top of page

Aksioni i Gjyshes


Aksioni i Gjyshes

Tregim nga Fatmir Terziu


E hapa celularin në cingërrimën e tij të pestë. E hapa, pasi nuk kishte ndërmend të pushonte pas dy a tre herëve të tjera tentativë. Ishte thirrje pa numër.

- Alo kush jeni?

- Më falni që ju shqetësova unë jam djali i P. K. nga O. i M. dhe sapo kam ardhur në Londër. Babain tim e keni pasur nxënës dhe ai ma dha këtë numër. Dikush ia kishte dhënë atij në Greqi.

- Ah, mirë nuk ka problem. Si jeni?

- Dua të flas me ju dhe të pimë një kafe. Nëse është e mundur…

Natyrshëm i dhashë kohën e duhur dhe të mundshme për të, sigurisht gjeta dhe të mundshmen për vete, dhe u takuam…

Ai menjëherë sikur kishte dashur kohë të shpërthente ia nisi rrëfimit. Kur isha nxënës në shkollë u mora me mundje tradicionale. Fillova të stërvitesha fort. Sa herë që kishte dasma ndeshesha dhe fitoja. Më pas fitoret e mia u bënë disi shumë dhe m’u desh të përballesha me xhelozi, inate, dhe madje edhe grindje me të tjerë nga fshati e nga zona përreth. U shtuan urrejtjet kur dola dhe kampion zonal e u seleksionova të shkoja në një aktivitet ndërkombëtar. Njëherë më dolën natën dhe më rrahën e më shtynë në një kanal. Pastaj më kërcënuan me një letër. Pastaj shkuan më thellë…, më ngacmuan dhe të dashurën time. Për t’u mbrojtur unë mblodha disa shokë dhe krijuam grupin tonë. Por grupi ynë ishte me shkollarë, njerëz të fortë për sport, por të urtë si unë. Në grup hyri dashja pa dashje dhe Gjyshja ime. Dhe prapë nuk e bëmë dot ballë. Ne kishim emër në drejtim tjetër. Dhe emri ynë mori rrugë të kryqëzuara. Emri i të tjerëve ishte i vogël, nuk kishte reputacion, por kur shihnim filmat e Hollyëoodit të atij zhanri, ne na dukeshin kot para bëmave dhe veprimeve të tyre. Ata villnin në zonë, dhunonin pleq e plaka, përdhunonin vajza dhe madje kërcënonin edhe nuset e reja, burrat e të cilave shkonin në emigracion. E grupi i tyre nuk kishte anëtarë vetëm nga zona. Me të vinin hanin, pinin e …. Dhe pastaj bashkoheshin edhe nga qytete të tjera. Ata ishin epiqendra e të gjithë atyre që vrisnin e prisnin gjithandej, ishin ata që kishin strehë atë vend. Policia i shpallte në kërkim ndërkombëtar. Një ditë na dolën përpara dhe qeshën me të madhe me ne. Nuk kishte injorim më të madh. Qeshën gati me lotë. Qeshën kur na panë pa makina si të tyret, qeshën e u gajasën kur na panë me duart në xhepa. E ata ishin me të gjitha gjasat të armatosur si për betejë, më saktë si për luftë. Kot kishte dalë fjala për ne se për një gjë të vogël, pra ne grupi ynë të therrnim me biçak. E për këtë na thanë se vetë ata kishin përhapur fjalë. Dhe madje kishin tjetër skenar.

Skenari i parë… I pari ndodhi pak ditë më pas. U vodhën tre-katër kotece pulash. Dhe në të gjitha shtyllat e elektrikut u varën letra se ne kërkoheshim nga policia. Pra ne ishim shpallur hajdutët e pulave. E gjitha dukej humor, por ja që vërtet policia erdhi, madje e shoqëruar nga policia e ndërhyrjes së shpejtë nga Tirana. Atë rast ia bëmë paq, se u doli para gjyshja ime dhe i kërcënoi me vetëvrasje. Ata u zunë ngushtë dhe na lanë të lirë…

Skenari i dytë … E pabesueshme ishte qesja me pensionin e gjyshes sime, të cilin ajo e mbante në qafë ditë e natë, madje dhe kur lahej me legen e sapllakë në banjë. Ky skenar nuk ishte qesharak, por i denjë për ndonjë film të madh. Aty ku ia kishin marë paratë gjyshes në qafë, i kishin futur të shkruar një letër. Në letër shkruhej: “Më fal Gjyshja ime e shtrenjtë. Më fal shumë këtë radhë. Unë me grupin tim t’i vodhëm paratë, se po planifikojmë të ikim matanë. Të kalojmë kufirin dhe të shpëtojmë nga ajo bandë”. Gjyshja u zgjua. Dhe si gjithnjë para se të lante sytë nxirrte qesen dhe numëronte paratë që kishte në qafë. Ishin kursime dhe dhuratë nga babai im i mirë, që e kaloi jetën në emigrim. Plot njëzetë vite qëndronin aty bashkë. Aty në atë qese në qafë. Dhe në çast nuk priti të shkonte tek muslluku i varur atje në ballë. U mbajt fort, ofshau dhe erdhi drejt meje fare afër, përballë. “Nuk e prisja këtë prej teje. Pse duhej të ma bëje këtë ti mua vallë? Që kur të vdiq nëna jote e rallë unë të kam mbajtur gjallë. Yt atë herë në Greqi e herë në Itali, për të të rritur ty e për të bërë njeri. Dhe ti…, Tiiiii?” Por gjyshja nuk duroi dot më të dëgjonte fjalët e mia. Aty, fare afër aty ishin ata. Qeshnin e gajaseshin me të madhe. Qeshnin e rrëkëdhenin shishe me pije të ndryshme. Unë kisha ngrirë. Lotët dilnin papushim. Sytë më ishin mjegulluar. Britma nuk më dilte. Më kishte ngecur në fyt e më dukej se bëhej gati nga çasti në çast të shpërthente si ndonjë bombë atomike. Isha mes dy botëve.

Ndërsa ata tregonin aksionin e tyre trimëror, se si ia kishin marë qesen dhe paratë gjyshes nga qafa e saj. Nga qafa e saj që kishte mbajtur gati dy dekada ato kursime pikërisht për këtë ditë. E donte një varr për veten dhe burrin e saj që i kishte ikur mjaft i ri në një luftë tjetër pa armiq, për një vijë uji… për një fjalë. Kur panë se vërtet gjyshja kishte ndërruar jetë lanë shishet…, lanë pijet dhe gajasjet e tyre… Asgjë s’u kishte mbetur më syve. Asgjë nuk u kishte mbetur atyre, vetëm të grindeshin e të flisnin…

Do të jetë ora pesë pasdite, kur ai shkon të stërvitet. Ajo është vetëm dhe ne ia mësyjmë si policë…

Kush është në shtëpi?

Jam unë, ju kush jeni?

Nuk na sheh?

Po pse … pse keni ardhur me gjithë këtë armatim?

Na ka dërguar shteti. Kemi të dhëna se nipi juaj po rrit kanabis.

Kanabis?

Po. Madje me paratë që nxjerr mban në këmbë një grup të madh, një bandë.

Aman, more bir, nipi im mendjen e ka vetëm mundje. Stërvitje dhe … ja ato shtangat atje, ato hekurat…

None, shteti ka halle të tjera, nuk ka kohë për humbje kohe me fjalët e tua.

Aman ju lutem, aman?

Po mirë atëherë, ulemi pimë nga një gotë dhe …

E pastaj?

E gjejmë një zgjidhje.

Më rrofshit djema, tybe me shtetin qenkemi flliq, aman me shtetin…

Me shtetin nëno… me shtetin…

Oh, kuku, oh …

Hajde ulu … ulu me ne. Nuk ke moshë ti të përballosh telashe të tilla. Ulu …

Mirë të keqen nëna. Mirë. Nuk bëhet shaka me shtetin tonë.

Dhe ashtu sikurse u ul, Gjyshja ra përtokë. Ata ia morën paratë nga qafa dhe ikën me bisht ndër shalë. Kishin frikë se mos ndoshta nuk do të ishte më gjallë.

Ndërsa unë i qëndroja në kokë dhe lotoja pranë gjyshes sime, i pashë ata të kishin ardhë. Flisnin sikurse ju thashë…

Por Gjyshja ime ishte rrahur me qumësht e me dhallë. Ajo kishte luajtur lojë. Ishte gjallë. Paratë, ah paratë, ishin si një fije mishi për një luan, për atë bandë. Hapi televizorin dhe filloi të qeshte me të madhe. E gjitha ishte aty në ekran. Banda nuk kishte më fjalë. Ky ishte aksioni i saj i parë.

Në të dalë të Qershorit 2019-të, larg nga vendi i aksionit të Gjyshes nga O. i M.

14 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page