Albert HABAZAJ: Dy poezi
- 4 hours ago
- 2 min read

ZVËRNEC I BUKUR I DHEUT
Albert HABAZAJ
Zvërneci im, i bukur i dheut,
I qetë, bujar, në vendin tënd,
Dinjiteti i rrënjëve të thërret: ngrehu
Mos lejo të të fyej një që u çmend.
Asnjë mos lejo, as dhjetë, as njëqind
Se je siç të ka falur Perëndia,
Asnjë hiene a lugati mos iu bind
S'është erë deti, është vetë lubia.
Dhe njerëzit, dhe flamingot, dhe pelikanët
S'i mbajnë më dot litarët e durimit,
Ne nuk kanë as cipë, as Atdhe rrufjanët,
As fe nuk kanë, a i zëntë mallkimi!
Deti merr frymë rëndë me dallgë tërbimi
Dhe rëra dhe pishat ndjejnë çoroditje,
Përrenjtë e bardhë nxihen nga zemërimi
Dhe mbushin detin në buzë me tronditje.
Fara e ligë nuk zë kurrë në Zvërnec
Për ne Zvërnec domethënë perlë,
Dufi popullor shpërthen një shtet mistrec
Si pena e Fatos Arapit qëllon thellë.
Vlorë, 12.06.2026
BABA, TA SHOH DRITËN...
Albert HABAZAJ

Sa herë si fëmijë vij te shtëpia e madhe
Ulem ku ti re me tre dega rrushi në dorë,
Me zë malli t'i them dy fjalë në heshtje
Edhe pse flokët më janë mbushur me borë.
Edhe një gotë qelqi me raki nga jotja
Aty ta lë, ku ka çelur dhe një trëndafil,
Kaq vjet boshuar kanë ngelur koshat
Kaq vjet mbi trëndafil këndon një bilbil.
Rakia e rrushit që ti bëje qe mjaltë
Se ti me miq e ktheje dhe çelje pranverë,
Nga damixhanët që ke lënë, pi pak
E vij tek ti poshtë hardhisë - ky ritual çdo herë...
13 qershori yt me dritërimë shpirti
Më bën të dobët, lëmsh e gur e gërxh në grykë,
Të kisha mësues e vëlla të madh të kisha
Kujtime nëpër lot, malli rëndë m'i lag sytë...
17 vjet pa ty baba, po me emrin tënd
Si firmë të denjë drite, që le në hapësirë,
Kur tek ti vij, fëmijë ndihem, me tërë mend
Si zog më rreh zemra e ta shoh dritën,
o mësuesi im më i mirë...








Comments