Albert Habazaj: NËNAT MBAJNË BOTËN NË DUAR
- May 9, 2025
- 2 min read

NË NDERIM TË 9 MAJIT, DITËS NDËRKOMBËTARE TË NËNËS!
NËNAT MBAJNË BOTËN NË DUAR
HIMN PËR NËNAT SHQIPTARE si një tufëz me lule vjershërore për 9 Majin, Ditën ndërkombëtare të nënës -
Albert HABAZAJ
Dashurinë më të ngrohtë
Që për fëmjët ka nëna,
Asnjë këngë dot s’e thotë
E di zemra e saj përbrenda.
Na dha jetë, qumësht e këngë,
Nën’ e xhanit, durim madhe,
Me rrufetë dhëmb për dhëmbë
Qan e hesht, hambar me halle.
Ju, o nënat shqiptare
Veten harruat për ne,
Testament i Mirësisë
Ikët me yjet mbi rè.
Vendin e nënës askush
Askush s’e mban dot një ditë,
Sytë me ç’dashuri i mbush
O sytë e pastër plot dritë!
Vajza, gra, nëna e gjyshe,
Jeni Shqiponja Tërbaçi,
S'ka se si të jeni ndryshe
O mëllëri nga kulaçi!
Kulaç malli, dashurie
Për shtëpi e për Atdhe,
Mbushur me mjaltë mirësie
Shenjtore me frymë për ne.
Gremisni paragjykime
Luftoni për botë të re,
Ju s'njihni ditë për pushime
Amazona si rrufe.
Sot ne u themi gëzuar,
Pse mos t'u themi përditë?!
Ju mbani botën në duar,
Ju botës i jepni dritë.
Ju jeni urata vetë,
Luftëtare shumë trime,
Pastroni qiellin nga retë
Shqiponja në fluturime.
Kolona virtyti, nderi
Kurora të dinjitetit,
Pasqyra, ku thyhet terri,
Sheh veten sinqeriteti.
Bija, motra, nuse, dada
Nga ju ka frikë ligësia,
Se ju çani barrikada
A u faltë Perëndia!
Lum kush e ka nënën! Në krahë të dritës ato që kanë ikur tek yjet...
Nënat bëjnë botën.
Dashurinë e nënës nuk e shpreh dot kush, aq të ngrohtë, aq të ëmbël, aq të dhembshur.
Ku ka si nëna!
Lum kush i ka!
Shenjtoret e vërteta për ne!
Kurora e dinjitetit.
Mirënjohje të gjithmonshme!
Vlorë, e premte, 9 Maj 2025





















Faleminderit, profesor Fatmiri për bujarinë dhe shpejtësinë e botimit të këtij kushtimi shpirti për Bekimdhënat tona, Shenjtoret që tundin djepin e mbajnë botën në duart e dashurisë!
Shëndet e mirësi paç, mik i nderuar!