top of page

Agim Bajrami: Narrativa egzistencialiste e një kohe të akullt

  • 2 days ago
  • 5 min read

Agim Bajrami: arrativa egzistencialiste e një kohe të akullt

(Refleksione rreth librit me tregime të zgjedhura “Hapësirë e akullt”)

 

Ruajtjen e identitetit në kohëra të vështira, autori Xhemë Karadaku nuk e ndan asnjëherë nga tema e qëndresës dhe ajo egzistenciale. Është një trinitet brenda të cilit ndodhin kaq ngjarje, ku jeta përleshet egër me vdekjen dhe etja për mbijetesë merr dimensione gati mitike. Më shumë se kaq, ky trinom i ka shërbyer autorit për të zbuluar transformimet dhe proceset psikologjike, që ndodhin tek shumë nga heronjtë e këtyre tregimeve, që ngjajnë se ecin në kundërkohë, duke i ofruar kësisoj vetes procesin e zhbërjes dhe asimilimit. Është ky shkaku që koha e tyre e jetës të ngjajë si e ndërtuar prej planesh të përmbysura dhe një mori pikëpyetjesh, që ndjekin rregullisht njëra-tjetrën në forma asimetrike.

Si të tillë, shumica e tregimeve nuk kanë ritme të ngjashme zhvillimi, por vetëm kohëra të ngjashme pikëtakimesh me jetën dhe të kundërtën e saj. Janë tregime që i gjejnë heronjtë e tyre në udhëkryq, të rrahur keq nga erërat e jetës dhe dyzime egzistencialiste të shumta. Të lodhur nga mjegulla dhe pesha e sloganeve morale, ata janë të gatshëm të vrapojnë mbas dritës më të parë që u afrohet, pa e vrarë shumë mendjen për përmbajtjen dhe rreziqet e saj të fshehta.

Janë individë që ngjitjen dhe zbritjen i masin me të njëjtën peshore. Në tregimin e mrekullueshëm “Pellgorja ndryshe”, lëvizjet dhe detajet narrative janë të llogaritura me një saktësi matematike, ndërsa dekoret të veshura vazhdimisht me një ngjyrë surreale. S’di pse, duke lexuar këtë tregim, mua më kujtohet thënia metaforike e Fos, që e krahason dhimbjen me heshtjen që frymon.

Edhe pse autori këmbëngul se ngjarjet dhe personazhet janë marrë nga ditari i imagjinuar i jetës dhe ngjarjet janë të rastësishme, ato kanë shumë frymë dhe ngjashmëri me historinë dhe aktualitetin kosovar. Për të rindërtuar fatin e personazhit të tij, autori luan artistikisht me një varg toponimesh, si Arat e Pusit, Kroi i Pusit, Varri i Hazir Pusit, toponime të cilat e lidhin lexuesin me fate tragjike njerëzish të ikur, por edhe me historira të trishta, që shumëkush nuk kish dëshirë t’i rikujtonte asnjëherë.

Për ta çuar gjer në fund misionin e tij narrativ dhe zbërthimin e personazheve, autori sikur pëlqen ta përjashtojë vetveten nga pozicioni i narratorit, duke ia ngarkuar këtë gjë heshtjes që flet dhe dëshmitarëve rastësorë.

Edhe pse me ton të përmbajtur dhe një lloj ftohtësie, thëniet e tyre kanë arritur jo vetëm ta portretizojnë personazhin, por i kanë dhënë tregimit një energji të madhe narrative. I bindur se, duke zbuluar enigmën dhe fatin tragjik të një njeriu, i cili kërkoi ta ndërtonte jetën në një vend të huaj dhe aspak miqësor, tregimi evokon njëherësh edhe historitë tragjike dhe fatet e mbrapshta të mijëra të tjerëve si ai, të cilët ranë pre e iluzioneve të zëvendësimit të atdheut me një atdhe tjetër rastësor.

Pavarësisht keqardhjes, ky tregim nuk e fsheh dot alegorinë e tij për këtë lloj shtrese njerëzish naivë dhe të rrëmbyer, dhe refuzon kategorikisht çdo veprim të tyre.

“As ombrellë, as hije” përshkruan odiseunë e ngjitjes dhe rrënimit të një individi, të cilin joshjet për karrierë politike dhe pushtet e bëjnë të dalë nga vetja dhe të përfundojë në falimentim të plotë ekonomik dhe shpirtëror.

Vendosur në sfondin kohor të pasluftës, kur ëndrrat e disa njerëzve për liri u përzien keq edhe me ëndrrat për pushtet, jeta e tij priret nga fataliteti, duke i treguar lexuesit artistikisht se ç’ndodh me njerëzit e papërgatitur kur dehen nga liria dhe etja për të bërë karrierë në kohëra të errëta.

“- Dëgjo Rremin e keq ç’ka të thotë”, e pasqyron autori amplitudën e rënies në greminë të personazhit të tij.

“Delet, bosit po ia ha politika, po ia hanë ata me të cilët rri ditë e natë.”

Një tregim tjetër, ku tensioni dramatik ndihet në çdo rresht dhe reflekton fort krizën e individit në shoqëri, është edhe ai me titull “Vdekja duke qeshur shqip”. Është një krijim që i refuzon subjektet me një parabolë zhvillimore, ku theksi tragjik nuk të shtyn të psherëtish me keqardhje, por të rendësh drejt komikes së padukshme të personazhit e diagnozës psiqike.

Një burrë, që ka vendosur të vdesë me çdo kusht duke qeshur, si shenjë revolte ndaj vetë vdekjes dhe modeleve statike me të cilët është mësuar të ecë bota, një personazh me një botë dhe profil krejt ndryshe nga ata të njohurit, me gjetje dhe zhvillim shumë interesant, të bën të mendohesh dhe të thellohesh drejt brendisë së gjestit.

Subjekti që zhvillohet gjatë gjashtë ditëve të dergjjes së heroit, duke tërhequr vëmendjen e publikut dhe mediave, është një gjetje interesante, jo vetëm si subjekt, por edhe nga nënteksti i pasur që tenton të emetojë drejt nesh.

Autori hyn drejtpërdrejt në thelbin e rrëfimit, sikur të ketë frikë se mos personazhi ikën papritur dhe ia lë fillin tregimtar në mes. Duke krijuar këtë personazh, autori Xhemë Karadaku nuk ka vizatuar vetëm një paradoks egzistencial të një individi, por e ka ngritur ironinë e tij në shkallët më të larta për një shoqëri ku indiferentizmi dhe dinjiteti nuk kanë më asnjë vlerë.

Duke qenë një vëzhgues shumë i hollë i bëmave dhe antibëmave të realitetit të vendit të tij, Karadakut nuk mund t’i shpëtojnë nga sytë aktualitetet dhe dukuritë e padëshirueshme që paslufta dhe pushtetet e bjerrura mbollën në ndërgjegjen e shumë individëve me karakter të dobët dhe të paqëndrueshëm.

“Tregimi tjetër “Lavjerrësi i kohës” mund të konsiderohet edhe një deshifrim i frikshëm i psikologjisë së feformuar të disa njerëzve për të braktisur punën e ndershme, duke i pritur të mirat materiale nga të huajt. Është një tregim i shkruar me një stil të shkathët dhe dialogje të mprehta.

Lajmi që i solli prerësi i druve Besnikut për mbërritjen e Lavjerrësit të kohës në fushën e përrallave dhe ngazëllimin naiv të turmave që presin benefice prej saj i kanë mjaftuar autorit për të krijuar një shembëlltyrë satirike të psikologjisë së turmave të verbra, me një fuqi refleksive dhe shtresëzime shumëkuptimore.

“- Fjala lavjerrës, po të ndahet në pjesët “la” dhe “vjerrës”, të bën të kuptosh për një gjë që të lë varur, d.m.th. pret prej tij diçka të madhe e në të vërtetë s’ka asgjë.”

Ashtu siç thotë kritiku i njohur Arben Iliazi, Xhemë Karadaku është një filozof i intuitës, që bën dallimin mes hapësirës dhe kohës në përmasat e lirisë njerëzore. Duke mësuar nga përvoja e mjeshtërve të njohur të prozës kosovare Nazmi Rrahmani dhe Anton Pashku, ai është munduar të fusë në tregimet e tij sa më shumë traditë dhe etnicitet, por edhe ta ndërthurë atë në mënyrë elegante me elementë të realizmit magjik.

Heronjtë e Xhemë Karadakut dallohen një orë larg që janë njerëz kosovarë, që vijnë nga larg dhe nisen sërish për diku. Janë tregime me një energji të veçantë kombëtare, të pangjashme me askënd, por vetëm me veten. Fakti që pena e këtij autori këmbëngul ta përçojë sa më mirë këtë lloj energjie e bën këtë autor kaq të veçantë dhe të dallueshëm nga të tjerët.

Ata që kanë lexuar tregimin “Kali” kanë pasur rastin të vlerësojnë forcën karakteriale të dy heronjve të saj, Vin Jaka dhe Bani, të mrekullohen nga peizazhet gati baladikë ku lëvizin ata, por edhe të vishen me mesazhet e tyre filozofike.

Xhemë Karadaku është një autor që operon me simbolet, qëmton brenda tyre, për të ndërtuar më pas dimensionet e dhimbjes, si dhe koreografitë e lëvizjeve të tyre drejt së nesërmes.

(Redaktoi: „Fjalae Lirë“)

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page