„Aforizma me humor”
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Sep 8, 2022
- 2 min read

Ndër shkrimtarët kryesorë që kanë lëvruar aforizmat janë Gesualdo Bufalino, Arturo Graf, Leo Longanesi, Ugo Ojetti, Giovanni Papini e Giuseppe Prezzolini, Emil Cioran, Nicolás Gómez Dávila, Paul Valéry, Joan Fuster, Kahlil Gibran, Hugo von Hofmannsthal, Karl Kraus, Stanisław Jerzy Lec, Paul Valéry, Ludwig Wittgenstein e Paavo Haavikko. Temat e shtjelluara përmes aforizmave gjatë shekujve kanë pasur në qëndër të vëmendjes veset dhe virtytet, që ose ndërkëmbehen kohë më kohë, ose mbeten pa u ndryshuar, por edhe zhduken tërësisht. Kështu, bie fjala, vesi i mosngopjes që, deri në shekullin XV ishte tepër i pranishëm, më pas „u fshi” krejt, ndërsa virtyti i maturisë, i cili deri në shekullin XVI zinte vend ballor, më vonë u rrallua, Ndërkaq tema e misogjinëve,të paktën qysh nga Paolo da Certaldo e deri më sot ka mbetur pothuajse e pacënuar. Aforizmat janë përmbledhur në libra, kryesisht sipas një tematike të caktuar, në trajtë modelesh të ndryshme: rrëfenjë, dialog, citate, esse. Në të gjithë rastet në themel të subjektit është njeriu, Sa për stilin e aforizmave, të pandryshuar kanë qënë cilësia dhe lakonizmi. Sidoqoftë nuk ekziston një stil i mirëcaktuar, sepse hasim edhe të quajturat mikroaforizma, të krijuara nga rumuni Emil Cioran duke përdorur një numur tepër të kufizuar fjalësh, por edhe aforizma që mbushin faqe të tëra, siç janë ato të Arthur Schopenhauer-it. Libri i sapobotuar „Aforizma me humor” i autorit Shpendi Hulësi Topollaj (Botimet 2M Printing, Durrës, 2022), në 120 faqet (përfshi Hyrjen e Bashkim Kadiut) rrok një tematikë tejet të gjerë e të larme, praktikisht duke mos lënë mënjanë kurrgjë që e shoqëron njeriun gjatë jetës deri në vdekje. Madje për këto dy të fundit ka shkruar aforizmat përkatëse: „Një zgjim nga gjumi / i përjetshëm i vdekjes” („Jeta”); „Kthim në hiçin / nga i cili erdhëm” („Ç’është vdekja”). Ndryshe nga fakti që të gjitha temat e përfshira në vëllimin që po analizojmë, nuk janë të panjohura dhe as lakonizmi, origjinaliteti i spikatur e gjithnjë befasues i shoqëron fund-e-krye. Në mbështetje të këtij pohimi vijnë më qartë e më bindshëm „Ç’është pedagogjia e Rusoit”, „’Ç’janë Robert Bërnsi dhe Sergei Esenini?”, „Ç’është Hans Kristian Anderseni?”, „’Ç’është Pushkini”.... dhe „Ç’është Çmimi Nobel?”. Po marr shkas nga kjo aforizëm për të shtuar diçka jo fort të zakonshme, por që më mundon prej një kohe të gjatë. Gjeniu Ismail Kadare, i mjeri, ka mbetur kandidat si Pilo Peristeri. Për shkaqe relativisht të pashpjegueshme nuk po e merr dot Çmimin aq të lakmuar Nobel! Por në krah të tij mund të vinim pa ngurrim edhe disa emra të tjerë, ndër të cilët Shpendi Hulësi Topollajn, veprimtaria krijuese e të cilit, si nga ana sasiore, gjithaq nga ajo cilësore, e shpalosur me gjerësi tematike në një numur të madh gjinish e nëngjinish, e ve në krye të listës së shkrimtarëve, eseistëve, kritikëve, poetëve, publicistëve më prodhimtarë të botës shqiptare e më tej.
Comments