top of page

Aleksa


Aleksa

Tregim i shkurtër nga Fatmir Terziu


EasyJet na kishte tashmë në trupin e tij të 180 pasagjerët. Në të djathtën time kisha pikërisht atë, me të cilin kishim lënë bisedën përgjysëm. Dhe ai, ashtu me një drithmë dhe lotë që nuk i pushonin nga sytë nisi aty ku e kishim lënë…

***

Pas pesë vjetësh emigracion shtrëngoja pasaportën britanike në dorë. Kisha mjaft gjëra të më sillnin kërshëndella në sy. Isha mes fazës së parë të qymyrit me zemrën time angleze. Ndërsa kisha kaluar mugun e prushtë ndjehesha shumë ndryshe. Kisha edhe arsye të shumta të ndjehesha ashtu, se në të njëjtën ditë do të vinin për vizitë edhe nëna, edhe vjehrra. Po nejse, kisha dhe arsye të nisja me porositë që të kënaqja gjysmën time më të mirë tashmë. Rrëshqita gishtat në telefonin tim dhe porosita. Kaq më mjaftoi. Teknologjia ka avancuar. Koha u kursye. Mesazhet erdhën njëri-pas tjetrit. Nëna dhe vjehrra do të vinin të nesërmen në orën dymbëdhjetë të natës. Aleksa do të vinte e paketuar në itinerarin midis të dymbëdhjetës së drekës dhe orës katër pasdite.

Të nesërmen Aleksa mbërriti e para në shtëpinë time. E prita me kujdes dhe natyrisht zuri paq në vendin e saj. Nuk ishte e vështirë ta kuptoje ekzistencën e saj. Ishte gjithçka që dëshironte ime shoqe. Madje dhe atë që Aleksa ishte në funskionin e saj. Aleksa i njihte thuajse të gjitha këngët dhe i këndon ato vetëm për ne.

Kur vendosa Aleksën në shtrat zëri i saj kumboi dhe dritat gati po digjeshin nga dihamat e mia. E dashura ime Tina ishte imitimi i saj. Fundja drita ishin fikur dhe zhurmërat e natës në krevatin tonë ishin shtuar. Sidoqoftë, Aleksa kishte shqetësimin e ri të saj. Në të gjitha ulje-ngritjet e zhurmërave Aleksa herë ndizte dritat e saj e herë pyeste në anglisht me se mund të ju ndihmoj. Në ngatërrim të toneve tona edhe ajo ndoshta habitej dhe me lutje e kulturë thoshte „përsëriteni dhe një herë, se nuk ju kuptova.“

E ç'të kuptonte e shkreta. Gjuha jonë kuptohej vetëm mes kapakëve të fjalorit të padekoduar. E ndërsa ne ishim qetësuar, edhe Aleksa ngadalë e ngadalë i fiku dritat. Dukej një pakt. Një mirëkuptim trepalësh.

Ditë pas ditësh gjërat ndryshuan. Tashmë, Tina, në fakt, ka eksperiencë më të madhe me Aleksën. Madje ajo ka pasur tre të tilla para se të dashurohej me mua. Tek i Ati kanë shtëpi të madhe dhe ata kishin tre Aleksa. Njërën e mbanin afër pishinës. Atëkohë, i Ati i Tinës, kishte dashur ta shkelmojë Aleksën drejt e në pishinë. Sa herë që ai i fliste të shoqes, nënës së Tinës, i dukej sikur Aleksa e përqeshte.

„Ju jeni shumë xheloze“. – i kishte thënë ai Aleksës.

Atëherë, gati të gjithë kishin shkulur zorrët nga barku. Aleksa më vonë, siç duket u ambientua, madje nuk po u kushtonte më vëmendje atyre. Ajo dukej më indiferente, edhe pse elektronikisht duhej të bënte punën e saj, për të cilën ishte krjuar. Dukej, sikur nuk dëshironte të trazohej më me ata të dy që ishin duke bërë seks afër pishinës, sa herë që nuk kishin njeri tjetër aty afër. Në fakt, Tina e urrente këtë sjellje të prindërve të saj. Ishte një formë e ndyrë. Aq sa është e neveritshme, më thoshte ajo. Ata ishin të ngopur nga shqetësimet e fjalëve të të tjerëve. Nuk donin t'ia dinin më për asgjë.

„Ja do ikim edhe pak. Nuk e shikoni Covid-19 po na i merr shokët më të mirë. Nuk bëhet më fjalë vetëm për bashkëmoshatarët. E kështu të bëjmë edhe pak kohë qejf…“, thoshin, gati të dy, tregonte Tina.

E ndërsa, Tina më tregonte këto ndodhi, Aleksa i kishte fikur dritat, mua gati po më çahej koka nga mendimet. Nuk e di pse mendja më sillej vërdallë tetë orë para se të vinte nëna, se si do të kuptohej nëna ime me Aleksën. Ose më mirë, a do ta kuptonte nënën time Aleksa? Se për vjehrrën time tashmë i kisha të dhënat.

Për fat të mirë avioni erdhi në kohë. Pritëm valixhet. Dy të mëdha e të fryra me ushqime i kishte nëna ime. Nuk e di si e kaluam doganën. Na ndihmoi fati që nuk patëm vizitë nga ndonjë doganier. Nejse, kaloi stresi i kalimit.

Në shtëpi e para na priti Aleksa. Hapja e derës së shtëpisë sime ka kohë që prodhon një tingull timbërik të lehtë dhe kështu Aleksa ishte në gatishmëri.

„Me se mund të ju ndihmoj?“ - foli ajo në anglisht.


Ndërsa nëna menjëherë më kapi veshët. Unë shtanga. Tina u habit.

„E, nëna e merr vesh e fundit. Ë, e fundit? Ju paskeni dhe një bebe dhe …tani u kujtuat të më tregoni se jeni dashuruar? Apo pas pilafit…“

Unë nisa të qesh e të mundohem të ja përkthejë qetësisht Tinës. Ajo dëgjonte me kujdes. Në fillim nuk po kuptonte. Pastaj, iu afrua nënës sime dhe me një ton paksa të ngritur iu afrua Aleksës dhe i bërtiti: „Stop Aleksa!“

Nëna rrotullonte sytë sa nga unë, e aq nga Nita. Nuk po gjente qetësi. Nita u mundua ta mbante afër nënën time e ashtu me ndohmën e fjalëve të mia ajo u qetësua dhe e tejlodhur nga rruga e zuri gjumi shpejt.

Aty nga ora pesë e mëngjesit Aleksa e ngriti zërin përsëri në anglisht: „Është koha për zgjim!“ Dhe ia nisi një kënge ballkanase që ne të dy e kemi tashmë qejf. Nëna ishte ngritur e para dhe habitej duke fshirë sytë. Sytë i kishin ngrirë tek Aleksa.

***

E ndjeva uljen e avionit. Dhe tashmë edhe ai e ndjente, por minutat e fundit e kishin lënë në një shtjellë mendimesh që i trazoheshin në kokën e tij. Ndjente dhimbje të dyfishtë. Ikja e nënës në amshim e sillte në Atdhe për ti dhënë lamtumirën e fundit.

-Eh, më tha kështu e ka jeta. Më lehtësove dhimbjen që më dëgjove me vëmendje. Por ti shkruan, shkruaje dhe këtë dhe unë do ta lexoj e do ta rilexoj deri sa të më shuhet kjo dhimbje.

26 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page