…
Vëllimi me tregime “Nudo Zyrtare” i Faruk Myrtajt vjen fare qetë, pa zhurmë dhe të pushton përmes një fisnikërie dhe mirësie njerëzore, të thënë thjeshtë, me gjuhë të pangarkuar edhe kur buzëqesh ironikisht dhe i dëshpëruar.
Veçohen sidomos disa tregime, edhe ata që zumë ngoje e ndonjë tjetër si “Njeriu prej buke”, që merren me vete dhe mbahen mend. Prozë që është fare origjinale për nga gjuha e rrëfimit dhe që do të ketë të ardhme.
Ali Aliu
(parathënia për ribotimin e librit “Nudo Zyrtare” nga shtepia botuese “Vatra” Shkup, 2006)
____________________________________________________________________
RRETH AUTORIT:
Biografia
Lindi më 1934 në Kranjë të Prespës. Shkollën tetëvjeçare e filloi në vendlindje dhe e kreu në Manastir më 1951, ndërsa Shkollën Normale në Shkup më 1955. Studimet universitare (albanologji) i mbaroi në Beograd në vitin 1960. Pas studimeve zuri punë si gazetar në redaksinë “Flaka e vllaznimit” në Shkup. Prej vitit 1969 deri në vitin 1972 punoi redaktor në Edicionin e Botimeve “Rilindja” në Prishtinë. Doktoroi në Universitetin e Prishtinës më 1973 duke mbrojtur tezën “Jeta dhe vepra e Petro Markos”. Që nga viti 1972 deri në pensionim ishte ligjërues, docent, profesor inordinar dhe profesor ordinar në Fakultetin Filozofik, përkatësisht në Fakultetin Filologjik të Prishtinës, për lëndën Teori e letërsisë. Në vitin 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2000 anëtar i rregullt i saj. Është anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe i Akademisë të Shkencave dhe të Arteve të Maqedonisë.Ali Aliu është studiues i letërsisë bashkëkohore shqiptare, fushë nga e cila ka botuar shumë vepra. Ka drejtuar disa kandidatë në tema magjistrature dhe doktorature. Ka shkruar dhe tekste shkollore për teorinë e letërsisë.Ishte njëri nga themeluesit e LDK-së në vitin 1989 dhe anëtar i Kryesisë së saj në dy mandate, deri në vitin 1995. Ka drejtuar zyrën e Kosovës në Tiranë (1991).Ka ligjëruar mbi 10 vjet si profesor në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.Ali Aliu është bartës i disa mirënjohjeve, siç janë: Çmimi për librin më të mirë të vitit, Kritika letrare, botuar nga Sh.B. “Rilindja”; Çmimi “Dimitar Mitrev” të SHSHM për librin më të mirë me kritika Shtegtim metafore për vitin 2007; Çmimin “Onufri” akorduar nga Festivali “Poeteka”, Durrës; Çmimi republikan “11 Tetori”; Çmimi “Krenaria e Prespës”, ndarë nga Shoqata “Prespa na bashkoi”, Çikago; Çmimin special për kritikë nga Shoqata e Shkrimtarëve Lezhianë, si dhe Çmimin “Azem Shkreli” për vepër jetësore në letërsi që ia ndau Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Kosovës në vitin 2015. Është dekoruar ‘Nderi i Kombit’ nga Presidenti i Shqipërisë.
Bibliografia
Libra të botuar:
Kërkime, Rilindja, Prishtinë,1971.
Shqyrtime, Rilindja, Prishtinë, 1974.
Rrjedhave të letërsisë, Rilindja, Prishtinë, 1977.
Katër romane të Petro Markos, Flaka e vllaznimit, Shkup, 1974.
Kritika, Rilindja, Prishtinë, 1980.
Artikuj kritikë, Rilindja, Prishtinë, 1983.
Ese letrare, Rilindja, Prishtinë, 1987.
Kërkime, Naim Frashëri, Tiranë, 1990.
Don Kishoti te shqiptarët, Flaka e vëllazërimit, Shkup, 1996.
Reflekse letrare, Flaka, Shkup, 1999.
Antologji e poezisë shqipe, Klubi letrar, Tetovë, 1999.
Antologji e poezisë shqipe, Albin, Tiranë, 2002.
Teoria e letërsisë, Enti i Teksteve Shkollore, Prishtinë, 1985.
Teori e letërsisë, (ribotim i plotësuar) Enti Shkollor, 2001 dhe Vatra, Shkup, 2002.
Antologji e poezisë shqipe, Klubi letrar – 94, Tetovë, 2000.
Antologji e poezisë shqipe, (ribotim i plotësuar), Albin, Tiranë, 2002.
Letërsia bashkëkohore shqiptare, koautor, për klasat e katërta të shkollave të mesme) Alb-ass, Tiranë – Tetovë, 2001; Libri Shkollor, Prishtinë më 2002.
Letërsi, koautor, për klasat e para të shkollave të mesme, Alb-ass Tiranë-Tetovë,
Kush do ta vrasë ujkun, tekst plus për maturantët: zgjedhje dhe analizë e poezisë së Ali Podrimjes, Alb-ass Tiranë, Tetovë dhe Libri Shkollor, Prishtinë, 2002.
Si ta lexojmë poezinë?, Alb-ass, Tetovë-Tiranë, 2004.
Magjia e fjalës, Dukagjini, Pejë, 2003.
Kronika letrare, Logos, Shkup, 2003.
Vepra të zgjedhura, I, II, III, IV, Serembe, Shkup, 2004.
Miti ballkanik te Kadareja, Onufri, Tiranë, 2007.
Fjalë për fjalën, Serembe, Shkup, 2008.
Shtegtimi i metaforës, Toena, Tiranë, 2009.
Don Kishoti shqiptar, Toena, Tioranë 2010.
Maqedonisht:
Don Kihotot medju albancite, Kultura, Skopje, 2004.
Antologija na albanskata poezija (maqedonisht), Pro Littera, Shkup, 2004.
Skenderbeg (bashkë me Gane Todorovskin), ASHAM, Shkup, 2005.
Bullgarisht:
Don Kihotot meždu albancite, Blgarski pisatel, Sofija, 2008.
Anglisht:
Don Quixote among Albanians, St. Clement of Ohrid, National and University Library, Skopje, 2011.
Yorumlar