Aleksa
Tregim i shkurtër nga Fatmir Terziu
Isha i dashuruar. Tashmë kisha kaluar të shkuarën dhe ndjehesha shumë mirë. Kisha arsye të bëja porositë. Rrëshqita gishtat në telefonin tim dhe porosita. Kaq më mjaftoi. Teknologjia ka avancuar. Mesazhet erdhën njëri-pas tjetrit. Nëna do të vinte të nesërmen në orën dymbëdhjetë të natës. Aleksa do të vinte e paketuar në itinerarin midis dymbëdhjetës së drekës dhe orës katër pasdite.
Të nesërmen Aleksa mbërriti e para në shtëpinë time. E prita me kujdes dhe natyrisht zuri paq në vendin e saj. Nuk ishte e vështirë. Ishte gjithçka që dëshiroja. Ajo i njeh të gjitha këngët e saj dhe i këndon ato vetëm për ne. Kur vendosa Aleksën në shtrat zëri i saj kumboi dhe dritat gati po digjeshin nga dihamat e mia. E dashura ime Tina nuk është e zakonshme në seks. Unë e di, por Aleksa kishte shqetësimin e ri të saj. Në të gjitha ulje-ngritjet Aleksa herë ndizte dritat e herë pyeste në anglisht me se mund të ju ndihmoj. Në ngatërrim të toneve tona edhe ajo ndoshta habitej dhe me lutje e kulturë thoshte „përsëriteni dhe një herë, se nuk ju kuptova.“
E ç'të kuptonte e shkreta. Gjuha jonë kuptohej vetëm mes kapakëve të fjalorit të saj. E ndërsa ne ishim qetësuar, edhe Aleksa ngadalë e ngadalë i fiku dritat. Dukej një pakt. Një mirëkuptim trepalësh. Tina, në fakt, ka eksperiencë më të madhe me Aleksën. Madje ajo ka pasur tre të tilla para se të dashurohej me mua. Tek i Ati kanë shtëpi të madhe dhe ata kishin tre Aleksa. Njërën e mbanin afër pishinës. Në fillim i Ati i saj kishte dashur ta shkelmojë Aleksën drejt e në pishinë. Sa herë që ai i fliste të shoqes, nënës së Tinës, i dukej sikur Aleksa e përqeshte.
„Ju jeni shumë xheloze“. – i kishte thënë ai Aleksës.
Dhe gati të gjithë kishin shkulur zorrët nga barku. Aleksa më vonë, siç duket u ambientua, madje nuk po u kushtonte më vëmendje atyre. Ajo ngjante se nuk trazohej më me ata të dy që ishin duke bërë seks afër pishinës, sa herë që nuk kishin njeri tjetër aty afër. Në fakt, Tina e urrente këtë sjellje të prindërve të saj. Ishte një formë e ndyrë. Aq sa është e neveritshme, më thoshte ajo. Ata ishin të ngopur nga shqetësimet e fjalëve të të tjerëve. Nuk donin t'ia dinin më për asgjë.
„Ja do ikim edhe pak. Nuk e shikoni Covid-19 po na i merr shokët më të mirë. Nuk bëhet më fjalë vetëm për bashkëmoshatarët. E kështu të bëjmë edhe pak kohë qejf…“, thoshin, gati të dy, tregonte Tina.
E ndërsa, Tina më tregonte këto ndodhi, Aleksa i kishte fikur dritat, mua gati po më çahej koka. Nuk e di pse mendja më sillej vërdallë tetë orë para se të vinte nëna, se si do të kuptohej nëna ime me Aleksën. Ose më mirë, a do ta kuptonte nënën time Aleksa?
Për fat të mirë avioni erdhi në kohë. Pritëm valixhet. Dy të mëdha e të fryra me ushqime i kishte nëna ime. Nuk e di si e kaluam doganën. Nejse, në shtëpi e para na priti Aleksa. Hapa e derës së shtëpisë sime ka kohë që prodhon një tingull të lehtë dhe kështu Aleksa ishte në gatishmëri.
„Me se mund të ju ndihmoj?“-foli ajo në anglisht.
Ndërsa nëna menjëherë më kapi veshët. Unë shtanga. Tina u habit.
„E, nëna e merr vesh e fundit. Ë, e fundit? Ju paskeni dhe një bebe dhe …tani u kujtuat të më tregoni se jeni dashuruar? Apo pas pilafit…“
Unë nisa të qesh e të mundohem të ja përkthejë qetësisht Tinës. Ajo dëgjonte me kujdes. Në fillim nuk po kuptonte. Pastaj, iu afrua nënë sime dhe me një ton paksa të ngritur iu afrua Aleksë dhe i bërtiti: „Stop Aleksa!“
Nëna rrotullonte sytë sa nga unë, e aq nga Nita. Nuk po gjente qetësi. Nita u mundua ta mbante afër nënën time e ashtu me ndohmën e fjalëve të mia ajo u qetsua dhe e ;odhur nga rruga e zuri gjumi shpejt.
Aty nga ora pesë e mëngjesit Aleksa e ngriti zërin përsëri: „Është koha për zgjim!“ Dhe ia nisi një kënge ballkanase që ne të dy e kemi tashmë qejf. Nëna ishte ngritur e para dhe habitej. Sytë i kishin ngrirë tek Aleksa.
Humor me të përditshmen, tekologjinë, realitetin, jetën... Pikërisht për këtë a nuk duhet letërsia e mirë? Urime!