Albert HABAZAJ: Tufëz me lule shkrimore

BUJAR SKËNDO VJEN NË VLORË ME TRILOGJINË ROMANORE TË LETËRSISË PSIKOLOGJIKE DHE EKZISTENCIALE
Rikthimi në gjimnazin Halim Xhelo, ku shkëlqeu si nxënës
Rikthim në gjimnazin “Halim Xhelo” me emocionet e krijimit letrar dhe emocionin poetik
Në mesditën e mërkurë të datës 23 shtator 2026, në mjediset e gjimnazit “Halim Xhelo” u zhvillua veprimtaria letrare kushtuar krijimtarisë së autorit Bujar Skëndo.
Për të nderuar krijimtarinë e autorit dhe, njëkohësisht, për të bërë vlerësimin e saj, ishin të pranishëm me diskutimet e tyre: prof.dr. Bardhosh Gaçe, pedagog i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë; dr. Sadik Bejko, poet i njohur, pedagog, estet dhe studiues; z. Çerçiz Loloçi, gazetar dhe studiues; z. Eqerem Canaj, poet dhe shkrimtar vlonjat; z. Ahmet Demaj, mësues në pension, publicist, kryetar i Shoqatës Kulturore-Atdhetare “Labëria”, dega Vlorë; z. Albert Habazaj, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” Vlorë, poet, mik i gjimnazit “Halim Xhelo”; z. Delo Isufi, poet, përkthyes; z. Luto Memokondi, fabulist dhe studiues; znj. Shqiponja Pazaj, poete; z. Çlirim Hoxha, shkrimtar; z. Nuredin Veshaj, poet, etj.
Veprimtaria u zhvillua në mjediset e bibliotekës së shkollës, me pjesëmarrjen dhe diskutimet e maturantëve të kësaj shkolle.
Përshëndetjen e rastit e mbajtën drejtoresha e shkollës, znj. Sonila Banushaj, dhe mësuesja e letërsisë, znj. Adelina Ibrahimi.
Maturanti Kristi Merkuri bëri një vështrim të shkurtër mbi jetën dhe krijimtarinë e autorit, ndërsa nxënësja Franceska Bufaj drejtoi veprimtarinë, duke ua dhënë fjalën për diskutim të gjithë të pranishmëve.
Diskutantët bënë vlerësime për krijimtarinë e autorit, duke bërë një analizë të plotë strukturore dhe ideore të tre romaneve të autorit: “Psherëtima e humbjes”, “Flijimi i maskave” dhe “Dëshmitari i rremë”.
Aktiviteti vijoi me përshëndetjen e autorit Bujar Skëndo, i cili nuk i fshehu dot emocionet e rikthimit në gjimnazin ku u formua si nxënës me formim të plotë kulturor dhe letrar. Ai tregoi nostalgjinë e atyre viteve dhe vlerën që ka një edukim i mirë për nxënësit.
Mesazhe të forta autori përcolli për rolin e procesit krijues, leximit dhe zgjerimit të fushës së njohjes nga të rinjtë.
Nga ana tjetër, nxënëset Franceska Bufaj dhe Megi Ahmeti kishin përgatitur një analizë të plotë letrare për dy romane të autorit, “Psherëtima e humbjes” dhe “Dëshmitari i rremë”.
Nxënësja Emi Kapo përshëndeti me një vlerësim për krijimtarinë e prof. Bardhosh Gaçes mbi letërsinë arbëreshe dhe mbi një monografi të tij kushtuar lirikut të madh Ali Asllani.
Një bashkëbisedim i ngrohtë, me pyetje nga gjimnazistët, u zhvillua mes tyre dhe autorit.
Nxënëset Kleida Sinaj, Samanta Brahimaj dhe Losana Nela interpretuan fragmente nga romanet.
Kjo ditë e bukur e përurimit letrar u mbyll me një numër artistik kërcimi, interpretuar nga nxënësja Lorena Zenelaj, nën melodinë e këngës “Se kënduam Let It Be” të këngëtarit Sherif Merdani, personazh i një prej romaneve të autorit Bujar Skëndo.
Kjo ditë ishte dhe do të mbetet një kujtim i bukur për të gjithë nxënësit e gjimnazit “Halim Xhelo”, por edhe një emocion i bukur për autorin.

Fjala ime: KËMBANË ROMANORE E LIRISË SË KULTURËS
Shkurtore
Së pari, në rrafshin e shkollimit, gjimnazin “Halim Xhelo” e kam ndër gjimnazet më në zemër, ndoshta më për zemër në republikë, për arsye se mësuesi atdhetar dhe demokrat Halim Xhelo, emrin e të cilit mban shkolla, ishte andej, nga anët e mia, nga Tërbaçi.
Faleminderit Sonilës, drejtoreshës së shkollës së mesme “Halim Xhelo”, Vlorë! Faleminderit Adelinës, mësueses së letërsisë, mikeshës sime të vjetër, aq të dashuruar me letërsinë, si dhe gjithë stafit të kësaj lënde të bukur, sidomos nxënësve, këtyre filizave të mrekullueshëm, tek të cilët unë kam besim se do të jenë jo vetëm më të mirët në Vlorë, por në republikë.
Së dyti, kam mendimin që Bujar Skëndo është i emocionuar, krenar dhe i kënaqur në kub, sepse, 1: si nxënës i shkëlqyer i shkollës “Halim Xhelo”; 2. Me rrënjë nga Tërbaçi, nga fshati i Halim Xhelos dhe 3. Si pinjoll gjenetik i Halimit, direkt nga fisi i tij. Bujari është kushëri i parë i të ndritshmit Kujtim Mici - Dragoit të këngës labe, mësuesit shembullor dhe drejtorit historik e kryelartë të shkollës 8-vjeçare “Halim Xhelo”, Tërbaç (përmbi 20 vjet), sepse babai i Bujarit, Sulejman Dervishi dheë babai i Kujtimit Musa Dervishi ishin vëllezër. Kaq për biografinë…, po ka ca gjëra që duhet t’i themi: gjenetikisht, nuk vijnë nga hiçi personalitete të tilla të letrave shqipe, si Bujar Skëndo, i cili ka një gjenezë fisnike: nga dera e madhe e Skëndojve. Ndërkohë, letrarisht, hap një tjetër derë të madhe bujare në letërsinë bashkëkohore shqiptare në rrafshin e zhanrit ekzistenciale, në rrafshin e letërsisë psikologjike - nga individi te shoqëria, te liria, jo thjesht në rrafshin universial, porse nga qiliza nis e buron gjithçka. Do ta quaja këmbanë e lirisë së kulturës fjalën time, duke bërë një analizë të voçkël për veprën e tij të madhe, që nga “Psherëtima e humbjes”, “Maskat…” dhe “Dëshmitari…”.
Individi, shoqëria dhe historia në 3 romanet e Bujar Skëndos
Bujar Skëndo është një figurë e njohur në gazetarinë kulturore, në diplomaci dhe në letërsinë shqiptare. Nuk do të merrem me arsimin e tij universitar, me studimet pasuniversitare, as me ndihmesën e tij për gjuhësinë, historinë, politikën, diplomacinë e në fusha të tjera, ku ai u dallua, sepse nuk është objket i kësaj veprimtarie, veçse kujtoj që është vlerësuar “Personalitet i Shquar i Qarkut të Vlorës” në vitin 2020.
Skëndo shquan për një veprimtari të gjatë në gazetari, kritikë letrare dhe artistike dhe, nga viti 2023 e në vijim, spikat në prozën e gjatë. Ka bashkëpunuar me revistën “Nëntori”, ka punuar si redaktor në gazetën “Drita”, ku është marrë veçanërisht me kritikën pa “buzëkuq” të prozës, filmit dhe të teatrit, duke qenë aktiv në mendimin eseisitik, estetik e letrar shqiptar.
Si shkrimtar, ai ka lëvruar sidomos prozën e gjatë dhe ndër të tjera ka botuar dhe 3 romanet, që përurojmë sot në Vlorë, pikërsisht në mjediset e bibliotekës së gjimnazit “Halim Xhelo”, në bankat e së cilit ai kreu shkollën e mesme në vitet 1962-’66.
Botimet e shkrimtarit Bujar Skëndo janë:
1. “Psherëtima e humbjes”: roman; Tiranë, Onufri, 2022, red. Kadia Dedja, 254 f.
2. “Flijimi i maskave”: roman; Tiranë, Onufri, 2024, red. Kadia Dedja, 256 f.
3. “Dëshmitari i rremë”: roman; Tiranë, Onufri, 2025, red. Kadia Dedja, 136 f.
I. Në qendër të romanit “Psherëtima e humbjes” është drama shpirtërore e një familjeje dhe kriza e marrëdhënieve njerëzore. Duke qenë se autori i njeh mirë dy botët, edhe këtë shqiptaro-ballkanike, si bir i këtyre trojeve; por njeh po aq mirë e më thellë botën dhe psikologjinë sociale përtej atlantike, pesimizmi për qelizën e shoqërisë, për djepin ku tundet jeta, është i trishtueshëm, ndjen dhembje në kockë edhe porta e shtëpisë së vjetër. Psherëtima e zgjatur, psherëtima e humbjes përfundimtare (nëse fatkeqësisht vijon kjo gjendje e shkon rrokopujë bota), psherëtima e humbjes së pakthyeshme është ngritur lartësisht në art, por jo vetëm kaq; dëshpërimi për mëkatarët e sotëm jo vetëm në Manhatanin verbues nga llamburitjet e shkëlqimit të rremë nuk është duf veç i Skëndos si shkrimtar, si njeri, si qytetar i universit, por është edhe yni, është imi, yti, i të gjithëve, kudo ku jetojnë e banojnë njerëz me vlera e virtyte, me dinjitet e familje nga Tirana në Nju Jork, nga Vlora në Londër, nga Shkodra në Berlin, kudo ku ka njerëz, që e duan, e vlerësojnë, e besojnë dhe e mirëmbajnë familjen dhe shenjtërinë e bekimit të jetës nga ajo.
Prandaj “Psherëtima e humbjes” u mirëprit nga lexuesi shqiptar dhe lexohet me endje, se na duket si balsam për shërimin e plagëve sociale, si një kushtrim i dëlirë qytetar për të mos shkarë në humnerat e humbjes së dinjitetit, të vetë jetës.
II. Romani tjetër “Flijimi i maskave”, në të cilin maska bëhet gati fytyra e vërtetë e gënjeshtrës, trajton shoqërinë shqiptare të tranzicionit (që ende mjerisht nuk paska të sosur). Romani rrok temën e korrupsionit, të krimit, pushtetin e inkriminuar dhe marrëdhëniet e tij me botën e nëndheshme.
III. Romani “Dëshmitari i rremë”, i cili na paraqitet me një parathënie nga dy autoritete të letrave shqipe, dr. Sadik Bejko, poet, pedagog dhe Çerçiz Loloçi, studiues, gazetar, është një roman i lidhur artistikisht me Festivalin e 11- të të Këngës në Radiotelevizion, (22-25.12.1972), që siç e dimë, u prezantua nga Edi Luarasi dhe Bujar Kapexhiu, me regjisor Mihal Luarasin dhe redaktor të teksteve hallemadhin e paepur të “Rrënjëve”, Sadik Bejkon [Tiranë: “Naim Frashëri”; 1972, red. Pandeli Koçi, 136 f.]. Ai festival aq i bukur, i freskët e aq i dashur për njerëzit e këngës u nxi, u hodh baltë mbi të pafund dhe pasojat që pati Festival i Artë dhe artistët e Brezit të Artë si Sherif Merdani jepen me përshkrime rrëqethëse në roman. Veçse autori Skëndo nuk rrëfen thjesht këtë ngjarje tronditëse. Ai, si një kirurg i përkryer i klinikës shkrimore, operon në kapilarët e absurdit të kohës. Ndoshta gazetari Sandër Baraj, vërvitur si mësues letërsie në një fshat të humbur të Librazhdit, bëhet një figurë komplekse, që paraqet interes për lexuesin, sepse është mjeshtëria njohëse, shkrimore dhe artistike e shkrimtarit të na paraqes një personazh tipologjik në zhvillim si Sandri, emrin real të personit që është futur në lëkurën e këtij personazhi, për fat të keq të ndodhisë dhe për fat të mirë të letërsisë, shkrimtari e ka njohur mirë, nga afër. Atmosfera e rëndë, shtypja psikologjike, psikoza e frikës dhe ndrrydhja nga ankthi, siç na e paraqet autori, është tërësisht situatë traume, të cilën e theksojnë dhe dy autorët e tekstit shtesë, në parathënien e romanit, është situata e murme që i zë frymën jetës dhe zotëron keq në qytetin provincial të viteve 1972-’75.
Ç’ka duket veçanërisht interesante te profili i autorit Bujar Skëndo nuk është fabula e kalimit të ylberit (në rrafshin mitologjik, se s’ ndodh, as ajo që ndodhi në rrafshin gjeografik të kalimit të hapësirave Tiranë - Nju Jork), por kalimi i suksesshëm nga kritiku cilësor me frymë të re të vërtetë kritike tek shkrimtari, më saktë, tek romancieri me emër. Klas. Ca përvoja negative kanë qenë ndër shkrimtarë dështakë, nga që e shuan me ujë në letërsinë artistike, deshën të bënin emër si kritikë, por koha vërtetoi se shtinë në hi…
Skëndo përbën një fenomen në letërsinë shqiptare, sepse përveç talentit, besimit, vullnetit, këmbënguljes, njohjes së njerëzve e trevave, dokeve, traditave, mënyrës së jetesës së banorëve, ekspeditave me vëzhgim në terren, diturisë dhe thjeshtësisë, ishte përvoja e gjatë si kritik që e bëri të ndërtojë një prozë ku vëmendje të veçantë marrin psikologjia e personazheve, morali familjar dhe shoqëror, si dhe marrëdhëniet e individit në raport me kohën historike.
Nëse i shohim të tre romanet e autorit: “Psherëtimën…”, “Maskat…” dhe “Dëshmitarin…” si një tërësi, mendojmë se ato kanë një vend interesant, të tyren në prozën bashkëkohore shqiptare, sidomos sepse trajtojnë tri shtresa të ndryshme të përvojës shqiptare: dramën intime, deformimin shoqëror të tranzicionit dhe traumën historike të diktaturës. Duke vlerësuar me objektivitet se çfarë prurjeje kanë dhe në çfarë drejtimi e zhvillojnë romanet prozën e Skëndos, mund të shprehemi:
1. “Psherëtima e humbjes” është ndërtesa romanore që na fut labirintveve të jetës, nga drama familjare tek drama ekzistenciale. Romani i parë bëhet kështu pika e nisjes së kësaj trilogjie krijuese. Në qendër është humbja e marrëdhënieve njerëzore, vetmia, mungesa e dashurisë së dëlirë dhe kriza e individit brenda guackës së familjes. Një fragment i romanit e vendos protagonistin përballë një ndarjeje të papritur familjare dhe ndjesisë se ka humbur kontrollin mbi jetën e vet. Kritika e botuar për romanin e ka lexuar atë si roman psikologjik dhe ekzistencial, duke vënë në dukje kontrastet, ftohtësinë emocionale dhe vetminë e personazheve me një kolorit të pasur e të ri gjuhësor, me figura stilistike e mjeshtëri artistike. Këtu shfaqet një tipar që do të jetë i rëndësishëm edhe në dy romanet vijues: Skëndo nuk interesohet vetëm për atë që ndodh, por për atë që ngjarja i bën shpirtit të njeriut.
2. “Flijimi i maskave” mund të quhet romani i tranzicionit shqiptar, në të cilin shkrimtari e zgjeron dukshëm hapësirën e prozës së tij. Nga familja kalon tek shoqëria. “Flijimi…” ndërton një realitet ku ndërthuret krimi, pushteti, politika, media dhe marrëdhëniet njerëzore. Romani është ndërtuar në dy linja rrëfimore dhe përdor figurën e maskës si metaforë qendrore të identitetit të rremë, të krisur keq dhe të hipokrizisë sociale. Kjo është prurja më e drejtpërdrejtë e Skëndos në prozën e tranzicionit: përpjekja për ta kthyer realitetin shoqëror të Shqipërisë postkomuniste në material romanor, jo thjesht në kronikë arkivi. Dhe këtu qëndron një nga dallimet e tij: ai nujk mjaftohet me të ashtuquajturin “roman i realitetit”, por përpiqet ta metaforizojë reliatetin, për ta bërë më të ndjeshëm shpirtin njerëzor për reflektim. “Maska” bëhet këtu mekanizëm artistik, jo vetëm objket përshkrimi.
3. “Dëshmitari i rremë”, i cili është romani mbyllës i kësaj trilogjie, operon imtësisht me kthimin tek kujtesa dhe diktatura. Romani i tretë bën kështu një lëvizje tjetër shumë të rëndësishme: kthehet nga e tashmja turbullake tek e kaluara e frikshme diktatoriale, përmes Festivalit të 11 - të të Këngës dhe fatit të këngëtarit Sherif Merdani, i shndërruar në roman në figurën e Seran Mejdanit. Operativi i asaj kohe ishte makthi i kujtdo dhe detyrimisht që do të ishte në modë edhe prodhimi i fajtorëve pafaj, fabrikimi i fajtorëve artificialë, dënimi i njerëzve të pafajshëm, të zot, që bënin emër, por ndërkohë do të ishte më me theks në modë fabrikimi i dëshmive të rreme, që mori në qafë sa njerëz, sa jetë…
Por Skëndo nuk e ndërton “Dëshmitarin…” vetëm si roman për një këngëtar, sado i famshëm që ishte ai. Në qendër vendos përpjasjen midis artistit dhe mekanizmit repersiv të shtetit, nëpërmjet shtypjes, frenimit me dhunë dhe përndjekjes së kundërshtarëve, sidomos atyre shkëlqimtarëve. Në roman, figura e “dëshmitarit të rremë” shndërrohet në simbol të një sistemi që kërkonte jo vetëm të dënonte njerëzit, por, siç u shprehëm, edhe të prodhonte dëshminë kundër tyre. Kritikat për romanin kanë vënë në dukje atmosferën e frikës, ankthit dhe shtypjes psikologjike, si dhe skenat e pakonceptueshme të gjyqit.
Këtu romani fiton edhe një përmasë kujtesore: ai rikthen në vëmendje fatin e artistëve të dënuar pas Festivalit të 11 - të. Po çfarë i bashkon tre romanet? Cili është çelësi për të kuptuar vendin e Skëndos në Letërsisë Bashkëkohore Shqiptare? “Psherëtima e humbjes” operon me individin, “Flijimi i maskave” plugon shoqërinë, “Dëshmitari i rremë” i përvishet fort historisë së të kaluarës së afërt. Pra hapësira e romanit zgjerohet: familja, shoqëria, historia kombëtare. Por, në të tre rastet mbetet i njëjti problem themelor: çfarë ndodh me njeriun kur humbet të vërtetën, dashurinë, dinjitetin, lirinë e tij.
Në këtë trilogji romanore vërehet një dukuri e vlertë: Kritiku letrar dhe eseisti i bën mirë romancierit për një prirje të dukshme në analizën psikologjike, reflektimin, simbolin dhe nëntekstin krahas rrëfimit dramatik të ngjarjes. Skëndo nuk është një romancier që “tregon histori”, as të bëjë art për art. Ai synon ta përdorë historinë për të ngritur një problem moral, psikologjik ose social, gjithëherët prurë me nivel të lartë artistik dhe estetik. Nga humbja personale, neriu kalon tek humbja shoqërore dhe më pas, larg qoftë, tek humbja e lirisë dhe e së vërtetës historike.
Kështu i lexoj unë të tre romanet e shkrimtarit Bujar Skëndo, si një projekt i vetëm letraro-qytetar, që tingëllon si këmbanë e lirisë së kulturës.








Comments