Akademia “Fjala e lirë”

Shkrimtari Vangjush Saro shkruan: 


Vangjush Saro

1. Përtej hapësirave të një reviste


Kam shkruar dikur - në një nga komentet e bëra te “Fjala e lirë” - se shkrimtarët shqiptarë e humbën Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve (që fundja nuk se ishte e tyre, ishte më së pari e partisë apo e partive); por ata kanë gjetur vetëveten dhe njëri-tjetrin në revistën dhe portalin e njohur “Fjala e lirë”, një nga “krijimet” më të arrira të shkrimtarit dhe kritikut të njohur Fatmir Terziu. Këtu edhe po njihem me këtë intelektual energjik, tashmë një personalitet i spikatur i letrave shqipe; statura e tij artistike është mjaft solide dhe në një ngjitje të përditshme. Kurse “Fjala e lirë”, që ai e drejton me shpirt e mendje, zë aktualisht një vend të veçantë në rrjetin e revistave, gazetave dhe portaleve të shqiptarëve, kudo që ata janë. 

Kjo tribunë e mendimit të lirë dhe e krijimtarisë në liri, tashmë është përtej përmasave të një reviste; ajo ka marrë (pothuaj) statusin e një akademie. Se fundja, çfarë është (apo s’është) një akademi nëse ajo fle dhe vegjeton, flirton me pushtetin e radhës, nuk është në gjendje të skanojë përreth, të përcjellë dhe të dokumentojë ndryshimet në kulturë, nevojën për mbrojtjen e çështjes kombëtare, pamjet krejt më të shëndetshme (sesa në atdheun-amë) të komuniteteve të shqiptarëve në diasporë, sa edhe heshtjen për kërkesat e tyre, etj.! 

Akademia “Fjala e lirë” nuk shtiret, nuk bën poza. Nëse flitet për krijimtari, ajo është e të gjithëve dhe e gjithësecilit në të njëjtën kohë; nëse flitet për shqiptarizëm, ai kultivohet me dashuri, përmes afrimit të njerëzve, mentaliteteve, pasioneve, por edhe duke peshuar mirë fjalët dhe heshtjen, sa edhe duke iu lënë hapësirë zërave nga të gjitha trojet shqiptare. 

Në të njëjtën kohë, Akademia “Fjala e lirë” nuk është zemërngushtë dhe pedante; ajo nuk ka shumë qibër në pranimin e bashkëpunëtorëve, më të njohurve apo debutuesve. Ajo nuk pyet për tituj. Dyert e saj janë të hapura për krijues dhe krijime që mbase jo gjithnjë kalojnë nëpër filtrin e duhur. Akademi do të thotë edhe shkollë. Do të thotë edhe universitet. Shumë përvoja e aftësi fitohen pikërisht ndër shkolla. Gjithsesi, është tjetër çështje se në ç’mënyrë mund të klasifikojmë gjithë këtë prurje të madhe në letërsinë artistike, në letërsinë dokumentare, në kritikën letrare, në publicistikë, duke sugjeruar më shumë përkujdesje për çështje ngushtësisht profesionale e për të cilat s’ia dalim dot të shprehemi plotësisht brenda këtij shënimi letrar.

E dukshme është që në këtë akademi të të gjithë shqiptarëve, bibliotekat qëndrojnë të hapura, natën dhe ditën. (Edmondo de Amiçiz na ka mësuar se një shtëpi pa bibliotekë, është një shtëpi pa sedër.) Po këtu, sallonet janë plot me krijues, gjithkund bëhen përurime (librash) dhe korridoret kanë një gjallëri të pazakontë. Studjues të mirënjohur apo që sapo kanë nisur rrugën, vijnë në këtë portal të ngarkuar me mendime dhe hipoteza. Poetë dhe shkrimtarë të njohur apo që janë në fillimet e rrugëtimit, ofrojnë më të mirën e tyre, paçka se jo gjithnjë të gatshëm për t’u ndeshur me ftohtësinë e lexuesit ose indiferencën e një pjese të kolegëve. 


2. Një kafe me kolegët e çmuar


Nuk është fjala për një kafene reale, megjithëse nuk ka asgjë të keqe edhe në këtë...Në një kafe këso, i shpallnin sfidat poetët e njohur dhe piktorët e krisur. Mbase kështu, pas një kafeje, humbi Ali Podrimja, një nga poetët e mi të preferuar. Siç thotë këngëtari i njohur Chris Rea te “Blue cafe”...bota ime janë miljet e rrugëve pa fund. Dhe unë kam rastin të udhëtoj për të takuar miq të vjetër e të rinj, kolegë të çmuar, që prej një jete janë ropatur në rrugën e vështirë të letrave. Me kënaqësi, do të bisedoja atje me profesorin tim të letërsisë, poetin dhe përkthyesin e njohur Vangjush Ziko. Një sërë cikle me poezi të tij, duket se vijnë si një këngë lirike e kënduar herët, e ndërprerë, por e kënduar sërish; nganjëherë ato të kujtojnë serenatat korçare, nganjëherë brenga të pathëna, përjetime që janë aq komplekse; gjithnjë dhe gjithçka në emër të një sinqeriteti karakteristik për poetët e mirë. “Fëminia” është vetëm njëra nga vjershat që e shprehin këtë ndiesi sinqeriteti pa anë e gjer në naivitet. Ziko rrëfen në mënyrën më të çiltër të mundshme: “Yjtë e qiellit/ mbi djep,/ patjetër,/ shikonin.” Më tej: “Purtek' e mënjollës/ më bënte kalorës.” Vështroni ç’përfytyrim mrekullie dhe, njëherësh, sa i vërtetë; dhe që e ka gjetur vendin aq bukur, mbështjellë me një asonancë fine. Por heraherës zgjohet tek ai mendimtari me një barrë përvojë nga jeta: “S' çuditem aspak/ Pse s' qorollisen malet./ Pse rriten kallamat e blertë moçaleve./ Pse përtej mjegullës/ Poetët vështrojnë larg.”

“Fjala e lirë” më kujton nganjëherë rruginat e ish-Kinostudio-s, ku ne kemi lënë një pjesë të mirë të energjive tona, shpesh si në një lojë shahu me komisionet dhe pushtetin, (siç është shprehur njëherë regjisori Kristaq Mitro). Në ato “rrugina” mund të bisedoj sërish me Roland Gjozën, shkrimtar, skenarist dhe poet i spikatur, me të cilin mund të kujtojmë ditët dhe javët e vështira, kur bocetet tona shkonin për dhjamë qeni...Mund të kujtoj tani me sa pasion fliste ai për romanin “Mëkati”, që Esat Mysliu e bëri film. (“Nata”) Tregimet poetike të Roland Gjozës janë pjesa më e dukshme e përpjekjes sonë në vite nëpër dallgët e modeleve letrare. (Në shkrimin e fundit për Kadarenë, ai me të drejtë ankohet pse në programet e Maturës Shtetërore janë hequr Wollt Uitman, ndonjë nga veprat e Shekspirit, si dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Dhe të mendosh se dikur ne jemi tallur me të ashtuquajturin Revolucioni Kulturor Kinez...)

Më mirë të vazhdoj rrugëtimin, ai më heq nga devijimet e pushteteve gjithfarë...Në bibliotekat e kësaj akademie, mund të takoj me kënaqësi mikun dhe kolegun tim Faruk Myrtaj, asesi një shkrimtar e publicist profesionist dhe me mendje pjellore. Tregimet dhe poezitë e tij kanë një frymë aq private; o Zot, duket sikur ai druhet mos ia prekë kush vetminë, mënyrën origjinale se si iu qaset temave, gjetjeve perfekte, deri te “Atdheu tjetër”. Dhe komentet e tij në akademi, janë aq cilësore, me fraza të latuara mjeshtërisht, herë të buta e të brishta, si poezitë e tij më të bukura, herë të rënda e të ngarkuara pa mëshirë, gjer në lodhje, ashtu si jeta e shumicës prej nesh.

Po është këtu hera-herës edhe miku im Thani Naqo, tashmë shkrimtar me emër, me zemrën të ndarë më dysh midis Amerikës dhe Devollit; proza e tij më sjell një aromë dheu që e kam ndjerë edhe duke lexuar Mitrush Kutelin e Sotir Andonin, sadoqë Thani është në shtratin e vet të sigurt e që veç e zgjeron vazhdimisht. Takohem këtu edhe me shokun tim të vjetër Kostaq Dukën, flasim për prozën e tij të thjeshtë dhe aq komunikuese, për vjershat e tij të rënduara nga mendimet gjer në lëkundjen e kontureve artistike. Në këtë portal, mund ta pi një kafe me Kristaq Turtullin, shkrimtarin që aq mirë e zotëron rrëfimin dhe ofron subjekte interesante. Këtu mund të rri me Agim Maton dhe të admiroj vjershat e tij, veçmas peizazhet për Jonin dhe Sarandën, që janë antologjike. Kënaqësi është gjithaq të takosh një mik të vjetër si Vullnet Maton, i cili në dekadat e fundit iu kthye sërish poezisë me dashurinë e parë, që është edhe më e vërteta. Me Qazim Shehun, (poezitë e të cilit janë aq fluide e të derdhura) këmbej mendime për heshtjen ndaj një sërë krijuesve profesionistë, vetëm e vetëm pse ata nuk janë nëpër klane(!) 

Tok këtu edhe miq të rinj e krijues që janë bërë më të afërt për ne në dy dekadat e fundit, Vilhelme Vranari, Fatime Kulli apo edhe Rajmonda Moisiu, e cila është e palodhur edhe në hartimin e intervistave me krijues të ndryshëm. Disa nga vjershat e saj janë të një natyre aq njerëzore, ku gjithnjë ka diçka që e ndjen nga afër, njëlloj vuajtjeje, trishtim i kënduar me vetëpërmbajtje gjithsesi: “Po zbret, që nga dega mbi mua,/ më puth te flokët, në qukën e gushës,/ dhe…në buzët e mia të dëshpëruara…” Por ky shpirt, edhe pse dridhet, dënes shpresë: “Pres të fluturoj, për në udhën tonë./ Pres çastet pa fund,/ për në pyllin tërë blerim...” Më në fund, kësaj tabloje dashurie, nuk mund t’i mungonte edhe një peizazh, sado me pak penelata: “Nata po ikën.../ hëna lart derdh rreze, /si të qarat e Shaganesë!” (Vjersha e marrë në analizë në këto radhë, nuk e fsheh fqinjërinë me përvëlimet e “Shagane, shpirti im, Shagane!”, ndër më të bukurat e S. Eseninit - Cikli “Motive persiane” - që në përkthimin e Jorgo Bllacit tingëllon këso: “Shagane, shpirti im, Shagane/ sepse jam nga veriu, prandaj/ po të flas ty për fushën pa skaj/ për thekrishten nën hënën pa re./ Shagane, shpirti im, Shagane!”)

Në akademi fillon të njihesh edhe me poezinë e Anila Totos, me krijimtarinë e Piro Lolit dhe të tjerë shkrimtarë e poetë, që ndoshta nuk i njeh, por e shikon që prestojnë, tërheqin vëmendjen e lexuesve dhe të kritikës letrare. Mund të përshëndetësh këtu poetët më të rinj, si Daim Myftari, që më bëri përshtypje me vjershën “Ikja e gjyshit”, sa moderne, aq edhe e kthjellët në mendime, ku pikësimi e kishte humbur “avionin” dhe megjithatë asgjë nuk shkonte keq. 

Është një  institucion i gjerë “Fjala e lirë” dhe autori i këtyre radhëve kërkon ndjesë që nuk ka përmendur edhe shumë emra të tjerë. Nuk do të thotë se nuk i ka në mendje dhe nuk i nderon. 


3. Çfarë ka pas metaforës “akademi”


Kam shkruar ditë më parë për ikjen nga lëvdatat e tepërta. Pothuaj iu jam lutur kolegëve të përmbahen dhe të mos i vënë vetë kurorat mbi kokë...Një fjalë e urtë popullore flet këso: “Hidhu përtej hendekut, pastaj thuaj hopa.” Po ashtu, kam apeluar që me më shumë kujdes duhet t’iu qasemi temave të vështira, sikundër janë ato të trashëgimisë letrare. E vërteta është se në Shqipëri, por edhe në diasporë, ka një pështjellim;  shumë njerëz po bëjnë çmos të duken ndryshe nga ç’kanë qenë; ka të tjerë që s’duan të dinë fare ç’është bërë dhe si është jetuar, iu besojnë përfytyrimeve të tyre shpesh jo të drejta; përgjithësisht, shumë gjëra po vështrohen shtrembër dhe për interesa të pandershme. 

Sidoqoftë, hedhja e baltës mbi gjithçka të së shkuarës, pa kurrfarë dallimesh a vlerësimesh, është shprehje varfërie dhe prapambetjeje; sepse, siç shkruan Franc Kafka: “Teksti nuk mund të ndryshohet, kurse opinionet janë vetëm shprehje e dëshpërimit.” E pra, shumë shkrues sillen krejt të pamatur kur teksa flasin për një tjetër kohë, s’e kanë për gjë të shkelin me këmbë gjithçka, që tek e fundit, e kanë pasë ndërtuar njerëzit dhe jo diktatorët apo klanet përqark tyre. Mes shumë vështirësish, shqiptarët bënë në vite të shkuara ndërtime, sport, letërsi, gjuhë letrare, filma, etj., çka fanatikët duan ta marrin përpara e ta groposin, a thua jemi në vitin zero. 

Nuk të vjen mirë sidomos kur shkrues ende pa staturë marrin përsipër të shuajnë gjithë ç’është krijuar më parë në letërsi, pavarësisht se në ç’rend. E përsëris, ky është një diskutim i gjatë dhe që ne shqiptarët kemi prirjen ta zgjasim edhe më; por unë besoj se tashmë një sërë institucione e portale, midis të cilave do ta veçoja Akademinë “Fjala e lirë”, mund të përfshihen në përballjen e këtij lloji të ri të prolektkultit1). Albert Ajnshtajn ka thënë: “Nuk mund të zgjidhet një problem me të njëjtin mentalitet që e ka krijuar atë.” (Në rastin tonë, mund të shtonim: “...me urrejtje”.) 

Në këtë temë, do të kërkoja edhe ndihmën e një sërë kolegëve më të rinj. Kështu, nganjëherë më janë dukur të tepruara disa konstatime të publicistit Ardian Ndreca. Por i jap plotësisht të drejtë, kur në një nga shkrimet e fundit, vëren me dhimbje: “Ne kemi mbrenda vetes nji gen shkatrrimtar që çon natën do cuba katila me shkatrrue, jo me vjedhë, afreske të Onufrit…” Një tjetër analist i ri, Dorian Koçi, vëren plot shqetësim: “Ajo që bie në sy është se nuk janë prishur e shkatërruar struktura apo forma të dhunës ndaj të cilave qytetarët ishin të ndjeshëm, por fatkeqësisht janë prishur e shkatërruar arkiva, kadastra e dokumente historike që shprehin vetëdijen historiko-shtetformuese të kombit. Në këtë kuadër nuk të bën përshtypje se përse ka aq pak dokumente origjinalë historia shtetformuese e shqiptarëve. Rasti më flagrant në këtë drejtim është zhdukja e dokumentit origjinal të Pavarësisë, i cili i përket një kohe të afërt pa bërë fjalë këtu për dokumente të tjerë më të hershëm që as që mund të bëhet fjalë. Si gjithmonë nuk kanë munguar zërat që këto shkatërrime t’iu jenë faturuar të huajve apo shërbimeve sekrete të fqinjve. Paranoja e të jetuarit si në rrethim dhe me armiq gjithandej në thelb nuk është një shpikje e socializmit real në Ballkan, por pasojë e një jete të gjatë farefisnore e të ndrydhur patriarkale. Para se të kërkojmë faje dhe komplote tek të tjerët, ne duhet të analizojmë thellë brenda vetes sonë deliret e të qenit “antishtet” dhe vazhdimësinë e të jetuarit në anarki.” 

Mbase ka ardhur koha që Akademia të merret më shtruar me këso çështjesh. Nuk kemi ndërmend t’i sugjerojmë asaj të mbrojë episode të errëta të së shkuarës; por bashkëpunëtorët dhe ekspertët që trokasin heraherës në dyert e saj, mund të merren gjerësisht dhe siç duhet me historinë, letërsinë, gjuhën, kinemanë; natyrisht, e kemi për detyrë të kujtojmë: revanshi s’ka asgjë të përbashkët me zhvillimet e natyrshme në çdo lëmë. Revanshi bie erë interesash klanore. Deri më sot, “Fjala e lirë” i ka dhënë provat se mbart kapacitetet e duhura për të marrë përsipër dhe për të rindërtuar një urë a platformë mendimi që shkon në thellësi dhe njëherësh zgjerohet në diametër, për ta rrëfyer mirë dhe me drejtësi atë pak trashëgimi letrare dhe artistike që ka vendi. Brezat që do të vijnë, do të bëjnë pyetje konkrete, do të kërkojnë të gjitha dimensionet e së vërtetës; pamja që ata duhet të krijojnë për vendin e tyre, duhet të jetë e shkundur nga ideologjitë dhe urrejtjet gjithfarë.

Por përveçse mund të japë një kontribut me peshë për historinë dhe këndvështrimet e sotme mbi fenomene të ndryshme shqiptare e ballkanike, akademia mund të vazhdojë të hartojë antologji letrare të gjinive e zhanreve të ndryshme; mund të japë çmime, që ndryshe nga ç’katranosin përherë zyrtarët e angazhuar të Tiranës, mund të jenë më të drejta e të prodhuara pas pulsimesh reale përmes portalit, pulsime që të kenë peshën e tyre në vendimmarrjen e një komisioni të caktuar. Nuk munden tre-katër individë, sado të mençur dhe me “biografi” të mirë, të lexojnë dhe të vlerësojnë gjithë sa është botuar në shqip. Kështu, ata na kthyen prapa në kohën e “listave” ku ishin gjithnjë të njëjtët, kur ekspertët dubloheshin nga dështakët e partisë.

Për fat të keq, ka një mosvëmendje ndaj institucionesh të tilla, që janë  totalisht në kërkim të frymës së lirisë dhe drejtësisë. Jemi ende në kohën kur pushtetet nuk shqetësohen për fatin e akademive e shkollave të palicensuara prej tyre...Siç thotë Krillovi në fabulën e tij “Kureshtari”: “Ai kishte parë zogj e breshka, por elefantin jo.” Fonde të konsiderueshme shkojnë për vepra mediokre, ndërkohë që revistat e portalet të cilat botohen jashtë Shqipërisë administrative, përmes aq sakrificash e mundimesh - sado modestë qofshim, duhet ta themi - punojnë më shumë dhe janë më produktive, fundja edhe më shqiptare, se shumë institucione të llastuara të shtetit, të këtij mekanizmi të vrazhdë dhe të rëndë, që kërkon përherë ta ledhatojnë. Viktor Hygo konstatonte: “Revolucionet mbarojnë në momentin kur plotësohen qëllimet personale të drejtuesve”. Mos e tepronte ai?...

Le të shpresojmë se gjërat mund të shkojnë në një kahje përmirësimi. Siç na kujton ai kolegu i njohur: “Deti më i bukur ende s’është lundruar...” Kështu pra, tani po i vë një pikë (hëpërhë) për të lënë vend edhe për mendime e alternativa të tjera. Sidoqoftë, mendjet e mençura e dinë që në gjithë këtë parashtrim, fjala akademi është ende një metaforë. Veçse unë pyes drejpërsëdrejti dhe me sinqeritet: Sa larg ngjizjes së këtij institucioni jemi ende?

Ju falemnderit për kohën!

.........................................................................

1) Lëvizje e njohur në Rusinë e viteve të para pas Revolucionit të Tetorit, kur u hodhën parrulla për të shkatërruar gjithçka “borgjeze”, fabrikat, hekurudhat, kulturën, trashëgiminë, sjelljet, vlerat morale, etj.


#vangjush #saro

39 views

Shkrimet e fundit