top of page

Agim Bajrami: Sinteza e jetës së një individi në poezi



 (Shënime rreth librit " Më pëlqen të shkruaj" të Skënder Milaqi)


   Në mjediset tona letrare ka disa vjet që ai  është i pranishëm, me vargjet dhe prozën e tij, që të tërheq dhe të  fut në mendime.  Larg zhurmës së promovimeve shterpë dhe deklamacioneve të  zhurmshme, ai vazhdon t’i falet vargut dhe t’i besojë atij një pjesë të sekreteve dhe emocioneve të përditshmërisë. Para disa kohësh botoi romanin interesant, që edhe pse emërtohet me emrin e bukur të një vajze “Klara " arrin të trajtojë   një nga fenomenet  më të turpshëme të shoqërisë shqiptare të tranzicionit, atë  të prostitucionit dhe nxjerrjes në rrugë me dhunë të vajzave të pambrojtura, ndërsa këto kohë më dhuroi njw nga tre vëllimet e tij  poetikë,   “Më pëlqen të shkruaj ".

    Ajo që të bie në sy në prozën dhe poezinë e tij është se autori ndihet mirë në të dyja këto gjini  dhe  të ndihet i plotësuar më së miri në dimensionin e tij krijues Por ajo që konstatojmë sapo lexojmë " Më pëlqen të shkruaj” , është fakti që poezia për të, krahas  një akt krijimi, është edhe një akt vetëdijshmërije, për të shpërfaqur unin dhe kredon e tij, qytetare çka i anashkalon të gjitha cilësimet dhe konstatimet e tjera.

 Edhe pse në libër gjejmë me shumicë  poezi me imazhe të gjallë nga  rinija  dhe fëmijërija, kujtime dhe mbresa individuale për shokë, prindër, fëmijë dhe bashkëshorten kjo nuk e ndryshon karakterin  e tyre thelbësor.   Duke qenë një  natyrë e ndjeshme dhe kërkues  ndaj kohës dhe ambientit ku jeton , ai nuk mund të mbyllë sytë dhe të veshë mantelin e konformistit, nuk mund të heshtë dhe të bëhet nji me demagogët dhe mbjellësit e së keqes ku liria dhe demokracia janë ende në udhëkryq. Një individ si ai, nuk e  ka për gjë të polemizojë në mbrojtje të ideve të tij edhe me një auditor të tërë kundërshtar,  sepse është i bindur në fuqinë e vargut dhe mesazhet që burojnë prej tij. Duket se titulli i librit “Më pëlqen të shkruaj " nuk mund të konsiderohet si një akt pohues , por  edhe  si një akt hyjnizimi i shkrimit dhe rolit të tij në jetën  shoqërore.

    Duke ardhur nga një fushë e lidhur ngushtësisht me natyrën, siç është bujqësia (kujtojme se autori për vite me radhë,  ka ushtruar profesionin e agronomit dhe punonjesit shkencor), lidhja e tij me natyrën , më shumë se fizike, është dhe mbetet  një lidhje shpirtërore.  Ashtu si Uollt Witman që i këndon fijeve të  barit dhe e konsideronte veten bir të natyrës ,edhe Skënderi nuk mund të sillet  ndryshe.   Kjo është edhe arsyeja e  e dashurisë dhe sjelljes së tij me kaq delikatesë me natyrën ,dhe ata që e duan atë , ndërsa shqetësohet dhe revoltohet së brendshmi me  sjelljen  brutale dhe të papërgjegjshme të njerëzve ndaj florës dhe faunës së vendit të tij, prerjen masive të pyjeve dhe tharjen e lumenjve dhe liqeneve. Janë këto  arësyet  kur poeti del nga vetja dhe tekstura e poezive të tij bëhet më e ashpër dhe më e shqetësuar. Jetojmë në kohra - thotë poeti kur njeriu i sotshëm, nuk po e vlerëson më shijen e ujit dhe brengat e lotit. Nuk po i respekton më mësimet dhe këshillat, që trashëguam nga të  parët tanë në mijëvjeçarë.  Me një ankth enumerativ vjen edhe  konstatimi tjetër i trishtuar ,se njeriu i sotëm , është shndërruar në një qenie të tjetërsuar dhe të frikshme, me trupin plot tatu,  fantazma dhe lule.  Natyrisht që një konstatim i tillë është i frikshëm dhe alarmant jo vetëm për ekologët dhe dashnorët e natyrës ngado janë ,por për të gjithë Bota po rrëshket dalëngadalë drejt një zgripi , dhe të heshtësh ,si të tjerët  do të thotë të jesh bashkëfajtor - thotë nënteksti i poezisë së tij.

    Janë këto arësyet që  vargu i tij , të   flak tej rutinën e të folurit të zakonshëm, për tu  shndërruar në një varg të një natyre  tjeter. Nga poezia në poezi klima poetike e tij fillon të  bëhet më e ashpër dhe më rrebele, ndërsa  e folura e tij më kundërshtuese dhe më alegorike  Nëse do të shfletonim me kujdes gjithë librin, do të ndjenim herë pas here  praninë e theksuar të  një nervi social, dhe pozicionimi e qartë qytetar të autorit, por poema që hap librin "Përse sillemi kështu o njerëz”, është një shprehje distancimi dhe për më shumë edhe  një këmbanë alarmi,  për gjithë këtë situatë absurde dhe  të papranueshme njëherësh.Habitem me ty njeri /Linde për të adhuruar zotin dhe natyrën/ Për të shfrytëzuar të mirat e kësaj bote/ U rrite bashkë me to ,duke dashuruar/ Harrove atë, që ti vete dhe natyra ishit krijuar/ Habitem me ju o njerëz të mirë/ Luftoni gjithë jetën të jeni të pasur/ Doni t’i merrni jeshillikun natyrës ,kaltërsinë detit/ Harxhoni gjithçka keni fituar/ Për ti dhënë gjallëri shëndetit/ Respektojeni zotin dhe natyrën/ Që të gëzoheni!

 Në këtë poemë hartuar në trajtën e një traktati të gjelbër  dhe të tjera si kjo,  autori operon me mjete të qarta shprehëse,  gjithmonë në emër të një arësyeje të shëndoshë, duke u perpjekur  t’i percjellë tek lexuesi , nëpërmjet një vargu të plotë ,dhe të pasur me filozofinë e jetës.

 Në doni që njerëzimi bashkë me ju, të jetojë/ Respektojeni zotin dhe natyrën , që të gëzoheni /Raporti me to s'ka qenë dhe nuk është një lojë.

  Në të njëjtin  shtrat filozofik  me poemën në fjalë , janë të vendosura edhe pohimet e urta dhe të thella   të poemës" Ndërgjegja ". Pavarësisht pamjes në dukje  si një pyll i dendur dhe guackë e fjetur buzë detit , ndërgjegja si nocion  për poetin është një lloj   pelerine për shumicën e kombeve , por edhe për ne, që shohim gjithçka rreth e rrotull nesh ,e s'na bëhet vonë, për gjithçka të keqe dhe të padrejtë që ndodh ,ajo ende kondiderohet si një sintoni sociale ,e marrë lehtë. Një dukuri e tillë ,që shoqërohet si maskë e shoqërisë dhe që shpesh herë i lihet frikës, është e papranueshme jo vetëm për poetin në fjalë, por për çdo individ me aresye të shëndoshë. Një komb pa ndërgjegje është i varfër dhe i mpirë.  Kombet me ndërgjegje, janë të pasur dhe të lire. Poetit i mjafton vetëm ky konstatim , që t'ia ndryshojë në çast qetësinë dhe rutinën e ditës ,duke nxitur   brenda tij zërat e nje revolte të rrepte qytetare, atë lloj revolte, që autori e ka pritur dhe vazhdon ta presë me dekada, nga kombi i tij i frustruar dhe nëpërkëmbur keq  nga politika e kohës dhe ideologjitë regressive.

 Në këtë poemë  ai ngjan se i referohet thënies së njohur  të Umberto Ekos ,rreth  rolit destruktiv të intelektualëve  të shitur dhe të vënë  në shërbim të pushteteve të kohës. Tipave të tillë  poeti  i'u pergjigjet me idetë dhe konceptualitetin e  tij prej intelektuali dhe krijuesi ,me përkushtimin  dhe energjitë e tij njerëzore , me qëndrimet  dhe thirrjet e tij për ndryshim. Me vargje të rreptë,  por të pasur me figura artistike  dhe metafora, autori paraqet pamjet e errëta dhe galerinë e individëve të zhvleftësuar moralisht dhe shpirtërisht  nga morali i djeshëm  komunist, por edhe  degradimin e thellë  të individit në kohërat e sotme,  asfiksimin dhe zbrazëtinë e shpirtërave në një jetë boshe  dhe pa qëllim. Nëse do të na duhej të zbërthenim strukturën ideore të kësaj poeme do të bindeshim se konstrukti i saj është vendosur mbi shtyllat e postulatit të Dekartit, tek ndërgjegja për vetveten, se truri i shplarë, duhet larë e  pastruar mire. Seneka thoshte se gjithçka që ti dëshiron ndodhet mbas murit të frikës,  prandaj edhe ai ngutet  ta  mbyllë krijimin me bindjen  për ndryshime sa më  të shpejta në  të ardhmen , në koncepte dhe qeverisje.  Se me fatet e këtij vendi s'mund të luhet më si dikur. Atyre që e kanë vjedhur dhe plagosur këtë tokë. Drejtësia t’i tregojë errësirën në themel. Poema për "Italinë" është një  pasqyrim.me detaje  i kulturës dhe fisnikërisë së një kombi të madh ,si dhe një mesazh mirënjohje për  ndihmën dhe miqësinë tradicionale që egziston prej shekujsh mes dy vendeve tona. Autorin e gëzon dhe entuziazmon fakti  që ndjenjat e ngrohta  që egzistojnë  mes dy popujve  tanë, në kohrat e sotme  janë bërë më të forta   dhe më të sinqerta. Mjaft e prekshme dhe emocionuese është edhe poezia " Jeta ime në vargje”. Nërmjet një gjetje artistike   autori ja ka dalë të na japë , artistikisht  një  sintezë të gjallë  të viteve të  rritjes dhe pjekurisë së   tij , mes pengesave të kohës dhe  vështirësive të shumta. Krijimi fillon me një rikthim   në kohë. Hapat e parë në klasën e fillore , mësimet e para të abetares ,shokët ,mësuesit , jeta konviktore , universiteti dhe puna e gjatë studimore në fushën e bujqësisë gjer në moshën e tanishme.  Me një varg të thjeshtë, por të ngarkuar me kumte, autori ka mundur të pasqyrojë  udhën e një njeriu , që vetëm në sajë të punës dhe përkushtimit arriti të bënte realitet  shumicën e endrrave të tij.

   Per autorin Familja ka qenë dhe mbetet pjesa më e bukur dhe e shenjtë. Ajo konsiderohet jo vetëm një celulë  e rëndësishme e shoqërisë, por edhe një metaforë e  vazhdimesise së jetës , pasuri e pafundme  dhe dashuri pa mbarim. Duke i shkrirë me frymën e ndjerë lirike të poezive të këtij autori , mendoj  që poezia e Skënder Milaqit mbetet një pasqyruese besnike e ndjesive të autorit ,që nga  gjeneza e deri më sot imazhet e lalës,  Ijes , shokëve të fëmijërisë ndërthurur me vendlindjen e dashur , shërbejnë për të shpesh here si simbolika dhe si një makinë kohe për të mbërritur të pamundshmen dhe fantastiken. Si një poet që adhuron rrënjët ,ai e ka të pamundur të shkëputet prej saj , ndaj çdo përpjekje për ta konceptuar portretin e tij të veçuar prej tyre do të dilte i pavërtetë. Lirizmi i thellë dhe sinqeriteti i'u japin vlerë poezive  dhe i bëjnë pohimet e tij më shumë prekës. Në këtë sens poezia “Shikimi yt”, kushtuar vajzës së tij të dashur ,të ngjan se çdo varg pikon   dashuri dhe rrahje zemre prindërore.

 Të njëjtat ndjesi përftojmë edhe nga leximi  poezive "Lodhja dhe përqafimi ," "Bukuria",  "Ndjej një përulësi", “E dua nje foto", " Pak debat" ,"Vetmia ", “A e duam lirinë" etj. Në keto poezi,  ku racionaliteti i vargut dhe i mendimit ,shkojnë paralel me njeri tjetrin ceken  artistikisht  nje sërë problematikash me të cilat ndeshet individi i kohëve tona si marredhëniet mes individëve , dashuria bashkëshortore  , ndjenjat e miqesisë, plagët sociale të kohës etj,etj.  Në sejcilën prej tyre autori fut natyrshëm mbresat  dhe përvoja e tij  jetësore, duke i bërë ato më të prekshme dhe emocionale. Diku nga mesi i këtij libri është edhe poezia e ndjerë " Loti" e cila u vleresua me çmim të parë në festivalin e poezisë durrsake ,një vit më pare. Ne të gjithë i kemi në majë të gjuhës  shprehjet "Qava me lot " ose qesha me lot  Mbi këtë lloj dykuptimësie , autori ka ditur  të ndërtojë  një strukturë të tërë imazhesh dhe gjendjesh të larmishme, të krijojë raporte mes objektit dhe shpirtit të ndjeshëm njerëzor. E kam provuar shijen e kësaj fjale. Kur isha fëmijë për një gabim. Kur isha i ri për një qortim. Adoleshent për një zhgënjim. I sapo martuar për një gëzim. Pasi e ke mbyllur këtë libër dhe je rrethuar me zërat dhe fjalët e tij , ke përshtypjen se sapo je ndarë nga autorrëfim  i gjatë i  autorit për veten dhe  kohën e tij ,një autorrëfim, ku nuk pasqyrohen vetëm  qëndrimet dhe konceptet e një individi të vetëm, por  edhe i  shoqërisë ku ai jeton dhe militon.  Kumtet e shumta që bartin  vargjet e poezive dhe poemave të tij , ngjyrat e ndryshme dhe mënyra sesi arrin të na i përcjell, krahas emocioneve me sjellin në mend thënien e njohur të Robert Frost , se "të qenurit poet , është gjendje dhe jo post ". Ndofta kjo është  një nga  arësyet , që ky libër të josh ta lexosh gjer në fund , por edhe të biesh në mendime.

Maj, Durrës 2025

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page