prelud
Albert HABAZAJ
Ta dish' ti, det i bukur i Vlorës
Kë freskon vlorërisht këtë mbremje
Shëndet do të bëheshe për poetët,
Do të shteroje deri në çmendje!...
Nga Pogradeci e Saranda t'erdhën, o det,
Nga Kalabria, Gjirokastra, Fieri, Gjakova …,
Hemisferë floriri çdo poet,
Mjalt nga fjal' e tyre për ty zgjodha.
Ti i pret mysafirët si Perëndi,
Ne kthejmë krikllat e freskëta të birrës,
I mbushin përsëri në valët e tua,
Në tufë pulëbardhash të gëzuara.
Pijmë birrë e valë, e këngë e zjarr,
E gurgullullojmë si rruaza xhevahiri,
Vargjet për ty burojnë ujëvarë,
I vemë kurorë një gjethe ulliri.
Krijojmë e ndezim diellin si Fatos Arapi,
Si zogj furtune në buzë të detit,
S'është gjë takimi i mbretit me mbretin
Para takimit të poetit me poetin!
Commentaires