Agim Bajrami: “Bulevardet e së djeshmes"...
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 1 hour ago
- 6 min read

“Bulevardet e së djeshmes" si një pohim i vlerave historike dhe intelektuale, të një qyteti
(Esse rreth librit me të njëjtin titull të Fatmir Minguli )
Nga Agim Bajrami
Libri i fundit i studiuesit durrsak Fatmir Minguli, "Bulevardet e së djeshmes," për kundër vlerave të tij njohëse dhe evidentuese, ashtu si dhe shumë libra të tjerë të tij shquhet për karakterin e tij dialogues me kohën si rrjedhë, dhe me lexuesin që pranon të shfletojë fletët dhe ngjarjet e saj.
Duke i vendosur librit të tij një titull metaforik, autori e fton atë, të udhëtojë në të njëjtën rrugë, ku ka shkelur e djeshmja dhe historia Ai nuk ia lë kohës, që të fotografojë vetveten, pasi e di që ajo dhe pluhuri i saj, nuk dijnë të zbulojnë, por të bëjnë krejt të kundërtën. Duke ndërthurur në një të vetme intonacionet e së tashmes me ato të kujtimeve, ky libër merr vetvetiu dimensionet e një makine të kohës, që mund të të çojë në të shkuarën, por edhe të vendos në duar edhe një biletë kthyese drejt së sotmes.
Zakonisht në këtë udhëtime zhbiruese, autori nuk mban kollare dhe papijon. Ai vesh një kostum të thjeshtë sportiv, rrëmben një hartë dhe deteskop diku dhe nis të kërkojë. Në këtë rast objekti i tij i kërkimeve, nuk është ari dhe thesaret, por pamjet fotografike dhe zërat e shuar të një kohe të largët që nuk i ka humbur lidhjet me bashkëkohësinë. Eshtë një libër që lëviz simetrikisht mes heshtjes dhe fjalës, dhe nuk kërkon të devijojë në asnjë mënyrë.
Nga ana tjetër autori nuk e fsheh dot qëllimin që i ka vënë vetes për të vendosur pak rregull në raportet mes letërsisë dhe historisë filozofike, dhe t’i japë vëndin e humbur përpjekjeve egzistencialiste dhe individëve krijues që i kanë dhënë energjitë e tyre dhe jetë aktive qytetit të tij. Në rrugë e sipër atij i dalin përpara papritur edhe një tufë dritash reflektuese, përballë të cilave, ai ndalet dhe këmbëngul me forcë, t'iu gjej kuptimet. Duket se një gjë e tillë nuk është vetëm për lexuesin, por edhe një shtytje për përsiatje dhe meditime, rreth një kohe të shkuar, drejt një kohe të re. Alternimi mjeshtëror i tyre, e bën më interesante dhe më me detaje skenografinë, para së cilës performojnë lojën e tyre personazhet e këtij libri. Autori di të lozë me shkathtësi sa me kontrastet, aq dhe kompleksitetin e ngjyrave, evidenton rrënjët, por vizaton me adhurim edhe degët, shijon frutat e tyre, por projekton instinktivisht edhe hapësirat që i rrethojnë ato.

I gjëndur nën pushtetin e bukurisë Adriatikase dhe njerëzve të saj, autori dhe pena e tij zhyten sa të mundin në kompleksitetin e tyre, dhe s'duan të dalin prej tyre asnjëherë. Duke qenë qytetar i një qytet të lashtë dhe misterioz, Minguli joshet shpesh nga prania e medalioneve dhe statujave të tij të dukshme dhe të padukshme, deguston narrativat e dikurshme rreth tyre por shtyhet vazhdimisht në kërkime. Zakonisht të tilla kërkime, nisin gjithmonë pas diskutimesh dhe debatesh të gjata, por edhe si pasojë e joshjeve që një muze i hapur siç është Durrësi, reflekton fuqimisht dhe qëllimisht mbi të. Është ky vënd ku mes kaq kulturave dhe religjioneve ngrihet një bankë - pohon autori dhe menjëherë i kujtohen fjalët e shkrimtarit të talentuar Pol Milo, kur thotë se Durrësi ështe qyteti i çudirave dhe intelegjenca duhet të ketë lindur pikërisht këtu.
Libri "Bulevardet e së djeshmes" është një miksturë mes tregimeve psikologjike dhe përsiatjeve kritike, rreth veprave të shumta letrare dhe artistike të krijuesve të këtij qyteti dhe më gjerë. Në këtë kontekst ai zbulon dhe hap galeri të fshehura shkrimtarësh, zbulon drama, skenarë, romane dhe poezi, për ti vendosur ato përballë syve të mprehtë të kritikës dhe analizës, duke zbuluar në secilën prej tyre disa nga karakteristikat më esenciale. Natyrisht për të mbërritur deri këtu atij i duhet të hyjë nëpër shumë labirinthe, të eksplorojë dhe të dalë në konkluzionet e duhura. Nëse për librin e ri me publicistikë të Bashkim Hoxhës " Post Scriptum "ai del në konkluzionin, se “ky libër autorrëfim i ngjan një teli të tendosur, ku varen herë drama e herë romane, që janë në luftë mes tyre"; për romanin e shkrimtarit Rifat Ismaili “Një vend burrash " ai pohon metaforikisht se kjo vepër është " një subjekt elastik në një qytet të ngurtësuar”.
Duke debatuar për vlerat dhe funksionet e letërsisë moderne, autori krahas shpalljes se mendimit, se çdo vepër letrare pavarësisht nga forma, zhanri apo gjuha, nënkupton një strukturë, që tradicionalisht është konceptuar si lineare, ciklike, ose e ndarë sipas logjikës dramatike klasike, bie dakort edhe me pohimin e shkrimtarit të njohur Bashkim Hoxha, se përmes letërsisë, mund të komunikosh jo vetëm me publikun, por edhe me veten. Fatmir Minguli i hyri letërsisë, jo për hobi, dhe për t’u dukur, por për t'iu përgjigjur një thirrje të brendshme dhe të gjithëkohshme që s’e ka lënë kurrë të qetë. Erudicionin i tij i jashtëzakonshëm, fryt i leximeve të shumta në vite dhe dekada, binte ndesh me pohimet hipokrite të të ashtëquajturit kritikë dhe studiues, që nisën të binin si kërpudhat mbas shiut, menjëhere mbas viteve nëntëdhjetë.

Eshtë pikërisht kjo periudhë që pena e tij u mpreh mirë duke bërë përshtypje në rrethet e shumta dhe të hutuara letrare, për guximin e pohimeve dhe aftësitë analitike. Librat kritikë "Tjetërlloj", "Poezia moderne dhe Moikom Zeqo","Trajektore e hajkut, "Udhëtime eseistike" etj, sollën para lexuesve dhe studiuesve, një tjetër lloj valence analitike dhe këndi vështrimor. Autori e konsideron veprën si një godinë shumëkatëshe, e cila nuk mund të egzistojnë pa patur themele të forta dhe të qëndrueshme. Për autorin brendia, dhe stili janë dy nga elementët bazikë, që mund të sigurojnë suksesin e një vepre, por kjo nuk përjashton edhe elementë të tjerë siç janë, gjuha dhe personazhet. Shembulli më i qartë i asaj që thamë më sipër është analiza e librit me tregime të Fatmir Terziut "Në anën tjetër të portës ". Gjatë gjithë proçesi të analizës edhe pse i prekur nga një lloj mahnitje nga struktura narrative e tregimeve, kritiku është i aftë të dallojë praninë e një trekëndëshi solid që mund ta posedojë vetëm gjeometria e tij. Nga ana tjetër ai nuk i shmang analizat psiko analitike që në këtë libër qendrojnë mbi ekuilibrat e rrëfimit, mes reales dhe joreale, ku e dyta ndihmon në ndriçimin e së parës. Në këtë rast unë i jap të drejtë konstatimeve të tij të thelluara, se tregimet e këtij libri janë sa të ndryshëm nga subjektet po aq të ngjashëm për nga struktura narrative. Ndërsa ka hedhur mendimet e tij për këtë libër kaq interesant, autori nuk ka bërë gjë tjetër veç se ka zbërthyer Adiçen, kur specifikon faktin që tregimi është forma më e butë e pushtetit. Të njëjtën thellësi analitike mund ta vëresh edhe gjatë promovimit të romanit të radhës "Asnjëherë të martën" të Bashkim. Hoxhës. Duke u shkrirë me trupin e rrëfimit të kësaj vepre, kritiku nuk ka bërë gjë tjetër përveç se ka afruar veshët për t’i ndjerë sa më qartë regëtimat e tij të pazëshme, dhe për ta ndjekur me sy fundin e metamorfozës së personazhit të tij kryesor. Në proçesin e tij të hulumtimit për arsye të veçanta ai tenton gjithashtu të njihet me personazhet e tij në mënyrë jo direkte, por nëpërmjet reflekseve që hedhin ata tek personazhet e tjerë rrethorë. Dëshmitë e tyre janë të mjafta për të hedhur para tij dritën e kërkuar dhe për të zhbërë misteret.
Në shumë nga studimet dhe analizat e tij Fatmir Minguli mundohet të dëshifrojë peisazhet pa emër dhe në heshtje. Jo më kot në fillim të shkrimit të tij për poetin Edmond Agollit ai i referohet veprimit të Andrea de Gregorios, që i rishikon vendet në letërsi, aty ku heshtja është protagonist. Në kërkim të ekstraktit të vlerave poetike dhe paraleleve që krijohen nga lufta mes dy të kundërtave, në fokusin vështrimor dhe analitik të tij futen edhe librat poetikë të Pirro Mingulit, Skënder Milaqit, Kujtim Hajdarit, etj. Në secilën prej tyre kritiku shfrytëzon përvojën e tij si lexues model, me kërkesa të rrepta artistike dhe estetike.
Kritiku është një gjahtar i zellshëm i simbolikës, i madhësisë, formave, por edhe i filozofisë që përcjellin ato. Ai di t’i zbërthejë lidhjet e tyre, por më shumë rrjetet e komunikimit që krijojnë ata mes tyre. Shembulli i vëzhgimeve të thella dhe intelegjencës së një lexuesi model mbetet padyshim romani “Asnjëherë të martën” i Bashkim Hoxhës, romani " Kojrillat" i Fatmir Terziut, vëllimi poetik i Niko Kacalidhës " Heraldiket e bores” dhe "Medalioni i Dyrrahut" i Pol Milos. Janë libra që një kritikë të zakonshëme, mund ta kompleksojnë me forcën dhe zërat e tyre krejt të veçantë, por jo një njohës të thellë të letrave si ai. Me një punë të kujdesshme dhe të përkorë, autori ja ka dalë të projektojë më së miri trajektore, dhe të zgjidhë drejt ekuacionet enigmatike, që i karakterizojnë këto vepra. Libri me kritika dhe tregime "Bulevardi i së djeshmes’, nuk është shkruar për një muaj apo për një vit. Duke qenë se ai është rrekur të verifikojë hapat e kohëve, ky libër ka qenë shkruar brenda kujtesës së autorit, dhe priste vetëm çastin e përshtatshëm për të dalë. Tashmë ai të fton për një lexim dhe emocion të sinqertë.
Durrës 14 janar 2026









Një falënderim i veçantë shkon për autorin e librit, Fatmir Minguli, dhe për autorin e këtij shkrimi të thelluar e elegant, Agim Bajrami, për vëmendjen kritike dhe respektin intelektual me të cilin janë trajtuar veprat dhe autorët. Përmendja e romanit tim “Kojrillat” në këtë kontekst analitik serioz është jo vetëm nder personal, por edhe një dëshmi se dialogu i vërtetë letrar lind aty ku kritika është e ndershme, e argumentuar dhe e lirë nga klishetë. “Bulevardet e së djeshmes” konfirmohet kështu si një hapësirë ku kujtesa, analiza dhe letërsia bashkëjetojnë me dinjitet, duke i dhënë qytetit dhe kulturës sonë një pasqyrë të rrallë vlerash të qëndrueshme.