top of page

Aleko Likaj: "Bomba" Leka Zogut Qershor 97



(Arkiva e Fjala e Lirë, Londër, E mërkurë, 03 Qershor 2009; 13:19:55 GMT)

 

 

Mitingu elektoral për zogistët ishte spostuar në sheshin e lojrave me dorë të qytetit. Aty, pranë postës, dhe shtëpisë së kulturës se Gramshit. Nuk ishin më shumë se 100 persona. Kryesisht fëmijë. Lart në rrugë, disa kureshtarë pensionistë, qëndronin të mbështetur nëpër parmakë me sy e veshë nga mitingu. Ambjenti përreth, ishte me shkallë, dhe zbriste mbi një fushë me pluhur të kuq tullash, e ku ishin të vendosur dy tabela  basketbolli.

Leka Zogu i djersitur, fshinte me një shami herë pas here djersët e asaj vape qershori. Në fytyrë dukej i lodhur, ndoshta edhe nga rruga e gjatë që nga Tirana deri në Gramsh.

Fushata e 97 tës kishte hyrë në një fazë përmbyllëse. Partitë ishin në ethe. Elektorati si një ekuacion që nuk jepte zgjidhje. Tjetër punë metingjet. Njerëzit e provincës dilnin që të gjithë në sheshe. Doemos për të parë politikanët që u shfaqën aty  nëpër podet e fushatës. U dukej se vinin nga galaktika të tjera. Veçse idhtarët duartrokisnin e çirreshin në rradhët e para. Këtë e dinin mirë si organizatorët edhe shefat që vinin nga Tirana

Leka dukej i pakënaqur. Foli kryetari i degës së Gramshit, pastaj Leka Zogu. "Duam që ta bëjmë këtë vend. Na besoni ne...

-Rrnoftë Lartmadhnia - thirri një burë dhjete hapa larg shpurës që kishte ardhur nga Tirana.

-Rrnoftë-e-e- u përgjigj edhe një tjetër.

Në çast u dëgjua një shperthim i thatë që më tepër se lëshoi një tym i cili u ngrit ngadalë mbi masën e të  pranishmëve, nuk shkaktoi më asgjë midis nesh. Pas kësaj u duk sikur nuk pipëtiu asgjë. Dy a tre të rrinj simpatizantë që kishin ardhur me princin, dolën përnjëherë para Lekës. Ndërkaq disa policë formuan menjëherë një "gardh" midis turmës.

Shpurra elektorale u tërhoq përnjëherë nëpër shkallë, e doli duke u tërhequr lart. Sakaq  u hapen dyert e makinave që i kishin sjellë. Syu më zuri  5 policë që kishin kapur njeri tjetrin për dore duke na kthyer gjokset ne që ishim tashmë poshtë, në sheshin e kuq të këndit sportiv. Mendimi se mund që të kishte qenë një atentat ndaj  familjes mbretërore, tashmë më kishte ikur. Kisha mbritur edhe unë prane grupit, i cili nxitonte për ikjen e autokollonës. Nuk mund që të ishte kursesi e tillë. Mbreti i shqiptarëve dukej çuditërisht i qetë, dhe ata që e "ndiznin" paksa atmosferen e largimit të shpejtë, ishin  disa djem të rrinj të grupit të shoqërimit.

Mesoburri çirrej tre shkallë më poshtë i prangosur  nën shoqërinë e uniformave blu. Leka Zogu tashmë kapërceu derën e një fouristrade, e trupi i tij i gjatë ishte përkulur brenda një hapsirë që lejon dera e makinës. Bodigardët të shqetësuar largonin njerëzit kureshtarë që ishin afruar  aty pranë."Atentatori" që donte të thonte diçka në drejtim të  trashëgimtarit të fronit mbretëror u rrëzua për një çast por policët e ngritën përsëri.

-Rrnoftë, rrnoftë. Martë nga ditët tona...

Më erdhi keq.

Në një kohë absurde, vërtetë ndodhin paradokse të tilla.

Rruga për në Elbasan përfundoi shumë shpejt. Gati 12 makina në autokolonë çanë nëpër gryka e shpatë, e zbritën në Llixhë. Një nga legalistët në makinë na njoftoi se Mbreti do të ndalonte në "Hotel Skampa", turizmi i qytetit që ishte në qendër.

Kolegu im që kisha në krah, më tha ngadalë e në intimitet:

-Shfrytëzojme rastin për një konferencë shtypi. E bisedoj me ministrin e oborit, Abedinin. Unë njihem me atë.

Pas një ore ndërsa kishim mbritur në hollet e hotelit dhe kishim pirë freskueset nëpër tavolina, ku të gjithë dukeshin të qetësuar tashmë, kolegu ma bëri me shenjë. Me sa duket, ai e kishte marrë aprovimin, duke më bërë një "okej" me gishtin e madh të dorës së djathtë. Shkeli syun në një mënyrë të tillë që tregonte se ishte i lumtur, që kishte realizuar idenë e tij.. Në derë u dhanë edhe tre a katër legalista të Gramshit që posa kishin mbritur. Midis tyre , m'u duk se ishte edhe "atentatori", njeriun që kishte ndaluar policia në metingun elektoral të Gramshit. Mbase mund që të ishte edhe ndonjë iluzion i çastit. Por unë e dija mirë se në atë kohë komisariati i atij qyteti nuk kishte qoftë edhe një qeli për të ndaluarit. E ç'mund që ti bënin? As makinë nuk kishin në dispozicion për ta sjellë në Elbasan. Sidoqoftë, as edhe nga kolegët e mij nuk reagoi njeri. Nuk i kërkuan as edhe ndonjë prononcim. Mendova se ishte një iluzion që më kishte kapluar nga lodhja e vapa .

Dhjetë minuta më vonë një i njohuri im legalist nga të degës së Elbasanit m'a mohoi konferencën.

- Naltmadhnia, do të vij këtu pas tre ditësh. At’here mund që të jetë e pranueshme. Mbasi planifikohet edhe në axhendë.

- Ç'fare flet - i thashë. - këtu nuk është fjala për gazetarët e Elbasanit, por as edhe për një kuriozitet për të kaluar disa çaste me princin.

- Ky është një vendim - tha legalisti e ngriti supet si i zënë në faj, duke ngritur sytë lart për të më treguar se, gjithëçkah ishte vendosur  nje kat më lart ku pushonte vetë Lartmadhnia.

Vërtetë, ministri i oborit Abedin Mulosmani, një burrë i hollë e me fytyrë të hequr, zbriti nga shkallët.

Dy  kolegë tanë nxituan që të konfirmojnë  premtimin për një konferencë të premtuar.

-Eshtë e rëndësishme për ne kjo konferencë, pasi në takimin e sotëm në Gramsh kishte një shpërthim bombe.- tha kolegu që kishte udhëtuar me mua, e që kishte marrë më parë një lloj premtimi.

Mulosmani qeshi lehtë.  E shihja për herë të parë ashtu në gaz atë malësor "fjalëpak"

Luajti gishtin tregues sikur donte të mohonte pikërisht atë që i kujtuan gazetarët në atë takim të lodhshëm.

Të nesërmen disa gazeta në kronikat e tyre e dhanë bombën në disa variante. Vetëm ajo e opozitës e konsideroi si një " atentat të pastërt për jetën e Princit ". Të tjerët i mëshonin faktit se "populli i Gramshit i përzuri legalistët me bombë"

            Rreth një javë më, vonë në ditët e fundit të qershorit ndërsa shkova sërrish në Gramsh, këtë herë për të përgatitur kronikën e Fatos Nanos, mësova një hollësi që më deziluzionoi. "Atentatori ", nuk ishte gjë tjetër, veçse një legalist i thekur tiranas që për ti dhënë rëndësi thirrjes së tij, plasi një shashkë. E kishte bërë edhe në shenjë "burrërie", e karshillëk,  pikërisht në qendrën e  qytetit të armëve.

            Këtë ma tha  vetë shefi i ri i Komisariatit, një ish agronom i bimëve medicionale të qytetit, të cilit i ishte besuar rendi në atë trevë të militarizuar.

 
 
 

Opmerkingen


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page