Akoma me Kurban?!



Fatmir Terziu


Në sytë e kaltër… Në sytë e jetës… E fundit ishte pikturuar një lulëz. Një lulëz, e tillë e mbirë enkas. E ardhur në ditën që e solli në jetë atë. Jetë për lulëzën e vockël. Jetë dhe për vetë Pranverën. Atë lulëz, që pikërisht sytë e kishin fiksuar, tashmë ekrani i vogël e shpërndante dashurisht në mesazhier. E pashë. U shtanga. U përdhimba dhe lotova. Pse duhet ta fsheh?! Jam prej mishi dhe u ndikova burrërisht nga loti. Fundja është një e tillë e pashmangshme. Kur shpirti i ndjeshëm e ndjen, asgjë nuk pyet. Asgjë…

Sakrifica e dëshirave rinore. Flijimi i pasurisë, flijimi i statusit shoqëror, flijimi i marrëdhënieve, flijimi i sendeve të pajetë. E me dhjetëra flijime të tilla të tjera. Flijime në moshën më të bukur, flijime rinore, flijime djaloshare. Iku dhe një i ri tjetër në Londër. Iku si një dhimbje therrëse. Dhimbje nëne…, prindi.., shokësh dhe miqsh…, dhimbje shqiptare. Iku sikur ikte dhe forma e kësaj lulëzeje në celularin që ndan dhimbjen në mesazhier. A do të ishte flijimi, pra kryerendi i kësaj lulëzeje në celular? A do të ishte fati i saj i parë, i ndarë në këtë hapësirë sociale mesazhier? E në fakt, pastaj deri tek flijimi për t’u bërë prej Zotit? Deri tek leximi i Tjetrit. Deri tek leximi i mesazhit…

E mesazhi shkuhet, sikurse ishte shkruar në një të ndarë të tillë të jetës. Në një hapësirë vetmie të hallakatur dyerve të Botës. Aty ku vetëm mendja mund të lexojë ndarjen dhe bashkimin e tërë atyre që gatuhen në një mendje të ngarkuar e të mbingarkuar. Aty ku mendja bëhet palë me flijimin?! Flijimi?! Përsa kohë i duhet kjo Kurbanit shqiptar?! Edhe sa kohë duhet ky Kurban?!

Dhe mendja endet dhe merr pjesë të dhimbjes, që ndjehen kur duhet bërë një sakrificë e vogël. Dhe përgjigjet … sikurse duhet kuptuar një “Po” misterioze, nëse sakrifica është dhimbje, do të kishte dhimbje për t’u bërë prej Zotit. Po pse rrugë e pa rrugë?! Përse, është një thirrje klithëse…

Shpirti duke u arvalldisur në mendimin e leximin e Tjetrit, përgjigjet, “Për të mbajtur atë dhimbje duhet të përjetoni dhimbje, të përjetoni dhimbje…, dhimbjeeeee! Pra, duhet të sakrifikoni. Sakrifikoni?! Për kë? Përse? Për karrige dhe kolltuqe të pushtetit që …, e këtë se them dot vetëm Unë? Dhimbjet lindin njerëz më të fortë. Ji dhimbje, ji i Zotit! Dhe kuptoje jetën. Kuptoje ndryshimin. Kuptoje …Ti rinoshi që ke jetën përpara, Ti djaloshi që duhet të jetosh jetën! Kuptoje jetën!”

E fundit ishte një lulëz. Një e tillë që kishte çelë për të paralajmëruar ardhjen e kësaj Pranvere të mistershme të ngarkuar me Covid-19, të mbingarkuar me dhimbje therrëse. Një e tillë që kërkonte të na zgjonte. Një lulëz e tillë e largët dhe e afërt për të na dhënë një mundësi të zgjedhim rrugën… rrugën e gurëve me kalldrëm ku diku do të ecnim vetëm, të lirë, të qetë, si dikur në historinë e bukur të shqiptarit të lirë në traditë. Dhe ajo kishte çelur mes gjembave, aty ku në ballinën tjetër kristal shkruhej me pak fjalë: “Shkulni rrugën e gjembave për të arritur te … Do të ecnit me Jetën, që e meritoni ta jetoni!”

E fundit ishte ajo lulëz. Një e tillë e mbirë enkas në ditën që e solli në jetë atë, lulëzën e vockël dhe vetë Pranverën të pushtonte sytë dhe kristalinën e paqme të IPhon-10 në dorën time. Atë lulëz, që pikërisht celulari e kishte fiksuar dhe dashurisht e mban në mesazhier.

E pashë edhe sot. Edhe sot lotova. Pse duhet ta fsheh?! Kisha mbetur prej mishi dhe kisha arsye të tjera pse të ndikohesha. Fundja, ishte, është dhe do të mbetet një e tillë e pashmangshme. Kur shpirti i ndjeshëm pyet… për dhimbjet. Pyet për Kurbanin shqiptar. Vetëm dhimbjet duhet të lindin njerëz më të fortë?! Akoma duhet bërë Kurban?!

32 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif