Afrim Krasniqi: Retrospektivë.
- Sep 10, 2025
- 2 min read

Partia po “zgjidhte” Byronë, e cila drejtonte shtetin e shoqërinë (partinë + qeverinë + Kuvendin + drejtësinë + institucionet). Votim i hapur, asnjë kundër, në këmbë me duartrokitje. Më pas Sekretariati. Votim i hapur, asnjë kundër, në këmbë me duartrokitje. Më pas Sekretari i Parë. Votim i hapur, asnjë kundër, në këmbë me duartrokitje. Më pas qeveria. Votim i hapur, asnjë kundër, në këmbë me duartrokitje. Më pas drejtuesit e Kuvendit Popullor dhe të drejtësisë. Votim i hapur, asnjë kundër, në këmbë me duartrokitje. Vetëm 3-4 më vonë të njëjtët fajësuan Byronë, Sekretariatin, drejtuesit shtetërorë e politikë, etj, për dështime, paaftësi, abuzim dhe mungesë mbështetjeje popullore. U shkarkuan pjesë-pjesë në grup. Votim i hapur, asnjë kundër, në këmbë me duartrokitje. Mbijetoi përkohësisht vetëm propozuesi. Shtatë prej tyre kaluan edhe ca kohë edhe në burg.

Kur shohim ku jemi, e kuptojmë më mirë nga vijmë. Si formim dhe kulturë politike, si modele politike dhe lidershipi. “Zgjedhje” të Kryesisë (Byrosë), ministrave, drejtuesve të Kuvendit, të institucioneve, etj, të gjitha pa konkurrencë, pa transparencë, pa meritokraci, ndonëse më pas për të njëjtët mund të ketë shkarkime për paaftësi/arrest me burg për abuzime, – dhe në çdo rast votim i hapur, asnjë kundër, nw këmbë me duartrokitje. Lideri propozon dhe ai vijon të mbijetojë përmes militantëve besnikë, gjithashtu gjithnjë i “zgjedhur“ pa votim e konkurrencë. Për kujtesë: I gjati u votua së fundi 16 vjet më parë (shtator 2009) në PS, kurse rivali i tij ose bën votime formale, ose emëron pasuesin ose ia përcakton vetes mandatin përjetësisht. Nesër te Xibraku ose anës Lanës gati, 100% pro, në këmbë e me duartrokitje.
Votim i hapur, asnjë kundër, në këmbë me duartrokitje.
Edhe kur vendi po shkonte drejt humnerës.
Edhe kur vendi po shkon drejt krizës dhe rënies së demokracisë.
Kështu nisi!









Comments