ALBERTI


Memisha Gjonzeneli

Tregim

Ishte viti 1955 dhe sapo kish mbaruar viti shkollor. Mora dëftesën e shtatëvjeçares, shoqëruar dhe me fletën e lavdërimit (Notat i kisha të gjitha pesa). Kisha shumë dëshirë të vazhdoja shkollën, ndaj vendosa të regjistrohesha në një nga Gjimnazet qytetit, megjithëse kjo punë, në kushtet e mia social-politike, më dukej si e pa mundur. Veç të tjerave, ishim shumë të varfër. Me shtatë fëmijë në ngarkim,vetëm nëna punonte dhe ajo, punë krahu në Ndërmarrjen Ullishte. Ajo siguronte shumë pak të ardhura, aq sa edhe për bukë e djathë, nuk na dilnin. Po, për fat, kishte fare pak kohë që ishte futur në punë edhe vëllai më i madh, Tekiu dhe shpresonim që jeta të bëhej më e mirë. Kështu që, me guxim e shpresë, shkova në gjimnaz dhe u regjistrova. Ndërkohë, të nesërmen qysh në mëngjes, testova në disa ndërmarre, me shpresë se mos më merrnin në punë, po u ndodha i pafat. Mbas darke, siç e kisha bërë zakon, mora grepat dhe dola për të peshkuar. Peshkimi më shkonte, po dhe deti më pëlqente, se duket sikur e dinte që unë isha gjiton me të. Shtëpia jonë rrethohej nga të tre anët me det dhe përpara saj ishte rruga... Zbathur, me një palë pantallona të shkurtra, që dhe ato ishin të mbushur me mballoma nga copa thesi. Zor se mund të gjeje te tjetër kund si ato pantallona, prodhim origjinal i veçantë, siç mendonin se isha dhe vetë.

Më së fundi diçka lëvizi në gjendjen e familjes sonë: Vëllain tim më të madh, Tekiun, e transferuan me gjithë brigadën e tij, në kantierin e hidrocentralit të Ulzës. Ai, mbas tre muajsh, megjithëse, pa dëshirën time, më mori edhe mua atje. U nisa mbas ca ditësh me të qara, se e kisha mendjen te shkolla dhe te deti dhe isha vetëm15vjeç. Nuk isha larguar kurrë nga Skela dhe nga deti, që ishin dy dashuritë e mija. Në darkë mërita në Ulzë, midis mjegullës dhe të ftohtit, kur unë kisha veshur veç një palë pantallona të shkurtra dhe një trike leshi të hollë, që ma kishte bërë motra me shtiza.

Mbas tre katër ditëve u sëmura. Vëllai punonte vinçier me turne, në katllavan. Erdhi mjeku më vizitoi. Kisha temperaturë të lartë. Mjeku, i tha vëllait: ky nuk e nxjerr dot dimrin me këto rroba. Ai, nga kursimet e bukës, më bleu dy palë pantallona të gjata dhe dy bluza të trasha. Mbas ca ditësh u futa në punë si ndihmës te Tekiu. Në këtë kohë u hap ‘’Shkolla e Rezervave’’. Unë, bashkë me vëllain plotësuam dokumentet dhe hyra në shkollë në specialitet për saldator. Unë isha nga të parët nxënës, po për dite vinin nga fshatrat për rreth, por edhe nga qytetet. Erdhën nga Tirana edhe nga Shkodra. Dy shkodranë, erdhën në klasën tonë. Shkolla kishte katër specialitete: karpentier, traktorist, montator edhe saldator. Njërin prej shkodranëve të klasës sonë e quanin Albert. Ai ishte një djalë i qetë, me trup të rregullt. I pëlqente humori, si gjithë shkodranëve, po çdo gjë e kishte me karar. Mua më mu fut në zemër, qysh ditën e parë. Shkodrani tjetër, që quhej Jaku, ishte gjithashtu djalë i mirë, po bëhej shpejt nevrik dhe ishte i prirur të grindej me këdo, megjithëse kohën që ishim në shkollë, nuk bëri vaki që të zihej me njeri... Gjatë vitit shkollor, u njohëm dhe u miqësuam shumë me shokët e klasës. Ishim afro 30 nxënës. Unë, që në fillim, e mora me shumë dashuri e pasion këtë profesion, dhe për as një çast nuk ju ndava studimit. Si përfundim, nga tre kategori të pesta që erdhën nga ministria, një më takoi mua, se në të gjitha lëndët kisha marrë vlerësim maksimal. Alberti mori kategorinë e katërt dhe të dy shkodranët, sa mbaruan vitin shkollor, ikën në Shkodër.

Unë fillova punë në Digën e Hidrocentralit të Ulzës, po vetëm për pak kohë, më transferojnë në Ujësjellësin e Durrësit, më afër Tiranës, në Sektorin e Vorës. Po atje gjeta dhe dy ustallarë të njohur, me të cilët kishim punuar në Ulzë. Atje punova pak kohë, po u sëmura nga gjëndrat tuberkulare. Shkova në Vlorë dhe u shtrova në Sanatorium për tre muaj.

Mbas pak kohe, në 15korrik 1958, arratiset vëllai im i madh, Qamil Gjonzeneli. Ai iku me not nga Saranda për në Korfuz e më pas e mbajti frymën në Amerikë. Qamili, ish mësues fizkulture dhe sportist rekordmen në not, kryente shërbimin ushtarak në brigat të punës, në kanalin e Çukës. Ai iku vetëm dhe në Amerikë u shkollua dhe u shqua si inxhinier elektronik dhe shkencëtar. Mua, që e kisha lenë për të ikur me të, mu prish makina në Llogora dhe në pikëtakim shkova me vonesë, kur ai ishte nisur.

Në vitin 1964 unë lirohem nga burgu. U dënova si bashkëpunëtor në tentativë arratisje, vetëm me 6 vite, se isha i mitur, afro 17 vjeç...Sa u lirova nga burgu, fillova të kërkoja punë. Më dhanë një fletë pune për në Ullishte, si punëtor bujqësie. Nuk i bëra naze, po fillova menjëherë punën...

Shpejt dëgjova se Fieri kërkonte specialistë. Shkova menjëherë në Fier dhe fillova punë në profesionin tim, si saldator. Si fillim, bëra Ujësjellësin nga Qafa e Koshovicës deri te Hotel Apollonia. Pastaj u enda nëpër vepra: Azotik, Rafineri, TEC, Gazsjellës, Azotik, Divjakë, Sodë e të tjera…Më së fundi, mërita në Ballësh... Tani isha bërë specialist i njohur. Isha emëruar brigadier dhe kisha rreth 30 specialistë. Punët më shkonin shumë mirë. Planin e realizoja mbi 120 përqint. Nga Ballshi u transferova në PVCën e Vlorës, ku me brigadën kreva disa punime speciale. Edhe në PVC isha brigadier, mandej me 35 specialistë nën drejtim. Atje kreva një sërë punimesh me emër: Ula oxhakun e Çimentos, riparova Oxhakun e TEC, që e kish goditur rrufeja, përgatita dhe montova oxhakun e llambave neon dhe shumë punime të tjera...

Ndërkohë më vjen një letër nga ndërmarrja e montimeve, që transferohem me gjithë brigadë në Metalurgji. Pas tre, katër ditës më dërguan makinën për të marrë materialet. Më caktuan në Elbasan të punoja në TEC, si montator. Puna më shkonte shumë mirë, se procesin e montimit e njihja shkëlqyeshëm.

Në dite mora vesh se kishin ardhur disa specialistë nga Shkodra. Nga lista te Zyra e Kuadrit, dalloj emrin e shokut tim të shkollës, Albert Deda. I them shefit: ketë dërgoje te unë, në TEC. Thuaj drejtorit, më thotë shefi. Për fat drejtori miratoi propozimin për saldatorin e propozuar prej meje.

Alberti erdhi që në mëngjes herët dhe me të pyetur, më së fundi, më gjeti. Unë po e prisja dhe e pikasa së largu. I dola para. Ai më pa, po nuk më identifikoi. Kur unë i flas:

- “BERT, mor t’i marrsha të ligat” ai më pa një çast, po nuk i kujtohesha, (nuk kish faj, kishin kaluar shumë vite pa u parë). Pastaj, më pa drejt e në sy dhe më tha: -“A je Memisha Gjonzeneli, shoku im i dashtun i klasës?”

-“Dora vetë”, i them unë dhe qafuam njeri tjetrin, si kur të ishim vëllezër.

-“Për atë Zot, sa më ka marrë malli për ty” dhe më shtrëngoj fort. Nxori një letër nga xhepi dhe pyeti:

- “Kujt t’ia jap zarfin me dokumente?,

-“ E ke dhënë atje ku duhet”! I them unë me të qeshur.

-“Pash Zotin, ti je brigadieri, më tha ?

- “Po!”, i thash unë.

- “O sa më bahet qejfi, tha,

- “Edhe mua, do punojmë bashkë, vëlla, jam shumë i gëzuar...”

Shkuam te qendra e brigadës, ku numëroheshim afro 25 vet. Prezantova Albertin dhe u thash është specialist i vjetër dhe shumë i zoti, se ka marrë pjesë në disa vepra dhe tani vjen nga hidrocentrali i Vaut të Dejës dhe është shoku im, ose vëllai im, kemi mbaruar shkollën bashkë, me të njëjtat rezultate sipërore... e ai, me modestinë e tij karakteristike, nuk më la të vazhdoja: “nuk është e vërtet tha, Memishau mori kategorinë e pestë, si nxënësi më i mirë i klasës, ndërsa unë mora të katërtën”.

-Shkoni atje ku ishit dje!, porosita shokët. Unë do vij më vonë…

-Po unë ku do shkoj?, më tha Berti.

- Mos u mërzit, i them unë, se do rrimë pak bashkë! E shëtita Albertin në të gjitha objektet, që kishim ne si brigadë. Në rrugë takojmë dhe inxhinierin kinez të objektit, e quanin shoku Lu, e prezantova me Albertin dhe ai u gëzua shumë se kishim nevojë për saldator..

E kaluam ditën bashkë. E pyeta për gjithçka kish kaluar, që nga koha kur ishim ndarë. Berti kishte babain, nënën dhe një motër që ishte më e vogël se ai. Kur u ndamë, i thash: ’’Berti, kurrë mos harro, se këtu, ke gjithmonë një vëlla, jo një brigadier. U qafuam me Bertin dhe e nisa në punë.

Berti kishte jetuar me shoqëri dhe i donte e i respektonte shokët. Ai dinte të ruante kufirin që asnjëherë të mos prishte qejf me shokët. Puna na shkonte shumë mirë edhe para, merrnim më mirë se shumë brigada tjera montimi. Askujt në brigadë nuk i shkonte ndërmende të thoshte qoftë dhe një fjalë të keqe për marrëdhëniet tona. Berti shumë shpejte u miqësua me të gjithë. Po, për mua ai ishte njëshi. Çdo punë që i jepja, ai e kryente më së miri. Edhe inxhinieri kinez kishte respekt për të. Kur ishte ndonjë punë që kërkonte kujdes dhe cilësi, më thoshte mua: dërgo Bertin! Alberti kishte një shok të ngushtë nga Tepelena, e quanin Pelivan. E njihnin njeri tjetrin mirë, se kishin punuar shpesh bashkë nëpër vepra. Kishin vajtur dhe në shtëpitë e njeri tjetrit, kështu që njiheshin edhe familjarisht. Këtu në Elbasan i shikoje shpesh, të bënin bashkë deri xhiron e darkës, ose në të njëjtin lokal të pinin ndonjë birrë. Ata i shikoje gjithmonë të qeshur dhe shumë të afruar me njeri tjetrin. Kish kaluar ca kohë, kur e shikoja Pelivanin që nuk ishte në humor, megjithëse ata rrinin prapë bashkë, pa lënë të kuptohej ndonjë mosmarrëveshje.

Një dite Alberti qëndroi në fund dhe më tha:

- Memisha, mund të flasim pak? Të them të vërtetën u shqetësova, me gjithë atë

nuk e dhashë veten.

-Hajde vëlla, i thashë dhe u ulëm në karrige. Dukej pak i mërzitur.

- Si është puna vëlla, çfarë të shqetëson, mos të ka ngelur qejfi me mua? Ai u ngrit

në këmbe i shqetësuar.

-“Jo vëlla, më tha, si mund të mendosh kështu. A e di si është puna, më tha: më duhen disa ditë që të largohem, se kam një detyrë për të kryer”. Unë u çlirova dhe u qetësova, futa dorën në xhep dhe nxora 3000 lekë dhe ja dhashë. - “Merri këto se mund të të duhen. Kur të mbarosh punë kthemi. Mua këtu më ke duke të pritur”. I lash lekët në dorë, e qafova dhe ika... E dija që punë kisha shumë dhe Alberti më ndihmonte si asnjë tjetër. Unë do veja në vend të Albertit të saldoja dhe ai e dinte ketë, por ai e kishte menduar vet... Ai u nis. Pastaj u kthye me rrëmbim erdhi me përqafoj dhe tha: ah more Lab, ma ke ul kokën. Ik tani i thash mos u vono!

Mbas pesë ditësh ai u kthye. Ishte i qeshur njësoj si më parë. Unë u gëzova. Nuk e pyeta fare për asgjë...U qafuam dhe i thash ka ngelur edhe pak punë. Shko mbaroje! Ai iku duke qeshur. Më vonë e mora vesh ku kishte qenë Alberti. Në brigadë kisha edhe dy shkodran të tjerë. Njeri nga ata më tregoi diçka tepër interesante: Ai, shoku i Albertit, nga Tepelena, Pelivani, kishte bërë fjalë me prindërit e tij. Kishte dy pleq: nënën e kishte mësuese dhe babain infermier. Merrnin nga një pension të vogël, por për sa i ndihmonte i biri, kalonin mirë. Mirëpo djali, kohët e fundit edhe ndihmën e kishte rralluar. Një fshatar i Pelivanit e njihte Albertin, si shok të ngushtë dhe i tregon. Alberti, sa e mori vesh, nuk i tha gjë Pelivanit, po shkoj në fshat i mori pleqtë dhe i strehoi në Shkodër në familjen tij. Në Shkodër i pritën shumë mirë. Pelivani nuk mori vesh fare. Kur pyeti nja dy herë, i thanë që kanë vajtur nga motra…

Kur e mora vesh këtë ngjarje, sytë mu mbushen me lot dhe thash me vete: “e kam

për nder të kem një shok si Albertin”.

Kaluan nja tre muaj nga kjo ngjarje, kur një dite më vjen Alberti dhe më thotë: Urdhëro këtë ftesë! Çfarë është kjo, i them unë, martoj motrën dhe dëshira e prindërve të mi dhe patjetër edhe imja, është që të na nderoni me pjesëmarrjen tuaj... I thashë: të dua me shpirt, po nuk mundem. Ti shko, motra të trashëgohet, mbaro pune dhe ktheu, ne të presim sa më shpejt...

Shkova në brigadë dhe u thash që Alberti marton motrën, prandaj edhe ne është mirë t’i bëjmë një peshqesh. Të gjithë ishin dakord. U mblodhën afro 5000 lekë dhe me një kartolinë të bukur, e përcollëm Albertin.

Në dasmë ishte dhe Karlua, që punonte me ne. Ai më tregoi për dasmën. Ishte një dasmë madhështore, por e veçanta dhe ajo që e beri më të bukur atë, ishte momenti kur nëna e Albertit urdhëroi e pushoi muzikën dhe tha:

-Të nderuar pjesëmarrës, sonte në gëzimin tonë merr pjesë dhe e ka bërë edhe më të bukur gëzimin tonë dhe Pelivani nga Tepelena. Ju e dini që Pelivani është shoku më i ngushtë i Albertit, e ftoj të na marrë një valle nga krahina e tij. Sado që Pelivani tha që nuk dinte të kërcente, filloj muzika, atëherë ai u ngrit mori një shami dhe filloj të kërcente po kuptohej çalonte pak. Në këtë kohë ngrihet një grua e moshuar dhe shkon e i rrëmben Pelivanit shaminë nga dora dhe filloj të udhëhiqte vallen. Pa mbaruar një rrotullim, u ngrit dhe një burrë i veshur pak si labërisht, që i mori shaminë gruas. Ata, burrë dhe grua, ishin mjeshtër të vallëzimit lab. Të gjithë dasmorët përplasnin duart pa reshtur. Pelivanit, gati i ra të fiket kur i pa prindërit aty dhe i erdhi shumë turp nga vetja.

Unë, i imagjinoja ata në këtëpozicion dhe mu mbushen sytë me

lot. Ah, Albert thoshte Pelivani, afër prindërve të tij, (të braktisur nga i biri haram dhe të nderuar nga shoku i mirë, më shumë se vëlla), ah Albert thosha edhe unë me vete, qindra kilometra larg, sa bukur e ke menduar bravo…1000herë, bravo.

Mbas një jave Alberti u kthye midis nesh. Ishte shumë i gëzuar. Ne e pritëm

kolektivisht si brigadë me përshëndetje entuziaste.

Kur morri rrogën Alberti u habit, që ajo ishte njësoj sikur të kishte punuar. Erdhi menjëherë tek unë dhe me tha që i kisha llogaritur gabim lekët, janë shumë. Për ketë erdhe, i them unë. Po për këtë pse gabim i vogël të duket? Dëgjo, i them, për ty ka punuar e gjithë brigada. Dhe të gjithë e dimë që ti do ta kompensosh punën për kohën e humbur. Mezi e binda dhe iku në punë. U kthye dhe mu hodh për qafe: të faleminderit shoku im i rrallë! Unë, i thashë: Atë që ke bërë ti për shokun, nuk ka çmim vlerësimi dhe nuk e bëj dot as unë, po ik, fillo punën, se për të tjerat mendojmë ne dhe shoqëria vlonjate.

Në darkë, pas pune, mu afrua te veshi Alberti dhe më tha:

-Memisha, urdhëro 3000 lekët. Unë mbarova punë dhe nuk më duhen më. -Po më bën për të qeshur, Albert dhe po me ofendon, i thashë, si me shaka, po pse unë pa peshqesh do ta lija vëllain tim, për dasmën e motrës? Ai ngeli i befasuar, më qafoj dhe iku kokë ulur, i kënaqur dhe i menduar.

Të nesërmen, që ishte ditë e diel dhe e kishim pushim, unë me disa shokë të brigadës, morëm teknikun dhe inxhinierin dhe kaluam një darkë shumë të këndshme dhe po thuajse të gjitha shëndetet u ngritën për Albertin.

Mbas ca kohe, mua dhe disa shokë “që nuk patëm biografi të mirë” na pushuan nga puna. Sigurimi i Shtetit Komunist, gjithnjë vigjilent, nuk na kishte harruar... U ktheva në Vlorë…

Në vitin 1990, unë emigrova në Amerikë bashkë me vëllezërit. Mbas një viti u ktheva në Shqipëri. Dikush, këtu në Çikago më kishte dhënë një porosi për një familje në Shkodër. Tek pija kafe me ca shokë pyes: si mund të veja në Shkodër, për të shpurë një amanet. Një nga shokët më pyeti: kur do të ikësh? Kur të gjej mundësinë, përgjigjem unë. Mirë, më tha shoku, nesër në orën 5 të mëngjesit do vijë djali im, të të marri në shtëpi.Të nesërmen erdhi te hoteli ku rrija unë një furgon i bukur. U nisëm. Shoferi ishte një djalë i ri, shumë i këndshëm dhe me humor. Po kënaqesha rrugës, se pash që kishin filluar të ndërtoheshin gjëra të reja dhe të bukura. Qëndruam në tre, katër vende, pimë kafe, hëngrëm paçe, pra gjithçka po shkonte mirë. Veç ishte një problem: djali, ikte shumë shpejt. Unë i fola nja dy herë por ai harronte shpejt . Kur kishim nja 10 ose 15 kilometër për të mëritur në Shkodër na del para kontrolli rrugor. Nxori tabelën stop dhe ne qëndruam. Kontrollori, një burrë me trup të mbushur e të rregullt, veshur me rroba meshini e kaskë, që i rrinin shumë bukur, sa u afrua, i tha shoferit pse kaq shpejt, ku do shkosh. Në Shkodër i tha shoferi. Po mund të ikje më ngadalë, më vjen keq, nuk të fal. Nxori bllokun dhe vajti te motori të vinte gjobën. Mirë për vete, po për këtë zotërinë, nuk te vjen keq tha , dhe hoqi kaskën dhe e vuri mbi motor. Unë, që po e ndiqja me kureshtje këtë bashkëbisedim, u habita në çast dhe pyeta veten ku e kam parë këtë babëlok? Oh Zot ndihmomë! Kur e pash me vëmendje e njoha, tepër i befasuar: Ishte Alberti! Çdo gjë mund të besoja, po kur se mendoja saldatorin Albert, shokun tim të dashur, polic? Kur ishim në shkollë, shkodranet thoshin rëndomë: “Të tana i bajmë, veç policit”. Tani, si mos të çuditem kur e shoh shokun tim polic!

I them shoferit: Pyete policin në se ka pasur dikur ndonjë shok nga Vlora dhe mos ki frik, se është njeriu im.

Alberti, vazhdonte i qetë normalisht detyrën: I mori patentën shoferit dhe nisi të plotësoj bllokun. Në këtë kohe shoferi e pyet: Mos ke pas ndonjë shok nga Vlora? Ai i përgjigjet: Dale ta mbush bllokun, pastaj të them unë.

Mu desh të ndërhyja urgjentisht:

-Albert, s’ka nevojë ta mbushesh, po më prit të të qafoj, se më ka marrë shumë

malli dhe hapa derën e makinës e dola jashtë.

Kur më pa, fërkoj një herë sytë dhe mu turr, më kapi për qafe dhe u desh kohë të ndaheshim. I dha patentën shoferit, që kishte mbetur si i hutuar dhe i tha: pasagjerin po ta mbaj unë, nxirr çfarë ka ai! Një pako të vogël ka, tha shoferi. Ma jep mua, e mori pakon në dore dhe i tha shoferit: ik, me kujdes, të lutem!

U qafuam sërish me Albertin. Kaluam nëpër disa kafe. Të gjithë donin ta qerasnin, po ai nuk pranonte. Nga darka mëritëm në shtëpinë e Albertit. Alberti kishte tre fëmijë po si yje, dy djem dhe një vajzë dhe nënën. Babai kishte ndërruar jetë para disa kohesh. Alberti foli dhe disa kushërinjë dhe kaluam një mbrëmje që e kam gjithnjë në mendje.

Të nesërmen Alberti shkoj në komandë dhe u kthye me një makinë të vogël policie dhe më tha mua e kemi në dispozicion. Puna e parë të çojmë pakon te ajo familje, pastaj jemi të lirë. Hëngrëm mëngjes dhe pasi u takova me të gjithë njerëzit e shtëpisë, hipëm në makinë dhe dolëm në rrugë. E çuam pakon. Në fillim ata u shqetësuan se panë makinën e policisë, por shpejt i sqaruam. Na u lutën, po ne, nuk mund të rrinim.

Tani, tha Albert, drejtë dhe në Vlorë! Rruga ishte pak e gjatë, po ne as e ndiem fare. Kishim plot kujtime: Shkolla në Ulzë dhe në fund Metalurgjia. Si u ndamë, pa u takuar me njëri tjetrin. Kur u largove ti, me tha Alberti, atëherë ata e panë se sa vleje! Kur ishe ti, me tha Alberti, brigada jonë ishte më e mira në brigadat e montimit të vendit. Të gjithë të mbanin në gojë po kuptohej në pëshpëritje e gati në heshtje! Në drekë mëritëm në Vlorë. Unë, si zot vendi, dola sërish në komandë: Mos qëndro, ik dhe ca drejtë, do vemi në Llogora! Arritëm në Llogoranë Magjike. Ajo bukuri e rrallë dhe me ato ushqime tradicionale, e zbukuruan më shumë dhe e lezetuan momentin. Alberti nuk kishte qenë ndonjë herë në këtë perlë shqiptare. Po këtu qenka Parajsa, u shpreh i gëzuar. Pasi degustuam mishin në hell dhe arapashin me zorrë qengji e me gjalpë, hipëm në makinë, për t’u kthyer dhe mëritëm, të kënaqur si rrallë herë, në Vlorë.

Para se të ndaheshim i them mikut tim të mirë: Albert Deda! Gjithë jeta juaj në marrëdhënie me mua, sidomos gjesti që ti bëre për strehimin e prindërve të shokut në një rast oportun, tregon për një fisnikëri superiore. Ti tregove edhe se ne, montatorët në veçanti, nuk jemi bredharakë të zakonshëm, po veç asaj që jemi ndërtues, dimë të mbrojmë e të nderojmë shoqërinë dhe familjen. Unë jam krenar për ty, Albert, i thashë.

Në mbyllje dua të them se unë, kujtoj me respekt Albertin, që dhe në rastin kur u ndamë, më tha: Edhe unë, për ty, Memo, ndihem krenar, se dite me pjekuri e guxim, në ato kohë me tallaze, të çaje me sukses dallgët dhe të mbeteshe, simbol i labit të mirë, në kolektivin tonë të përbashkët mbarëkombëtar, në Ndërmarrjen e Ndërtim Montimit Tiranë, ku punuam gjatë.

…Alberti u largua nga policia, si detyrë të pa përballueshme dhe të pa përshtatshme për të, doli në pension, ku dhe punoi ca kohë si shofer, në një kompani të huaj…

ÇIKAGO, më 15 SHKURT 2020

0 views

Shkrimet e fundit